Dy zyrtarë amerikanë thanë të enjten se është “shumë e mundur” që një raketë anti-ajrore iraniane të ketë rrëzuar aeroplanin ukrainas të udhëtarëve, duke shkaktuar vdjekjen e të 176 njerëzve në bord.
Rrëzimi erdhi vetëm disa orë pasi Irani nisi një sulm me raketa balistike kundër bazave ushtarake irakiane që strehojnë trupa amerikane.
Zyrtarët, duke përmendur burime amerikane të zbulimit, folën në kushte anonimiteti. Ata nuk kishin informacione për qëllimin e rrëzimit.
Presidenti Donald Trump la të kuptohet se ai besonte që Irani të ishte përgjegjës dhe nuk fajësoi drejtpërdrejt Iranin, por hodhi poshtë pohimet iraniane se rrëzimi ishte një çështje mekanike.
“Dikush mund të ketë bërë ndonjë gabim nga ana tjetër,” tha Presidenti Trump, duke vënë në dukje se avioni ishte duke fluturuar “në një rajon mjaft të vështirë”.
“Disa njerëz thonë se ishte mekanik,” shtoi zoti Trump. “Unë personalisht nuk mendoj se ishte ky problemi, as që bëhet fjalë”.
Ekuipazhi i avionit nuk kërkoi ndihmë me radio dhe po përpiqej të kthehej për në aeroport kur avioni që po digjej filloi të binte, thuhej në një raport fillestar hetimor të Iranit të publikuar të enjten.
Raporti iranian lë të kuptohet se diçka e papritur goditi avionin Boeing 737 të operuar nga kompania Ukrainian International Airlines mëngjesin e të mërkurës. Avioni u rrëzua vetëm disa minuta pasi u ngrit nga Aeroporti Ndërkombëtar Imam Khomeini në Teheran.
Hetuesit nga Organizata e Aviacionit Civil të Iranit nuk ofruan asnjë shpjegim për katastrofën. Zyrtarët iranianë fillimisht fajësuan një mosfunksionim teknik për rrëzimin, diçka që u mbështet në fillim nga zyrtarët ukrainas. Por më pas ata thanë se nuk donin të shprehnin hamendje ndërkohë që hetimi ishte në vazhdim.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/