BLLOKU/ Jeta e fshehte e Nexhmije Hoxhes

BLLOKU/ Jeta e fshehte e Nexhmije Hoxhes

494
0
Shares

Nga Isuf Kalo

Vajza që ishte emocionuar dikur nga libri i Haki Skërmillit “Sikur të isha djalë”, u martua me Enver Hoxhën, por nuk u shpall “Shoqja e Parë e Shqipërisë”. Ajo nuk u bë nuse me fustan të bardhë dhe as vello. As me tualet dhe grim. Dhe Enveri nuk iu ul në gjunjë me papion në qafë e me unazë në dorë kur i propozoi martesën.

Nuk pati salltanet, as shkëlqim të tillë në martesën e Enverit me Nexhmijen. Çifti atë ditë nuk u filmua dhe nuk bëri as fotografi. Ceremonitë martesore pompoze, revolucionarët i quanin rit borgjez. Madje, siç e kujton Nexhmija, edhe propozimi që i pat bërë Enveri për martesë qe prozaik, pragmatik, pa ngjyra e nuancë romantike. Megjithatë, të dyja këto martesa historike elitare patën disa ngjashmëri. Të dy çiftet kishin diferenca jo të vogla në moshë mes dhëndurëve dhe nuseve: Zogu ishte 20 vjet më i madh se Geraldina dhe Enveri 13 vjet më i madh se Nexhmija.

Të dy çiftet ishin fizikisht të pashëm. Geraldina për bukurinë ishte quajtur “Trëndafili i bardhë i Budapestit” dhe, sipas revistës “The Richest”, të vitit 2014, renditej si mbretëresha e pestë më e bukur në historinë e martesave mbretërore.

Nexhmija, edhe pse pa gjerdanë e zbukurime, nuk binte më poshtë për nga bukuria natyrale, freskia dhe ëmbëlsia femërore. Ajo binte në sy për hijeshinë dhe feminilitetin e saj “bio”. Në takimet e dikurshme me udhëheqësit e kampit socialist, kur ndodhte që shoqëronte Enverin, ajo, ndonëse pa bizhu, e pagrimuar apo kuruar në mënyrë të posaçme, tërhiqte vëmendjen dhe merrte shumë komplimente, si më e hijshmja mes grave të tjera aty.

Të dy dhëndurët ishin trupgjatë, të pashëm, burrërorë, por vetëm Ahmet Zogu mbante mustaqe. Të dy e pinin rëndshëm duhanin, çka në atë kohë konsiderohej tipar i burrërisë. Enveri pinte 60-80 cigare në ditë, ndërsa Zogu ia kalonte, pasi konsumonte rreth 200. E përbashkët tjetër ishte se kur u martuan të dy qenë djem të vetëm, të dy vazhduan, në stil tradicional, të bashkëjetonin edhe pas martesës me nënat e tyre, për sa kohë ato qenë gjallë (të dyja mjaft inteligjente dhe influente,) si edhe me motra të pamartuara në shtëpi. Të dyja martesat u bënë në data simbolike. Ajo e Zogut me Konteshën Geraldinë Appony më 27 prill 1938, një koincidencë kjo me datën 27 prill 1451, në të cilën u krye martesa e Skënderbeut me Donikën e Arianitëve.

Martesa e Enverit me Nexhmijen u bë më 1 janar 1945, ditën e vitit të ri, duke e përdorur si simbol për një jetë të re që do të niste në Shqipërinë e sapoçliruar nga pushtuesit. Ajo që i bënte të ndryshme këto martesa ishte se e Zogut nisi fillimisht me mblesëri, në kuadrin e planeve dhe interesave pragmatiste të mbretërisë, por që evoluoi më pas natyrshëm edhe ajo duke u shndërruar në lidhje afektive dhe me qëndrueshmëri në kohë. Ndërkohë, ajo e Enverit me Nexhmijen ishte martesë me dashuri dhe rrodhi gjatë 40 viteve si lidhje e fortë ndjenjash dashurie dhe mbeti e konsoliduar nga të dy.

Në ditën e martesës, në mungesë të veturës apo limuzinës, Nexhmijen, nuse pa vello, pa kurorë dhe pa unazë, e solli në vilën e caktuar nga partia për çiftin një pajton. Vila ndodhet në territorin e Bllokut, në rrugën që sot mban emrin “Ismail Qemali”. Ajo ishte pronë e një ish-biznesmeni italian, e sekuestruar dhe e shtetëzuar nga pushteti i ri komunist. Aty, Nexhmija me të shoqin dhe tre fëmijët që do të lindnin gjatë viteve do të banonte 30 vjet, deri në vitin 1974, kur u shtua ngjitur me të një vilë e re dykatëshe. Nuk u shpall tri ditë festë kombëtare dhe as u krijua ndonjë seri e re pullash postare me portretin e saj apo të çiftit të ri elitar. Kjo pat ndodhur në martesën e mbretit Zog me Geraldinën. Pas kësaj, Nexhmija u mbyll në kuvlinë e Bllokut dhe brenda korridoreve e zyrave të Komitetit Qendror të Partisë, të angazhuar së bashku me veprimtarinë e agjitpropit dhe ideologjisë së partisë.

Gjatë luftës, edhe ajo pati pak ose aspak kontakt me armët në përpjekjet dhe betejat partizane. Nuk dihet nëse e përdori ndonjëherë në luftë pushkën apo revolverin. Me sa ka treguar ajo vetë, ka shtirë vetëm një herë me pushkë, sa për ta provuar shenjën në ditët e Konferencës së Pezës, ku ajo ishte sekretare dhe e vetmja femër mes delegatëve. Nexhmija nuk mori plagë, as nuk derdhi djersë më pas në kantieret e vendit dhe as nuk preku nga afër anën tjetër të fshehur e të hidhur të realitetit të ri shqiptar.

Shoqja Nexhmije”

Nexhmija nuk u ndie, as pozoi ndonjëherë si “mbretëreshë”. As si “First Lady” apo si “Zonjë e Parë ose Shoqja e Parë e Shqipërisë”. Ndoshta sepse nuk e lanë parimet dhe dogma komuniste që përqafoi që në rini, apo ankthi që nuk do t’i ndahej më pas gjatë jetës. Nuk ndoqi modën në veshje e as u bë pararendëse e saj. Ishte një “zyrtare cinovnike par exellence”. Ajo ishte dhe mbeti “shoqja Nexhmije”, militante e hershme e përbetuar komuniste.

Nuk i kishte humbur instinktet femërore për pamjen e jashtme, por pa e tepruar asnjëherë në atë drejtim. Mbeti grua klasike fanatike, përherë e vëmendshme deri në detaj, pasi donte të dukej sa më korrekte, pa mangësi, po edhe pa ekzagjerime. U vesh gjithmonë thjesht, pa qenë e fiksuar për veshje të firmuara, në mënyrë serioze, zyrtare, thuajse gjithmonë me kostum e bluzë, pa dantella apo garnitura, me modele të përmbajtura, pa dekolte të ekzagjeruar, me ngjyra të zbehta të ndërmjetme. Më të preferuara ishin ngjyra e zezë, gri dhe pas tyre ngjyra bezhë. Asnjëherë nuk e pashë të veshur në të kuqe të ndezur, të verdhë, të gjelbër apo portokalli. Gardëroba e saj nuk ishte mbresëlënëse as nga sasia e rrobave e as nga cilësia apo markat e tyre. Nuk mbajti unaza në gishta, as vari në qafë gjerdanë luksozë të shtrenjta me perla, diamante apo margaritarë. Nuk përdori tualet ekspresiv, por e mirëmbante lëkurën me kremra dhe trajtime natyrale. Nuk i zgjati ndonjëherë thonjtë, as përdori manikyr mbi ta.

Ishte gati maniake pas pastërtisë trupore apo të teshave dhe mjaft sensitive ndaj ndonjë shenje papastërtie te të tjerët, veçanërisht te personeli që shërbente në shtëpinë e saj. Pati raste që më linte të kuptoja shqetësimin prej ndonjërit që mbante era djersë, apo kishte ndonjë njollë në rroba, e ndonjëri që i mbante syzat pa pastruar, që mbase unë të ndërhyja për t’ua thënë si me lezet që t’i ndreqnin. Nexhmija nuk përdorte parukiere personale, në shërbim vetëm të saj, por trajtohej nga një e tillë që u shërbente edhe nuseve e grave të tjera të Bllokut. Nuk pashë mbi tavolinën e saj ndonjë revistë a katalog të parukerisë europiane. Ajo ruajti tiparet e bukurisë fizike natyrale në përputhje me etapat progresive të moshës. Flokët i mbajti thuajse me të njëjtin model, të mbledhura prapa topuz, të kapura me karfica jo të shtrenjta.

Kur filloi të moshohej filloi të përdorte njëfarë boje të lehtë, por pa i fshehur thinjat kur ato iu shfaqën. Mbajti këpucë e sandale apo çizme të shkurtra, por asnjëherë të gjata e gjithmonë me taka komforte, jo të larta. Ecte natyrshëm, pa naze joshëse femërore. Ishte shumë e vështirë, deri metikuloze, kur bënte porosi te rrobaqepësi dhe diskutonte hollësisht detaje në lidhje me penjtë, kopsat, jakat e mëngët. Pamja dhe paraqitja e jashtme, më tepër se instinkt femëror, ishte element i ruajtjes së imazhit si gruaja e Enverit. Me tiparet harmonike, të ëmbla e të këndshme ajo do të mund të klasifikohej si grua me bukuri të përmbajtur dinjitoze.

Në luftë ajo e kishte pasur pseudonimin “Delegatja”. Në fakt, më i përshtatshëm do të ishte “Delikatja”, siç e pati quajtur së pari Qemal Stafa. Sepse ishte fizikisht e brishtë, me zë të hollë që nuk trashej dot, sepse i ngjirej në tonet e larta. Simpatike, me vështrim jo ngulmues, me pamje jo të rreptë, të mashkullorizuar si të partizaneve nëpër pllakata, ajo gjithsesi shfaqte mendësi të militantizuar e të indoktrinuar, çka ia ngurtësonin dhe akullnonin feminilitetin.

Asaj i pëlqente arkitektura si profesion dhe pati ëndërruar të bëhej arkitekte një ditë. Pata rastin t’ia njoh pasionin e shijet në këtë drejtim kur u projektua dhe u ndërtua shtesa e re e banesës së tyre në Bllok. Atë e projektoi arkitekti Sokrat Mosko, i ndihmuar nga Klement Kolaneci, i cili ishte i ri në atë kohë dhe nuk ish bërë ende bashkëshorti i Pranverës, pra dhëndri i saj. Ata, në fakt, si çift u njohën nga afër dhe u dashuruan gjatë projektimit dhe ndërtimit të shtesës së re ngjitur me shtëpinë e vjetër të Enverit e Nexhmijes dhe pastaj, në fund të dhjetorit 1974, lidhën jetën me martesë. Në procesin e projektimit e të realizimit të shtesës së re Nexhmija mori pjesë aktive dhe mund të thuhet me sugjerime me mjaft shije. Kam parasysh zgjidhjet që ajo sugjeronte me hapësira të mëdha, harmonizimin e klasikes me tradicionalen dhe modernen në “musëndrën” apo hajatin allagjirokastrite të katit të dytë.

Veç leximit Nexhmija nuk kishte ndonjë hobi tjetër të natyrës dëfryese e zbavitëse. Nuk di ta kem parë ndonjëherë të meditonte apo të dëgjonte muzikë klasike në privatësi. Dukej sikur në vend që të dorëzohej murgeshë, ajo ishte dorëzuar militante te Partia Komuniste dhe pastaj te Sekretari i Parë, Enveri, që u bë dhe burri i saj.

Murgeshat detyrë kanë adhurimin e Zotit dhe lutjen. Ajo zot kishte Enverin dhe Partinë. Enveri kishte nevojë për një grua dhe Nexhmija donte të ishte e dobishme për të. Dhe e vlerësuar prej tij. Por pavarësisht se konsiderohej asaj kohe si gruaja më fatlume e Shqipërisë (për çka ishte e ndërgjegjshme edhe vetë), ajo nuk e përmendi, as e manifestoi së jashtmi krenarinë femërore për këtë lloj statusi të veçantë apo supremaci ndaj grave të tjera.

Nexhmija ishte thellësisht e dashuruar me Enverin, por dhe po aq ndiente ankth e tension në marrëdhënien me të. Ndoshta, sepse bashkë me krenarinë ndiente peshën e rëndë të përgjegjësisë. Atë e shoqëronte kudo e kurdoherë emri, figura, imazhi dhe prestigji i të shoqit.

Ndryshe nga Ramizi, ajo nuk ishte anëtare e Byrosë Politike, as ministre në qeveri dhe, të paktën nga ana zyrtare, nuk ishte pjesë e vendimmarrjes së tyre. Fillimisht, në Kongresin e Parë të Partisë, qe zgjedhur anëtare e Komitetit Qendror. Më pas ishte për pak kohë kryetare e Bashkimit të Grave të Shqipërisë. Pastaj u emërua drejtore e Drejtorisë së Propagandës. Në vitin 1966 u emërua drejtore e Institutit të Studimeve Marksiste-Leniniste, ku redaktoheshin dhe botoheshin veprat e Enverit. Kurse në vitin 1988 u zgjodh presidente e Organizatës së Frontit Demokratik të Shqipërisë, prej nga dha dorëheqjen dhe doli në pension në vitin 1991.

Në pjesën më të madhe të jetës së saj ajo u bë “aneks i Enverit”, shoqëruese dhe një lloj kujdestareje për veprimtarinë publike dhe jetën private e familjare të tij. Por edhe një lloj sekretareje, në kuptimin e redaktimit dhe filtrimit të frazave në fjalimet, artikujt e librat që ai shkroi, përpara se ato të publikoheshin dhe shpërndaheshin, brenda ose jashtë vendit.

Ajo nuk tregoi shenja “aristokratizimi”, në kuptimin e sqimës, vanitetit, nazeve dhe manisë për luks, modë e modernizëm. Mbase jo sepse nuk i pëlqente, por sepse nuk guxonte dhe as ndihej e zonja që të luftonte për to. Pas martesës, ndryshe nga Krupskaja e Leninit, Nadjezhda Allijujevna e Stalinit, Çhian Çhini e Maos dhe Mira Markoviçi e Millosheviçit, Nexhmija nuk e ruajti mbiemrin e vajzërisë Xhuglini, ndonëse me atë mbiemër u bë e njohur dhe la gjurmë si militante në histori. Ajo mori mbiemrin Hoxha të të shoqit, në respekt të traditës, por edhe si shenjë e pranimit për ta vënë veten, personalitetin e saj, nën ombrellën e njëkohësisht aureolën e atëhershme të tij.

Nexhmija u bë vullnetarisht “menaxhere” e jetës personale të Enverit, detyrë të cilën ajo e kryente me përkushtim edhe si “detyrë partie”. Ishte protektore e tij për gjithçka që mund ta shqetësonte dhe dëmtonte. Përkushtimi i saj në shërbimin ndaj të shoqit ishte i pashembullt. Edhe pse u bë gruaja, e më pas nëna e fëmijëve të tij, sa kohë që ai ishte gjallë, por dhe më pas, Nexhmija u ndie e veproi gjithë jetën e saj si “e punësuar nga partia” për t’i plotësuar atij, gjatë 24 orëve në shtatë ditët e javës, gjithçka të nevojshme, si në kontekstin jetësor fizik, ashtu edhe emocional.

Edhe ajo, si Ramizi, ishte diskrete, jo e prirur për karshillëqe dhe përgjithësisht, i shmangte konfrontimet personale. Po ashtu i shmangte edhe “hallexhinjtë”, madje edhe kontaktet me farefisin, me përjashtim të familjarëve të afërt. Përjashtim nga kjo qasje bënte për gjërat që ishin thënë ose vendosur prej Enverit, pasi në raste të tilla ajo, pa lëkundje e pa hezitim, i miratonte dhe i zbatonte ato.

Ashtu si Ramizi, edhe Nexhmija nuk kishte vizione autentike të saj. Ishte përgjithësisht e frenuar, e vetëkontrolluar, pa iniciativë dhe në gjendje ankthi, madje, jo rrallë, e dominuar nga paniku. Çuditërisht, edhe e kompleksuar. I mungonin siguria dhe toni karakteristik i fortë e i sigurt “revolucionar”. Kur i duhej të mbante fjalime në Konferenca e Kongrese ajo pushtohej nga emocione aq të forta sa e bënin t’i ikte zëri.

Një herë më pat thënë se i kishte zili ato vajzat e reja fshatare ose punëtore që përshëndesnin kongreset e partisë plot siguri, pasion dhe entuziazëm dhe e ngrinin sallën në këmbë me oratorinë, elokuencën dhe tonin entuziast të tyre. Kur i dhashë një tabletë propanolol për ta pirë përpara fjalimeve ajo u mahnit. Sepse tableta ia zhduku si me magji shtrëngimin ankthioz në gjoks dhe i çliroi zërin, duke i dhënë siguri.

Në gjithë kujdesin mjekësor që i ofrova asaj më pas, gjatë kohës që e trajtova si paciente, efektin e magjishëm të kësaj terapie ajo nuk e harroi kurrë dhe e çmoi si të ishte “zbulim shkencor” dhe gjest “shpëtimtar” i madh nga ana ime. Atëherë pata kuptuar se sa kishte vuajtur prej këtij kompleksi pasigurie. Ishte pranë majës së pushtetit, por ankthi e frika nuk e linin të ndihej në publik si e tillë.

Në librin “Jeta ime me Enverin” ajo shkruan: “Mua, si bashkëshorte e Enver Hoxhës, më brente meraku dhe i bëja pyetje vetes: A do të jem e denjë si shoqe e tij në jetë, në punë, në publik? Ideja e kësaj përgjegjësie më ndrydhte, më krijonte një ndjenjë pasigurie e mosbesimi në vetvete. Natyrës time të turpshme iu shtua një kompleks i ri, ai i përgjegjësisë për të qenë e denjë si bashkëshorte e Enver Hoxhës”.

Dhe vazhdon më tej: “Gjatë 45 viteve jetë të përbashkët me Enverin, unë nuk u çlirova dot nga ky kompleks. Mund të duket e çuditshme, por këto emocione ishin më të theksuara kur isha e detyruar të diskutoja në plenume e kongrese në prani të Enverit. Druhesha se mos e mërzisja atë, se mos nuk i pëlqente që unë ngrija çështje”. Si Ramizi edhe Nexhmija objekt madhor nuk kishte krijimtarinë ideologjike, por më së pari “pagabueshmërinë”, mosdevijimin ideologjik, ose interpretimin e duhur të saj në rrethanat e vendit tonë.

E kam pasur të vështirë ta zbuloja se deri në ç’pikë e imagjinonte ajo veten të dënuar apo të flakur prej tij për ndonjë “aksident ideologjik” të bërë pa dashje. A i shkonte vallë asaj ndërmend se, nëse ia diktonin rrethanat, Enveri mund ta ndëshkonte edhe atë si deviatore?

Shembulli që ai kishte dhënë me pushkatimin, pa iu dridhur qerpiku, të Bahri Omarit, kunatit të tij, apo me likuidimin e flakjen e shumë shokëve të udhëheqjes, dikur miq tepër të ngushtë dhe shumë të çmuar, përfshi dhe Mehmet Shehun, i pati mësuar asaj instinktivisht, se askush nuk ishte për Enver Hoxhën i pandëshkueshëm, i pasakrifikueshëm. Ky ishte parim universal i diktatorëve. A nuk i kishin flakur kështu bashkëshortet e tyre edhe Stalini, Mao Ce Duni dhe Titoja, secili sipas mënyrës dhe rrethanave të veçanta?

Nexhmija i jetoi vitet e “mbretërimit” pranë të shoqit të plotfuqishëm me këtë ankth dhe pasiguri deri në ditën që ai mbylli sytë. Ajo përpiqej ta meritonte vendin dhe fatin me përkushtimin e vet, deri në vetëmohim, ndaj tij si person dhe idealit të tyre të përbashkët.

Droja dhe vetëkontrolli i emocioneve ishin dy tipare të qenësishme të saj. Si në gëzime dhe në hidhërime, Nexhmija nuk shpërthente emocionalisht. Rrallë e ka parë atë dikush “duke bërtitur”, ulëritur në mënyrë inatçore, të flasë si “gojështhurur”, duke përplasur derën, por as duke qeshur e duke u gajasur lirshëm me të madhe sa t’i rridhnin lot nga sytë. Ajo sillej në mënyrë mjaft korrekte me ata që takonte. Bisedonte pa gjeste, pa e ngritur zërin, madje tregohej e ëmbël dhe e qeshur, sidomos me ata që duhej, por nuk i kishte në natyrën e vet as lajkat artificiale as kortezinë e mirëfilltë fisnike. Ndoshta, sepse ato nuk i duheshin, pasi vetë i merrte nga të tjerët pa doganë.

Nuk di nëse ajo bënte shaka, tregonte barsoleta apo histori gazmore. Unë nuk e kam dëgjuar dhe vështirë të them nëse do të ketë treguar ndonjëherë. As fëmijët e saj nuk më patën treguar ndonjë batutë humori prej saj. Nën qetësinë e sipërfaqshme, të vetëpërmbajtjes, vetëm një buzëqeshje e lehtë dhe përplasja e qepallave ishin dy shenjat me të cilat ajo shprehte heshturazi dy ndjenja të kundërta: kënaqësinë apo nervozitetin e brendshëm.

Ndryshe nga Fiqirete Shehu dhe Vito Kapo, që ndodhte edhe të debatonin për ndonjë çështje me bashkëshortët e tyre, Nexhmija e konsideronte Enverin thesar kombëtar dhe fat të papërsëritshëm të Shqipërisë, të cilin Partia ia kishte besuar asaj për ta ruajtur dhe mbajtur nën kujdes. Preokupimi i pashprehur i Nexhmijes ishte se si do të gjykohej më pas nga populli dhe historia për kryerjen e kësaj detyre misionare e jetësore të saj.

Ankthin për çka mund t’i ndodhte më pas e hamendësova, kur teksa shkova për ta vizituar si mjek, rastësisht pashë mbi komodinë, pranë krevatit, në dhomën e saj të gjumit, një libër për revolucionin francez. Po lexonte vallë për fatin e mbretëreshës së fundit të Francës, së cilës, më 16 tetor 1793, ia prenë egërsisht kokën në gijotinë? Pak kohë më parë i qe prerë koka nga revolucioni burrit të saj, Mbretit Luigj i 16. Çuditërisht, mllefi i popullit në rrugët e Parisit pati qenë më i egër ndaj mbretëreshës sesa ndaj tij. Ishte një analogji e hamendësim imi pa sens në atë kohë. Data 16 tetor, për Nexhmijen, përkundrazi, ishte e shenjtë. Ishte data e saj e fatit. Plot 115 vite pas asaj date të vrasjes makabër dhe ogurzezë në Paris, në Gjirokastër do të lindte Enveri i saj.

Përtej pamjes së jashtme

Nuk ishte e lehtë ta njihje Nexhmijen në të gjitha dimensionet dhe veçoritë e saj origjinale, as së jashtmi dhe as të brendshme, madje kjo e dyta, njohja e mendimeve dhe ndjenjave të saj qe edhe më e vështirë. Edhe pse pata rastin të kisha kontakte si mjek me të për më shumë se 15 vite, nuk mund të pretendoj se e njoha dot atë në tërësi dhe hollësi. Aq më pak e patën njohur shqiptarët sa kohë ishte gjallë Enveri. Ata, me sytë të mbërthyera gjatë 40 viteve te lideri i madh, pak vëmendje dhe interes treguan për të shoqen, si person. Për shumicën e tyre ajo ishte thjesht gruaja e Enverit. Dhe vetëm kaq.

Edhe ajo vetë rrinte disi e tërhequr, duke qëndruar kryesisht në zyrë e në shtëpi. Kish zgjedhur vullnetarisht të rrinte në hije. Ajo as arriti, por as u përpoq që të fitonte zemrat e shqiptarëve. Ndoshta, sepse i mjaftonte simpatia dhe adhurimi që një numër i madh i njerëzve shprehnin për të shoqin. Por, kur së bashku me të vdiq edhe regjimi i tij, Nexhmijes iu desh që të dilte nga guaska, të bëhej e dukshme dhe aktive, duke u përpjekur t’i bënte njerëzit të besonin se gjithçka e Enverit ruhej e gjallë tek ajo. Mirëpo ishte e vonuar. Pa autoritetin, famën, zërin dhe karizmën e të shoqit ajo vetë nuk ishte as tërheqëse, as e besueshme dhe as bindëse për ta.

Përkundrazi, siç nuk e priste, ajo u bë për pjesën e pakënaqur të popullsisë “tabelë qitjeje”, pasi iu faturuan asaj gabimet dhe padrejtësitë e pushtetit që u përmbys. A e meritonte? A i takonte asaj të paguante të gjithë ose pjesën kryesore të haraçit të të këqijave që bëri regjimi i kaluar? Në ç’masë, pa qenë personalisht anëtare e organeve të larta partiake e shtetërore, pati realisht gisht ajo në vendimet e marra prej tyre?

Askush tjetër, përveç asaj vetë, nuk ka mundësi të dijë të vërtetën. Ajo mund të hamendësohet ose të vlerësohet bazuar në fakte, perceptime apo sipas intuitës të gjithsecilit. Fajësitë e saj janë bazuar kryesisht mbi faktin e statusit si gruaja e Enverit dhe sidomos në vitet e fundit të jetës, kur ai ishte më i sëmurë. Me hamendësimin se ajo, edhe pa qenë anëtare e forumeve e strukturave të larta vendimmarrëse, mund të ketë influencuar ose edhe drejtuar vetë në emër të tij. Askush, as unë, nuk e vë dorën në zjarr se kjo absolutisht apo në një masë të caktuar nuk ka ndodhur. Nexhmija vetë, në deklaratat publike dhe në librat me kujtime që ka botuar, i ka mohuar të tilla akuza apo hamendësime, ndërsa fakte ose konfirmime të dokumentuara për to nuk di të jenë dhënë.

Ndërkohë, ish-anëtarë të Byrosë Politike, sekretarë të parë të partisë në rrethe, ministra të qeverisë, kryetarë dhe shefa të Sigurimit, hetuesisë dhe prokurorisë, fajtorë të sigurt e të njohur me emër dhe mbiemër, si iniciatorë e firmëtarë dokumentesh dhe aktesh mizore, çuditërisht përmenden nga media, madje edhe nga vetë viktimat, përciptazi ose shkarazi. Ata, meqenëse i shoqi nuk është më gjallë, e derdhin thuajse të gjithë urrejtjen, mllefin dhe fajet për bëmat e mbrapshta të atij regjimi kryesisht e personalisht tek ajo.

Historia di me fakte, me emër e mbiemër, se cili person i udhëheqjes së lartë urdhëroi me kokën e tij pushkatimin mizor të 67 ballistëve që u zunë rob në Lushnjë. Cili propozoi pushkatimin e 22 intelektualëve të pafajshëm në Tiranë për bombën në ambasadën ruse, cili propozoi dhe nguli këmbë për kolektivizimin e detyruar të bujqësisë dhe heqjen e tre dynymit fshatarëve, cili propozoi tufëzimin e bagëtive, cili ndërmori hapin e parë për ndalimin e fesë dhe prishjen e kishave e xhamive, cili urdhëroi ndërtimin e 173 mijë bunkerëve, anë e mbanë vendit, cili si kryetar i komisionit të internimeve syrgjynosi me firmën e tij 12 500 qytetarë shqiptarë dhe shumë akte të tjera si këto të dënueshme? Disa nga këta autorë thuajse janë ricikluar dhe pasardhësit e tyre vazhdojnë të emërohen në poste qeveritare. Ramizi, i cili pati firmosur ato vendime dhe që indoktrinoi, me propagandën që drejtoi, mendjet dhe shpirtin e disa brezave radhazi me utopinë e “njeriut të ri”, ishte njëri prej tyre.

Ai, fillimisht, nuk u përmend si fajtor për ato, përkundrazi u promovua disa kohë në post më të lartë dhe, mandej, u konsiderua si shpëtimtar dhe misionar i frymës së re. Ndërkohë në sa apo në cilën nga ato keqbërje ka qenë personalisht Nexhmija iniciatore, propozuese ose autore e faktuar? Pa dyshim ajo i ka pas ditur në mos të gjitha, shumë nga ato padrejtësi që ndodhnin, por nuk u kundërvu direkt, as indirekt për të ndikuar t’i parandalonte a zbuste ato tek i shoqi. Përkundrazi, i pat miratuar me zell prej militanteje, mjafton që ato i pat miratuar më parë Byroja Politike dhe Enveri. Ajo, pa dyshim, ka personalisht pjesën e saj të përgjegjësisë, por ndoshta jo të gjithë përgjegjësinë, as pjesën më të madhe të saj. Ramizi e dinte mirë këtë, por nuk e tha. Përkundrazi thuhej se fshehtas pati edhe ai vetë gisht në to, fajësime dhe demonizime që u gjeneruan dhe u përhapën për Nexhmijen.

Në periudhën e ndërrimit të sistemit mbase atij iu desh që në opinionin e njerëzve të bëhej Nexhmija kurban në vend të tij, si kryefajtore, pavarësisht se ishte ai që pati pozitë më të lartë dhe përgjegjësi më të mëdha sesa ajo në hierarkinë vendimmarrëse të regjimit që u shemb.

U desh që fajet e regjimit dhe ish-titullarëve të tij të shkriheshin si skrap në zjarrin e urrejtjes popullore për të krijuar me to “kuçedrën Nexhmije”, si simboli i të gjitha të këqijave të diktaturës dhe fajtorja kryesore në mos e vetme e saj.

Në mungesë të Enverit, përqendrimi dhe personalizimi i gabimeve dhe fajeve të regjimit komunist tek e veja e tij, sikur ajo qenkej njësoj përgjegjëse sa ai, apo dhe më shumë se sa ai, ndoshta u desh për t’i ruajtur dhe shpëtuar përkohësisht imazhin e Ramizit, si “e keqe e nevojshme dhe shpresuese”, në atë periudhë ndryshimesh të vështira.

Në fakt, Enveri nuk e pat njësuar ndonjëherë të shoqen me veten. Ai ishte autoritar. Hijerëndë. Por nuk ishte “burrë grash” as “lolo” lehtësisht i influencueshëm. Ai imponohej me një shikim. Me një mbledhje të vetullave dhe rrudhave në ballë. Ndonjëherë me buzëqeshje, pa fjalë. Me heshtje. “Burrëria tradicionale” e meshkujve shqiptarë me nuanca mazohizmi ishin të shfaqura krenarisht dukshëm në mënyrën e tij të sjelljes.

Gjatë viteve në kontakt direkt, as unë, si mjek personal i tij, nuk u çlirova dot nga ndjenja e ndrojtjes dhe e përgjegjësisë që më pushtonte në çdo takim me të. Ai rrezatonte autoritet, prandaj as guxova të ndaja me iniciativën time me të ndonjë mendim, shqetësim apo ta ndikoja në ndonjë drejtim, jashtë kuadrit të detyrës sime profesionale.

Nexhmija dhe të gjithë vartësit e tjerë e kishin pranuar me përulje supremacinë e tij të plotfuqishme. Mendimet, sugjerimet, dëshirat dhe vendimet e Enverit ishin për të gjithë ata, përfshi edhe Nexhmijen ose, më saktë, në radhë të parë për Nexhmijen, tabu.

Diferenca e moshës prej 13 vjetësh me Enverin, brishtësia fizike e karakteriale e saj pati vulosur që në ditën e parë të njohjes së tyre kompleksin e adhurimit dhe nënshtrimit të përhershëm të saj ndaj burrërisë, vendosmërisë dhe guximit të Enverit, si vendimmarrës i pakundërshtueshëm, që imponohej me bindjen se kishte gjithmonë të drejtë. Kjo nuk përjashton të ketë pasur sukses edhe ajo, si të gjitha gratë, në rolin e “zogut të natës”, për t’i vënë në vesh dhe marrë prej të shoqit miratime për nevoja, çështje apo plane të jetës familjare apo personale të saj. Por me shumë pak mundësi për çështje shtetërore.

Sipas Zhaklinë Kenedi, “gratë e pushtetshme” ndahen në dy kategori: ato “me pushtet në shtet” dhe ato “me pushtet në shtrat”. Gjykuar nga aparenca e jashtme, nga gjestet, mënyra e shikimit, timbri i zërit apo “gjuha e trupit”, Nexhmija nuk ishte lozonjare apo tip gruaje shtrati. Përkundrazi, dukej e “akullt”, serioze si e superblinduar me parime.

Në marrëdhëniet me të shoqin, jo nazet e feminiliteti, por devotshmëria ishte pika e fortë e saj. Madje, në vitet pasi Enveri pati pësuar infarktin në zemër, ata flinin të ndarë. Nexhmija ia pat “dhuruar” Enverit edhe pjesën e saj të shtratit bashkëshortor. Ai flinte i vetëm në shtratin e gjerë dopio. Vendin e saj herë pas here mund ta zinte një “femër” tjetër. Ajo ishte Guxi. Kështu quhej macja më “mendjemadhe” që kam parë e njohur unë. Ajo ishte e bukur, i shkëlqenin qimet nga shëndeti dhe gjezdiste krenare nëpër dhomat e korridoret e brendshme, me hap të sigurt dhe shpërfillëse ndaj njerëzve të shtëpisë. Në fakt, ishte macja e dashur e Pranverës, por Guxit, sa herë që i mbushej koka, shkonte pa pyetur askënd te dhoma e Enverit. Nëse e gjente të mbyllur portën e dhomës së gjumit të tij, Guxi ishte e zonja që ta hapte vetë atë. Ajo kërcente deri te doreza dhe e hapte pa problem. Pasi hynte, shtrihej në të njëjtin shtrat me Enverin dhe përgjumej plot kënaqësi pranë tij. Ai nuk bezdisej, e pranonte dhe e përkëdhelte. Dukej që mes tyre ishin miq. Ndërkohë Nexhmija “vigjilonte” gjatë natës gjysmë e zgjuar, përballë, mbi një divan të ngushtë brenda së të njëjtës dhomë, për ta ndihmuar të shoqin në rast të ndonjë shqetësimi eventual.

Marrëdhëniet e shtratit, nëse patën të tilla në ato vite, ata i ruajtën rreptësishtë si intime dhe private. As njëri as tjetri nuk më pyetën, as morën këshilla mjekësore, në konfidencialitet, për rreziqet dhe implikimet e mundshme në marrëdhëniet seksuale në kuadrin e infarktit të zemrës dhe sëmundjes së diabetit, prej së cilës Enveri vuante prej vitesh. Por në literaturën mjekësore, si edhe nga përvoja jetësore njiheshin raste atakesh, aksidentesh, deri edhe vdekje të befta te meshkujt me sëmundje të tilla të zemrës, gjatë marrëdhënieve në shtrat.

Kështu i pat ndodhur në vitet e monarkisë një ish-ministri shqiptar, i cili vdiq papritur gjatë aktit në një prej hoteleve të Romës. E njëjta tragjedi ndodhi jashtë Tiranës në vitet kur kujdesesha për Enverin, me vëllain e njërit prej ish-udhëheqësve të shquar të Byrosë Politike. Edhe ai, fatkeqi, vuante njësoj nga zemra e diabeti dhe ishte më i ri se vëllai i tij dhe Enveri. Vdekja e tij e beftë, e njëjtë me atë të dikurshme të ish-ministrit monarkist, pat ndodhur jashtë shtëpisë, në rrethana që, për arsye të kuptueshme, nuk u bë publike.

Ngjarja e tronditi se tepërmi emocionalisht vëllain e tij byroist, por ndoshta dhe e vuri në vështirësi e para dilemës nëse duhet ta nderonte, duke marrë pjesë në ceremoninë e tij mortore, apo ta dënonte, duke mos shkuar në të. Besoj që për këtë ai e kish pyetur dhe kish marrë miratimin e Enverit, sepse ky më thirri dhe më dha porosi të shkoja të qëndroja edhe unë pranë kolegut dhe mikut të tij, ndonëse atë e shoqëronin edhe mjekë të Klinikës Speciale. Kjo mbase si qokë a shenjë solidariteti me të.

Kur shkova nuk e dija pse dhe si kishte ndodhur ngjarja. Enveri nuk më tha asgjë. Mbase priti që pasi të kthehesha kjo temë të hapej nga unë. Ndërkohë unë prisja ta hapte ai, por më kot. Sidoqoftë, atëherë, për herë të parë, u kujtova që këtë faktor rreziku eventual ne si ekip mjekësor e patëm harruar dhe neglizhuar.

Po sikur t’i ndodhte diçka e ngjashme edhe Enverit? Ne mjekët do të gjendeshim krejt të zbuluar dhe do të viheshim me siguri para përgjegjësisë. Asnjë këshillë, shqetësim, as diskutim, as shënim për një eventualitet të tillë nuk ishte përmendur në kontaktet tona me të, as shënuar si dokument në kartelën e tij klinike dhe as në protokollet e ekipit tonë mjekësor. E kishim quajtur thjesht çështje intime, private të tij. E keqja ishte se, për arsye që kuptohen, ky problem nuk mund të diskutohej me Nexhmijen. As me djemtë. Kush do të guxonte t’ia cenonte Enverit privatësinë pa kërkesën dhe lejen e tij vetë?

Atëherë, me droje dhe në konfidencialitet e diskutova me mësuesin tim, profesorin Fejzi Hoxha. Ai ishte gjirokastrit, kishte thuajse të njëjtën moshë të Enverit dhe kish qenë shok shkolle dhe fëmijërie me të. “Mos e nga këtë temë, — më tha ai. — Asnjë mashkull, as ai, nuk do që të flasë e tregojë për këto gjëra. Dhe as nuk do i ndjekë këshillat që do t’i japim ne. Përkundrazi, i zemëruar që futemi pa na ftuar në gjërat intime të tij, mund të na sikterisë. Lëre, të ndodhë si të jetë shkruar”, më këshilloi ai. Dhe kështu u bë.

Nga droja, por dhe në respekt të privatësisë dhe intimitetit të tyre, nuk e zura asnjëherë me gojë këtë subjekt delikat, edhe pse me interes mjekësor. Iu luta qiellit dhe Zotit që e keqja të mos ndodhte dhe ndoshta ai më dëgjoi. Kështu mbeti enigmë edhe masa e supozuar e “pushtetit” të Nexhmijes ndaj të shoqit me ndikimin e saj në shtrat.

Sa për “pushtetin në shtet”, në rastin e Nexhmijes do të tingëllonte si teprim. Ajo, nën hijen e të shoqit, nuk krijoi dot “klorofilin” e një personaliteti individual. Nuk pati dhe as tentoi të krijonte ndonjë rrymë, “Nexhmijëzimi” me platformë origjinale ideore, pushtetare e politike si alternativë e dizajnuar dhe e imponuar personalisht prej saj. Ajo ishte dhe mbeti deri në fund “krijesë” e Enverit, shtojcë e tij. Mbeti zbatuese shembullore e përkushtuar ndaj tij si udhëheqës dhe bashkëshort.

Ndryshe nga Çhian Çhini, Elena e Çausheskut, Jovanka e Titos dhe Mira Markoviçi e Sllobodan Millosheviçit, ajo nuk tregoi ambicie për të bashkëqeverisur në poste të larta zyrtare përkrah të shoqit. Ishte e interesuar të informohej për gjithçka ndodhte politikisht, por jo me synim që të udhëhiqte ajo vetë. Ndoshta, sepse ishte e ndërgjegjshme që i mungonin vetitë e duhura për të udhëhequr, i mungonin pasioni, karizma, guximi dhe energjia për të krijuar pasardhës dhe dishepuj personalë të saj.

Nexhmija ndryshonte në qëndrim dhe karakter prej Nadjezhda Allilujevës, gruas së dytë të Stalinit, e cila ishte shprehur edhe kritike ndaj metodave dhe sjelljeve brutale të të shoqit. Kjo ishte 20 vite më e re se Stalini.

Bazhanov, njëri prej sekretarëve të Stalinit, njohës nga afër i marrëdhënieve të Nadjas me të shoqin, ka dëshmuar në kujtimet e tij një episod domethënës për ndjeshmërinë e saj ndaj vështirësive të jetesës së popullatës. “Ishte viti 1932, tregon ai, kur Stalini iu përvesh kolektivizimit me dhunë në bujqësi. Kuadrot e bazës e kishin parë me sytë e tyre rrënimin e fshatarësisë. Por kur dëgjonin që ajo ishte gruaja e Stalinit ata bëheshin memecë. Mirëpo dalëngadalë kuptuan dhe u bindën se ajo ishte e dhembshur, e mrekullueshme, që mund t’i besoje. Gjuhët u zgjidhën dhe nisën të rrëfenin çfarë po ndodhte. Nadja e rrëqethur u tmerrua. Ajo nuk mund të rrinte pa ia treguar të shoqit gjithçka kishte dëgjuar. Mirëpo Stalini iu hakërrye asaj duke i thënë se ‘informacioni që i dha nuk ishte gjë tjetër veçse pjesë e propagandës kundërrevolucionare’”.

Pak kohë më vonë, pas një debati dhe ofeze që i bëri asaj Stalini në publik, Nadjezhda u mbyll në dhomën e saj dhe u vetëvra me revolver. Ishte vajzë e re 18-vjeçare kur u martua me Stalinin dhe vetëm 30 vjeçe kur e zhgënjyer u nda prej tij dhe nga jeta. Shkaku i vdekjes së papritur të saj u mbajt aso kohe i fshehur nga publiku dhe u manipulua sikur kishte ndodhur pas një “apendiciti akut”. Stalini, në vend të keqardhjes dhe pendesës, përkundrazi, u ndie i tradhtuar prej saj dhe u zemërua me të. Ai e quajti aktin e së shoqes armiqësor dhe të qëllimshëm kundër tij. Trupi i saj nuk u dogj në kremator dhe hiri nuk u vendos siç e kërkonte protokolli në muret e Kremlinit. Me urdhër të Stalinit u çua në varrezën dikur aristokrate Novodevichi të Moskës. Në njërën nga vizitat e mia të punës në Moskë në vitet që isha konsulent i Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Diabetin, pata rastin ta shoh me emocion varrin e saj, pranë atij të Hrushovit, i shndërruar tashmë në objekt kurioziteti me interes turistik.

E vërteta është se debatet dhe “karshillëku” i ruses së re, emocionalisht delikate, me të shoqin e plotfuqishëm buronin edhe prej sjelljes së vrazhdë të Stalinit ndaj saj, si dhe ndaj prindërve dhe pjesëtarëve të tjerë të familjes Allilujeva, por edhe ndaj fëmijëve të tij. Kurse Enveri, përkundrazi, me aq sa e njoha unë, ishte i ngrohtë e korrekt në sjellje ndaj Nexhmijes, por edhe ndaj nënës, vëllait dhe mbesave të saj.

 Ai njihet si Stalinisti i fundit në stilin e qeverisjes dhe ndoshta dhe në ideologji, por nuk ishte kurrsesi Stalin në marrëdhëniet në shtëpi brenda familjes dhe me fëmijët, nipat e mbesat e tij. Vjehrra e Enverit, Naxhija, ishte dibrane e moshuar, mjaft inteligjente. Ajo banonte dhe jetonte së fundmi në të njëjtën shtëpi me familjarët e tjerë të tij. Në orët e lira, në respekt të Nexhmijes, Enveri e vizitonte, bisedonte dhe pinte kafen herë pas here me nënën e saj.

Dhe kur i vëllai i Nexhmijes, Fehmiu, u shtrua për një problem shëndetësor serioz në Spitalin Ushtarak, Enveri, si asnjëherë tjetër, i vajti për ta takuar dhe vizituar. Natyrisht, bashkë me Nexhmijen. I shoqërova edhe unë. Atje i priti drejtori i spitalit dhe disa nga mjekët që e kuronin të sëmurin. Fehmiu ishte shtruar në një dhomë më vete si më komode, posaçërisht të adaptuar për të. Me aq sa di, në vitet që isha mjek i tij, kjo ishte vizita e parë dhe e vetmja që bëri në ato vite Enveri në një ambient spitalor të vendit. Kurioz pyeta Sulon në konfidencë nëse ishte parashikuar që ai, me këtë rast, të mund të shihte edhe kushtet dhe ambientet e tjera të spitalit, ose të takonte të sëmurë të panjohur të shtruar atje! “Jo ore çne, — tha Sulua menjëherë, — apo të na marrë ndonjë infeksion?”

Që kur ishte gjallë Enveri, Nexhmija pat siguruar me përparësi libra biografikë për personalitete të famshme, të cilat, siç kuptohej, do t’i shërbenin më pas për të shkruar për Enverin. Në këtë aspekt ajo i ngjante Nadjezhda Krupskajës, gruas së Leninit, sepse edhe ajo ishte marrë kryesisht me dokumentimin e jetës dhe veprimtarisë së të shoqit. Në raftet e bibliotekës së Nexhmijes kishte një libër biografik të Krupskajas për Leninin.

Krupskaja, siç pati treguar ajo vetë, i lexonte Leninit të sëmurë “teksa ai e dëgjonte, i shtrirë në shtrat, duke vështruar si romantik, jashtë dritares diellin që perëndonte”. Edhe Nexhmija, kur Enveri së fundmi pati probleme me shikimin, ndodhte që i lexonte pranë shtratit, ose kur ai ishte në studio, korrespondencën apo libra që atij i pëlqenin. Në të tilla raste Nexhmija bëhej si mamaja apo “dadoja e një djali të vogël kurioz”, i cili dëgjonte me vëmendje deri në fund përrallën, të lexuar me zërin e saj të hollë. /Gazeta Liberale

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY