DOKTORI I BLLOKUT/ Frika se mos Enveri vdiste gjate aktit sek*ual

DOKTORI I BLLOKUT/ Frika se mos Enveri vdiste gjate aktit sek*ual

149
0
Shares

Nga Isuf Kalo

Kjo ishte ndoshta zona më e mistershme në Shqipërinë e paraviteve ’90. E ëndërruar dhe e paarritshme prej shumicës. Isuf Kalo, asokohe mjek i ri, me shumë gjasë nuk e kishte menduar se do të hynte brenda asaj zone të ndaluar e aq më pak të kishte në duar jetët e njerëzve që jetonin aty, jetën e udhëheqjes së lartë të shtetit; jetën e vetë Enver Hoxhës. Pas gati 30 vjetësh nga rënia e diktaturës, mjeku i njohur, Isuf Kalo, boton një libër kujtimesh e refleksionesh, të titulluar “Blloku”, një botim i UET Press. Në këtë libër, Kalo tregon njohjen me diktatorin dhe gjithë bllokmenët e tjerë, ndër të tjera edhe të bashkëshortes së Enver Hoxhës. Cila ishte Nexhmije Hoxha sipas Isuf Kalos.

PËRTEJ PAMJES SË JASHTME

Nuk ishte e lehtë ta njihje Nexhmijen në të gjitha dimensionet dhe veçoritë e saj origjinale, as së jashtmi dhe as së brendshme, madje kjo e dyta, njohja e mendimeve dhe ndjenjave të saj qe edhe më e vështirë. Edhe pse pata rastin të kisha kontakte si mjek me të për më shumë se 15 vite, nuk mund të pretendoj se e njoha dot atë në tërësi dhe hollësi.

Aq më pak e patën njohur shqiptarët sa kohë ishte gjallë Enveri. Ata, me sytë të mbërthyera gjatë 40 viteve te lideri i madh, pak vëmendje dhe interes treguan për të shoqen si person. Për shumicën e tyre, ajo ishte thjesht gruaja e Enverit. Dhe vetëm kaq. Edhe ajo vetë rrinte disi e tërhequr, duke qëndruar kryesisht në zyrë e në shtëpi. Kish zgjedhur vullnetarisht të rrinte në hije. Ajo as arriti, por as u përpoq që të fitonte zemrat e shqiptarëve.

Ndoshta, sepse i mjaftonte simpatia dhe adhurimi që një numër i madh i njerëzve shprehnin për të shoqin. Por, kur së bashku me të vdiq edhe regjimi i tij, Nexhmijes iu desh që të dilte nga guaska, të bëhej e dukshme dhe aktive, duke u përpjekur t’i bënte njerëzit të besonin se gjithçka e Enverit ruhej e gjallë tek ajo. Mirëpo, ishte e vonuar. Pa autoritetin, famën, zërin dhe karizmën e të shoqit, ajo vetë nuk ishte as tërheqëse, as e besueshme dhe as bindëse për ta. Përkundrazi, siç nuk e priste, ajo u bë për pjesën e pakënaqur të popullsisë “tabelë qitjeje”, pasi iu faturuan asaj gabimet dhe padrejtësitë e pushtetit që u përmbys. A e meritonte? A i takonte asaj të paguante të gjithë ose pjesën kryesore të haraçit të të këqijave që bëri regjimi i kaluar? Në ç’masë, pa qenë personalisht anëtare e organeve të larta partiake e shtetërore, pati realisht gisht ajo në vendimet e marra prej tyre? Askush tjetër, përveç asaj vetë, nuk ka mundësi të dijë të vërtetën.

Ajo mund të hamendësohet ose të vlerësohet bazuar në fakte, perceptime apo sipas intuitës të gjithsecilit. Fajësitë e saj janë bazuar kryesisht mbi faktin e statusit si gruaja e Enverit dhe sidomos në vitet e fundit të jetës, kur ai ishte më i sëmurë. Me hamendësimin se ajo, edhe pa qenë anëtare e forumeve e strukturave të larta vendimmarrëse, mund të ketë influencuar ose edhe drejtuar vetë në emër të tij. Askush, as unë, nuk e vë dorën në zjarr se kjo absolutisht apo në një masë të caktuar nuk ka ndodhur.

Nexhmija vetë, në deklaratat publike dhe në librat me kujtime që ka botuar, i ka mohuar të tilla akuza apo hamendësime, ndërsa fakte ose konfirmime të dokumentuara për to nuk di të jenë dhënë. Ndërkohë, ish-anëtarë të Byrosë Politike, sekretarë të parë të partisë në rrethe, ministra të qeverisë, kryetarë dhe shefa të Sigurimit, Hetuesisë dhe Prokurorisë, fajtorë të sigurt e të njohur me emër dhe mbiemër, si iniciatorë e firmëtarë dokumentesh dhe aktesh mizore, çuditërisht përmenden nga media, madje edhe nga vetë viktimat, përciptazi ose shkarazi. Ata, meqenëse i shoqi nuk është më gjallë, e derdhin thuajse të gjithë urrejtjen, mllefin dhe fajet për bëmat e mbrapshta të atij regjimi kryesisht e personalisht tek ajo. Historia di me fakte, me emër e mbiemër, se cili person i udhëheqjes së lartë urdhëroi me kokën e tij pushkatimin mizor të 67 ballistëve që u zunë rob në Lushnjë.

Cili propozoi pushkatimin e 22 intelektualëve të pafajshëm në Tiranë për bombën në ambasadën ruse, cili propozoi dhe nguli këmbë për kolektivizimin e detyruar të bujqësisë dhe heqjen e tre dynymit fshatarëve, cili propozoi tufëzimin e bagëtive, cili ndërmori hapin e parë për ndalimin e fesë dhe prishjen e kishave e xhamive, cili urdhëroi ndërtimin e 173 mijë bunkerëve, anembanë vendit, cili si kryetar i komisionit të internimeve syrgjynosi me firmën e tij 12 500 qytetarë shqiptarë dhe shumë akte të tjera si këto të dënueshme? Disa nga këta autorë thuajse janë ricikluar dhe pasardhësit e tyre vazhdojnë të emërohen në poste qeveritare.

Ramizi, i cili pati firmosur ato vendime dhe që indoktrinoi, me propagandën që drejtoi, mendjet dhe shpirtin e disa brezave radhazi me utopinë e “njeriut të ri”, ishte njëri prej tyre. Ai, fillimisht, nuk u përmend si fajtor për ato, përkundrazi u promovua disa kohë në post më të lartë dhe, mandej, u konsiderua si shpëtimtar dhe misionar i frymës së re. Ndërkohë, në sa apo në cilën nga ato keqbërje ka qenë personalisht Nexhmija iniciatore, propozuese ose autore e faktuar? Pa dyshim, ajo i ka pas ditur në mos të gjitha, shumë nga ato padrejtësi që ndodhnin, por nuk u kundërvu direkt, as indirekt për të ndikuar t’i parandalonte a zbuste ato tek i shoqi. Përkundrazi, i pat miratuar me zell prej militanteje, mjafton që ato i pat miratuar më parë Byroja Politike dhe Enveri. Ajo, pa dyshim, ka personalisht pjesën e saj të përgjegjësisë, por ndoshta jo të gjithë përgjegjësinë, as pjesën më të madhe të saj. Ramizi e dinte mirë këtë, por nuk e tha.

Përkundrazi, thuhej se fshehtas pati edhe ai vetë gisht në to, fajësime dhe demonizime që u gjeneruan dhe u përhapën për Nexhmijen. Në periudhën e ndërrimit të sistemit, mbase atij iu desh që në opinionin e njerëzve të bëhej Nexhmija kurban në vend të tij, si kryefajtore, pavarësisht se ishte ai që pati pozitë më të lartë dhe përgjegjësi më të mëdha sesa ajo në hierarkinë vendimmarrëse të regjimit që u shemb. U desh që fajet e regjimit dhe ish-titullarëve të tij të shkriheshin si skrap në zjarrin e urrejtjes popullore për të krijuar me to “kuçedrën Nexhmije”, si simboli i të gjitha të këqijave të diktaturës dhe fajtorja kryesore në mos e vetme e saj. Në mungesë të Enverit, përqendrimi dhe personalizimi i gabimeve dhe fajeve të regjimit komunist tek e veja e tij, sikur ajo qenkej njësoj përgjegjëse sa ai apo dhe më shumë sesa ai, ndoshta u desh për t’i ruajtur dhe shpëtuar përkohësisht imazhin e Ramizit, si “e keqe e nevojshme dhe shpresuese”, në atë periudhë ndryshimesh të vështira. Në fakt, Enveri nuk e pat njësuar ndonjëherë të shoqen me veten. Ai ishte autoritar. Hijerëndë.

Por nuk ishte “burrë grash” as “lolo” lehtësisht i influencueshëm. Ai imponohej me një shikim. Me një mbledhje të vetullave dhe rrudhave në ballë. Ndonjëherë me buzëqeshje, pa fjalë. Me heshtje. “Burrëria tradicionale” e meshkujve shqiptarë me nuanca mazohizmi ishin të shfaqura krenarisht dukshëm në mënyrën e tij të sjelljes. Gjatë viteve në kontakt direkt, as unë, si mjek personal i tij, nuk u çlirova dot nga ndjenja e ndrojtjes dhe e përgjegjësisë që më pushtonte në çdo takim me të. Ai rrezatonte autoritet, prandaj as guxova të ndaja me iniciativën time me të ndonjë mendim, shqetësim apo ta ndikoja në ndonjë drejtim, jashtë kuadrit të detyrës sime profesionale. Nexhmija dhe të gjithë vartësit e tjerë e kishin pranuar me përulje supremacinë e tij të plotfuqishme.

Mendimet, sugjerimet, dëshirat dhe vendimet e Enverit ishin për të gjithë ata, përfshi edhe Nexhmijen ose, më saktë, në radhë të parë për Nexhmijen, tabu. Diferenca e moshës prej 13 vjetësh me Enverin, brishtësia fizike e karakteriale e saj pati vulosur që në ditën e parë të njohjes së tyre kompleksin e adhurimit dhe nënshtrimit të përhershëm të saj ndaj burrërisë, vendosmërisë dhe guximit të Enverit, si vendimmarrës i pakundërshtueshëm, që imponohej me bindjen se kishte gjithmonë të drejtë.

Kjo nuk përjashton të ketë pasur sukses edhe ajo, si të gjitha gratë, në rolin e “zogut të natës”, për t’i vënë në vesh dhe marrë prej të shoqit miratime për nevoja, çështje apo plane të jetës familjare apo personale të saj. Por me shumë pak mundësi për çështje shtetërore. Sipas Zhaklinë Kenedi, “gratë e pushtetshme” ndahen në dy kategori: ato “me pushtet në shtet” dhe ato “me pushtet në shtrat”. Gjykuar nga aparenca e jashtme, nga gjestet, mënyra e shikimit, timbri i zërit apo “gjuha e trupit”, Nexhmija nuk ishte lozonjare apo tip gruaje shtrati. Përkundrazi, dukej e “akullt”, serioze si e superblinduar me parime. Në marrëdhëniet me të shoqin, jo nazet e feminiteti, por devotshmëria ishte pika e fortë e saj.

Madje, në vitet pasi Enveri pati pësuar infarktin në zemër, ata flinin të ndarë. Nexhmija ia pat “dhuruar” Enverit edhe pjesën e saj të shtratit bashkëshortor. Ai flinte i vetëm në shtratin e gjerë dopio. Vendin e saj, herë pas here, mund ta zinte një “femër” tjetër. Ajo ishte Guxi. Kështu quhej macja më “mendjemadhe” që kam parë e njohur unë. Ajo ishte e bukur, i shkëlqenin qimet nga shëndeti dhe gjezdiste krenare nëpër dhomat e korridoret e brendshme, me hap të sigurt dhe shpërfillëse ndaj njerëzve të shtëpisë. Në fakt, ishte macja e dashur e Pranverës, por Guxit, sa herë që i mbushej koka, shkonte pa pyetur askënd te dhoma e Enverit. Nëse e gjente të mbyllur portën e dhomës së gjumit të tij, Guxi ishte e zonja që ta hapte vetë atë.

Ajo kërcente deri te doreza dhe e hapte pa problem. Pasi hynte, shtrihej në të njëjtin shtrat me Enverin dhe përgjumej plot kënaqësi pranë tij. Ai nuk bezdisej, e pranonte dhe e përkëdhelte. Dukej që mes tyre ishin miq. Ndërkohë, Nexhmija “vigjilonte” gjatë natës gjysmë e zgjuar, përballë, mbi një divan të ngushtë brenda së të njëjtës dhomë, për ta ndihmuar të shoqin në rast të ndonjë shqetësimi eventual.

Marrëdhëniet e shtratit, nëse patën të tilla në ato vite, ata i ruajtën rreptësisht si intime dhe private. As njëri, as tjetri nuk më pyetën, as morën këshilla mjekësore, në konfidencialitet, për rreziqet dhe implikimet e mundshme në marrëdhëniet seksuale në kuadrin e infarktit të zemrës dhe sëmundjes së diabetit, prej së cilës Enveri vuante prej vitesh. Por në literaturën mjekësore, si edhe nga përvoja jetësore njiheshin raste atakesh, aksidentesh, deri edhe vdekje të befta te meshkujt me sëmundje të tilla të zemrës, gjatë marrëdhënieve në shtrat. Kështu i pat ndodhur në vitet e monarkisë një ish-ministri shqiptar, i cili vdiq papritur gjatë aktit në një prej hoteleve të Romës.

E njëjta tragjedi ndodhi jashtë Tiranës në vitet kur kujdesesha për Enverin, me vëllain e njërit prej ish-udhëheqësve të shquar të Byrosë Politike. Edhe ai, fatkeqi, vuante njësoj nga zemra e diabeti dhe ishte më i ri se vëllai i tij dhe Enveri. Vdekja e tij e beftë, e njëjtë me atë të dikurshme të ish-ministrit monarkist, pat ndodhur jashtë shtëpisë, në rrethana që, për arsye të kuptueshme, nuk u bë publike. Ngjarja e tronditi se tepërmi emocionalisht vëllain e tij byroist, por ndoshta dhe e vuri në vështirësi e para dilemës nëse duhet ta nderonte, duke marrë pjesë në ceremoninë e tij mortore, apo ta dënonte duke mos shkuar në të.

Besoj që për këtë ai e kish pyetur dhe kish marrë miratimin e Enverit, sepse ky më thirri dhe më dha porosi të shkoja të qëndroja edhe unë pranë kolegut dhe mikut të tij, ndonëse atë e shoqëronin edhe mjekë të Klinikës Speciale. Kjo mbase si qokë a shenjë solidariteti me të. Kur shkova nuk e dija pse dhe si kishte ndodhur ngjarja. Enveri nuk më tha asgjë. Mbase priti që pasi të kthehesha kjo temë të hapej nga unë.

Ndërkohë, unë prisja ta hapte ai, por më kot. Sidoqoftë, atëherë, për herë të parë, u kujtova që këtë faktor rreziku eventual ne si ekip mjekësor e patëm harruar dhe neglizhuar. Po sikur t’i ndodhte diçka e ngjashme edhe Enverit? Ne mjekët do të gjendeshim krejt të zbuluar dhe do të viheshim me siguri para përgjegjësisë. Asnjë këshillë, shqetësim, as diskutim, as shënim për një eventualitet të tillë nuk ishte përmendur në kontaktet tona me të, as shënuar si dokument në kartelën e tij klinike dhe as në protokollet e ekipit tonë mjekësor. E kishim quajtur thjesht çështje intime, private të tij.

E keqja ishte se, për arsye që kuptohen, ky problem nuk mund të diskutohej me Nexhmijen. As me djemtë. Kush do të guxonte t’ia cenonte Enverit privatësinë pa kërkesën dhe lejen e tij vetë? Atëherë, me droje dhe në konfidencialitet e diskutova me mësuesin tim, profesorin Fejzi Hoxha. Ai ishte gjirokastrit, kishte thuajse të njëjtën moshë të Enverit dhe kish qenë shok shkolle dhe fëmijërie me të. “Mos e nga këtë temë, – më tha ai. – Asnjë mashkull, as ai, nuk do që të flasë e tregojë për këto gjëra. Dhe as nuk do i ndjekë këshillat që do t’i japim ne. Përkundrazi, i zemëruar që futemi pa na ftuar në gjërat intime të tij, mund të na sikterisë.

Lëre, të ndodhë si të jetë shkruar”, më këshilloi ai. Dhe kështu u bë. Nga droja, por dhe në respekt të privatësisë dhe intimitetit të tyre, nuk e zura asnjëherë me gojë këtë subjekt delikat, edhe pse me interes mjekësor. Iu luta qiellit dhe Zotit që e keqja të mos ndodhte dhe ndoshta ai më dëgjoi. Kështu mbeti enigmë edhe masa e supozuar e “pushtetit” të Nexhmijes ndaj të shoqit me ndikimin e saj në shtrat. Sa për “pushtetin në shtet”, në rastin e Nexhmijes do të tingëllonte si teprim. Ajo, nën hijen e të shoqit, nuk krijoi dot “klorofilin” e një personaliteti individual. Nuk pati dhe as tentoi të krijonte ndonjë rrymë, “Nexhmijëzimi” me platformë origjinale ideore, pushtetare e politike si alternativë e dizajnuar dhe e imponuar personalisht prej saj.

Ajo ishte dhe mbeti deri në fund “krijesë” e Enverit, shtojcë e tij. Mbeti zbatuese shembullore e përkushtuar ndaj tij si udhëheqës dhe bashkëshort. Ndryshe nga Çhian Çhini, Elena e Çausheskut, Jovanka e Titos dhe Mira Markoviçi e Sllobodan Millosheviçit, ajo nuk tregoi ambicie për të bashkëqeverisur në poste të larta zyrtare përkrah të shoqit. Ishte e interesuar të informohej për gjithçka ndodhte politikisht, por jo me synim që të udhëhiqte ajo vetë. Ndoshta sepse ishte e ndërgjegjshme që i mungonin vetitë e duhura për të udhëhequr, i mungonin pasioni, karizma, guximi dhe energjia për të krijuar pasardhës dhe dishepuj personalë të saj.

Nexhmija ndryshonte në qëndrim dhe karakter prej Nadjezhda Allilujevës, gruas së dytë të Stalinit, e cila ishte shprehur edhe kritike ndaj metodave dhe sjelljeve brutale të të shoqit. Kjo ishte 20 vjet më e re se Stalini. Bazhanov, njëri prej sekretarëve të Stalinit, njohës nga afër i marrëdhënieve të Nadjas me të shoqin, ka dëshmuar në kujtimet e tij një episod domethënës për ndjeshmërinë e saj ndaj vështirësive të jetesës së popullatës. “Ishte viti 1932, tregon ai, kur Stalini iu përvesh kolektivizimit me dhunë në bujqësi. Kuadrot e bazës e kishin parë me sytë e tyre rrënimin e fshatarësisë. Por kur dëgjonin që ajo ishte gruaja e Stalinit, ata bëheshin memecë. Mirëpo dalëngadalë kuptuan dhe u bindën se ajo ishte e dhembshur, e mrekullueshme, që mund t’i besoje. Gjuhët u zgjidhën dhe nisën të rrëfenin çfarë po ndodhte. Nadja e rrëqethur u tmerrua. Ajo nuk mund të rrinte pa ia treguar të shoqit gjithçka kishte dëgjuar.

Mirëpo Stalini iu hakërrye asaj duke i thënë se ‘informacioni që i dha nuk ishte gjë tjetër veçse pjesë e propagandës kundërrevolucionare’”. Pak kohë më vonë, pas një debati dhe ofeze që i bëri asaj Stalini në publik, Nadjezhda u mbyll në dhomën e saj dhe u vetëvra me revolver. Ishte vajzë e re 18-vjeçare kur u martua me Stalinin dhe vetëm 30 vjeçe kur e zhgënjyer u nda prej tij dhe nga jeta. Shkaku i vdekjes së papritur të saj u mbajt asokohe i fshehur nga publiku dhe u manipulua sikur kishte ndodhur pas një “apendiciti akut”. Stalini, në vend të keqardhjes dhe pendesës, përkundrazi, u ndie i tradhtuar prej saj dhe u zemërua me të.

Ai e quajti aktin e së shoqes armiqësor dhe të qëllimshëm kundër tij. Trupi i saj nuk u dogj në kremator dhe hiri nuk u vendos siç e kërkonte protokolli në muret e Kremlinit. Me urdhër të Stalinit u çua në varrezën dikur aristokrate Novodevichi të Moskës. Në njërën nga vizitat e mia të punës në Moskë në vitet që isha konsulent i Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Diabetin, pata rastin ta shoh me emocion varrin e saj, pranë atij të Hrushovit, i shndërruar tashmë në objekt kurioziteti me interes turistik. E vërteta është se debatet dhe “karshillëku” i ruses së re, emocionalisht delikate, me të shoqin e plotfuqishëm buronin edhe prej sjelljes së vrazhdë të Stalinit ndaj saj, si dhe ndaj prindërve dhe pjesëtarëve të tjerë të familjes Allilujeva, por edhe ndaj fëmijëve të tij. Kurse Enveri, përkundrazi, me aq sa e njoha unë, ishte i ngrohtë e korrekt në sjellje ndaj Nexhmijes, por edhe ndaj nënës, vëllait dhe mbesave të saj. Ai njihet si stalinisti i fundit në stilin e qeverisjes dhe ndoshta dhe në ideologji, por nuk ishte kurrsesi Stalin në marrëdhëniet në shtëpi brenda familjes dhe me fëmijët, nipat e mbesat e tij. Vjehrra e Enverit, Naxhija, ishte dibrane e moshuar, mjaft inteligjente.

Ajo banonte dhe jetonte së fundmi në të njëjtën shtëpi me familjarët e tjerë të tij. Në orët e lira, në respekt të Nexhmijes, Enveri e vizitonte, bisedonte dhe pinte kafen herë pas here me nënën e saj. Dhe kur i vëllai i Nexhmijes, Fehmiu, u shtrua për një problem shëndetësor serioz në Spitalin Ushtarak, Enveri, si asnjëherë tjetër, i vajti për ta takuar dhe vizituar. Natyrisht, bashkë me Nexhmijen.

I shoqërova edhe unë. Atje i priti drejtori i spitalit dhe disa nga mjekët që e kuronin të sëmurin. Fehmiu ishte shtruar në një dhomë më vete si më komode, posaçërisht të adaptuar për të. Me aq sa di, në vitet që isha mjek i tij, kjo ishte vizita e parë dhe e vetmja që bëri në ato vite Enveri në një ambient spitalor të vendit. Kurioz pyeta Sulon në konfidencë nëse ishte parashikuar që ai, me këtë rast, të mund të shihte edhe kushtet dhe ambientet e tjera të spitalit, ose të takonte të sëmurë të panjohur të shtruar atje!

“Jo ore çne, – tha Sulua menjëherë, – apo të na marrë ndonjë infeksion?” Që kur ishte gjallë Enveri, Nexhmija pati siguruar me përparësi libra biografikë për personalitete të famshme, të cilat, siç kuptohej, do t’i shërbenin më pas për të shkruar për Enverin. Në këtë aspekt ajo i ngjante Nadjezhda Krupskajës, gruas së Leninit, sepse edhe ajo ishte marrë kryesisht me dokumentimin e jetës dhe veprimtarisë së të shoqit.

Në raftet e bibliotekës së Nexhmijes kishte një libër biografik të Krupskajas për Leninin. Krupskaja, siç pati treguar ajo vetë, i lexonte Leninit të sëmurë “teksa ai e dëgjonte, i shtrirë në shtrat, duke vështruar si romantik, jashtë dritares diellin që perëndonte”. Edhe Nexhmija, kur Enveri së fundmi pati probleme me shikimin, ndodhte që i lexonte pranë shtratit, ose kur ai ishte në studio, korrespondencën apo libra që atij i pëlqenin. Në të tilla raste Nexhmija bëhej si mamaja apo “dadoja e një djali të vogël kurioz”, i cili dëgjonte me vëmendje deri në fund përrallën, të lexuar me zërin e saj të hollë.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY