Kritiku ma i mirë i Fishtës dhe “Mrizi i zanave” si peng...

Kritiku ma i mirë i Fishtës dhe “Mrizi i zanave” si peng i dëshmisë!

95
0
Shares
Agron Gjekmarkaj

Nga Agron Gjekmarkaj

Atë që nuk munden , nuk ditën, nuk deshën ta bënin studiuesit dhe qeveritarët shqiptarë në dekada me Fishtën autor dhe vënd, me atë burrin e madh me trup e më shumë me letersinë e pavdekshme, me njanin nga themeluesit kryesorë të atdheut tonë të pavarur e ka bâ Altin Prenga ! Ai ka gjetë menyrën për t’ja ndërtue monumentin “katunarit” të tij !

Në një kodër e cila ngjan me një parnas të vërtetë ai asht bâ dëshmitar i fuqisë së rrâjve , të atyne që nuk lëvizin vetën ngulen thellë në dejet e tokës, të fuqisë magnetike që ato kanë mbi njeriun i cili rritet me dashninë për to, pa ra pre e nihilizmit dhe mohimit bashkëkohor! E aty lanë ka shumë , Frang Bardhi, Pjeter Zarishi, De Martino, seminari i Troshanit e në krye Gjergj Fishta! “Mrizi i zanave” paskësh kenë aty prej kah moti!

U vesh me tis e mjegull dhe na humbi nga shikimi për shumë vjet por sapo u darovit stina e moti i rishfaq në një formë unike, në një histori që ban krenar çdo zadrimor, lezhjan apo shqiptar! Titulli i veprës së Gjergj Fishtës u bâ marka ma e njohtun në botë e agroturizmit shqiptar! Nuk ka mbetë gazetë e rânsishme  e Europës pa u habitë e çmeritë kënaqësie për ata djem, ata vllazën, historinë e tyne, ata njerëz të butë e punëtorë të zadrimës, për atë restorant krejt bio e delikat mes shumë ngjyrash e aromash që dalin prej nji toke të begatë!

Po kaq me pathos janë entuziazmue televizione si Raiuno e të tjera, të Italisë nji vend ky që nuk i falet askujt në artin e guzhinës! Nuk i kanë mungue çmimet ndërkombëtare! Nuk i ka mungue fama e cila nuk ja ka zvoglue aspak modestinë Altin Prenges i cili iku femijë në Itali e u kthye burrë me idenë fikse se mentaliteti kafe e llafe luftohet veç me punë! Aty sot ka nji restorant e hotel tejet të rafinuar pa humbë kordinatat e vendit ku gjindet!

Nji hotel të ndërtuem mbi një kullë qindra vjeçare ku tradita shkelqen me hijeshi nga rafinaturat e modernitetit! Nji kompleks punishtesh, ku bahet vena, djathi i shumë llojeve, reçelnat e marmalatat të gjitha me produktet e zonës! Nji vreshtë e madhe i rrethon e bashkon ndërtesat me njara-tjetrën! Janë me qindra zadrimoret që punojnë për “Mrizin e Zanave” tu fillue nga kamarierë e banakierë, tek bujqit në arat e veta e fëmijet që mbledhin kërpulla e shega! Ish-burgu asht ba nji kompleks me ja pasë zili çdokush e me mësue gjithkush!

Që pra mendja e njierit të njatin objekt e trajton dy sojesh ! Nji herë si burg tu ba me vujt të madh e të vogël e tjetrën herë nji vend që i knaq të gjithë! Kënkan gja e madhe mendja e shpirti tek nieri !

Aty shkojnë prej kah mos! Personalitete nga bota e çka ka njerez që vlejnë në kët ven tu fillue me Ismail Kadarenë!! Na jena ata çka hamë e pimë thotë nji nga ata që e ka ndikue historinë e botës ! Altin Prenga ka sfidue çdo pandehmë e kornizë, mentalitet e rrethana ty kthye në katundin e tij modelin e suksesit kur të gjithë ikin, atë të dashnisë për natyrën e punën ! Të gjitha ata që shkojnë për herë të parë teksa ecin mes fushës së zadrimës, vende vende djerr, me do shpia të vorfna zymtohen në heshtje e mbyllen në padurim se ku po i çon!

Me ka ba vaki dy herë me dy italian, njani ish-themelues i Forza Italia, senator e nënkryetar parlamenti i Italisë Della Valle, nji erudit i madh e me nji doktor dentist me emën të madh në Abruzzio Gabriele Valentini! Me shikjojshin gjithë mosbesim ku po i çojshe! Sapo zbritën, ndien zukama patash, rënkime derrkucash, melodi pulash e gjelash, tâna me rrush, pemë gjithçfarësh e të gjitha në venin e vet! Leshun nji paheretime lehtësimi!

Mrëna ku e ku ma tepër! U shkriftuen sa pinë langun e thanës e mrrinë mezet e para! Orë pas ore ranë në dashni me atë vend sa nuk u bahej me ikë e gjithmonë pyesin për të ! Pa pyet per dietë e kalori hanin me tahmah! Aty ata deshën me ditë çka asht “Mrizi i Zanave”!? , Se kush asht ai burrë me zhgun portretet e të cilit zanë vend kudo neper muret e ngrehinës!

Jua shpjegova se bahej fjalë per poetin tonë kombëtar, i ndaluem për 46 vjet e i keq gjykuem 30 të tjera, se emri i lokacionit asht marrë nga nji vepër e tij ! Shtangën! Me thanë që ky djalë qënka studiuesi ma inteligjent i Fishtës, dashësi dhe shërbyesi ma i madh i tij, dy herë i Fishtës autor dhe i Fishtes vënd!

Ata kishin të drejtë janë me miliona që e dinë se Mrizi i Zanave dhe Fishta ekzistojnë edhe pa e lexue!  Aty i çon barku po nji ashkël u hjeket në tru tu pa, tu pyet, tu kqyrë poetin në ato foto që shprehin shumë aspekte të veprimtarisë se tij në sherbim të nji vendi qe e la pa vorr! Diku aty afer poeti ka edhe shpinë që po rranohet për faqen e zezë tonën! Askush nuk kujtohet ndërkohë që për nji kilometer rrugë qeveria e Tiranës asht gati me dhanë 20 milion euro!

Si asht ba kjo punë haja qënit pija qënit me lekt e shqiptarve! Ndoshta tuj hangër aty Edi Rama e Margariti në kthim kur ndoj gugsimë ju del nga shpejtësia e makinës me u kujtue me pa shumë ma pak se Altin Prenga për Fishten! Me i ndreqë shpinë poetit megjithse dreqi po e din si kanë ardhë punët a e njohin ata Gjergj Fishtën?

Sot Shqipnia ka mitet e veta, hajna e dylme, rriqna të ndyta e shakllabana safi veshun firmato, të cilët nuk e kanë elegancën e patave të Altinit! Ky zotni sot mundet me ju dhanë nji leksion të gjithve, biznesmenve pikërisht atyne që pasunohen tue grabitë kët vend, politikanve që e rrejnë e rrjepin , bjerrakohsve që bajnë libra që mysin edhe dhinë ba me e hanger, me modelin e vet që punon që pasunohet e pasunon të tjerët tu zbukurue vendin! Ai asht tepër modest ! Pikërisht me këtë dhunti e me atë sukses të ban me u ndie në faj sa herë e merr fjalën e don me dhanë mend!

 

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY