Kur politikani bën show-man-in, atëherë Adi Krasta do bëjë politikanin!

Kur politikani bën show-man-in, atëherë Adi Krasta do bëjë politikanin!

96
0
Shares

Nga Roland Bejko

Eeh ç’më kënaq mua ky naiviteti i demokratëve. Sa të mirë, sa të pastër e sa të padjallëzuar që janë… Të ekzaltuar se një Show Man i nderuar me një monolog të arrirë ka mbajtur një qëndrim të drejtë politik për realitetin dramatik që përjetojnë shqiptarët tani pas tërmetit tragjik, të gjithë, që nga nivelet më të larta të PD e deri tek ato më baziket i kanë bërë shpërndarje (share) pa fund në facebook, por pa kuptuar në fakt se aty ka diçka që nuk shkon. E di, i mirëkuptoj. Atyre u është kënaqur shpirti kur kanë parë që dikush jashtë opozitës i ka çjerë maskën fytyrës së korruptuar dhe kriminale të qeverisjes. Sepse zëra të tillë, të pavarur, po vërtet të pavarur dhe të panënshtruar, janë të rrallë.
Ajo pra që në fakt s’kanë kuptuar demokratët është se duke e shpëndarë këtë shkrim-monolog të tij, pa dashur i kanë bërë reklamë një tjetër formacioni politik që në kushtet fillestare që është i duhet shumë një publicitet dhe popullaritet i tillë, falas.

Krasta është në të drejtën e tij si gazetar dhe si njeri i lirë, të besojë se kjo organizata tjetër politike duhet të marrë fatet e vendit në dorë tani meqë drejtuesit e saj me demek, e dashkan Shqipërinë më shumë se partinë. Ndërsa demokratët duhet ta kenë bindje se Partia e tyre e ka detyrim ta bëjë një gjë të tillë se është forca politike me më shumë mbështetje se të tjerat sot në opozitë. Dhe është një opozitë normale, humane dhe e përgjegjshme, që sot në këto ditë tragjike nuk bën show për të përfituar politikisht, por çon ndihma, dhe propozon me urtësi zgjidhje për krizën e pastërmetit që qeveria nuk po e menaxhon dot. Dhe, për sillogjizëm, sipas Krastës, i bie të pranosh që ne të tjerët dhe lideri ynë i PD-së nuk vlejmë, se qenkemi po kaq të këqinj sa Rama që falimentoi Republikën dhe duakemi partinë më shumë se Shqipërinë, e si të tillë nuk qenkemi të besueshëm për të qeverisur. Ee, nëse Krasta është i lirë të mendojë kështu, drejtuesve demokratë kjo u ndalohet. Ndryshe le ti bashkangjiten kësaj organizatës së re që ka “magjepsur” Adin.

Në fakt ka kohë që në Shqipëri rendi i gjërave është përmbysur dhe si profesionet edhe funksionet janë bërë lëmsh. Ky nuk është vetëm fenomen shqiptar.

Disa politikanë e kanë kuptuar që u ka rënë pesha dhe reputacioni për shkak të abuzimit me pushtetin. Dhe që të bëhen të pëlqyeshëm te masa duhet të bëjnë Show Man-in, ndërsa Show mani, gjithashtu në krizë reputacioni si i tillë ( jo Krasta) shpesh bën politikë, apo bëhet politikan. Disa prej tyre kanë braktisur edhe profesionin për tu marrë me politikë dhe qeverisje. Por, Show Man-i është në të drejtën e tij ta bëjë politikanin dhe si artist, të ndikojë mbi publikun në mbrojtje të demokracisë dhe të lirive. Kurse politikani, Agorën politike ( Rama në rastin konkret) ka kohë që e ka kthyer në skenë spektakli atë, dhe në vend të diskutimit prej një burri shteti të përgjegjshëm për çastet tragjike që po kalojnë qytetarët dhe vendi i tij, bën Show Man-in, aktorin, me batuta dhe koreografi për të rënë në sy si interesant, si trandy. Këtë e bën kinse për të kthyer dështimin që i buron nga impotenca, pra pafuqia qeverisëse, në sukses personal. Janë ndëruar rolet sot. Politikani luan me pantonimën, me imazhin, me spektaklin për tu bërë interesant. Ndërsa artisti, aktori, gazetari, shaw mani që nëpërmjet imazhit pozitiv që ka fituar duke qenë i tillë, bëhet edhe më popullor dhe ndikues me fjalën, me fjalimin, me mesazhin, me përmbajtjen, me frymën, me shpirtin, me zemrën dhe natyrisht, me talentin në interpretim të gjithë kësaj.

Në fakt, në një farë mënyre, të dy konkurojnë në të njëjtën skenë, në skenën e Agorës për ta dominuar atë. Të dy i drejtohen publikut me mesazhe politike. Politikani me batuta dhe imazh, ndërsa show mani me imazhin si artist, por edhe me fuqinë e fjalës duke e bërë atë magjike falë teknikave që i njeh më së miri. Pyetja është se kush do ta dominojë skenën (Agorën) në fund? -Afërmendsh, ai që do marrë më shumë duartrokitje nga spektatori, natyrisht.

Po le të kthehemi te Krasta.
Në gjithçka që thotë jam dakord me të, dhe si qytetar do doja ta shpërndaja dhe unë në faqen e facebook-ut tim, por kam dy arsye që më ndalojnë ta bëj këtë.

Arsyeja e parë është etike. Një njeri që merret me politikë, duhet ta ndajë qartë veten, do bëjë intelektualin apo politikanin?
Nëse do bëjë intelektualin naiv ai mund ta shpërndajë dhe mund tu flasë të tjerëve me gjuhën e dikujt tjetër. Por një politikan kursesi nuk mund ta bëjë një gaf të tillë. Është në konflikt interesi. Ai e ka për detyrim profesional që të adresojë vet mesazhe të tilla politike me ndikim të fortë në publik, sidomos në çaste krizash si tani.

Nëse një gazetar apo një show man arrin ta artikulojë më bukur një mesazh politik se sa një politikan që e ka për profesion komunikimin politik dhe ky i bën shar artistit a gazetarit, ky është dështim për politikanin. Dhe në rast se kurrë nuk ka ndodhur që politikanit dikush ti ketë bërë share fjalimet, shkrimet apo analizat e tij, atëherë ai duhet të dalë urgjent nga politika. Duhet të largohet se nuk frymëzon!

Arsyeja e dytë pse nuk mund t’i bëj share Krastës edhe sikur të doja, ka të bëjë me faktin se në monologun që lexova, i gjendur tërësisht në të drejtën e tij prej show man-u , zotëria nuk e shikon partinë më të madhe opozitare, pra PD-në, si forcën politike të gatshme për ti dalë zot vendit në këtë situatë tragjike, por i bën thirrje publike një lëvizjeje tjetër të sapo krijuar për të marrë fatet e atdheur në dorë, dhe drejtuesit e saj i quan njerëz të përgjegjshëm që duan më shumë Shqipërinë se partinë.

Për ta mbyllur, dua të them se shumë mirë që në Shqipëri ka ende njerëz të lirë si Adi Krasta që nuk dorëzohet në luftën e tij prej qytetari të mirë, gazetari e show man-i të talentuar. Ai është një shembull që nuk resht së bëri thirrje për të reaguar kundër së keqes Edi Rama që po tallet me qytetarët e vet edhe në momente fatkeqësie si kjo e tanishmja, që po i shtyp dhe po i varfëron shqiptarët për ditë e më shumë. Shembulli i Krastës si qytetar i angazhuar është një akuzë e rëndë për konformistët e të gjitha kategorive që lëpijnë pushtetin edhe në këto çaste tragjike. Ata duhet të ndihen sot të turpëruar dhe po aq fajtorë sa dhe kryefajtori që Shqipëria është në këtë gjendje. Këtë të vërtetë mund ta them për Krastën, ama monologut të tij, ndjesë, po nuk mund t’i bëj dot shpërndarje në facebook-un tim për arsyet që shpjegova e që janë sa etike, aq dhe politike.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY