Të afërmit e Andi Malokut të pakënaqur, xhaxhi i 24-vjeçarit tregon telefonatën...

Të afërmit e Andi Malokut të pakënaqur, xhaxhi i 24-vjeçarit tregon telefonatën e fundit: Na gjuajtën, jam plagosur

162
0
Shares

Shoferi i prokurorit Arjan Ndoj ndërroi jetë, pas disa ditësh i shtruar në spital teksa mbeti i plagosur në atentatin në mbikalimin e Shkozetit.

Familjarët e tij hedhin akuza ndaj shtetit shqiptar, pasi sipas tyre u ka bërë shumë padrejtësi. Në një intervistë për gazetën “Shekulli”, xhaxhai i të ndjerit Andi Maloku, Bashkim Maloku është shprehur se ditën e ngjarjes nuk janë lejuar të futen në spital, por u rrethuan me policë në ambientet e jashtme.

Maloku tregon edhe komunikimin e 24-vjeçarit pasi ishte qëlluar me breshëri arme. Më poshtë intervista e xhaxhait të Andit Malokut.

Në media qarkulloi se Andi ka punuar si efektiv policie në Krujë. Sa e vërtetë është kjo gjë?

Jo, Andi nuk ka punuar asnjëherë efektiv policie, por media ka trilluar dhe me moshën ku thanë se ishte 34 vjeç. Që në moshën 16-vjeçare ka punuar kamerier, ndërkohë që ishte dhe në shkollë. Më pas ka mbaruar studimet për Menaxhim Turizëm dhe ka rreth dy muaj që kishte vazhduar punë me prokurorin si shofer i tij.

A kishte lidhje familjare me prokurorin?
Absolutisht që jo, nuk kishte lidhje familjare fare. Ne të gjithë aktualisht punojmë në shtet po ashtu dhe i ati, por edhe unë jam punonjës i shtetit. Ky shtet na bëri shumë padrejtësi. Na bënë padrejtësi pasi, ditën kur ndodhi atentati nuk na lanë ta shikonim djalin, por na rrethuan me policë te spitali i Traumës.

Si e morët vesh kur ndodhi atentati?

Kur ndodhi atentati ne e morëm vesh përmes djalit. Andi kishte folur me të atin në telefon dhe i kishte thënë “o babi na gjuajtën, jam plagosur”. Ky ishte komunikimi dhe më pas na lajmëruan që të shkonim te spitali se i kanë gjuajtur djalit. Ne nuk ishim në dijeni se për çfarë bëhej fjalë, a i kanë gjuajtur me armë, a ka bërë aksident nuk e dinim fare. Vetëm kur shkuam atje në vendin e ngjarjes dhe e dërguam për në spital. Por ne gjithashtu kemi vërejtje dhe nga policia. Jemi shumë të zhgënjyer nga Policia e Shtetit se kemi punuar dhe vetë në polici.

Pse keni vërejtje kundrejt policisë?
E para, nuk ngritën postblloqe, por u morën me familjarët që ishin të spitali për t’i shoqëruar. Së dyti, te urgjenca e spitalit nuk na la asnjë që të shohim djalin, madje as prindërit e tij nuk i lënë që të hyjnë të shohin djalin. Ndërsa të nesërmen, një ditë pas atentatit, nuk kishte asnjë polic. Ishte fasadë. Dhe së fundmi, kur vdiq djali, e çuan në morg. Ndërsa morgun e rrethuan me policë. Nuk na lanë as për ta qarë në orët e fundit.

Fillimisht Andi kishte dalë nga reanimacioni dhe më pas u ridërgua në reanimacion. A mundët të bisedonit me të dhe si ishte gjendja e tij?
Po e takuam djalin. Biseduam dhe folëm gjatë me të. Por i ra trombozë e pjesshme, nga ana e mushkërisë. Me drejtësinë jemi të pakënaqur fare, dhe nga qeveria jemi të pakënaqur sidomos ne që kemi kontribuar për këtë qeveri. Sidomos dhe djali që ka qenë në komision. Anëtar komisioni në Shijak, se ne jemi nga Shijaku. Më parë ka punuar kamerier. Asnjë lloj pune tjetër s’ka bërë. Djali ishte 23 vjeç për pak ditë mbushte 24 vjeç dhe nuk ka punuar asnjë punë tjetër. Ne jemi të gatshëm të gjithë që të tregojmë dokumentet e djalit se ku ka punuar. Ai nuk kishte lidhje fare as me policinë, as nuk ka punuar si efektiv policie. Nuk ka bërë asnjë sherr në lagje. Nuk ishte problematik dhe nuk ka konflikt me asnjë person. Ne e çuam djalin për të qenë më i sigurt si shofer prokurori. Nuk e dinim që do përfundonte kështu.

Ju thoni që nuk e njihte prokurorin, si përfundoi Andi i punësuar aty?
Nuk e njohim. Edhe pse në media qarkullonte se kishin njihje të mëparshme. Prokurori është nga zona e Veriut ne nga Shijaku nuk kishim lidhje fare me të. Thjesht shkoi për punë, kishte dëshirë të bënte atë punë. Nuk ka asnjë precedent penal. Ndaj dhe ne jemi dhe të zhgënjyer nga informacionet që kanë dalë nga mediat por edhe nga shteti. Shteti duhet të kishte dalë në media të kishte bërë një deklaratë për shtypi që ky djalë nuk ka qenë asnjë ditë polic, të saktësonte informacionet. Kaq i paaftë qenka ky shtet që mirë kriminelët nuk i kap por të paktën të dilte e të bënte një deklaratë përmes zëdhënësve të shtypit që Andi nuk ka qenë asnjëherë polic Shteti. Ndaj dhe ne jemi shumë të zhgënjyer, që opinioni publik të dinte se kush ishte djali. Ata e dinin djalin 34 vjeç. Nuk bënin dot lidhjet. I ati i tij është 44 vjeç, si mund të ishte djali 34 vjeç. Si mund të punonte në polici. Ai tani kishte mbaruar shkollën.
Para se të fillonte punë si shofer i prokurorit, çfarë pune ka bërë më parë Andi?
Punonte si kamerier dhe më pas mori një lokal me qira. Punonte si dhe e menaxhonte vetë lokalin për disa muaj. Më pas e pa që nuk po i përballonte dot se nuk paguante dot qiranë sepse ishte e lartë dhe e mbylli. Ishte pa punë pasi e mbylli lokalin dhe ishte në kërkim të punës.

Kushëriri i Andi Malokut

Gjashtë ditë pas atentatit të prokurorit Arian Ndoja, humbi jetën shoferi i tij Andi Maloku. Në një intervistë për Gazetën “Shekulli”, kushëriri i 24-vjeçarit, tregon gjendjen pas daljes nga reanimacioni. Pasi doli nga reanimacioni 24-vjeçari ka shfaqur probleme me frymëmarrjen. “Gjendja e djalit u përkeqësua sepse i ra tromboemboli në mushkri dhe kjo ishte një nga faktorët që çoi në vdekje. Po ashtu, dhe gjendja toksikoseptike nga helmimi nga flora bakterike që u krijua nga hyrja e plumbit. Plumbi ka depërtuar nga të dyja mushkëritë jo vetëm në njërën. Këto ishin komplikacionet që çuan në vdekjen e Andit.”, shprehet kushëriri i 24-vjeçarit.

/DRONI.al/

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY