Paketa antishpifje/ DW: Luftë ndaj Fake News apo atentat lirisë së shprehjes?

Paketa antishpifje/ DW: Luftë ndaj Fake News apo atentat lirisë së shprehjes?

92
0
Shares

Në shtator, me rifillimin e punimeve të Parlamentit pas pushimeve të gushtit, pritet që ato të votohen apo të rrëzohen nga deputetët. Sipas qeverisë dy projektligjet në fjalë, të njohura si “Paketa antishpifje” janë një përpjekje për të luftuar ” epideminë e Fake News – lajmeve të rreme-, për të mbrojtur fëmijët nga abuzimet on line, për të forcuar Autoritetin e Mediave Audio- Vizuale, (AMA).”

Paketa ligjore në fjalë është kritikuar ashpër nga gazetarë, shoqata të tyre dhe ato të mbrojtjes së të drejtave të njeriut. Në një deklaratë publike të hartuar prej 10 syresh kjo paketë cilësohet si “Paketa ligjore e censurimit, e vendosjes së kontrollit administrativ mbi median on line”. 10 shoqatat kanë ngritur alarm publik alarm për cënimin serioz të lirisë së shprehjes nëse Parlamenti e miraton dhe i bëjnë thirrje deputetëve që në shtator të votojnë kundër.

Për opozitën jashtë parlamentit, të kryesuar nga PD, me Paketën anti-shpifje qeveria Rama synon “të kontrollojë, gjobisë , mbyllë portalet kritike ndaj qeverisë”.

Pushtet i institucioneve administrative mbi mediat on line
Janë dy projektligje që përbëjnë “Paketën ligjore antishpifje” dhe kanë shkaktuar alarm dhe angazhim publik. Njëri i jep Këshillit të Ankesave tek AMA pushtetin që të detyrojë ofruesit e shërbimve on line në fushën e publikimeve të ndryshojnë / korigjojnë përmbajtjen e tyre, të publikojnë ankesa, që duhet të shfaqen njëlloj si reklamat on line, sa herë që në publikimet on line cënohet/dhunohet dinjiteti ose privatësia e qytetarëve.

Në rast të kundërt Këshilli i Ankesave ka pushtetin të vërë gjoba që shkojnë deri në 10 milionë lekë ose 8.300 Euro. Këshilli i Ankesave do të menaxhojë edhe të drejtën e përgjigjes / replikës së palëve të prekura që nga qytetarët deri tek institucionet, anëtarët e qeverisë, deputetët, kryebashkiakët etj.

Projektligji i dytë ka të bëjë me një tjetër institucion administrativ: Autoritetin e Komunikimeve Elektronike dhe Postale (AKEP), të cili i jepet pushteti të vendosë inserte, njëlloj si reklamat tek portalet online, nëse Këshilli i Ankesave konstaton se ofruesit e publikimeve online nuk kanë zbatuar ligjet e reja.

Nëse portalet nuk zbatojnë edhe AKEP-it i jepet meligj e drejta t’u vërë gjoba që shkojnë deri në 10 milionë lekë ose 8.300 Euro, shumë që përbën në rastin më të mirë gjithë pagën vjetore të një gazetari që mund të gjobitet për një shkrim të vetëm on line, në rastin më të keq pagën e dy viteve.

Në dy projektligjet e mësipërme parashikohet që gjobat duhen paguar menjëherë dhe më pas subjektet e prekura mund t’i drejtohen gjykatës. Paketa ligjore e sapo miratuar nga qeveria përmban edhe detyrimin e krijimit në AMA të një regjistri të mediave on line. Dy projekligjet e saj nuk bëjnë diferencime mes portaleve të fuqishme on line dhe blogjeve individuale.

Paketa antishpifje premisa për censurë dhe auto-censurë
Aleksandër Çipa, analist e pavarur në Tiranë dhe kryetar i Unionit të Gazetarëve Profesionistë, që ka firmosur deklaratën kundër paketës antishpifje paraqet për DW arsyet e kundërshtimit.

“Dy projektligjet, që ndryshojnë ligjet aktuale për AMA dhe AKEP, nuk janë hartuar pas një konsultimi / diskutiumi me grupet e interest. AMA dhe AKEP janë dy institucione publike, administrative që zgjidhen nga pushteti politik dhe nuk mund të bëhen garante të lirisë së mediave on line. Gjobat janë të papërballueshme nga gazetarët dhe redaktorët e mediave on line- gjë që krijon të gjitha premisat për censurë dhe auto censurë,” thotë Aleksandër Çipa .

Nga ana tjetër ekipet e AMA dhe AKEP, që do të gjykojnë publikimin ose jo të Fake News apo shpifjeve në median on line janë pjesë e këtyre institucioneve, “të zgjedhura dhe mbajtura nën ndikim nga politika ose grupet e mëdha financiare që flirtojnë me politikën e qeverisë” thekson ai.

Kristina Voko, kryeredaktorja e BIRN – Albania, organizatës mediatike, pjesëmarrëse në deklaratën publike kundër paketës anti-shpifje” thotë për DW, se „ më tepër se të luftojë Fake News dhe shpifjen qeveria synon të ngrejë një mekanizëm censure dhe kontrolli mbi mediat on line”.

“Në Europë, me përjashtimn të Rusisë asnjë vend nuk përdor institucione administrative si AMA për të rregulluar përmbajtjen e mediave on line. Gjobat janë dragoniane dhe shtyjnë gazetarët drejt auto-censurës dhe anashkalojnë ose i mbivendosen rolit të gjykatave. BIRN mendon se dy projektligjet janë një atentat ndaj lirisë së shprehjes dhe medias” thekson Kristina Voko.

Drejtuesja e ” Komitetit të Helsinkit” Erida Skëndaj në blogun e saj vë në dukje, se ” AMA nuk ka garanci për të qenë një institucion i pavarur politikisht pasi formula aktuale e përbërjes së saj është në favor të maxhoranxës socialiste”.

BE dhe OSBE: Projektligjet duhen përmirësuar
Paketa ligjore anti-hpifje është hartuar në konsultim me OSBE dhe BE. Përfaqësuesi për lirinë e medias në OSBE, Harlem Desir, në analizën ligjore të dy projektligjeve të bërë publike prej tij vë në dukje, se “paketa ligjore anti shpifje ka nevojë për përmirësime të mëtejshme”

“AMA, si rregullatori medias audio- vizuale në Shqipëri nuk duhet të zëvendësojë gjykatat e pavarura ose mekanizmat vetë rregulluese për lirinë e shprehjes, të bllokojë përmbajtjen e publikimeve on line, të vendosë gjobat apo të përcaktojë modalitetet e së drejtës për përgjigje” vë nëdukje analiza ligjore e OSBE.

Dy projektligjet po shqyrtohen edhe nga BE. Ambasadori i Delegacionit të BE në Tiranë, Luigi Soreca, deklaroi se ” BE po i shqyrton së bashku me partnerë të tjerë ndërkombëtarë” .
10 organizatat e gazetarëve dhe të të drejtave të njeriut i janë adresuar BE dhe OSBE për të kërkuar që të marrin parasysh objeksionet dhe komentet e tyre ndaj dy projektligjeve.

Ato kërkojnë që kopetencat në luftën kundër Fake News dhe shpifjeve t’i marrin institucionet vetërregulluese që duhet të ngrihen nga komuniteti i gazetarëve dhe ekspertëve profesionistë për lirine e medias./DW

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY