“Si na prenë në besë komunistët me amnistinë e viti 1945…”

“Si na prenë në besë komunistët me amnistinë e viti 1945…”

142
0
Shares

Memorie.al publikon historinë e dhimbshme të Lekë Vojvodës me origjine nga Shoshaj i Dukagjinit, i cili pasi u diplomua në Akademitë ushtarake të Modenas e Firences u kthye në Shqipëri duke shërbyer si rreth-komandant i Xhandarmërisë së Lezhës dhe Tuzit ku dhe u lidh me misionet anglo-amerikane që shërbenin në atë krahinë nën komandën e majorit, Nils. Si iu përgjigj ai thirrjes së regjimit komunist në vitin 1945 duke u dorzuar pas amnistisë së bashku me Mark Malën, Gjergj Vatën, Pal Thanin, Lulash Stakën, Mirash Ndoun e Gjocajt e bajraktarin e Dukagjinit, Lulash Gjeloshin me gjithë mashkujt e fisit dhe dënimi i tij me vite të gjata burgu dhe internimi familjarisht…

Aty nga viti 1944 kur shërbeja si rrethkomandant i xhandarmërisë së Dukagjinit, hyra në lidhje të fshehta me majorin britanik Nils, i cili kryesonte një nga misionet anglo-amerikane që ishin atashuar asokohe pranë forcave nacionaliste në Veriun e Shqipërisë. Sipas porosive të tij, unë asokohe ndihmova të gjitha ato forca që luftonin kundër gjermanëve, sic ishin komunistët, ballistët dhe legalistët. Aty nga korriku i vitit 1944, unë e braktisa detyrën e rrethkomandantit të Tuzit dhe shkova në Shoshaj ku rrija vazhdimisht nën ankthin e goditjes e arrestimit, si nga partizanët ashtu dhe nga forcat gjermane. Ashtu i arratisur qëndrova për dy vjet i fshehur nëpër malet e Dukagjinit së bashku me Mark Malën, Gjergj Vatën, Pal Thanin, Lulash Stakën, Mirash Ndoun dhe Bajraktarin e Dukagjinit Lulash Gjeloshi me gjithë mashkujt e fisit.

Në tetorin e vitit 1946 kur Qeveria Komuniste e Tiranës shpalli një amnisti për të gjithë personat e arratisur, unë vendosa dhe u dorzova vetë së bashku me disa shokë të tjerë, duke menduar se komunistët do ta mbanin fjalën për faljën që nxorrën. Por isha gabuar, se komunistët na prenë në besë dhe më dënuan me shtatë vjet burg e internime të gjata, nga të cilat u lirova vetëm në vitin 1984″. Njëriu që flet dhe dëshmon për herë të parë për Gazetën, është 85-vjecari Lekë Vojvoda nga Shoshaj i Dukagjinit, ish-oficer akademist me gradën e kapitenit i diplomuar në Modena e Firence, i cili rrëfen gjithë historinë e jetës së tij që nga bankat e gjimnazit të Shkodrës, studimet në Akademitë e Italisë, fillimin e karrierës ushtarake gjatë viteve të pushtimit, ndihmesën e madhe ndaj lëvizjes antifashiste, e deri tek arrestimi e dënimi prej komunistëve me vite të gjata burgu e internimi.

Ndonëse tashmë ai po i afrohet të nëntëdhjetave duke lënë pas një jetë ku shkelqimi, vuajtjet dhe peripecitë e pafundmë i janë mpleksur pazgjidhshmërisht me njëra tjetrën, malësori fisnik Lekë Vojvoda, me një portret dhe fizik tipik si ato të kreshnikëve që ka përshkruar me aq mjeshtëri Padër Gjergj Fishta në “Lahuta e Malcisë”, të habit me memorjen e tij brilante dhe ato ngjarje që tregon. Aty në shtepinë e tij të thjeshtë që ndodhet diku në një rrugicë të ngushtë të lagjes “Tre Heronjtë” të qytetit të Shkodrës ku ne kemi shkuar si mysafir, ai nis e rrëfen duke sjellë në kujtesë ngjarje, data, vite e njerëz me histori nga më të ndryshmet dhe hera-herës e ndërpret tregimin e tij nga që e tradhëtojnë disa pika loti që i bien përmbi faqe!

Familja Vojvoda, besnike të Zogut

Lekë Vuksani apo sic njihet ndryshe me mbiemerin Vojvoda, u lind më 7 maj të vitit 1918-të në Shoshaj të Dukagjinit, prej nga është dhe origjina e familjes së tij një nga më të njohurat e asaj krahine në Veriun e Shqipërisë. Mbiemerin Vojvoda (në serbisht-komandant) ajo familje e ka trashëguar që prej pesë brezash, pasi të parët e saj ishin komandantë të malsorëve në luftrat kundër forcave serbo-malazeze në fundin e shekullit të XIX-të dhe fillimin e shekullit të XX-të. Babai i Lekës, quhej Vuksan Vojvoda dhe ai ka qënë tepër i njohur në atë krahinë si burrë i urtë për ndarje pleqnie, pasi bashkë me Bajraktarin e Dukagjinit, ai merrej edhe me zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dhe problemeve të ndryshme që lindnin në mes fshatarëve të asaj krahine.

Vuksan Vojvoda ishte një nga besnikët e Monarkisë së Zogut dhe ai njihej në të gjithë Dukagjinin si një nga mbështetësit kryesor të Mbretit. Aty nga viti 1926 kur ndodhi Kryengritja e Dukagjinit e udhëhequr prej toger Ndok Gjeloshit dhe Dom Loro Cakës të cilët synonin rrëzimin e Qeverisë së Zogut, iu bë thirrje edhe Vuksan Vojvodës për t’u bashkuar me kryengritësit dukagjinas. Synimi i kryengritësve për ta bërë për vete Vuksan Vojvodën, qëndronte në faktin se ai gëzonte një popullaritet të jashtëzakonshëm në të gjithë atë krahinë. Por Vuksani, nuk pranoi të merrte pjesë në atë kryengritje, pasi ishte fare i qartë për synimet e organizatorët e vërtetë të saj. Ndonëse Vuksani vetë nuk kishte bërë ndonjë shkollë të madhe, ai u kujdes që djalit të tij, Lekës, të mos i mungonte ajo.

Kështu në vitin 1928 Vuksani e dërgoi të birin, Lekën, në qytetin e Shkodrës dhe e regjistroi në shkollën fillore të Konviktit “Malet Tona”. Atë shkollë Lekë Vojvoda e mbaroi në vitin 1936 kur mori semimaturën dhe gjatë gjithë periudhës që ai ndoqi mësimet aty, ai vlerësohej si një nga nxënësit më të mirë të saj, pasi gjatë një viti shkollor ai mori dy klasë përnjëherë. Gjatë asaj periudhe ndër shokët më të afërt të Lekës në Konviktin “Malet Tona”, ishte Mëhill Marku nga Lotaj e Shalës, (me pas emigroi në SHBA ku u bë profesor në një universitet të Neë Yorkut) dhe Kol Prela (profesori që u pushkatua me grupin e deputetëve në 1946-ën) që ishte disa vjet më i madh se ai në moshë. Përvec Mëhillit dhe Kolës të cilët ai i kishte shokë dhe bashkëfshatarë, në një klasë me Lekën asokohe mësonin dhe Fadil Hoxha, Xheladin Hana, Hajrulla Kastrati, Emin Duraku, Ndue Gjergj Pervizi etj. Lidhur me shokët që Leka kishte në Konviktin “Malet Tona”, ai kujton: “Ndo-nëse unë kisha një miqësi të ngushtë me shokët e mi të klasës si Fadil Hoxhën, Emin Durakun, Xheladin Hanën e Hajrulla Kastratin, në bindjet politike isha kundër tyre sepse ata kishin pikpamje komuniste”, dëshmon Leka për ish shokët e tij të klasës, të cilët më vonë u bënë emëra të njohur e personalitete të Luftës Antifashiste në Shqipëri dhe Jugosllavi.

Në shkollën ushtarake të Romës

Pasi e mbaroi semimaturën me rezultate shumë të larta në vitin 1936, Lekë Vojvoda kishte dëshirë që të vazhdonte studimet në një nga shkollat ushtarake të Italisë. Lidhur me këtë ai kujton: “Pasi u diplomova në gjimnazin laik të qytetit të Shkodrës, bëra një kërkesë për të ndjekur studimet ushtarake në Itali. Pasi m’ua aprovua kërkesa edhe me ndihmën që ma dha ushtaraku Ndoc Kurti, i cili në atë kohë shërbente si adjutant i motrave të Mbretit Zog, unë u paraqita në konkursin që u zhvillua në Tiranë. Pasi e fitova atë konkurs me pikë të plota, m’u dha e drejta për të ndjekur shkollën ushtarake në Romë, të cilën e fillova në tetorin e vitit 1936. Bashkë me mua në atë shkollë ushtarake të kryeqytetit italian, asokohe ishin dhe disa studentë të tjerë nga Shqipëria, si Abdyl Këllezi, Abdi Mati, Valentin Pervizi etj. Atë Lice ushtarak e mbarova me rezultate shumë të mira në vitin 1939, por gjatë asaj kohe që isha student aty, kam kaluar një nga ngjarjet më të dhimbëshme të jetës sime”, kujton 85-vjecari Lekë Vojvoda dhe për një cast e ndërpret rrëfimin e tij nga lotët që i rrjedhin mbi faqe.

Po cila është ajo ngjarje e largët që ndonëse ka ndodhur prej më shumë se gjysëm shekulli më parë, e trondit dhe e prek edhe sot malësorin fisnik Lekë Vojvoda, duke e bërë që të mos e përmbajë dot veten? Lidhur me këtë ai nis e tregon: “Aty nga pasditja e tetë prillit të vitit 1939, unë ndodhesha në ambientet e shkollës vetëm me disa shokë shqiptarë, pasi italianët kishin shkuar nëpër shtëpitë e tyre me rastin e festës së pashkëve. Nga që ato ditë ne nuk kishim dalë fare jashtë ambienteve të kapanoneve, nuk kishim asnjë dijeni se cfarë ndodhte jashtë mureve të asaj shkolle. Aty nga pasdrekja e asaj dite unë dola dhe takova kapelanin e shkollës (priftin ushtarak) të cilit i thashë se bashkë me dy shokët e mi kishim dëshirë që te shkonim në kishë me rastin e festave të pashkëve. Kapelani pasi më dëgjoi, m’u përgjigj: “Nuk do të shkoni dot në kishë pasi në qytet ka trazira të mëdha, sepse këto ditë ka ndodhur bashkimi i Italisë me Shqipërinë”. Unë e kuptova menjeherë se c’ kishte ngjarë, pasi që nga fundi i muajit mars kishim dëgjuar se dicka pritej të ndodhte në mes Italisë dhe atdheut tonë Shqipërisë.

Menjëherë pas fjalëve të kapelanit më shpërthyen lotët curk dhe ashtu i ngashëryer pa e përmbajtur aspak veten iu drejtova duke i thënë: “Padër, që nga ky moment unë nuk besoj më. Si ka mundësi që një shtet i madh të zaptojë një shtet tjetër më të vogël? A nuk është dhe atdheu ynë Shqipëria një vend që e ka falë zoti si gjithë shtetet e tjera? Përse nuk paskemi të drejtë të jetojmë të lirë edhe ne”. Pas fjalëve të mia kapelani nuk u ndie fare dhe u largua jashtë shkollës, ndërsa unë me shokët e mi u futëm brënda në kapanone”, kujton Lekë Vojvoda ate ngjarje të largët të shtatë prillit të vitit 1939 kur Italia kreu agresionin fashist ndaj Shqipërisë, ngjarje e cila edhe sot ia con lotët curk malësorit kreshnik 88-vjecar, për të cilin tregojnë që se ka njohur kurrë frikën.

Refuzimi i betmit ushtarak në Romë

Po c’ndodhi më pas me Leke Vojvodën dhe shokët e tij studentë ushtarakë që asokohe vazhdonin mësimet në Liceun Ushtarak të Romës? Lidhur me këtë, ai rrëfen: “Që paraditen e nënte prillit të vitit 1939 në ambientet e shkollës sonë aty në Romë, autoritetet italiane filluan të grumbullonin të gjithë studentët shqiptarë që asokohe ishin nëpër shkollat e tjera ushtarake të Italisë, si të mesme ashtu dhe ato të larta e të aplikacionit. Qëllimi i atij grumbullimi ishte se ata kishin vendosur për të na dërguar të bënim betimin ushtarak së bashku me studentët italianë.

Ndërsa po vazhdonte grumbullimi i studentëve shqiptarë në ambientet e shkollës sonë, ne që ishim aty vendosëm që të bënim një mbledhje lidhur me situatën që ishte krijuar. Pasi u mblodhëm fshehtas reth 20 e ca shqiptarë në një klasë, filluam diskutimet duke rrahur mendimet se c’duhej të bënim në situatën në të cilën ndodheshim. Disa nga shokët që e morën fjalën në fillim, hodhën idenë që ne ta linim fare shkollën dhe të ktheheshim në Shqipëri, gjë e cila në fillim u perkrah nga të gjithë në mënyrë unanime.

Por ky vendim më pas u hodh poshtë, sepse dikush nga ne tha se do ishte më mirë që ne ta vazhdonim shkollën, të diplomoheshim dhe kudo që të na conin të punonim për të mirën e Shqipërisë. Ajo gjë u përkrah nga të gjithë ne që ishim aty, duke thënë se do ishte më mirë të mbaronim shkollën e të dilnim oficerë, pasi Shqipëria kishte nevojë për kuadro te aftë që të drejtonin vetë ushtrinë shqiptare.

Pas këtij vendimi ne u shpërndame pa e ditur se pas pak ditësh italianët do të na dërgonin për të bërë betimin ushtarak. Autoritetet e larta italiane kishin vendosur që bashkë me studentët italianë, të na çonin për të bërë betimin me armë edhe ne shqiptarët që studjonim në atë shkollë të mesme ushtarake të Romës. Për kryerjen e betimit ushtarak ishte caktuar një kazermë ushtarake e cila ndodhej jo shumë larg shkollës sonë dhe pak pasi mbërritëm ne aty, erdhën dhe autoritetet e larta ushtarake italiane që do të asistonin në ceremoninë e betimit. Kur filloi të këndohej himni jonë kombëtar, ne studentët shqiptarë që ishim rreshtuar nëpër kuadrate të veçanta, filluam të qanim dhe si me komandë të gjithë i lëshuam armët në tokë. Kjo gjë shkaktoi dhe prishjen e gjithë ceremonisë së betimit.

Pas kësaj ne na dërguan persëri në shkollën tonë dhe aty na mblodhën në një sallë duke na kërkuar llogari se pse e bojkotuam betimin ushtarak duke lëshuar armët në tokë. Të gjithë ne studentët shqiptarë që u ngritëm për të dhënë llogari aty para autoriteteve ushtarake italiane të shkollës, nxorrëm arsye nga më të ndryshmet lidhur me prishjen e ceremonisë së betimit. Në fund të mbledhjes komanda e shkollës na komunikoi se do të mblidhej për marrjen e masave ndaj nesh dhe të nesërmen ata morën dhe internuan vetëm shokun tonë Abdyl Këllezin, të cilin e konsideruan si organizatorin e të gjithë asaj cka kishte ndodhur”, kujton 85-vjecari Lekë Vojvoda, lidhur me refuzimin e kryerjes së betimit ushtarak të nxënësve dhe studentëve ushtarakë shqiptarë që asokohe mësonin në Itali.

Diplomimi në Modena e Firence

Në fundin e pranverës të vitit 1939 Lekë Vojvoda u diplomua me rezultate të larta në shkollën ushtarake të Romës dhe me pas ai vazhdoi përsëri studimet në Akademinë Ushtarake të Modenas. Lidhur me këtë ai kujton: “Pasi u diplomova në Liceun Ushtarak të Romës, kisha dëshirë që te vazhdoja përsëri studimet në një nga Akademitë e Italisë në degën e Karabinerisë. Por, edhe pse kisha mbaruar me rezultate të larta, ajo gjë ishte e vështirë dhe nuk kisha siguri nëse do më jepej e drejta të vazhdoja Akademinë e Modenas. Në atë kohë unë shkova dhe mora takim me Gjeneral Zef Serreqin, i cili ishte Komandant i Kavalerisë Italiane.

Pasi ai më priti mjaft mirë, unë i thashë se kisha shkuar për t’i kërkuar ndihmë që të më krijonte mundësinë që unë të ndiqja studimet pranë Akademisë së Modenas, në degën e Karabinerisë. Gjeneral Serreqi pasi me dëgjoi me vëmndje deri ne fund, në fillim më pyeti së përse unë insistoja që të shkoja në degën e Karabinerisë, në një kohë që ajo ishte një nga degët më të vështira dhe me më probleme kur të dilje në jete pas diplomimit.

Unë iu përgjigja se kisha dëshirë që të diplomohesha në atë degë, duke menduar se Italia një ditë do të ikte nga Shqipëria dhe ne oficerët shqiptarë do ta organizonim e do ta merrnim vetë në dorë formimin e armës së xhandarmërisë. Pas kësaj Gjeneral Serreqi më ndihmoi që unë të regjistrohesha dhe të filloja studimet në atë akademi, ku bashkë me mua, po në një degë tjetër, atë të Kavalerisë, ishte dhe shoku im i ngushtë Valentin Pervizi, me origjine nga Skuraj i Kurbinit”, kujton Lekë Vojvoda lidhur me ndihmën që i dha Gjeneral Zef Serreqi, për të ndjekur studimet në degën e Karabinerisë prane Akademisë Ushtarake të Modenas në Itali.

(Lekë Vojvoda ka ndërruar jetë në qytetin e Shkodrës në vitin 2015 në moshën 98 vjeçare)

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY