DETAJE/Pas tërmetit të madh, kërkohet me urgjencë vlerësimi sizmik i digave, shkollave,...

DETAJE/Pas tërmetit të madh, kërkohet me urgjencë vlerësimi sizmik i digave, shkollave, spitaleve

107
0
Shares

Tërmeti i magnitudës 5.8 me intensitet mbi 6-7 ballë, që goditi rajonin Tiranë-Durrës më 21 shtator ishte më i forti që kur Tirana u shpall kryeqytet në vitin 1920. Inxhinierët pohojnë se ky tërmet duhet të shërbejë si një leksion për institucionet.

Duhet të bëhet me urgjencë vlerësimi sizmik i digave, shkollave, spitaleve dhe institucioneve që shërbejnë si qendra kolektive. Duhet të rinovohen hartat sizmike dhe kodet e projektimit me eurokodet. Legjislacioni për lejet e ndërtimit duhet të rishikohet, skemat e sigurimit duhet të ngrihen dhe kurrikulat në shkolla duhet të ndryshojnë.

Ekspertët bëjnë diagnozën e tërmetit dhe japin sugjerime

Shqiptarët, kur blejnë një makinë, mendohen 100 herë. I shohin një për një detajet. Sa kilometra ka bërë, sa harxhon, çfarë opsionesh ka, e çojnë në dy-tre servise për të testuar sigurinë, etj., etj. Në mënyrë të ngjashme, veprojnë edhe kur blejnë një frigorifer apo një pajisje tjetër elektroshtëpiake. Pasi kanë kontrolluar të gjitha njësitë e shitjeve dhe kanë testuar nivelin e çmimit, interesohen në hollësi nëse është AAA + (me kursim maksimal të energjisë), a ju kombinon ngjyra, a ka derën në krahun e duhur dhe dhjetëra vlerësime të tjera të kësaj natyre. Por, kur vjen puna për shtëpinë, investimin e jetës, gjithçka thjeshtohet. Ata që ndërtojnë vetë, mjaftojnë vetëm të kenë paratë.

Parapëlqejnë të ndërtojnë pa leje, nuk marrin në shqyrtim asnjë parametër për sigurinë, bëjnë vetë inxhinierin, vetë arkitektin. Për të tjerët që blejnë, merr rëndësi vetëm çmimi, zona, urbanizimi përreth, por asnjëherë siguria që ofron objekti, madje në shumë raste, as hipoteka. Por, tërmeti i datës 21 shtator, i orës 16:15 me magnitudë 5.8, më i fuqishëm se 6 ballë, më i forti i regjistruar që kur Tirana u shpall kryeqytet në vitin 1920, i cili për fat ra në një ditë dhe orë të përshtatshme që amortizoi dëmet, duhet të shkundë njëherë e mirë mendjet e njerëzve, për t’i kushtuar vëmendjen e duhur sigurisë së banesës.Ekspertët shpjegojnë se magnituda është një madhësi që përcakton tërmetin në qendrën e tij, ndërsa intensiteti në ballë përcakton efektin e tërmetit në një vend të caktuar.

Shumëkush është befasuar nga dëmet e pakta të lëkundjeve të forta që zgjatën rreth 20 sekonda. Ndërtimet në Tiranë rezistuan më shumë sesa prisnin shumica, madje edhe vetë inxhinierët që i kanë projektuar ato, por është koha për reflektim. Inxhinieri i ndërtimit, Agim Serani, zv.dekan në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit tha se, tërmeti ishte një eksperiment që dha një leksion të vlefshëm për të gjithë. Edhe për zotin Serani, është befasuese që nuk pati dëme, po tani është koha të nxjerrim mësime nga bilanci i tërmetit, të cilat përfshijnë një vlerësim të ri për sigurinë sizmike të banesave me rëndësi të lartë publike, si diga, shkolla, spitale, stadiume etj.

Shteti dhe institucionet duhet të përfshihen në një analizë të thellë të legjislacionit në drejtim të sigurisë sizmike, kodet e ndërtimit dhe hartat sizmike duhet të rinovohen, produktet e sigurimet nga përmbytjet duhet të masivizohen dhe shoqëria duhet të përgatitet se si duhet reaguar në këto situata.

Reflektimi

Shteti dhe institucionet duhet të përfshihen në një analizë të thellë të legjislacionit në drejtim të sigurisë sizmike, kodet e ndërtimit dhe hartat sizmike duhet të rinovohen, produktet e sigurimet nga përmbytjet duhet të masivizohen dhe shoqëria duhet të përgatitet se si duhet reaguar në këto situata.

Nga raporti i fundit operativ i Emergjencave Civile janë raportuar 1528 objekte të dëmtuara, nga të cilat janë shkatërruar plotësisht 50 banesa, kryesisht në zonat rurale, janë plasaritur rreth 160 pallate, një qendër shëndetësore, 34 shkolla, 13 universitete publike. Dëmtimet më të mëdha kanë ndodhur në fshatrat e Durrësit, por edhe të Tiranës, Ndroqit, Vorës, Maminasit, ku banesat janë shkatërruar. Si pasojë e lëkundjeve sizmike, të paktën 105 persona mbetën të lënduar.
Inxhinieri Serani pohon se, nga pikëpamja inxhinierike është më e vështirë të riparosh një ndërtesë të prishur se të projektosh një të re.

Urgjent vlerësimi sizmik i digave, shkollave, spitaleve dhe godinave të qeverisë

Kontinenti ku jetojmë bën në mënyrë periodike një vlerësim për sigurinë sizmike të objekteve me rëndësi strategjike publike, të tilla si, digat, shkollat, spitalet, etj., në mënyrë që siguria e tyre të jetë e garantuar edhe për tërmete që bien një herë në qindra vite. Inxhinieri Agim Serani shprehet se pas lëkundjeve të 21 shtatorit, një grup pune duhet të vlerësojë shumë shpejt gjendjen në të cilën ndodhen digat në rajonin Tiranës – Durrës. Vlerësimi duhet shtrirë edhe në të gjitha objektet shkollore dhe spitalore.

Sipas të dhënave nga Komiteti Kombëtar i Digave të Mëdha, momentalisht janë rreth 630 sisteme rezervuarësh me diga në Shqipëri, prej të cilave, 307 konsiderohen ose me diga të larta, me lartësi 15 metër, ose rezervuarë të mëdhenj. Lëvizjet e popullsisë dhe zgjerimi i qyteteve ka çuar në rritjen e përqendrimit të popullsisë dhe vlerave materiale në rrjedhjet e poshtme të lumenjve.

Shpërthimi i tetë digave të mëdha, në zonën qendrore të Shqipërisë, vlerësohet të prekë të gjithë qytetin e Elbasanit, Lushnjës dhe Divjakës (respektivisht mbi 100 mijë, 38 mijë dhe 10 mijë banorë). Digat e mëdha, sidomos në kaskadën e Drinit, janë projektuar të përballojnë një tërmet 9 ballë dhe në përgjithësi digat projektohen për të përballuar tërmete deri në 9 ballë me pritshmëri ndodhjeje, jo më pak se 1000 vjet. Të gjitha digat e ndërtuara në Shqipëri në të gjithë vendin janë projektuar për përballuar më shumë se 8 ballë. Inxhinierët e ndërtimit pohojnë se pas çdo lëkundje, vepra të tilla duhen të kalojnë në një rivlerësim sizmik për shkak se vjetërsia e tyre është më e madhe se 20 vjet.

Inxhinieri Serani këshillon një rivlerësim për sigurinë sizmike të shkollave dhe spitaleve. Nëse tërmeti i datës 21 shtator do të ishte në një ditë jave dhe në një periudhë mësimore në Fakultetin e Gjeologji – Minierave mund të kishte pasur viktima. Nëse do të ishte ditë mësimi, do të kishte shumë plagosur në përpjekje për t’u larguar. Inxhinieri pohon se rivlerësimi i objekteve duhet të bëhet me urgjencë për të vlerësuar në kohë dëmet e tërmetit të 21 shtatorit, në mënyrë që riparimet dhe përforcimet e duhura të bëhen shumë shpejt. Ky nuk është tërmeti më i madh që vendi pret.
Edhe godinat qeveritare duhet të kalojnë një vlerësim të ri sizmik dhe po ashtu, të gjithë spitalet. Serani pohon se objektet informale që janë në proces legalizimi ose jo duhen vlerësuar në këtë aspekt.

Rreth 500 mijë objektet informale të ndërtuara pas viteve 1990, duhen vlerësuar për arsye se janë ngritur në terrene pa marrë në konsideratë rreziqet natyrore si tërmetet, përmbytjet dhe rrëshqitjet. Rivlerësimi sizmik i objekteve kërkon ekspertizë dhe fonde, por ky proces duhet të kryhet me urgjencë në digat dhe objekte kolektive.

Hartat sizmike dhe kodet e vjetruara duhen rinovuar

Objektet që ndërtohen aktualisht në Shqipëri janë të detyruara të marrin në konsideratë kriteret për sigurinë sizmike të përcaktuara në Kodin Teknik të Projektimit (KTP) në vitin 1989. Ky kod zbatohet duke marrë në konsideratë një hartë zoonimi të tërmeteve, që është edhe më e vjetër dhe që daton në vitin 1979. Kjo hartë është përcaktuar për projektimin e ndërtesave të zakonshme me lartësi deri në 6 kate. Për struktura të tjera, dispozitat e ligjit kërkojnë përpunimin e dokumentimit të zonimit të detajuar për vlerësimet sasiore të parametrave të projektimit të varur nga sizmika e vendit.

Inxhinierët e ndërtimit pohojnë se aktualisht janë tre lloje hartash të zoonimit sizmik, të punuara nga autorët e fushës, por asnjëra prej tyre nuk është zyrtarizuar e për pasojë, nuk ka formë ligjore. Ndërkohë inxhinierët shqiptarë, kur projektojnë, janë të lirë të zgjedhin aplikimin e standardeve europiane në projektim. Standardet europiane për ndërtimet nuk janë të detyrueshme, por ato aplikohen më së shumti nga kompani të njohura të ndërtimit në Tiranë dhe me përvojë në treg.

Ja çfarë parashikon Kodi shqiptar 1989

Kushti teknik i projektimit, i publikuar në vitin 1989, ishte përditësimi i fundit i miratuar me ligj i kodeve tona teknike të projektimit, i cili shoqërohej me hartën sizmike. Sipas KTP 1989, kërkesat sizmike që duhet të zbatohen jepen kryesisht për sheshe ndërtimi me intensitete sizmike mbi VI ballë.

Llogaritja e konstruksioneve ndaj veprimit sizmik jepet mbi bazën e parametrave sizmikë të shesheve të ndërtimit me intensitet VI ½ deri në IX ballë. Ky kod teknik jep përcaktimet për projektimin e strukturave në terrene me intensitet sizmik deri në IX ballë, për zona me intensitete më të mëdha, ky kusht nuk mund të merret si referencë.

KTP-89 rekomandon që veprat të konceptohen me rregullsi strukturore në plan dhe në lartësi për sa i përket kompaktësisë dhe simetrisë, duke siguruar për këtë qëllim:

– Shpërndarje të tillë të masave që të mos ndryshojnë shumë në lartësi

– Thyerje jo shumë të theksuara në plan dhe në lartësi

Kur thyerjet në plan ose lartësi të një ndërtese janë të theksuara, si edhe kur pjesët fqinje të ndërtesave i kanë ndërkatet me nivele të ndryshme, rekomandohet ndarja me fugë antisizmike në mënyrë që të sigurohet rregullsia strukturore. Fugat antisizmike duhet të realizohen edhe në rastet kur struktura ka një gjatësi të madhe, pavarësisht nëse kanë rregullsi strukturore apo jo. Rekomandohet përdorimi i materialeve ndërtimore të lehta, për të ulur peshën e konstruksionit (e rrjedhimisht edhe forcën sizmike që vepron në strukturë).

Synohet të sigurohet puna hapësinore e konstruksioneve mbajtëse gjatë veprimit sizmik, si dhe të krijohen kushtet e zhvillimit të deformimeve plastike.
Qëllimi i KTP 1989 është që, në rast tërmetesh, do të mbrohet jeta e njerëzve, do të kufizohen dëmtimet. Do të mbeten funksionale (operacionale) strukturat ndërtimore që janë të rëndësishme për mbrojtjen civile.

Sipas këtij kushti, llogaritja e ndërtimeve bëhet duke vlerësuar rrezikun sizmik mbi bazën e ballëve (shkalla Merkali). Sipas Kodeve shqiptare për ndërtesat e zakonshme merret në konsideratë ndodhja e një tërmeti të fuqishëm në 100 vjet.

Sipas Eurokodit, duhet të ndërtohet në këtë mënyrë

Inxhinieri i ndërtimit, Altin Serani, shpjegon se, në Praktikën Normative Europiane (EC8) si vlerë e rekomanduar për shpeshtësinë e veprimit sizmik të projektimit apo tërmetit të projektimit më të lartë jepet periudha e përsëritjes 475 vjet. Kjo do të thotë se, kur ndërtohet, merret në konsideratë që objekti të përballojë një tërmet që bie një herë në 450 vite.

Serani thotë se në literaturën teknike europiane, trajtohet edhe mundësia e një veprimi sizmik shumë të madh, të jashtëzakonshëm, e tërmetit “maksimal të mundshëm”. Ky natyrisht konsiderohet shumë më i rrallë se “tërmeti i projektimit”. Sipas disa indikacioneve, tërmeti maksimal i mundshëm mund të konsiderohet tërmeti me periudhë në 1000 vjet. Ka edhe rekomandime për ta zgjedhur atë me intensitet 2 herë më të madh se sa tërmeti i projektimit.

Eurokodi (EC8) për këtë tërmet, si dhe për kriteret përkatëse të projektimit nuk ka përcaktime specifike. Mund të konsiderohet se respektimi i masave specifike konstruktive suplementare që përmban ky Eurokod ndihmojnë për një përballim të mundshëm edhe të një tërmeti të tillë eventual, por meqë ka pak të ngjarë që të ndodhë. Strukturat në rajonet sizmike sipas Eurokodit 8 duhet të ndërtohen të tilla që të përmbushin kriteret e mëposhtme:

1-Kërkesa e kufizimit të dëmtimeve

Tërmetet e shpeshtë me intensitet relativisht të vogël në lëkundjet e terrenit nuk duhet të ndërpresin shfrytëzimin e objektit pas ndodhisë së tyre. Ky nivel i korrespondon gjendjes kur dëmtimet strukturore janë të kufizuara dhe sistemi kryesor rezistues i forcave vertikale dhe horizontale ka kryesisht po ato karakteristika dhe kapacitete sikundër para tërmetit. Struktura nuk ka nevojë për ndonjë masë përforcimi.

Ajo mund të shfrytëzohet menjëherë. Kështu, për ndërtesat e zakonshme, kjo kërkesë duhet të plotësohet për veprimin sizmik me 10% probabilitet të ndodhjes në 10 vjet ose perioda e përsëritjes së tërmetit 95 vjet.

2-Kërkesa e mosndodhjes së shembjes

I korrespondon gjendjes kur në ndërtesë ka dëmtime të konsiderueshme, por aty ka ende rezerva strukturore, krahasuar me gjendjen e një kolapsi total ose pjesor. Struktura është dëmtuar konsiderueshëm, me soliditet dhe ngurtësi të mbetur relativisht të ulët dhe elementet vertikale janë të aftë të mbajnë ende ngarkesa vertikale. Elementet jostrukturore kanë pësuar dëmtime, megjithatë muret ndarës dhe mbushës nuk mund të kenë dalë nga funksioni i tyre. Spostimet relative të përhershme mesatare, janë të pranishme. Këto dëmtime mund të shkaktojnë plagosje në njerëz, por risku i plagosjeve me kërcënim të jetës së njerëzve është i ulët. Struktura duhet të përballojë (durojë) pas-goditjet e tërmetit me intensitet të moderuar. Struktura ka kosto të lartë riparimi apo ka gjasa të jetë joeficiente për t’u riparuar. Kështu, për ndërtesat e zakonshme, kjo kërkesë duhet të plotësohet për veprimin sizmik me 10% probabilitet të ndodhjes në 50 vjet ose perioda e përsëritjes së tërmetit 475 vjet.

3-Qëndresa strukturore

I korrespondon gjendjes kur ka dëmtime të tilla thelbësore strukturore që çojnë sistemin strukturor në prag të kolapsit strukturor dhe plagosje të mundshme. Struktura është dëmtuar rëndë, me soliditet dhe ngurtësi horizontale. Shumica e elementeve jostrukturore janë shembur. Spostimet relative të përhershme të mëdha janë të pranishme në të. Struktura është në prag të kolapsit dhe ka gjasa të mos i rezistojë një tërmeti tjetër, madje edhe kundrejt një tërmeti me intensitet të moderuar. Kjo strukturë është e pamundur të riparohet. Kështu, për ndërtesat e zakonshme, kjo kërkesë duhet të plotësohet për veprimin sizmik edhe më të lartë se tërmeti i projektimit. Perioda e përsëritjes së tërmetit është një herë në 2000 vjet.

Eurokodi aplikohet edhe në Shqipëri me raste

Serani shprehet se në vitet e fundit janë bërë përpjekje për të kryer një sërë studimesh, të cilat do të përbëjnë bazën për aplikim të kodeve moderne të projektimit antisizmik (Eurokodi 8).

Kështu, p.sh., u hartua harta e re e rrezikut sizmik bazuar mbi metoda probabilitare, u hartua katalogu i tërmeteve, u përcaktuan zonat që janë burim tërmetesh, u studiuan një sërë modelesh mbi shuarjet dhe parametrat e amplifikimit në një sërë zonash, meqë nuk kemi matje të drejtpërdrejta, etj. Bazuar në studimet e bëra, është arritur në përfundimin se përgjatë “zonës sizmogjene” Joniane-Adriatike mund të ndodhin tërmete me magnitudë maksimale të pritshme – Magnitudë = 7 – 7.5 në veri të zonës tërthore Shkodër – Pejë, kurse në jug të saj, në pjesën ballore, mund të ndodhin tërmete me Magnitudë = 6.0 – 7.0.

Në drejtim të Tiranës, në lindje, mund të ndodhin tërmete me M = 5.5 – 6. Sipas studimeve, vetëm në Shqipëri, periudha e përsëritjes së një tërmeti me M = 5.0 është 3.6 vjet, e një tërmeti me M = 6.0 është 29.1 vjet, e një tërmeti me M = 6.5 është 93.9 vjet dhe e një tërmeti me M = 7.0 është 505.6 vjet.

Profesor Altin Serani thotë se për krijimin e një kodi të plotë dhe të saktë projektimi, duhet të jetë një studim i plotë në rang vendi i sizmologjisë dhe një mikro-zonim i saktë i të gjithë territorit, në mënyrë që të skicohen harta të sakta për intensitetin e parashikuar të tërmeteve maksimale të pritur për zona të veçanta. Ekspertët pohojnë se adoptimi i eurokodeve në legjislacionin shqiptar e rrit koston e ndërtimit me 5%, por ndërtuesit dhe inxhinierët kanë zgjedhur të aplikojnë këto standarde në shumë objekte të ndërtuara pas vitit 1990.

Ligjet dhe përgjegjësitë duhet të saktësohen

Inxhinierët e ndërtimit kërkojnë që kërkesa për lejet e ndërtimit duhet t’i kushtojë më shumë vëmendje aspektit gjeologjik se sa përmbajtjes së strukturës. Aktualisht, kriteret për lejet vlerësojnë më së shumti aspektin e volumit të strukturës, ndërsa duhet t’i kushtohet më shumë kohë dhe kushte për verifikim aspektit gjeologjik ku vihet objekti dhe kritereve sizmologjike. Inxhinierët kërkojnë me urgjencë aplikimin e hartave të reja sizmologjike dhe aplikimin e Eurokodit në legjislacionin vendas. Inxhinieri Agim Serani thotë se, duhet të përqendrohet përgjegjësia ndaj një personi gjatë ndërtimit të një objekti. Aktualisht, nëse një objekt shembet është vështirë të gjendet përgjegjësi, pasi secili prej personave që ka marrë pjesë që nga projektuesit, arkitektët, inxhinierët e zbatimit mbajnë përgjegjësi individuale. Në BE ekziston një profesion i veçantë që mbikëqyr të gjitha proceset dhe ai është përgjegjësi nëse objekti shembet apo dëmtohet.

Sistemi i sigurimeve duhet të aktivizohet

Ligji i vitit 2014, për Planifikimin dhe Zhvillimin e Territorit, në nenin 42 detyron që në lidhjen e kontratës për kalimin e pronësisë së punimeve, ndërtuesi duhet t’i dorëzojë blerësit një policë sigurimi me afat dhjetëvjeçar me përfitues blerësin/blerësit dhe me efekt nga data e përfundimit të punimeve, që mbulon dëmet e ndërtesës, përfshirë dëmet ndaj të tretëve, që rrjedhin kur, për shkak të tokës ose për defekt të ndërtimit, ndërtimi shembet tërësisht ose pjesërisht, ose paraqet rrezik të dukshëm shembjeje ose defekte të tjera të rënda, që shfaqen pas lidhjes së kontratës së kalimit të pronësisë.

Ky nen i këtij ligji, edhe sot pas 4 vitesh, nuk është efektiv për shkak se mungojnë VKM që duhet të përcaktojnë tarifat e sigurimit dhe specifika të kësaj natyre. Ekspertët e sektorit dhe burimet nga kompanitë e sigurimit pohojnë se VKM janë penguar nga lobimi i ndërtuesve.
Edhe pse intensiteti i fatkeqësive natyrore është shtuar së tepërmi vitet e fundit, sidomos nga përmbytjet, ende nuk ka një skemë kombëtare sigurimi për të zbutur pasojat e fatkeqësive. Banka Botërore e ka asistuar në vijimësi Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare, por ende nuk ka rezultate. Është propozuar ngritja e skemës kombëtare të sigurimit, ku parashikohet një fond i veçantë sigurimi për këtë qëllim.

Avni Ponari, administratori i kompanisë së sigurimeve SIGAL, tha se çështja e parandalimit të dëmeve financiare nga fatkeqësitë natyrore zgjidhet në dy mënyra. E para, nëpërmjet rrugës institucionale, ku duhet hartuar dhe miratuar një ligj nëpërmjet të cilit të bëhet sigurimi i detyrueshëm për fatkeqësitë natyrore. Ka një përpjekje disavjeçare në këtë drejtim, tha Ponari, por ende nuk është dhënë zgjidhja ligjore. Që të funksionojë skema e sigurimit duhet mbështetja e qeverisë për ngritjen e një fondi të posaçëm që të jetë si një e ardhur për kompanitë me destinacion kompensimin e dëmeve që krijohen nga përmbytjet dhe tërmetet.

Ndërkohë është rritur ndërgjegjësimi në zonat me risk të lartë nga fatkeqësitë natyrore për sigurimin. Aktualisht, primet për këtë sigurim variojnë nga 0,05% deri në 1,5% e shumës së siguruar, në varësi të objektit si dhe llojeve të risqeve që do të sigurohen. Zgjidhje të ngjashme kanë bërë edhe vendet e rajonit, ku shteti ka krijuar një fond të veçantë që mbështet kompanitë e sigurimit, posaçërisht për kompensimin e dëmeve që mund të krijohen nga përmbytjet.

Por a do të mund të përballojnë kompanitë shqiptare të sigurimit shlyerje të dëmeve nëse tërmetet shkatërrojnë në masë. Një vlerësim i këtij viti i Fondit Monetar Ndërkombëtar vë në dukje se Shqipëria është shumë e ndjeshme ndaj fatkeqësive natyrore dhe ndryshimeve klimatike. Por ndërkohë ekziston një akumulim i konsiderueshëm i rrezikut nga tërmeti në bilancet e siguruesve, një pjesë e madhe vjen nga sigurimi i pronave të përdorura si kolateral kredie nga bankat. Përmes këtij mbulimi, në rast tërmeti shkatërrues, kompanitë e sigurimit duhet të kompensojnë rreth 380 milionë euro kryesisht në Tiranë.

Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, në portofolin sigurimi nga zjarri dhe forcat e natyrës, gjatë periudhës janar – mars 2019, vihet re një ulje prej 26.41% e volumit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli dhe një rritje me 6.18% e numrit të kontratave të sigurimit, krahasuar me periudhën janar – mars 2018.

380 mln euro kompensime nëse ndodh tërmet shkatërrues në TiranëNjë vlerësim i këtij viti i Fondit Monetar Ndërkombëtar vë në dukje se Shqipëria është shumë e ndjeshme ndaj fatkeqësive natyrore dhe ndryshimeve klimatike. Por ndërkohë ekziston një akumulim i konsiderueshëm i rrezikut nga tërmeti në bilancet e siguruesve, një pjesë e madhe vjen nga sigurimi i pronave të përdorura si kolateral kredie nga bankat. Përmes këtij mbulimi, në rast tërmeti shkatërrues, kompanitë e sigurimit duhet të kompensojnë rreth 380 milionë euro kryesisht në Tiranë.

Duhet rritur ndërgjegjësimi

Shqipëria ndodhet në zonën e rrezikut të lartë për tërmetet dhe përmbytjet, por vendi nuk i ka të zhvilluar institucionet dhe kurrikulat mësimore për t’u mbrojtur nga fatkeqësitë.

FAO (Organizata e Bujqësisë dhe Ushqimit, pjesë e Kombeve të Bashkuara) ka bërë së fundmi një analizë gjithëpërfshirëse për reduktimin e rrezikut nga fatkeqësitë dhe sistemit të menaxhimit për bujqësinë në Shqipëri. Analiza shkruan se, aktualisht, në Shqipëri, nuk ka një agjenci të përfshirë ose të ndërlidhur për rritjen e ndërgjegjësimit për rreziqet nga fatkeqësitë.

Ndonëse ekziston një program studimi për “mbrojtjen civile dhe shpëtimin”, i ofruar nga universitetet private, nuk ka asnjë kurrikul që integron RRF-në (Reduktimin e Rrezikut nga Fatkeqësitë) në arsimin bazë dhe atë të mesëm.Me mbështetjen e donatorëve organizohen çdo vit seminare, trajnime dhe një tryezë të rrumbullakët për RRF-në, duke u fokusuar te mbrojtja dhe shpëtimi. Megjithatë, përpjekjet e përgjithshme për rritjen e ndërgjegjësimit kanë qenë të kufizuara vetëm në shpërndarjen e fletëpalosjeve, broshurave, posterave.

OJQ-të, si “Kryqi i Kuq Shqiptar” dhe “Save the Children”, janë përfshirë në organizimin e fushatave kombëtare periodike për çështjet e ndërgjegjësimit për komunitetet e cenuara, ndonëse përpjekje të tilla nuk kanë arritur ende deri te komunitetet në nevojë dhe mbeten sporadike dhe josistematike.
Studimi i OKB-së, thotë se Shqipëria është e ekspozuar ndaj rreziqeve të shumta natyrore, duke përfshirë, por pa u kufizuar tek ato me origjinë hidrometeorologjike dhe gjeologjike, si tërmetet, përmbytjet, thatësirat, zjarret në pyje dhe rrëshqitjet e tokës.
Sipas të dhënave nga DesInventar, një sistem për menaxhimin e informacionit rreth fatkeqësive, nga viti 1852 deri në vitin 2013 në Shqipëri kanë ndodhur rreth 4000 raste fatkeqësish.

Mungojnë kapacitetet për reagim

Në një studim që koloneli Foto Duro ka bërë për Qendrën për Çështje Europiane dhe të Sigurisë, thotë se kapacitetet reaguese ndaj situatave të emergjencës sigurohen nga institucione të ndryshme, midis të cilave, pjesa kryesore është kontribut i ushtrisë. Për shërbimet jetësore janë në dispozicion për evakuim 16 kamionë, 17 helikopterë dhe rreth 65 motobarka të vogla. Për strehim janë në dispozicion tenda për 17 mijë persona, vetëm nga ushtria plus tenda të siguruara nga të tjera institucione. Për evakuim mjekësor janë rreth 200 autoambulanca (nga Ministria e Shëndetësisë në 36 qarqe, ku janë edhe spitalet, 11 prej tyre në Tiranë) plus 12 autoambulanca janë në dispozicion nga ushtria.

Në dispozicion të ushqimeve janë dy njësi prodhimi bukë për 2400 kilogramë bukë në ditë dhe 12 kuzhina për deri në 3000 racione në ditë. Për ujin e pijshëm janë në dispozicion 7 autobote, që në total sigurojnë 67 tonë, 11 pompa. Dy njësi janë për pastrim uji dhe dy njësi dushesh që përballojnë 200 veta në ditë, që mund të ngrihen jashtë zonës së prekur, 72 orë pas shpalljes së emergjencës. Gjashtë njësi janë në dispozicion për situata tërmeti, përmbytje, zjarre, dy helikopterë nga ushtria janë për aksidente ajrore apo në det dhe katër anije nga ushtria për aksidente në det.

Duke krahasuar Shqipërinë dhe Estoninë, konstatohet se në rang vendi, një automjet zjarrfikës u shërben respektivisht 37 mijë personave (Shqipëri) dhe 6 mijë personave (Estoni), ndërsa në kryeqytetet e tyre, këto shifra janë respektivisht 52 mijë dhe 33 mijë persona. Duke marrë në konsideratë ndihmën mjekësore, në rang vendi, një autoambulancë u shërben respektivisht 17,800 personave në Shqipëri dhe 12,700 personave në Estoni.
Një tjetër problem në lidhje me këto kapacitete është niveli relativisht i ulët i gatishmërisë teknike të automjeteve, agregateve dhe pajisjeve, i cili në vlerësim të përgjithshëm nuk shkon më shumë se 60-70%

Objektet me ekspozim të lartë

Një studimi i ekspertëve të sizmologjisë tregon se tërmetet përbëjnë rrezikun më të madh kombëtar për një katastrofë natyrore në Shqipëri.
Dëmet që mund të krijohen në banesa do të përfshijnë ato objekte që janë ndërtuar me materiale, që nuk u bëjnë ballë tërmeteve mbi 6 ballë dhe ndërtesa të vjetra, kryesisht ato para viteve 1960. Sipas studimit, objektet e ndërtuara me qerpiç, tullë, gur dhe betonarme dhe sistemet strukturore me mure mbajtëse, parafabrikate janë më të rrezikuara për tërmete më të fuqishme se magnituda 6. Objektet e ndërtuara para vitit 1960 nuk kanë rezistencë ndaj tërmeteve, ato të ndërtuara ndërmjet viteve 1960-1990 kanë mbrojtje të ulët sizmike, ndërsa ndërtesat pas vitit 1990 kanë mbrojtje të pamjaftueshme, pasi në shumë prej objekteve të ndërtuara në këtë kohë është abuzuar me numrin e kateve në raport me qëndrueshmërinë e themeleve.

Studimi tregon se kërkesat më të mëdha për sistemin kombëtar të emergjencës civile do të dilnin nga tërmetet që ndodhin në Durrës, Elbasan, Berat ose Vlorë, pasi burimet sizmike me ndikim të ulët janë të afta për të shkaktuar dëmtime strukturore dhe shembje që shkojnë nga 1,9 deri në 5.2% të fondit kombëtar të banesave. Në rast të tërmeteve me ndikim të lartë, që mund të ndodhin një herë në 500 vjet, potenciali energjetik i çliruar është i aftë të shkaktojë një katastrofë të ndërtimeve në nivel kombëtar.

Por procesi i zhvendosjes së popullsisë ka ulur impaktin e tërmeteve të fortë në vatrat tërmetore në Veri dhe Jug të vendit, por ka rritur dukshëm ekspozimin në Tiranë, Durrës dhe qytetet e tjera që ndikohen nga zonat burimore të tërmeteve në zonën bregdetare.

Është evidentuar se Shqipëria është karakterizuar nga tërmete intensive të vogla dhe të mesme. Megjithatë, në zonën ku shtrihet Shqipëria, gjatë shekujve kanë ndodhur disa tërmete katastrofike, të cilët kanë shkatërruar deri në atë pikë sa kanë fshirë qytete të tërë. Për shkak të këtij fakti, që nga kohët e hershme, komuniteti shqiptar ka krijuar disa rregulla dhe këshilla për të pasur banesa disi më të forta. Me kalimin e kohës (sidomos gjatë shekullit të kaluar), këto rregulla empirike dhe përvoja u transformuan në kode të plotë ligjore për ndërtimin, të cilat në mënyrë të vazhdueshme janë rritur përmes ndryshimeve të rëndësishme dhe përmirësimeve që janë pasqyruar deri në kodin e fundit të projektimit./Monitor

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY