Thellohet skandali i mandatit të Durrësit, ja çfarë ka ndodhur këtë herë

Thellohet skandali i mandatit të Durrësit, ja çfarë ka ndodhur këtë herë

196
0
Shares

Tre ditë pasi gjyqtarja Mimoza Margjekaj botuar vendimin e saj që nuk konfirmonte mandatin për kryebashkiake të Durrësit të dhënë nga KQZ, Valbona Sako e ka apeluar vendimin në Gjykatën e Apelit të Durrësit.

Ky apelim vjen pasi, në një tjetër vendim të Gjykatës së Durrësit, dy ditë pas rrëzimit të mandatit nga gjyqtarja Margjekaj, kolegu i saj, gjyqtari Shpëtim Reka rimori në shqyrtim të njëjtën çështje dhe e miratoi mandatin e Valbona Sakos.

Sajesa për të arritur tek ky vendim i dytë ishte ribërja e kërkesës për njohjen e mandatit të Zonjës Sako nga Partia Socialiste.

Vendimi i gjyqtarit Reka u kritikua si i paligjshëm dhe dhunim i një nga parimeve bazë të drejtësisë, të mishëruar edhe në legjislacionin shqiptar, parimit res judicata i cili ndalon rigjykimin e të njëjtës çështje nga e njëjta gjykatë që ka vendosur njëherë për të.

Vendimi i gjyqtarit Reka shkeli, gjithashtu, edhe parimin e legjitimimit të kërkuesit, ai legjitimoi si kërkuese Patinë Socialiste. Mandati i kryebashkiakes është individual dhe në gjithë historinë zgjedhore të Shqipërisë kërkesa për njohjen e tij në gjykata është bërë në çdo rast nga vetë personi, dhe jo nga partitë politike.

Sidoqoftë, Partia Socialiste nuk mund të legjitimohej edhe për faktin sepse zyrtarisht Zonja Sako ka qenë regjistruar në zgjedhje si kandidate e Aleancës për Shqipërinë Europiane dhe jo e Partisë Socialiste.

Duket se për “të korrigjuar” këtë vendim skandaloz të gjyqtarit Reka, socialistët kanë vendosur apelimin e vendimit fillestar të mosnjohjes së mandatit. Argumenti kryesor që ngrenë socialistët është moskompetenca e Gjykatës së Durrësit për të shqyrtuar vlefshmërinë e akteve të KQZ. Sipas tyre kjo është në kompetencë vetëm të Kolegjit Zgjedhor.

Kështu krijohet një situatë edhe më absurde, pasi Gjykata e Apelit tashmë do të konsiderojë një vendim të shkallës së parë që mohon mandatin ndërkohë që ka edhe një tjetër që e njeh mandatin.

Gjendja e ndërlikuar ligjore erdhi për shkak të një fakti tashmë të vërtetuar dhe pranuar publikisht se Partia Bindja Demokratike u regjistrua në mënyrë antiligjore në zgjedhjet e 30 qershorit, disa javë para se ajo të ishte regjistruar dhe ekzistonte ligjërisht si parti politike.

Ky ishte argumenti kryesor i gjyqtares Mimoza Margjekaj për të mos njohur mandatin e Zonjës Sako. Në vendimin e saj, gjyqtarja Margjekaj shprehet se gjykata “verifikoi ligjshmërinë e (akteve administrative) vendimeve të KQZ-së për rregjistrimin e subjekteve zgjedhore garuese, për mandatin e Kryetarit të Bashkisë Durrës”, duke marrë shkas nga deklarimi i Misionit të OSBE se “KQZ-ja e regjistroi Bindjen Demokratike (BD) si subjekt zgjedhor më 27 prill, ndonëse kjo e fundit ishte regjistruar si parti politike vetëm më 25 prill me një vendim gjykate që mori formë të prerë më 10 maj”.

Gjyqtarja ka argumentuar se, sipas Kodit Zgjedhor, i cili kërkon regjistrimin e partive politike si subjekt zgjedhor jo më më vonë se 70 ditë përpara datës së zgjedhjeve, data e fundit e regjistrimit për zgjedhjet e 30 qershorit ka qenë data 23 prill 2019 (data 21 prill ka qenë ditë e shtunë dhe sipas ligjit afati shtyhet me një ditë punë).

Gjyqtarja Margjekaj ka konstatuar se regjistrimi në gjykatë i Partisë Bindja Demokratike është bërë me Vendimin Nr. 8, datë 25.04.2019 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, vendim i cili ka marrë formë të prerë më datën 10.05.2019.

Ajo ka konstuar, më tej, se KQZ ka vendosur ta regjistrojë Partinë Bindja Demokratike, me kryetar Zotin Astrit Patozi me Vendimin Nr. 230 të datës 27.04. 2019.

Në arsyetimin e saj ligjor, Zonja Margjekaj i është referuar më tej Ligjit për Partitë Politike (neni 9) i cili shprehet se deri në datën e regjistrimit me vendim të formës së prerë, themeluesit e një partie politike “mund të kryejnë veprime që janë të nevojshme për organizimin e saj, siç janë, sidomos, thirrja e zhvillimi i mbledhjes së themeluesve dhe zgjedhja e organeve drejtuese, por nuk mund të kryejnë veprimtari si parti politike.”

Duke qenë se Bindja Demokratike është regjistruar si parti politike nga KQZ dy javë para se ajo të regjistrohej si e tillë në gjykatë, gjyqtarja Margjekaj ka konstatuar se ky vendim është marrë në shkelje të hapur të Kodit Zgjedhor (Neni 64, cituar më sipër) dhe dhe të Ligjit për Partitë Politike (nenin 9, cituar më sipër).

Për këtë arsye, gjyqtarja Margjekaj ka vendosur të shpallë akte “absolutisht të pavleshme” aktet e mëposhtme:

  1. Vendimin Nr. 230, datë 27.04. 2019 të KQZ-së, “Për regjistrimin e subjektit zgjedhor ‘Partia Bindja Demokratike’ për Zgjedhjet për Organet e Qeverisjes Vendore të datës 30.06.2019”.
  2.  Vendimin Nr, 660, datë 27.05.2019 të KQZ-së, “Për miratimin e përmbajtjes së fletës së votimit për kandidatët për Kryetar Bashkia Durrës për Zgjedhjet për Organet e Qeverisjes Vendore të datës 30.06.2019”.
  3.  Vendimin Nr. 944, datë 05.07.2019 të KQZ-së, “Për nxjerrjen e rezultatit të votimit për zgjedhjen e Kryetarit të Bashkisë Durrës, Qarku Durrës, në Zgjedhjet Vendore të datës 30.06.2019”.

 Vendimi i gjyqtares Mimoza Margjekaj i bën ligjërisht të pavlefshëm zgjedhjet vendore të mbajtur më 30 qershor për Bashkinë Durrës. Por vendimi është i aplikueshëm më gjerë në të 21 bashkitë ku kandiduan përfaqësuesit e Bindjes Demokratike, përfshi Bashkinë Tiranë./EXIT.AL

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY