BLLOKU/ Oret e tronditjes se kastes fill pas vdekjes se Enverit, Ramiz...

BLLOKU/ Oret e tronditjes se kastes fill pas vdekjes se Enverit, Ramiz Alia luante pingpong

534
0
Shares

Isuf Kalo

Vdekja e Enverit, emocionet e një nate historike / Si e shtyu në kohë Ramiz Alia blerjen e aparatit të dializës për Enver Hoxhën. Takimi me doktorin duke luajtur pingpong…

Epo ç’të bëjmë?

Vetoja përjashtuese që kish vënë vetë Enveri për të mos e dërguar në klinika të specializuara e të mirëpajisura jashtë vendit qoftë edhe në rast të ndonjë situate shumë të rëndë, krijonte tension të madh te ne mjekët e tij, pasi ishim të vetëdijshëm për mangësitë teknologjike e të kompetencës së plotë të mjekësisë sonë të atëhershme. Për mangësi të tilla duhej t’i drejtoheshim e t’i kërkonim ndihmë konkrete Ramizit.

Një ndër takimet me të, që nuk e harroj, ndodhi në muajt e fundit të jetës së Enverit, kur situata shëndetësore e tij u rëndua në një shkallë kritike, sepse po dilte në pah rreziku i një bllokimi të mundshëm të veshkave të tij. Diabeti, siç pritej, i kish dëmtuar jo vetëm zemrën dhe sytë, por edhe veshkat. Analiza e kreatininës ishte në shifra të rritura. Nën ndikimin e njërit apo tjetrit faktor mund të shfaqej në çdo kohë bllokim i plotë, mosfunksionim i veshkave, zhbllokimi ose zëvendësimi i funksionit të tyre, nëse ato do të bllokoheshin, mund të kryhej vetëm me anë të aparatit të dializës. E keqja ishte që mjekësia jonë atëherë nuk ofronte dot një shërbim cilësor dhe efikas të tillë. Ndërkaq, për alternativa të tjera jashtë vendit i kishim duart e lidhura. Mundësia e kurimit të Enverit jashtë vendit ishte përjashtuar nga ai vetë.

Kolegët e mi të ekipit mjekësor të Enverit, të alarmuar, më kërkuan të ndërhyja që të siguroheshin urgjent aparaturat e nevojshme për dializën në kushte shtëpie, të cilat disponoheshin asaj kohe në botë, por ne na mungonin. Nëse bllokimi që dyshonim do të ndodhte vërtet dhe do të na gjente me duart lart, të dorëzuar, pa mundur të bënim asgjë, kishte për të qenë katastrofë. Askush nuk do të na e falte ne mjekëve që Enveri të vdiste i pamjekuar, për mungesë të një aparature, në një kohë kur bota mjekonte të sëmurë të tillë të shumtë me sukses, falë hemodializës pastruese të gjakut.

Bazuar në kërkesën urgjente të ekipit mjekësor u lidha në telefon personalisht me Ramizin, si person i kontaktit dhe i vetmi që mund të urdhëronte gjithçka. Ai m’u përgjigj se ishte i zënë, por mund ta takoja pas një ore në shtëpinë e pritjes nr. 1, brenda Bllokut.

Kur vajta aty e gjeta të veshur me tuta, duke luajtur pingpong me M. B. Kur më pa, ai pa e ndërprerë lojën pyeti: “Hë mo doktor, ç’kemi?”. Mirëpo unë nuk mund të flisja në praninë e lojtarit tjetër, për një çështje, që në konceptin e atëhershëm përbënte sekret madhor shtetëror. Për habinë time ai e vazhdoi për disa minuta lojën si i përpirë prej saj. Po prisja në këmbë, plot ngut dhe ankth. Kisha imagjinuar që ai do të shqetësohej e do të reagonte menjëherë për situatën alarmante që ne mjekët përjetonim, si për shkak të ndjenjës së përgjegjësisë profesionale, ashtu edhe prej frikës së llogaridhënies, pasi ishte e sigurt që do të pyeteshim pse nuk ishin marrë paraprakisht masat që të sigurohej gjithçka që nevojitej për shpëtimin e jetës së Enverit.

Por ai vazhdoi lojën, pa e ndërprerë atë edhe për ca kohë. Sjellja dhe qëndrimi i tij ndaj një situate shëndetësore kërcënuese për jetën e Enverit, kontrastonte me atë të dy paraardhësve të tij, Hysni Kapos dhe Mehmet Shehut, me të cilët, kur ishin gjallë, sa herë i kisha kontaktuar në situata të ngjashme, reagonin shpejt, me shqetësim dhe u jepnin zgjidhje problemeve menjëherë.

Kur më në fund mbaroi lojën e pingpongut ai erdhi tek unë i djersitur dhe pyeti përsëri shkurt: “Hë mo doktor, kemi ndonjë të re?”. I shpjegova sa munda problemin dhe kërkesën tonë dhe prisja që ai të alarmohej ose të angazhohej ta sillte me urgjencë aparatin që mungonte. Por ai vazhdoi me të njëjtën qetësi, pa alarm: “Epo, ç’të bëjmë? Kur nuk kemi, nuk kemi …”. Shumë gjëra na mungojnë. Kjo është gjendja. Pastaj vazhdoi: “Ju bëni tuajën sa të mundeni. Bëni ç’të jetë më e mirë për të. Ndërkohë ne do të përpiqemi t’i sjellim ato që ju nevojiten”. Unë heshta. “Do të përpiqemi” nuk ishin fjalët siguruese që prisja. U pamë një hop në sy dhe imagjinova që nuk qe çudi që ai po thoshte atë çast me vete: “Ç’mund të bëj unë më shumë sesa ju”, ndonëse realisht aso kohe ai ishte i plotfuqishmi i vendit.

Unë prisja një tjetër nivel shqetësimi (më të lartë) dhe tjetër ritëm veprimi (të menjëhershëm). Duke u larguar prej tij, nuk ndihesha i sigurt nëse ai e pati apo jo vëmendjen dhe përqendrimin e duhur për të kuptuar se çfarë duhej, çfarë po i kërkonim konkretisht.

Këtë radhë takimi im me të ishte kryesisht i natyrës informative, pra vënie në dijeni e udhëheqjes për një rrezik dhe kërcënim të ri shëndetësor të kryeudhëheqësit, por edhe kërkesë për marrjen e masave për t’i dalë së keqes përpara. Ndërkohë, situata nuk ishte ende në fazën që do të kërkonte mjekimin me hemodializë, por dëmtimi mund të përparonte me shpejtësi, deri në bllokimin e veshkave. Sidoqoftë, aparaturat u siguruan pak më vonë, por nuk u zbatuan tek Enveri, sepse për fat të mirë, komplikacioni u stopua dhe nuk përparoi më tej.

Duke u larguar prej Ramizit, atë ditë, tek e lashë të djersitur, veshur me tuta sportive, seç pata një ndjesi jo të këndshme, ndoshta edhe zilie, kur pashë qetësinë dhe vetëkontrollin emocional që kishte. Ndërkohë, ne si ekip përjetonim plot ankth e adrenalinë çaste dramatike për shpëtimin nga vdekja dhe zgjatjen e jetës së pacientit që na ishte besuar, ai që pritej të bëhej pasardhës i tij në krye të pushtetit merrej me sport, për të ruajtur dhe përmirësuar formën fizike.

Nuk kishte asgjë për t’u qortuar. Ishte diçka e përligjur. Shëndeti i mirë atij i duhej për ditët që e prisnin. Për fat të mirë të pacientit, falë kujdeseve mjekësore, për të cilat ne mjekët ndiheshim krenarë, fundi i pritshëm i tij vonoi shumë më gjatë sesa besohej. Por një ditë edhe ai fund i padëshirueshëm erdhi. E keqja që u përpoqëm ta shmangnim a ta shtynim për sa më vonë, ndodhi. Ja ku ishte tani ai para syve tanë, i shtrirë, i pajetë, përgjithmonë.

 xxx

Siç kishim rënë dakord si ekip që më parë, ia lejuam kënaqësinë e shëtitjes, por gjithmonë nën vëzhgimin tonë. Ai u gëzua. Por nuk arriti, që ta shijonte. Gjysmë ore më pas, në orën 09:30, ndërkohë që Fahriu ishte ende pranë tij dhe Nexhmija e ulur në divanin përballë, ai teksa po ngrihej nga shtrati pësoi ndalim të menjëhershëm të zemrës dhe ra pa ndjenja, në komë. Fahriu thërriti dhe menjëherë i filloi pa ndërprerje masazhin e zemrës. Ndërkohë në çast Nexhmija shtypi butonin e urgjencës dhe brenda pak sekondash mbërritëm njëkohësisht ne mjekët që ishim në gatishmëri shumë pranë me çantën e urgjencës, me barnat, serumet dhe me aparatin defibrilator.

Por pacienti prej atij çasti nuk u zgjua dot më. Nga ajo orë e asaj dite dhe deri afër agimit në orën 02:15 të datës 11 prill, historia e Shqipërisë qëndroi pezull në atë dhomë gjumi të shndërruar në sallë reanimacioni duke pritur dhe vështruar e hutuar e me mëdyshje rezultatin e përpjekjeve tona. Minutë pas minute, orë pas ore, ditë pas dite ajo qëndroi e ngrirë e pavendosur se çfarë rruge të ndiqte më tej. Si enigmë fluide e paformëzuar, qëndronte pa guxuar të shkëputej nga e shkuara dhe me mëdyshje, hezituese për t’iu drejtuar së ardhmes. Do të vijonte të njëjtën rrugë ku Shqipëria ishte? Apo, si somnambulë, do të merrte pa kthim një rrugë të panjohur, krejt tjetër?

Përpjekjet tona për ta nxjerrë nga koma dhe risjellë artificialisht në jetë me aparate, tuba, shishe gjithfarësh, barna e serume, rezultuan pa sukses. Pas goditjeve të përsëritura elektrike në kraharorin e tij si për të na nxitur apo shpërblyer mundin, rrahjet e zemrës u rishfaqën. Unë besova se ishte një rikthim në jetë dhe atë kohë i thashë me eufori të parakohshme Nexhmijes, që hyri atë çast në dhomë për t’u informuar: “U rikthye, filloi t’i rrahë zemra”.

Por jeta e tij mbahej artificialisht, falë serumeve, ndërkohë që truri nuk u zgjua. Kishte vdekur. Zemra e tij pushoi përfundimisht së rrahuri pa ardhur ende agimi në orën dy e një çerek të datës 11 prill 1985.

Enveri vdiq qetësisht, sikur të ishte njohur e familjarizuar që më parë me vdekjen. Kishte diçka burrërore në shpërfilljen ndaj saj. Nuk e zuri atë asnjëherë në gojë në gjallje të tij. Vdiq pa na kërkuar e pa u lutur ta ndihmonim e shpëtonim. Dhe pa u ankuar, pa na qortuar e as falënderuar. Iku pa lënë amanete, sepse, edhe po të mundej nuk do të na i kishte thënë neve. Dhe ishte e kuptueshme. Deri në sekondën e fundit të jetës ai ishte në funksionin e burrit të shtetit e të kreut të tij. Si i tillë edhe sekretet e lidhura me të i duhej t’i merrte me vete në varr.

Atë kohë unë kuptova që nuk e kisha përgatitur veten për një çast të tillë. Ndonëse ai pritej prej sëmundjeve që vuante. Ndieja së brendshmi një lloj qetësie të panjohur më parë, e cila nuk kishte lidhje me paqen as me prehjen, por me pafuqishmërinë. Ndoshta vinte nga lodhja ime e skajshme mendore e shpirtërore, e cila e kish kaluar pragun. Të njëjtën gjë ndienin edhe kolegët e tjerë të heshtur të ekipit mjekësor pranë. Tij. Askush prej nesh nuk kishte çfarë t’i thoshte, çfarë t’i pyeste, as t’i sqaronte tjetrit.

Ramizi, vetëm pak minuta pas mesnatës, rreth orës një të datës 11 prill, ishte larguar për në shtëpinë e tij. Shkoi për t’u çlodhur e qetësuar pak. Unë ia dija numrin e telefonit dhe njoftova atë të parin me telefon. Ata ishin fqinj dhe ai erdhi menjëherë. Në librin e tij “Enveri Ynë” ndihet një si peng i tij që nuk u ndodh aty në çastin kur Enveri mbylli sytë përgjithmonë.

“Natën e 10 prillit, shkruan aty ai, qëndrova në shtëpinë e shokut Enver deri në orën 24:00. Më këshilluan të pushoja pak, sa për të marrë disi veten nga lodhja fizike dhe mundimet shpirtërore të ditëve të fundit. Nuk kaluan vetëm pak çaste dhe në orën 02:15 minuta të datës 11 prill bie zilja e telefonit. Ishte mjeku i shokut Enver, i cili më tha shkurt: “Po mbaron. Tani i thamë edhe shoqes Nexhmije”. Pas pesë minutash u gjenda në shtëpinë e Enverit, por e gjeta pa jetë. Ai nuk i hapi sytë, nuk më foli, nuk më buzëqeshi siç e kishte zakon. Zemra e Enver Hoxhës kishte pushuar përgjithnjë”.

Ramizi erdhi drejt e në dhomën e gjumit të Enverit, ku ishte tashmë trupi i tij i pajetë dhe u bashkua me familjarët e tronditur e të përlotur, duke u solidarizuar me ta. Ai iu tha i vetëpërmbajtur, pa gjestikulacione, por ngrohtësisht fjalët stereotipa ngushëllues që thuhen në raste të tilla. Pa lot, pa dridhje zëri, pa dënesa. I përqafoi miqësisht e përzemërsisht në heshtje me radhë një nga një: Nexhmijen, djemtë, Ilirin e Sokolin, vajzën, Pranverën, dy motrat e Enverit, Haxhon e Sanon dhe Teutën, Liljanën e Klemin. Na përshëndeti me respekt edhe ne, mjekët që rrinim në këmbë të heshtur e të ngurosur si të gjithë të pranishmit aty.

Ai, natyrisht, nuk pritej të shkulte flokët si Lekë Dukagjini kur vdiq Skënderbeu. As të ulërinte e të binte në gjunjë si në tragjeditë antike, por ne që u ndodhëm aty në atë çast, na bëri përshtypje sjellja emocionalisht e përmbajtur, jo alarmante, në vetëkontroll të plotë. Ramizi e përjetoi një ngjarje të tillë madhore që po ndante historinë e mëtejshme të Shqipërisë në mes, pa sforco, pa dramacitet e pa teatralitet.

Tek e shihja, ndjeva se në ato momente ai qe i ndërgjegjshëm që fati sapo i kishte dhuruar një rol dhe përgjegjësi të jashtëzakonshme. Dukej i qetë, i sigurt dhe i parapërgatitur për të. “Të na rroni ju shoku Ramiz!”, kumboi atë kohë në heshtjen dhe hutimin e të gjithëve, zëri i Hekuran Isait, tashmë ministër i Brendshëm dhe më i besuari i tij. Askush nuk foli. As Ramizi vetë. A i erdhi mirë?

Enveri nuk po e shihte dhe as e dëgjonte më. Ai qëndronte tani para syve tanë, i shtrirë, i pajetë përgjithnjë në shtratin e posaçëm mjekësor të sjellë në dhomën e tij të gjumit. I mbuluar nga një çarçaf i bardhë. Shumë shpejt, në shtëpinë Enverit u mblodhën anëtarët e Byrosë Politike, si dhe veteranët Haxhi Lleshi, Shefqet Peçi, Pilo Peristeri etj.

Shumë vite më pas nga kjo ngjarje, në janar 2018, teksa ndodhesha në Kopenhagën, pata rastin të shoh premierën e filmit të ri “Vdekja e Stalinit”, një satirë politike me tone tragjiko-komike të Armando Iannuçit, i cili sapo kishte filluar të shfaqej në ekranet e kryeqyteteve të Europës. Në atë film satirizohej hipokrizia, servilizmi, humbja e integritetit, karrierizmi, intrigat, pabesia, lufta për pushtet dhe deformimi moral e shpirtëror i elitës udhëheqëse të anëtarëve të Byrosë Politike, bashkëpunëtorë të Stalinit, që i trembeshin atij edhe tek e shihnin në shtrat të vdekur.

Një tablo e tillë nuk u pa atë natë në shtëpinë e Enverit, besnikut të fundit të Stalinit. Të gjithë ata që u mblodhën rreth shtratit të tij erdhën të pikëlluar, pa ëndrra, pa intriga apo plane të fshehta për ta zëvendësuar atë në krye të partisë dhe të shtetit. Ndryshimi me kolegët e tyre sovjetikë ishte se, në Shqipëri, çështja e pasardhësit ishte “kopsitur”, mbyllur që në gjallje nga vetë Enveri. Ai ishte i paravendosur dhe i gjithëpranuar: Ramiz Alia.

Ajo natë e ndarjes së Enverit nga jeta ishte për mua dhe kolegët e ekipit mjekësor e veçantë dhe si e mbështjellë me një mjegullnajë mistike. Ishin nga ato momente që na shkëputin nga e zakonshmja, nga e përditshmja, rutina për të na zhytur në reflektime dhe ankth. Isha i ndërgjegjshëm se atë natë sapo kishte mbaruar një epokë 40-vjeçare dhe një tjetër e re sapo kishte nisur për vendin, për partinë, për familjen e tij, por edhe për ne që ishim përpjekur gjatë shumë viteve që të shtyhej sa më shumë apo të mos ndodhte kjo që ndodhi.

Në atë agim, kur dita ishte si e mjegullt, ja ku po shihja arkivolin prej druri të mbuluar me një velenxë sipër, me trupin e Enverit brenda, që po zbriste shkallët e brendshme, e të dilte nga shtëpia i mbajtur mbi supe prej oficerëve roje personale të tij: Behar Zhurda, Fahri Bufi, shoferi Myslym Kore etj., për t’u çuar në frigoriferin e morgut të Spitalit Universitar të Tiranës.

Atje do të bëhej autopsia. Përcjellja po zhvillohej nën heshtjen e akullt e të thellë nga familja dhe të pranishmit. Të gjithë si trupa të ngrirë. Të shtangur. Pa klithma, pa dënesa, pa ulërima. Nexhmija qëndronte e zbehtë, e ngurosur si statujë, e mbështetur tek e bija dhe e rrethuar nga fëmijët e tjerë. Arkëmorti zbriti ngadalë edhe shkallët e jashtme të vilës dhe i përshkoi ato pak metra deri te makina mortore e parkuar para shtëpisë. Ishte kontakti i parë i Enverit të pajetë në arkivol me qiellin sipër tij. Arkivoli u ndal një çast te porta e jashtme e oborrit të shtëpisë, në të cilën ai pat dalë e hyrë përditë kur shkonte e vinte në zyrë, si për t’u përshëndetur për se fundi herë me të.

Një makinë e zezë funeralesh e priste për ta çuar në frigoriferin e morgut të Spitalit Universitar të Tiranës. Atje do t’i bëhej autopsia. Makina u nis dhe la një heshtje të thellë e të zgjatur pas. Nëse është e vërtetë ajo që thuhet në mitologjinë greke që shpirtrat ndahen nga trupi dhe shkojnë në mbretërinë e Hadit, perëndisë së vdekjes për t’u rimishëruar pas 1000 viteve në një qenie tjetër, ai duhet të ketë qenë momenti. Sipas asaj mitologjie, të ndjerit duhet t’i jepet me vete edhe një monedhë në gojë për të paguar Karontin, varkëtarin që i çon ata përmes lumit Akeron në mbretërinë nëntokësore pa jetë. Enveri nuk pat mbajtur asnjëherë në gjallje para e monedha me vete. Me siguri e nisën për në botën tjetër pa to (Por nëse ai do të mund të rimishërohej vërtet një ditë, në çfarë forme do të rishfaqej vallë?).

Nuk di nëse pati atë natë yje apo jo. Që brenda dhomës ku ne mjekët u përballëm me vdekjen e tij, yjet nuk dukeshin. Po të ketë pasur duhet të kenë fërkuar sytë të habitur me mosbesim. Habia veç të tjerave mund të lidhej edhe me datën.

Pikërisht 24 vite më parë, në të njëjtën datë e muaj, më 9 prill, por të vitit 1961, kishte rënë në koma e dhënë shpirt larg Shqipërisë, në një spital të Francës edhe një tjetër udhëheqës i shqiptarëve, mbreti Zog I. Edhe ai, si Enveri, kishte lindur në të njëjtin muaj, tetor. Të dy armiq të betuar të përjetshëm mes tyre dhe protagonistë me role e vlerësime kontroverse në historinë tonë.

Sipas etikës mbretërore të Francës, vend që të dy e kishin për zemër, “mbreti nuk mund të sëmuret rëndë e as të vdesë gjetkë, por patjetër në shtratin e tij luksoz (C’est a Versaille sir que il faut etre malade)” është e shprehur kjo kërkesë në frëngjisht. Enver Hoxha, pa qenë mbret, e plotësoi atë. Vdiq në shtëpi, në shtratin e vet. Kurse Mbreti Zog I nuk e pati këtë mundësi. Por eshtrat e asnjërit prej tyre nuk u lanë të pushonin të qeta në varr. Për arsye të ndryshme, njërin për ta nderuar dhe tjetrin për ta çnderuar, ata u zhvarrosën dhe u rivarrosën për së dyti.

Dita dhe orët e mëngjesit të ri kishin filluar dhe ekipi mjekësor do të vihej po atë ditë në ballafaqim me të vërtetat e diagnozës dhe të shkaqeve të vdekjes së tij gjatë autopsisë së pacientit VIP të sapolarguar nga jeta. Nuk di nëse u konsultua dhe a i mori dikush lejen Nexhmijes për ta kryer atë, por e sigurt është që ajo do të ishte e pamundur të bëhej pa miratimin e saj. Në fund të fundit Enveri ishte lider që i përkiste vendit dhe popullit, po aq sa familjes dhe asaj vetë. Dhe historisë. Pavarësisht si do ta vlerësonte më pas ajo.

Post mortem

Autopsia u krye, siç është praktika spitalore e zakonshme pas vdekjes së çdo pacienti, në praninë e pothuajse, të gjithë ekipit të tij mjekësor si vëzhgues. Ajo u bë në morgun e Spitalit Nr. 1 të Tiranës, tani Qendra Spitalore Universitare e Tiranës (QSUT). Si procedurë ajo është ballafaqim dhe verifikim mes atyre që ne mjekët patëm besuar dhe mjekuar si diagnozë kur pacienti ishte i gjallë, me ato që gjenden në fakt dhe shihen realisht në tërësinë e trupit dhe të organeve të ish-pacientit, si shkak i vdekjes së tij. Atmosfera ishte e zymtë. Si e ngrirë. Vetëm një grua e re laborante asistente, punonjëse e morgut, zuri të qante me zë e dënesa gjithë kohës dhe nuk i pushoi gjatë gjithë procedurës. Ajo e bëri aktin dhe ambientin akoma më të zymtë, më të ngarkuar emocionalisht.

Tepër i emocionuar dukej edhe profesor Pëllumb Bitri, morfologu ynë, më i shquar i vendit, të cilit i ra barra ta kryente këtë procedurë mizore, por të domosdoshme, si edhe raportin përkatës të ekspertizës për të vërtetën e shkaqeve të vdekjes. Ai shquhej për elokuencë dhe si orator shpotitës, por ato çaste sikur i kishin ikur a humbur fjalët. Profesor Bitri ishte anëtar partie i devotshëm dhe një ndër pedagogët eruditë, më simpatikë e më brilantë të Fakultetit tonë të Mjekësisë.

Më vonë mësova nga oficerët truproja të Enverit se Sulo Gradeci kishte propozuar që trupi i Enverit të balsamosej dhe të ruhej, si ai i Leninit dhe Maos, në një mauzole. Në këtë rast edhe truprojat e tij, me në krye Sulon, do të vazhdonin pa fund gjatë dhjetëra viteve të tjerë detyrën e ruajtjes së trupit të “Komandantit të pavdekshëm, të përjetshëm”. Por me sa u kuptua nga zhvillimet më pas, propozimi i Sulos nuk ishte miratuar.

Besoj që arsyeja do të ketë qenë, se Enveri e pati lënë të kuptohej se do të preferonte të prehej së bashku me dëshmorët, në varrezën e martirëve të kombit, si ish-komandant i tyre, dhe jo në një varrezë të posaçme larg tyre, për vete. Dhe ashtu u bë. Por Sulo Gradeci me bindjen se çdo gjë që duhej për Enverin, qoftë edhe i vdekur, ishte në radhë të parë përgjegjësi e tij, kreu me nismën e vet në mënyrë gjysmë të fshehtë, betonimin disa shtresor të varrit dhe plumbosjen e arkivolit për mbylljen hermetike të trupit brenda tij. Ishin përdorur dy këllëfë metalikë duke e veshur arkivolin nga jashtë me një pllakë plumbi 10 cm të trashë dhe së brendshmi me një shtresë çeliku të hollë. Nuk besoj se Nexhmija ka pasur dijeni për këto veprime.

Sipas pritshmërisë së Sulos, trupi i Enverit do të mund të ruhej së paku 10 vite i paprishur. Nuk di nëse ai mori paraprakisht apo jo miratim nga dikush për këtë akt. Në fakt, kur varri i tij i betonuar rëndë, u hap në 2 dhe 3 maj 1992 për ta hequr nga varrezat e dëshmorëve, mbyllja hermetike e pretenduar rezultoi e dështuar. Arkivoli u gjend i mbushur përgjysmë me ujë dhe pjesë të fytyrës e të trupit të tij ishin dekompozuar.

Konkluzionet e autopsisë nuk sollën për ne mjekët e tij asnjë surprizë për diagnozat që patëm dyshuar e as për shkaqet e vdekjes. Ato rikonfirmuan diagnozat dhe shkaqet e pritshme të vdekjes, të njohura e të dokumentuara paraprakisht nga ne si ekip në kartelën e tij klinike, të cilat u botuan në shtyp në raportin përfundimtar me firmat e të gjithë anëtarëve të ekipit të tij mjekësor pas vdekjes.

Rezultatet e autopsisë u përshkruan hollësisht dhe u depozituan si dokumente shtetërore të rëndësisë së veçantë. Do të ishte në interes të publikut që ato të publikohen, siç është bërë disa vite pas vdekjes, edhe për personalitete të tjerë. Raporti i autopsisë së Stalinit, për shembull, u botua në vitin 2013, pra 60 vite pas vdekjes se tij. Në të, ndryshe nga sa është përfolur në mitet dhe legjendat urbane, nuk flitej për helmim. Por, sa kohë që Stalini ishte ende gjallë, mjekët e tij patën fatin e zi. Ata ranë viktimë e paranojës së tij. Gjeneralizmi Stalin, pa asnjë fakt, vetëm bazuar në intriga dhe thathetheme, i shpalli mjekët elitarë që e kuronin, spiunë e komplotistë dhe i degdisi të gjithë në burg e në internim. Procesi gjyqësor kundër tyre, i njohur si “procesi i bluzave të bardha”, i montuar me idiotësi, përfundoi e mbeti në histori me turp. Por ai la pas pasigurinë dhe fraxhilitetin e këtij profesioni human, përballë injorancës, arrogancës dhe manipulimeve e obsesioneve morboze.

Kështu ndodhi edhe në Kinë, fill pas vdekjes së Mao Ce Dunit. Mjeku personal i tij, dr. Zhisui Li, u thirr në një mbledhje të posaçme të Byrosë për ballafaqim dhe dhënie llogari, sepse, një gjeneral i moshuar, anëtar i Byrosë, kishte këmbëngulur që njollat e shfaqura në trupin e Maos pas vdekjes ishin “shenja të sigurta helmimi”. “Pavarësisht se shkencërisht ato dihet që ndodhin normalisht te të gjithë njerëzit pas vdekjes, mjekun personal të Maos e dërguan dy vjet në punë krahu. Mjekun e shpëtoi nga persekutimi i mëtejshëm vetëm ndërhyrja personale e Cu En Lait.

Për fat të mirë, ndaj ekipit tonë u mbajt qëndrim mirënjohës e dinjitoz.

Nexhmija na thirri pas ca kohësh në një takim në shtëpinë e saj, privatisht, të gjithë ne si ekip mjekësor, mjekë e infermierë që u kujdesëm për të shoqin, për të na falënderuar dhe shprehur mirënjohjen në emër të familjes, të fëmijëve dhe të asaj vetë. Ajo nuk e zuri në gojë, qoftë për kuriozitet apo shqetësim, nëse pati ose jo ndonjë të re diagnostike të zbuluar në autopsi. As mua nuk më kishte pyetur në veçanti. Ajo, si gjithmonë, përpiqej t’i shmangej dëgjimit të gjërave të padëshirueshme që e tronditnin emocionalisht.

Asnjë individ, funksionar apo strukturë shtetërore nuk pyeti më tej për drejtësinë, saktësinë dhe për rezultatet e punës sonë. Gjithçka ishte e dokumentuar hollësisht. Të gjithë u shprehën me vetëdije dhe me mirënjohje që gjithçka e mundur në dobi të shëndetit të Enver Hoxhës ishte bërë pa ngurrim, me korrektesë shkencore, në kohën e duhur e me përkushtimin profesional më të lartë. Ato u lanë të gjitha të depozituara e të nënshkruara nga anëtarët e ekipit mjekësor, mbi bazën e të cilave u formulua edhe njoftimi zyrtar që u botua në shtyp dhe në media lidhur me diagnozat dhe shkaqet e vdekjes së tij.

Itinerari i veprimtarisë, i përpjekjeve, i anktheve, i dilemave, debateve dhe diskutimeve të lira të ekipit tonë mjekësor mbaroi aty. Enveri dhe vdekja e tij pas kësaj do t’u përkisnin studiuesve. Ato do të qëndronin të hapura kurdo e ndaj cilitdo për çdo verifikim.

Tentativë e dështuar

Njoftimi zyrtar i vdekjes së Enver Hoxhës më 11 prill 1985 i kapi në befasi popullin dhe të gjithë shqiptarët, brenda e jashtë vendit. Ata nuk kishin pasur asnjë informacion për gjendjen e rënduar shëndetësore e shumë problematike gjatë dekadës së fundit të jetës së tij. Gjendja shëndetësore e të gjithë udhëheqësve më të lartë të vendit e veçanërisht ajo e Enver Hoxhës, mbahej rreptësishtë e fshehtë, e klasifikuar si sekret shumë i rëndësishëm shtetëror.

Madje, edhe anëtarët e Byrosë Politike u informuan nga Ramizi për situatën alarmante, e madje pa shpresa shëndetësore të tij vetëm kur ai ra në gjendje kome. Para kësaj, ata nuk dinin asnjë hollësi në lidhje me dinamikën e situatës së tij shëndetësore. Mbajtja e Enverit në komë me anë të reanimimit intensiv mjekësor për dy ditë të tjera, që nga data 9 prill, kur pësoi sulmin fatal deri më 11 prill, kur zemra e tij pushoi së rrahuri përfundimisht, i dha kohë të mjaftueshme Ramizit që të përgatiste anëtarët e Komitetit Qendror, strukturat dhe institucionet shtetërore të ishin gati për detyrat që lindnin nga kjo ngjarje jo e zakontë.

Nuk ishte ai që na e kërkoi ta mbanim Enverin thuajse artificialisht në jetë ato dy ditë. Ishte inercia e detyrës sonë, e gjithë ekipit mjekësor pranë tij, që të mos i ndaheshim asnjë çast, sepse e ndienim etikisht dhe profesionalisht detyrimin e padiskutueshëm të ofrimit të kujdesit mjekësor, deri në çastin kur vdekja do ta merrte përgjithmonë, pa kthim.

Asokohe, populli dukej sikur ishte mësuar ta besonte se Enver Hoxha ishte vërtet i pavdekshëm e do të jetonte, siç thoshte dhe kënga aq e përhapur vitet e fundit, “sa malet e shkrepat”. Jeta e Enverit u zgjat 12 vite pas infarktit në zemër të vitit 1973, në sajë të kujdesit të gjithanshëm mjekësor, por edhe falë bashkëpunimit shembullor të atij vetë si pacient dhe të kujdesit të përditshëm e të përnatshëm e të pazëvendësueshëm të së shoqes, Nexhmijes. Duke marrë parasysh se ai vuante që prej vitit 1948 edhe nga diabeti, pa këtë kujdes intensiv, infarkti mund të kishte rezultuar fatal për jetën e tij qysh atëherë.

Shkaqet e vdekjes së Enverit ishin të qarta, të njohura e të pritshme, nga ana mjekësore. Ato u botuan në shtypin e ditës, përmes komunikatës zyrtare dhe raportit mjekësor të nënshkruar nga anëtarët e ekipit të posaçëm: prof. Petrit Gaçe, prof. Fejzi Hoxha, prof. Nikolla Shurbani, prof. Ylli Popa, prof. Bajram Preza, dr. Hajro Shyti, dr. Ahmet Kamberi, dr. Sabit Brokaj, dr. Arben Fino, dr. Ilir Ohri dhe unë, Isuf Kalo.

Megjithatë, para kësaj ngjarjeje, shumë pak njerëz e dinin përballjen e gjatë të ekipit të tij mjekësor me sëmundjet, me komplikacionet shoqëruese dhe me situatat dramatike që e çuan atë drejt një fundi të shtyrë, të vonuar, por që një ditë do të vinte pashmangësisht. E pikërisht aty ku nuk ka informacion dhe transparencë lindin hamendësime, paragjykime, mite dhe legjenda gjithfarësh.

Në këtë kontekst, mes dhjetëra personazheve dhe personaliteteve që dhanë intervista televizive me vlerësimet superlative për shokun Enver dhe “dhembjen e jashtëzakonshme” të tyre për “humbjen e pazëvendësueshme” të tij, ndërkohë që trupi i pajetë i tij ende i pavarrosur ishte i shtrirë në arkivol, në sallën e homazheve të ndërtesës së presidencës, m’u kërkua nga Alfons Gurashi, gazetari i njohur i TVSH-së, të thosha dhe unë disa fjalë lidhur me sëmundjet e tij, përballimin dhe kujdesin ndaj tyre.

Mes të tjerash thashë: “Ne si mjekë të tij e dinim që populli ynë donte që për shpëtimin e jetës së Enverit të bëhej jo vetëm çfarë ishte e mundur, por edhe e pamundura. Dhe me të vërtetë për të u bë e pamundura. Atë e bëri partia, shokët e tij të ngushtë dhe besnikë të luftës e të punës, e bëri e shoqja e jetës së tij, Nexhmija, që e mbajti atë tërë jetën e saj në dritën e syrit, por të pamundurën më të madhe e bëri ai vetë me optimizmin, me bashkëpunimin dhe qëndresën e tij”.

Mesa më thanë, fjalët e mia në atë intervistë u mirëpritën. Njerëzit, të befasuar nga vdekja, mësuan për herë të parë nga komunikata e transmetuar tani dhe nga goja e mjekut personal të tij se ai, Enveri, i qeshur dhe entuziast në publik, kishte qenë për shumë vite mjaft i sëmurë. Fjalët që thashë ishin vlerësuar nga shumë persona që më përgëzuan, por me sa mësova më pas, edhe nga Ramizi. Këtë ma tha me ton admirues e bija e tij, Zana, aty në mjediset e Presidencës gjatë kohës që vazhdonin homazhet. Mundet që atij t’i kishin pëlqyer fjalët e vërteta që thashë për “shokët besnikë të luftës e të punës”. Por edhe thirrja që bëra me fjalë inkurajuese për ta parë me sy më optimist të ardhmen dhe për të dalë nga ajo gjendje zije me lot dhe ulërima që po përjetohej si një mynxyrë e gjendje fataliteti te njerëzit tanë.

Kuja dhe i gjithë shpërthimi, si nga pikëllimi i sinqertë ashtu edhe ai fals e hipokrit dhe gjithë ceremoniali deklamativ i pas vdekjes e varrimit, ishin mjaft të ngjashëm me ato pas vdekjes së Stalinit, Maos apo Kim Ir Senit. Çuditërisht diçka e ngjashme kishte ndodhur edhe kur u njoftua vdekja e Josif Broz Titos. Te ne ai quhej revizionist dhe “Marshalli i tradhtarëve” të marksizmit.

Por kulti i tij nuk ndryshonte shumë nga ajo e ish-udhëheqësve të tjerë komunistë të asaj periudhe. I vetëshpallur president i përjetshëm, Titoja vdiq në maj 1980. Profesori kardiolog i famshëm, Michael De Bakey, dhe profesori sovjetik Marat Knyzaev, të thirrur posaçërisht për të, nuk e shpëtuan dot. Ceremonia e varrimit të Titos vazhdoi 5 – 6 ditë. Trupi i tij u nis nga Ljubljana, pas një mitingu madhështor, me trenin e posaçëm blu, dhe kaloi me radhë nëpër disa nga qytetet dhe vendet ku Titoja pat lënë gjurmë në histori dhe më në fund arriti në Beograd, ku u varros pas një mitingu po aq madhështor.

Ramizi nuk do ta ketë dashur të tillë ceremoninë e përcjelljes së Enverit. Ai do të kishte dashur që ajo të mos ishte me ekzagjerime emocionale e të mos ishte kaq “lindore e aziatike”, që karakterizohej nga stili ekzibicionist e populist. Donte t’i bëheshin nderime, por me më shumë natyrshmëri, racionalitet e kulturë qytetare europiane.

Marksistët, vdekjen e cilitdo e konsiderojnë pjesë integrale e vazhdim të jetës e jo si katastrofë. Aq më pak e konsiderojnë atë si gjëmë kombëtare. Ishte rasti që Ramizi ta demonstronte këtë. Mirëpo, në fakt, ai e pati keqllogaritur e nuk e kishte njohur sa duhej brendësinë emocionale, zakonore e shpirtërore të popullit të tij. Ato reagime popullore nga mbarë vendi ishin fryt i kultit të Enverit dhe i ekzaltimeve që ishin mbjellë për shumë vite me radhë në popull me anë të propagandës.

Në ditët e mëpasshme ai tentoi ta frenonte. Kjo u duk, kur përveç lajmeve të lidhura me Enverin u shfaqën në shtyp, në radio dhe në TV edhe njoftime të shkëputura nga vendi për bujqësinë, minierat, shkollat, ekonominë apo lajme nga bota, pa lidhje me vdekjen. Pra, lajmet nuk i kushtoheshin ekskluzivisht Enverit. Mesazhi i nënkuptuar ishte: “Ndodhi çfarë ndodhi, jeta vazhdon. T’i kthehemi punës, halleve dhe detyrave përpara”. Ose “Nuk ka vdekur Shqipëria”.

I pari që reagoi për këtë tentativë “detragjedizuese” të ngjarjes ishte Sulo Gradeci, kryeroja i Enverit. Dy gazetat kryesore të atëhershme, “Zëri i Popullit” dhe “Bashkimi”, që ai i kishte në duar, i vërviti e i përplasi i inatosur para syve të mi, mbi tavolinën e zyrës së tij. Dhe turfulloi duke treguar me gisht në to. “Çfarë ka bërë ky kështu? Ç’janë këto bajga që ka hedhur ky në zemrën e lënduar të popullit? Është në vete ky apo jo? Qysh ore mbeti fare kalama ky? Sot po qan jo një Shqipëri, por e gjithë bota, kurse ky vete më vë në gazetën e partisë ca tërci e vërci”.

Unë e dëgjoja pa folur. Dhe tek e shihja si të xhindosur, kujtova se sa me entuziazëm më kishte folur për Ramizin kur ai zuri vendin e Enverit. Një nga arsyet ishte se ata të dy, Ramizi dhe Suloja, kishin qenë të dy partizanë në Brigadën VII. Lidhjet dhe nostalgjia e viteve të luftës determinuan për një kohë të gjatë vlerësimet dhe karrierat e ish-partizanëve në vitet pas saj. Fati i mirë që Adil Çarçani, ndihmësi dhe krahu i djathtë i Mehmetit, kish qenë në të njëjtën Brigadë me Ramizin, mund të ketë përcaktuar edhe shpëtimin e tij nga persekutimi si “agjent i grupit të Mehmetit”, ndryshe nga ç’ndodhi deri me rojet dhe shoferët e tij. Kjo u përforcua me promovimin e papritur të Adilit si kryeministër dhe krah i djathtë në regjimin posthoxhist të Ramiz Alisë. Ky ishte një lëshim që Enveri i bëri Ramizit meqë nuk kishte as njohuri, as eksperiencë në çështjet e ekzekutivit dhe ato ekonomike të shtetit dhe i duhej domosdo në krah një mik i besuar dhe me eksperiencë në punët e qeverisë. Në seancën e parlamentit atë ditë kur u shpall emërimi i Adilit kryeministër, Enveri rrinte gjithë kohën i ngrysur në fytyrë dhe ndonëse duartrokiti, nuk ia hodhi as sytë Adilit.

Mirëpo, edhe në këtë tentativë për ftohjen e valës së nxehtë emocionale, të provokuar nga vdekja e Enverit, si dhe për shumë gjëra të tjera, Ramizi ishte i vonuar. Turma tashmë qe ndezur dhe reagimi i saj ndaj tentativës së tij për vetëpërmbajtje ishte me kah të kundërt dhe i menjëhershëm. Ajo shpërtheu disa ditë me radhë si ortek i pandalshëm, në formë bejtesh, vaji, elegjish, vargjesh, kujtimesh, rapsodish, zotimesh e deklaratash besnikërie për liderin e pazëvendësueshëm për ta.

Edhe unë vetë pata shkruar ca vargje që u botuan me pseudonim. Relacionet njerëzore, mirëkuptuese dhe me respekt të ndërsjellë mes tij si pacient dhe meje si mjek i tij, patën lënë natyrshëm gjurmë emocionale, të cilat i ruaj si privilegj në veprimtarinë time profesionale, por edhe si përvojë unike të jetës sime në tërësi.

Ramizi, i dobët e i pavendosur, iu nënshtrua heshturazi vrullit popullor. Pa kushte. Madje me zell. Mbi arkivolin e Enverit ai mblodhi Byronë Politike dhe me pompozitet i premtuan të ndjerit, me grushtin lart, besnikëri! Dhe përpara trupit tashmë të ngrirë të tij thirrën: “Betohemi!”. Ramizi po imitonte Enverin, i cili bëri njëlloj betim solemn kur vdiq Stalini.

Po kështu bëri edhe në mitingun mortor përcjellës madhështor në sheshin “Skënderbej”. Ramizi foli i pari dhe gjithë të tjerët pas tij përsëritën “Betohemi, shoku Enver. Betohemi!”. (Prit tani kur të gjunjëzohet, mendova unë me vete.) Por kjo nuk ndodhi. Gjunjëzimi pat ndodhur në po atë shesh 32 vite më parë, para monumentit të Stalinit, i cili ngrihej pikërisht në vendin ku sot qëndron Skënderbeu mbi kalë. Unë isha fëmijë, 11 vjeç. Stalini vdiq më 5 mars 1953. Asokohe isha nxënës në shkollën “11 Janari”, afër Bllokut, në zonën që quhej Tirana e Re. Atë ditë, mësimi u ndërpre dhe të gjithë ne nxënësit na nxorën jashtë të rreshtuar në oborrin e shkollës. Përballë dolën të gjithë mësuesit. Ishte ditë e ngrysur me qiell të murrmë. Edhe mësuesit dukeshin shumë të pikëlluar.

Lajmin e lexoi drejtoresha e shkollës, Silla Gjika, ngadalë, me zërin e saj disi të trashë, por plot trishtim. Mësueset ishin të parat që nisën vajin. Disa prej tyre me dënesa. Fill pas tyre filluam të qanim edhe ne, nxënësit, në kor. Qava edhe unë. Qava shumë. Nuk kisha pasur deri atëherë asnjë fatkeqësi, vdekje në familjen time. “Stalini i madh” ishte i pari që po qaja. Edhe nëna ime u trishtua shumë. Ajo besonte se “Stalini ishte shenjtor që i kishte sjellë të mira e mbarësi vendit tonë”. Prandaj ne mbanim si objekt adhurimi në korridor një bust të vogël të tij prej allçie, i lyer me varak të verdhë. (Kurse vite më pas, kur Enveri vdiq, ajo u përlot. “E kisha komandantin e djemve”, tha për dy vëllezërit e mi më të mëdhenj ish-partizanë, njëri në Brigadën e Parë dhe tjetri në Brigadën e Gjashtë. Dhe prej asaj dite deri kur mbylli vetë sytë, ajo e mbajti në dhomën e saj një bust të vogël dekorativ të Enverit prej porcelani të bardhë.)

Pas vajtimit në shkollë, në atë ditë marsi 1953, ne nxënësit të heshtur u drejtuam në rresht së bashku me mësuesit për në sheshin qendror të kryeqytetit. Atje u bashkuam edhe me nxënësit e shkollave të tjera të Tiranës, që ishin derdhur në shesh bashkë me shumë qytetarë të saj.

Atë ditë bënte ftohtë, por u gjallëruam kur erdhën aty udhëheqësit e lartë, me në krye Enverin. Ky ishte i vrenjtur dhe shumë i mërzitur. Flokët me thinja të rralla, të cilat sapo i ishin shfaqur, ia trazonte era. Ai dhe të gjithë anëtarët e Byrosë Politike që e shoqëronin kishin veshur pallto të gjata, të zeza. Enveri foli gjatë, me zë të trishtuar dhe në fund iu betua për shumë gjëra Stalinit. Vite më pas thanë që betimi i tij ishte i ngjashëm me atë që Stalini bëri para trupit të Leninit. Por Stalini nuk i mbajti zotimet.

Vetëm se, për ta nderuar më tepër sesa ai mësuesin e tij, Enveri, në fund të fjalimit, befas u ul në gjunjë, poshtë këmbëve të bronzta të Stalinit. Anëtarët e Byrosë, së pari, dhe turma fill pas tyre, u shtangën, ngrinë një çast nga ky gjest i papritur. Pastaj sikur u shkundën të gjithë e filluan menjëherë të gjunjëzoheshin valë-valë, duke përfshirë tërë masën e asaj turme gjigante.

Duke parë mësuesit që na shoqëronin, u gjunjëzuam edhe ne të vegjlit. Për një moment, sheshin e pushtoi një heshtje e akullt, e rëndë. Ajo vazhdoi më pak sesa një minutë. Nuk di nëse ekziston e fotografuar ajo pamje. Do të ishte e rrallë. Pastaj, Enveri u ngrit duke nderuar me grusht dhe bashkë me të, me një farë zhurmimi, u ngrit e gjithë turma. Edhe ne fëmijët. Nuk do ta harroj ndjenjën mistike që më shkaktoi gjithçka që ndodhi aty. Ishim si të magjepsur të gjithë, fëmijë e të rritur, nga një frymë e padukshme jashtëtokësore, që ra mbi ne prej lart, prej qiellit në shesh.

Tani po zhvillohej thuajse i njëjti ritual nga Ramizi për Enverin. Po i betohej me fjalë, po i bënte be pothuaj njëlloj siç i bëri Enveri dikur Stalinit. Por Ramizi nuk u gjunjëzua. Ndoshta sepse Enveri ende nuk kishte monument. Betimi po bëhej poshtë monumentit të Skënderbeut mbi kalë. Monumentin Enverit do t’ia ngrinte jo vonë pas vdekjes vetë Ramizi, në po atë shesh, madje dy herë më të lartë sesa ai i Stalinit.

Ndërkohë, qielli atë ditë ishte i vrenjtur me re ngjyrë gri. Binte një shi i butë, i ngadaltë, si i lodhur e i pikëlluar, që me pauza pushonte. Ai kishte lagur edhe zogjtë që veç zoti mund ta dinte pse nuk largoheshin nga pullazet e ministrive dhe nga shtyllat elektrike. Ishin kuriozë të dëgjonin çfarë po thoshte Ramiz Alia? Apo nuk po u besonin veshëve dhe prandaj kthenin kokën herë në një anë e herë në tjetrën shumë të përqendruar. Mos ndoshta për t’u siguruar nëse ai e kishte seriozisht apo bënte kinse? Apo dyshonin se mos si Stalini, as ai nuk do t’i bënte të gjitha ato që po i zotohej Enverit? /Gazeta Liberale

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY