Kontrata Milot-Balldren, KLSH gjen falsifikime dhe zero investime nga kompania fituese

Kontrata Milot-Balldren, KLSH gjen falsifikime dhe zero investime nga kompania fituese

97
0
Shares

Të dhënat për kontratën koncesionare me Partneritet -Publik -Privat për ndërtimin e rrugës, Milot -Balldren nga kompania ANK janë falsifikuar, shkruan revista monitor.

Kontrolli i Lartë i Shtetit në një audit të thelluar mbi procesin e kontraktimit me PPP të projektit ka gjetur të dhëna të ndryshme në një tabelë që ka të njëjtin numër regjistrimi, ku vërehen qartë se si kanë ndryshuar shumat dhe afatet e financimit të segmentit nga furnitorët.

Në draft kontratën e protokolluar nga Ministria e Financave me shkresë nr. 8415 me datë 07.05.2019, sipas regjistrimeve me nr.1801 Rep, nr. 469 Kol, konstatohet diferenca në anekset e kësaj kontrate me kontratën e botuar në faqen zyrtare të Kuvendit.

Sipas shtojcës 6 “Modeli Financiar” të kontratës së përcjellë në Ministrinë e Financave financimi nga furnitorët është 19.5 milion euro, përkatësisht 9.5 milion euro vitin e dytë dhe 10 milion euro vitin e tretë të projektit koncesionar/PPP.

Sipas kontratës së botuar në faqen e Kuvendit, financimi nga furnitorët është 19.5 milion euro, përkatësisht 2.5 milion euro vitin e parë, 3 milion euro vitin e dytë, 7 milion euro vitin e tretë dhe 7 milion euro vitin e katërt, të projektit koncesionar/PPP. Shifrat e ndryshuara në tabelat që shoqërojnë kontratën janë të faktuara nga faksimilet në fund.

Shifrat e ndryshme në njëjtën shkresë me të njëjtën numër regjistrimi tregojnë për ndërhyrje njerëzore të paligjshme që cenojnë integritetin e të dhënave dhe shifrave të mëparshme të studimit të fisibilitetit. Kontrolli i Lartë i Shtetit pohoi se për qëllime të analizës u mor në konsideratë tabela e botuar nga Kuvendi i Shqipërisë.

Struktura e financimit e fryrë, kontraktorit nuk i nevojiten fondet e veta

Struktura e propozuar e financimit duke e krahasuar me nevojën për flukse dalëse konstatohet jo e përshtatshme, duke krijuar teprica likuiditeti të panevojshme, të cilat nga njëra anë shkaktojnë shpenzime interesi të panevojshme dhe nga ana tjetër ulin vlerën reale të kontributit të kapitalit të operatorit privat, thuhet në gjetjet e auditit.

Në këtë mënyrë nevoja për flukse dalëse në vitin e parë të kontratës vlerësohet në vlerën 32.500.000 euro, ndërkohë që financimi vetëm me hua bankare vlerësohet në shumën 40.000.000 euro, duke krijuar një tepricë të panevojshme prej 7.500.000 euro. Po në të njëjtin vit parashikohet financim i operatorit privat në shumën 6.000.000 euro, e cila në total rezulton në një tepricë likuiditeti prej 13.500.000 euro. Kjo do të thotë që gjatë vitit të parë bazuar në planin e paraqitur në studim fizibiliteti, jo vetëm që nuk ka nevojë për 40.000.000 euro hua, por edhe kapitali i operatorit privat i pretenduar për financim, rezulton i panevojshëm, pasi nevojat për financim të projektit për vitin e parë, mbulohen dhe tejkalohen me hua bankare.

Përgjatë gjithë periudhës së investimit akumulohen mjete monetare të panevojshme të cilat duke pasur një normë interesi prej 5% mbi kapitalin e investuar nga koncesionari rezultojnë rreth 1.6 milion euro kosto interesi të panevojshme.

Nga auditimi konstatohet se është parashikuar të financohet e gjithë vlera e kostos së investimit duke përfshirë edhe fitimin e operatorit privat të realizuar si pasojë e operacioneve ndërtimore. Në këtë mënyrë, konstatohet se vlera reale e investuar nga sektori privat në fazën e ndërtimit është më e ulët se 30 milion euro të deklaruara, pasi për pjesën e ndërtimit, projekti do të gjenerojë fitim. Struktura e financimit për pjesën e ndërtimit vlerësohet të jetë e mbivlerësuar duke mos marrë parasysh këtë element dhe duke i ofruar kthim nga investimi koncesionarit edhe për pjesën e fitimit të realizuar nga  faza ndërtimore. Përveç, pjesës së shtrenjtimit të kostos së financimit të projektit, ky konstatim jep efekte edhe në vlerën reale të investuar nga koncesionari në projekt, që në rastet e një marzhi fitimi prej 10% (që përkthehet në një fitim prej rreth 14 milion euro vetëm nga ndërtimi), vlera reale e investuar për këtë projekt rezulton në rreth 16 milion euro dhe jo 30 milion euro siç pretendohet nga koncesionari.

Supozimet e studimit përfshijnë financimin me 115 milion euro hua bankare dhe 50 milion euro investim nga kapitali i kompanisë, nga të cilat 30 milion Euro për realizimin e investimit dhe pjesa tjetër prej 20 milion euro për mirëmbajtjen. Në total kostoja e investimit dhe mirëmbajtjes sipas vlerësimeve është në shumën 161.5 milion euro ndërkohë që modeli i financimit përfshin burime në shumën 165 milion euro. Diferenca prej 3.5 milion euro financim shtesë përtej nevojave për investim dhe mirëmbajtje sipas modelit të propozuar rëndon me kosto shtesë  financimin përtej nevojave reale, duke përfshirë kostot e interesit. Pjesa e financimit të shpenzimeve të mirëmbajtjes nga kapitali i shoqërisë nuk është pjesë e pasqyrës së fluksit të parasë si fluks hyrës megjithëse është deklaruar se do futen në projekt si të tilla, ndërkohë që është pjesë e analizës si fluks dalës nga shpenzimet e mirëmbajtjes.

Për tre vitet në të cilat është parashikuar që të realizohet investimi, vendosen në dispozicion fonde të panevojshme (krahasuar me nevojën për para për kryerjen e investimit) që në vitin e parë e cila vazhdon deri në vitin e tretë, nga ana e koncesionarit dhe financimit me hua bankare për të cilat paguhet interesa.

KLSH konstaton se analiza e kryer nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë është jo e plotë dhe nuk ka evidentuar problematikat në drejtim të flukseve të projektuara të parasë, burimet e nevojshme të financimit, treguesit kryesorë financiarë të projektit si dhe  kostot kryesore që angazhojnë flukse dalëse të parasë. Në këtë mënyrë, për efekt të problematikave të vlerësuara më sipër nuk evidentohet të jetë refuzuar projekti por është shprehur dakortësia në parim.

Kostot e shpronësimit nuk janë parashikuar

Sipas rezultateve të kontrollit kostot e shpronësimit të këtij projekti koncesionar rezultojnë të mos jenë parashikuar në studimin e fizibilitetit, të cilat duhet të jenë në formën e kostove të investimit për të ndodhur përpara fillimit të punimeve. Nga auditimi konstatohet se flukset dalëse si pasojë e kostove të shpronësimit nuk janë pjesë e analizës së flukseve të parasë për të pasqyruar treguesit financiarë të projektit dhe fluksin neto të parasë për Buxhetin e Shtetit.

Kontrata e Milot-Balldren

Kontrata e koncesionit/PPP ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, si Autoriteti Kontraktor, shoqërisë “ANK” sh.p.k., si koncesionari, dhe shoqërisë “Bardh Konstruksion” sh.p.k., si shoqëria koncesionare, për projektimin, ndërtimin dhe mirëmbajtjen e segmentit rrugor Milot–Balldren u miratua nga Kuvendi në fund të muajit korrik.

Kjo kontratë ngjalli debate të mëdha për koston e lartë të saj, 256 milionë euro me TVSh, ose 15 milionë euro për kilometër,  rishikimin në rritje të saj në raport me ofertën fillestare që ishte 161 milionë euro, rinegocimin pa garë të interesave.

Kompania deklaroi se do të merrte një kredi prej 70 milionë eurosh, do të përdorte financiame nga furnitorët prej 19.5 milionë eurosh dhe do të investonte 52 mln euro nga kapitali i vet.

Të dhënat e bilancit treguan se kompania nuk kishte kapacitetet financiare që të ndërtonte një projekt të tillë.  Ndërsa ANK premton të financojë 52 milionë euro nga kapitali i vet, të dhënat zyrtare nga bilanci 2017 tregojnë se totali i aktiveve të saj është vetëm 16 milionë euro (2 miliardë lekë), ndërsa totali i kapitalit është 3.2 milionë euro. Kompania kishte të ardhura prej 16 milionë eurosh në 2017-n dhe një fitim minimal prej më pak se 1 milion euro.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY