Zbardhet debati/ “Nuk mban më ujë pilafi”, Ruçi përplaset me PS për...

Zbardhet debati/ “Nuk mban më ujë pilafi”, Ruçi përplaset me PS për Gjykatën Kushtetuese

149
0
Shares

Krijimi i Gjykatës Kushtetuese është një kërkesë e vazhdueshme e faktorit ndërkombëtar, por edhe e opozitës shqiptare.

Por javët e fundit duket se problemi për krijimin e institucionit që do t’i jepte përgjigje shumë prej çështjeve që kanë krijuar krizën politike në Shqipëri, është zhvendosur edhe brenda maxhorancës. Në Konferencën e Kryetarëve në Kuvend të datës 20 qershor, kryetari i Parlamentit, Gramoz Ruçi, dhe kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, kanë diskutuar lidhur me krijimin e kësaj Gjykate.

Sipas procesverbaleve të kësaj mbledhjeje, kryeparlamentari Ruçi kërkon ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit në lidhje me vendimet që jep Gjykata Kushtetuese.
Ruçi u ka kujtuar drejtuesve të komisioneve parlamentare se ‘nuk mban më ujë pilafi’ dhe nuk mund të ketë asnjë justifikim për nenet që ende nuk janë riformuluar.

“Nuk mban më uji pilafi për këtë çështje. Edhe unë po të jem kryetari i KED–së, kryetari i KLP-së e të tjera them: ‘Çfarë kërkoni nga ne ju?!’ Ju keni 2-3 vjet që keni miratuar paketën ligjore, keni bërë ndryshimet kushtetuese, ka pasur ankesë në Gjykatën Kushtetuese.

Gjykata Kushtetuese për këtë nen kërkon llogari, e ka hedhur poshtë, të ka kërkuar riformulim dhe ti, ore zotëri, nuk e ke bërë, nuk e kam bërë unë. Tani çfarë kërkoni, duhet të dalim ne para popullit dhe t’u themi: na falni ne deputetëve që jemi zgjedhur, sepse nuk jemi në gjendje për 2 vjet të bëjmë dy nene?! Këto dy nene, janë referuar nga Gjykata Kushtetuese”, sqaroi Ruçi.

Krijimi i Gjykatës Kushtetuese është kërkuar me ngulm edhe nga opozita, e cila ka akuzuar Kryeministrin Rama dhe qeverinë se po pengojnë qëllimisht krijimin e një prej organeve më të rëndësishme të sistemit të drejtësisë.

DEBATI NË KONFERENCËN E KRYETARËVE
Rudina Hajdari:Asnjë, nuk është konsultuar me asnjë nga ne. Ulsi Manja–Në shqyrtimin e paketës kanë gjithë të gjithë deputetët…
Taulant Balla–Kanë qenë Ediola, Korabi, Roshi…
Vasilika Hysi–Kanë qenë Alimadhi, Mara, Ralf Gjoni…
Gramoz Ruçi–A kanë pasur ndonjë qëndrim?
Ulsi Manja–Kanë mbajtur qëndrim në lidhje me përmbajtjen e tekstit.

Gramoz Ruçi–Sa u takon organeve të drejtësisë, e vërteta është që ne jemi deficitarë si Kuvend, është kuptuar keq pavarësia, mosndërhyrja e të tjera, sepse mosndërhyrja është për subjektet politike, për ekzekutivin, por është edhe detyrim ligjor dhe kushtetues kontrolli parlamentar nga organet e reja të sistemit të drejtësisë.

Vërtet është një gjë pozitive që në kuadër të funksionit kontrollues Parlamenti ka bërë një hap para, sepse më parë nuk raportohej në këto organe dhe as në komisione, ndërsa tani jo vetëm që kanë kaluar në të gjitha komisionet, por kanë kaluar edhe në seanca parlamentare.

Së dyti, është diçka shumë pozitive që deputetët dhe grupet parlamentare kanë shprehur vullnetin e tyre që të bëhet debat, ndërkohë që në legjislaturat e tjera nuk është zhvilluar asnjë debat për organet e pavarura, por kjo nuk do të thotë që ne nuk kemi deficitar.

Partnerët tanë ndërkombëtarë dhe opinioni publik shqiptar pyesin se kur do të bëhet Gjykata Kushtetuese, kur do të ngrihet Gjykata e Lartë, kur do të ngrihet SPAK-u, kur do të ngrihet Byroja e Hetimit dhe kur do të vendoset Prokurori i Përgjithshëm. Në qoftë se ia bëj vetes sime këto pyetje, nuk di ti jap përgjigje, aq më pak juve. Atëherë, po ne të gjithë si Kuvend ku jemi?

Prandaj, kjo punë duhet bërë me shumë përgjegjësi. Sikur kanë gjetur një lloj komoditeti njerëzit, që u kemi dhënë besimin për atje, të cilët trajtohen dy herë më mirë dhe dy herë më shumë sesa Presidenti i Republikës, por absolutisht ata duhet të kenë shqetësimin që ka publiku shqiptar dhe partnerët tanë ndërkombëtarë për këtë vakum objektiv, i cili është realizuar deri tani, sepse kalon në subjektivitet çdo zvarritje e mëtejshme e kësaj çështjeje.

Prandaj, këtë gjë duhet ta shikojë me shumë përgjegjësi Komisioni i Ligjeve, i cili duhet të bëjë një mbledhje shumë të përgatitur dhe shumë serioze, me një llogaridhënie nga këto organe, pa i denigruar absolutisht, sepse secili duhet të ruajë sovranitetin e vet, por që në fund rezultati duhet të jetë ky.

Ne, si Kuvend, duhet të dimë dhe nëpërmjet nesh, si të deleguar të sovranit në organin më të lartë të kësaj Republike, duhet të marrim vesh se kur ky vend do të ketë Gjykatë Kushtetuese, kur do të ketë Gjykatë të Lartë, kur do të ketë SPAK-un e të tjerë dhe, secili të bëjë punën e vet. Kjo është përgjegjësia jonë. Lidhur me vendimet e Gjykatës Kushtetuese, çfarë është bërë me to?

Ulsi Manja–Ato janë objekt shqyrtimi në Këshillin e Legjislacionit…
Mimoza Arbi – A mund të sqaroj, sepse nuk është zoti Fino, se ai e drejton. Është mbledhur Këshilli i Legjislacionit nën drejtimin e zotit Fino, ku opozita ka caktuar një ekspert nga ana e saj dhe është lënë që të punojnë eksperti i caktuar nga deputetët e maxhorancës me atë të opozitës për të riparë edhe një herë projektdraftin.

Gramoz Ruçi – Sa kohë ka kjo?
Mimoza Arbri – Ka 10 ditë. Dje bëra një takim me zotin Fino dhe është lënë që javën tjetër ekspertët të sjellin draftin e përgatitur.
Gramoz Ruçi- Ne, sa herë ndryshojmë kryetarin, rifillojmë nga e para. Pse rifillojmë nga e para?! Çfarë diskutojmë?! Diskutojmë nëse do t’i implementojmë vendimet e Gjykatës Kushtetuese apo jo? Këtë po diskutojmë?! Jemi të detyruar t’i bëjmë. Është me detyrim përcaktim. Çfarë po diskutojmë ne në këtë mes?! Gjykata Kushtetuese ka thënë: “kjo po, kjo jo”.

Atëherë, ne do ta shkruajmë, do ta hedhim dhe jemi të detyruar. Nuk mund të dalim ne mbi vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Ka 2 vjet kjo histori; është që nga legjislatura e kaluar dhe pak më parë fola me organet e sistemit të drejtësisë. Jam i bindur që do të vinë në Parlament apo në Komisionin e Ligjeve dhe do të thonë: “Zotëri, çfarë na kërkoni neve”? Gjykata Kushtetuese, ligji që ke miratuar ti, më ka vënë këtë pezullim, unë nuk veproj dot, sepse kam këtë ngërç juridik, prandaj e kam zvarritur punën”.

E kuptoni se ku jemi, apo jo?! Nuk mban më ujë pilafi për këtë çështje. Edhe unë po të jem kryetari i KED–së, kryetari i KLP-së e të tjera them: “Çfarë kërkoni nga ne ju”?! Ju keni 2-3 vjet, që keni miratuar paketën ligjore, keni bërë ndryshimet kushtetuese, ka pasur ankesë në Gjykatën Kushtetuese.

Gjykata Kushtetuese për këtë nen kërkon llogari, e ka hedhur poshtë, të ka kërkuar riformulim dhe ti, ore zotëri, nuk e ke bërë, nuk e kam bërë unë. Tani çfarë kërkoni, duhet të dalim ne para popullit dhe t’u themi: na falni ne deputetëve që jemi zgjedhur, sepse nuk jemi në gjendje për 2 vjet të bëjmë dy nene?! Këto dy nene, janë referuar nga Gjykata Kushtetuese.

Ju lutem, kur ulemi në tavolinë, t’i lëmë partitë atje nga kemi ardhur dhe të vendosim, sepse disa gjëra nuk janë punë partish! Të gjithë po betohemi për Reformën në Drejtësi kur vjen puna për 2, 3, 4 apo 5 nene e pengojmë Reformën në Drejtësi. Ka pyetje?
Myslim Murrizi–Te Rregullorja e Kuvendit, a është përfshirë trajtimi i deputetëve?

Taulant Balla–Trajtimi i deputetëve është te ligji “Për statusin e deputetit”.
Myslim Murrizi–Është te statusi apo te Rregullorja?
Ulsi Manja – Kjo çështje përfshihet te ligji “Për statusin e deputetëve”.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY