Çmenduria e Milot-Balldren, kostot mund të rriten edhe me 44 mln euro,...

Çmenduria e Milot-Balldren, kostot mund të rriten edhe me 44 mln euro, ja sa arrin totali

102
0
Shares

Kuvendi i Shqipërisë miratoi me nxitim, në seancën e fundit të këtij sezoni, kontratën koncesionare të formës së Partneritetit Publik Privat (PPP) për rrugën Milot-Balldren.  Kjo kontratë u iniciua pas një oferte të pakërkuar nga kompania ANK, për miratimin e të cilës u bë një tender, por siç ndodh përgjithësisht, tenderi rezultoi formal, pasi fituesi , në tetor 2018, u shpall kompania që kishte bërë ofertën e pakërkuar.

Kuvendi miratoi në 18 korrik të këtij viti kontratën e koncesionit/PPP, ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, si autoriteti kontraktor, shoqërisë “ANK”, sh.p.k., si koncesionari, dhe shoqërisë “Bardh konstruksion”, sh.p.k., si shoqëria koncesionare, për projektimin, ndërtimin dhe mirëmbajtjen e segmentit rrugor Milot – Balldren”.

Për ironi, kontrata u miratua në të njëjtën ditë që Kuvendi kaloi dhe projektligjin për ndalimin e ofertave të pakërkuara për rrugët, një kërkesë kjo e vazhdueshme e Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Sipas kontratës, së miratuar tashmë në Kuvend, kostot e projektit të rrugës Milot – Balldren, me një gjatësi totale prej 17.2 km, është 213.6 milionë euro, plus TVSH-në, ose 256 milionë euro përfshirë TVSH-në. Kontrata është e miratuar në euro, dhe pagesat koncesionari do i marrë në euro, ndonëse qeveria shqiptare i merr të ardhurat dhe kryen pagesat në lekë. Me kursin aktual të këmbimit, ku një euro është rreth 122 lekë, kosto në lekë e kësaj kontrate në total është 31.2 miliardë lekë.

Nga kjo shumë, financimi i kompanisë është 140 milionë euro, sipas specifikimeve në kontratë, nga të cilat një hua bankare prej 70 milionë eurosh, e cila do të merret nga një ose më shumë institucione financiare, financimi nga furnitorët prej 19.5 milionë eurosh dhe 52 milionë euro kompania premton se i ka nga kapitali i vet. 12 milionë euro janë shpenzime mirëmbajtje. Pjesa e mbetur prej 60 milionë eurosh do të shkojë për pagim interesash dhe fitimin e kompanisë.

Koncesioni është për 13 vjet dhe qeveria pritet të fillojë pagesat në vitin e tretë, konkretisht në 2022 për një periudhë prej 11 vitesh.

Por, qeveria në kuadrin e saj afamesëm është e përgatitur të paguajë deri në 36.5 miliardë lekë për këtë koncesion, sipas tabelave të brendshme të hartuara nga Ministria e Financave për llogari të institucioneve ndërkombëtare dhe të siguruara nga Monitor (shiko tabelën). Pra shuma maksimale që qeveria parashikon të paguajë nga buxheti i saj është dhe 5.3 miliardë lekë, ose  gati 44 milionë euro më shumë (e llogaritur me kursin aktual 1 euro=122 lekë), sesa ajo e miratuar në kontratën nga Kuvendi, duke e çuar koston në total në 17 milionë euro për kilometër.

Edhe në këtë rast “djalli” fshihet në detajet e kontratës. Ndryshe nga kontratat e mëparshme që janë të konceptit me “çelësa në dorë”, pra që kompania kontraktore ka përgjegjësinë e realizimit të punëve pa kërkuar asnjë fond shtesë, përveç vlerës së kontratës së prokurimit (si në rastin e rrugës së Arbrit), për Milot-Balldren, kushtet janë ndryshe. Neni 35 i kontratës, “Ndryshime në punimet apo shërbimet” specifikon që Autoriteti Kontraktor mund të kërkojë ndryshime në projekt përmes një kërkesë me shkrim, përpara fillimit të këtyre punimeve, duke lënë në këtë mënyrë të hapur një rritje tjetër të kostove. Kontrata parashikon që përballimi i kostove për ndryshimin e kërkuar bëhet nga Autoriteti Kontraktor. Edhe shoqëria koncesionare mund të propozojë ndryshime dhe në këtë rast kostot ndahen 50:50. (neni 35, faqja 70-72 e kontratës: http://www.parlament.al/Files/ProjektLigje/kontratamilotballdre.pdf)

Si u rrit disa herë kosto e Milot-Balldren, qeveria do e ndërtonte vetë me 102 milionë euro

Qeveria në strategjinë Sektoriale të Transportit dhe Planit të Veprimit 2016 -2020, e cila u hartua me asistencën e Bankës Botërore, planifikoi të ndërtonte By Passin e Lezhës (aksin Milot-Balldren) me gjatësi vetëm 4 kilometër kundrejt 24 milionë euro, ose 6 milionë euro për kilometër. Më pas projekti u zgjerua ne gjatësi nga 4 në 17 kilometër dhe sipas kostove fillestare, nëse rruga do të ndërtohej me fonde buxhetore, nuk do të kushtonte me shumë se, 102 milionë euro (pa TVSH), ose më pak se gjysma e asaj që do të duhet të paguajmë të gjithë me taksat tona.

Ne 9 tetor 2018, kompania A.N.K fitoi procedurën konkurruese për dhënien me koncesion/PPP të ndërtimit dhe mirëmbajtjes së rrugës Milot –Balldre, me vlerë ndërtimi dhe mirëmbajtje gjithsej 161.5 milionë euro, (pa TVSH) sipas buletinit zyrtar të Agjencisë së Prokurimeve Publike.

Në këtë shumë, sipas parimit të përgjithshëm në bazë të të cilit funksionojnë tenderat, presupozohet që kompania duhet të kishte llogaritur të gjitha kostot, interesat për huatë e mundshmë dhe fitimin e saj, që qeveria nga ana e saj duhet t’ia kthente me këste për një afat 13 vjeçar.

Por, kontrata është rinegocuar më pas pa garë, një praktikë që nuk mbështetet në asnjë ligj, teksa një pjesë e kontratës është kontraktuar përmes tenderit konkurrues dhe më pas pjesa tjetër është rinegociuar për interesat . “Sipas  propozimit  të  rishikuar  financiar,  sipas  deklaratës  të  datës  19.3.2019, norma  e  interesit  e  llogaritur  për  gjitha  burimet  e  financimit  të  përcaktuara  më  sipër është 5%”, thuhet në kontratë (bëhet fjalë për tre burimet e financimit të kompanisë nga kredia, kapitali i vet dhe furnitorët prej 140 milionë eurove). Ky rinegocim i paprecedentë dhe pa garë e çoi vlerën e kontratës në 213 milionë euro, duke e rritur atë me 32%.

Kompania nuk ka aftësi paguese

Zyrtarisht, kompania nuk ka kapacitetet financiare që të ndërtojë një projekt të tillë.  Ndërsa ANK premton të financojë 52 milionë euro nga kapitali i vet, të dhënat zyrtare nga bilanci 2017 tregojnë se totali i aktiveve të saj është vetëm 16 milionë euro (2 miliardë lekë), ndërsa totali i kapitalit është 3.2 milionë euro. Kompania kishte të ardhura prej 16 milionë eurosh në 2017-n dhe një fitim minimal prej më pak se 1 milion euro.

Marrë nga Monitor

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY