“Enver-Hitler! Liri- Demokraci!”, Ilir Demalia kujton 2 korrikun ’90

“Enver-Hitler! Liri- Demokraci!”, Ilir Demalia kujton 2 korrikun ’90

109
0
Shares

“Turma që mundi t’i shpëtojë ndaloi mbrapa monumentit, rreth 300-400 vetë të mbetur filluan përsëri thirrjet: Enver-Hitler! Liri- Demokraci! Poshtë Diktatura! Nuk zgjati shumë dhe erdhën ‘IFAT’, filloi KREHJA. Përsëri përdorimi i lopatave xheniere, shkelma, përplasje në tokë, brinjë të thyera, turinj të enjtur e të gjakosur, klithma, rënkime e thirrje për ndihmë që shuheshin nga goditja pasardhëse. Gjaku të të rinjve të Tiranës në atë mesnatë të 2-korrikut lajmëronte agimin e lirisë”.

Kështu kujton Ilir Demalia i cili më 2 korrik 1990 ishte një i ri, që i shtyrë nga instinkti i lirisë u fut në ambasadën gjermane duke pranuar një sfidë të pazakontë për ato vite. 25 vite ai rikujton atë ditë, përmes një rrëfimi të shkëputur nga libri “Guri fundit i dominose”.
Nga Ilir Demalia
Marrë nga libri “Guri fundit i dominose”
Kapitulli IV
2 korrik 1990

Më 2-korrik-1990, kalendari i Kampionatit Botëror të Futbollit kishte pushim. Mos ndoshta edhe FIFA kishte dorë si “agjenturë” e huaj ku me qëllim kishte lënë 2-korrikun-1990 si ditë pushimi sipas logjikës së Alisë, Bengasit, Gjonit, zyrtarëve, analistëve, si shërbim agjenturash për të kombinuar me 2-korrikun e Kosovës, kur ky kalendar ishte përcaktuar para se të binin regjimet e Lindjes?!

Rreth orës 8:00 u nisa për në punë për tek stacioni i Bankës së Shtetit në këmbë, nga ku merrja autobusin për të shkuar në Kinostudio. Marr rrugën mbas Ministrisë së Arsimit në drejtim nga Lidhja e Shkrimtarëve. Tek ambasada turke shikoj policë, civilë dhe një kamion plehrash i futur brenda portës pjesën e parme të kamionit. Katër vetë kishin shpërthyer portën duke thyer xhamin e përparmë dhe ishin strehuar në ambasadë.

Në Kinostudio, si zakonisht shkova të pi kafen aty ku mblidheshim çdo mëngjes, kur vjen lajmi tjetër, një kamion tip “tatra” kishte shpërthyer kangjellat e mbrapme të ambasadës italiane. Ishim Shkëlqim Daja, Armandi, Artani, jamarbëri (Madu), Reizi, Leci e të tjerë. Drejt nesh po vinte Namik Prizreni, sekretari i Partisë së degës së prodhimit. I drejtohem Duhijes, banakieres së kafes:
– Duhije një aranxhatë të ftohtë për shokun Namik, se po na merr flakë Partia nga temperaturat e larta!

Namik Prizreni u përgjigj: – Me këto temperatura që ka morë kjo kohë më duket se po na djeg për së gjalli.
Filloj e qeshmja, e folura ishte tashmë pa fre. Armandi Xhuli pas dy ditësh do të hynte në ambasadën italiane. Shkëlqim Daja ishte ai që mbas ikjes tonë do të përplasej haptas me Xhelil Gjonin e Foto Çamin në mbledhjet e Kinostudios.

Zbrita nga Kinostudio tek stacioni Bankës së Shtetit në qëndër. Tashmë hapur shihje të rinj me biçikleta, me vrap e me nxitim. Disa shkonin nga Rruga e Kavajës, disa merrnin Bulevardin për nga Rruga e Elbasanit, pyesnin njëri tjetrin: “O me, si ishte anej ka italjonja, a bohet gjo?” Tjetri: “jo me pri anej po vij, ja pallarim (shkojmë) kënej ka rruga e ambasadave mo mirë!” Mora Rrugën e Kavajës, shkova tek miqtë e mi Dindajt, që jetonin në rrugën në zonën e ambasadave. Shtyva portën e hekurit, përballë ishte Leonardi dhe i vëllai Bardhyli. Po në këtë natë, Bardhylit do t’i hynin dy djemtë në ambasada, Titi dhe Marko megjithë nipin e Bardhylit, djalin e vëllait tjetër, Grigorin. Marko dhe Grigori ishin me grupin e parë që goditën me tulla dhe gurë policinë. Bardhyli do të hynte në ambasadën greke së bashku me të shoqen Niqin, dhe mbesën Irmën, motrën e Grigorit.

Babai i Dindajve, Grigor Dindi, kishte emigruar në Amerikë në fillim të viteve 1900, ishte nga ata që kishin sjellë flamurin shqiptar nga Amerika për pavarësinë, pjesëmarrës me fonde financiare dhe luftëtar në Kryengritjen e Malësisë së Madhe më 1911. Kur ishte kthyer nga Amerika për pushime në vitet ‘30 në Përmet, i kishte rënë priftit me shpullë pse këndoi psallmin në greqisht. Sot e kemi kryepeshkopin janullatus që psallm greqisht në mes të Tiranës dhe në mbarë Shqipërinë. Bardhyli vetë në moshën 17 vjeçare kishte shkuar si anëtar i Ballit Kombëtar për të luftuar në Kosovë më 1944 sëbashku me djalin e hallës së tij Napolon Tasi, djali i Koço Tasit, deputet i Parlamentit 1920-1924, një nga përfaqësuesit e mendimit filozofik të kohës. I shkolluar në Romë për drejtësi, njohës i idealizmit platonik dhe shkollën e mesme e kishte mbaruar në Athinë së bashku me të vëllain i tij Arqile Tasi, i cili kishte studiuar për avokat në Boston. Të dy u dënuan më 1945. Arqileja vdiq në burg, ndërsa, Koço, u largua nga jeta më 1966 pak muaj pas daljes nga burgu pasi kishte kryer 21 vjet si i burgosur politik.

Ndejta pak duke biseduar me vëllezërit Dindi dhe u largova. Ishte ora rreth 15:00. Rruga Skënderbej dukej e qetë. Rreth kësaj ore nuk dukej ndonjë ngarkesë e forcave të rendit.
Pasi pushova për rreth dy orë në shtëpi, mbasdite rreth orës 17:00 u nisa tek Gavrosh Levonja, aty dëgjonim rregullisht “Meshën” – “Zërin e Amerikës”. Ishte Gen Nikaj dhe profesor Fatmir Meçule. “VOA”, njoftoi për zhvillimet në Kosovë dhe në Shqipëri.

Po dëgjonim “Meshën” që vinte përtej Atlantikut. Në këtë kohë dëgjohet zhurmë nga drejtimi i rrugës së ambasadave që nuk ishte më shumë se 300 metra nga shtëpia e Levonjës. Dalim tek kryet e rrugicës së Levonjës në Rrugën e Kavajës, shikojmë makina të policisë drejt rrugës së ambasadave. Nisem për atje, shoh që rrugët nuk ishin bllokuar, njerëzit qarkullonin lirisht. Ishte shpërthyer me kamion tip skoda muri i mbrapëm i ambasadës gjermane, nga ku kishin hyrë brenda rreth 30 vetë dhe të tjerë që kishin qenë mbrapa makinës. Me vonë u mor vesh se makina që i kishte rënë murit drejtohej nga Ylli Bodinaku. Në kamion ishte ngarkuar dhe një qingj si “kurban”…

Pjesa nga mbrapa ambasadës gjermane ishte bllokuar, ndërsa rruga Skënderbej ku edhe ishin hyrjet qëndrore të ambasadave ishte e lire. Vihej re dukshëm shtimi i njerëzve në mase në atë rrugë. Qarkullimi në rrugën Skënderbej u bë gjithmonë e më i dendur. Filluan kapërcimet e para tek ambasadat çekosllovake, franceze, bullgare, nga rrethimet e kangjellave ballore të ambasadave në rrugën Skënderbej. Mysafirët e shumtë të rrugës së ambasadave brohorisnin e duartrokisnin mbas çdo kapërcimi kangjellash. Vazhdoi ky ritual për rreth dy orë pas shembjes së murit të ambasadës gjermane. Policët ishin komplet të tulatur dhe të hutuar, reagonin formalisht.

Rreth orës 21:30- 22:00 një shpërthim i fuqishëm u dëgjua në pjesën e mbrapmetë ambasadës greke. Nga rruga Skënderbej nga një rrugë e shkurtër anësore e ambasadës greke që e ndante me bullgaren dhe që lidhte me rrugicat e tjera pas stabilimentit, dallohej një kamion tjetër që kishte shpërthyer murin ngjitur më portën e dytë fundore të ambasadës greke.

Shpërthimi ishte shumë i fuqishëm, shoqëruar me thirrje URRAAAAAA! FITORE! FITORE! U dëgjuan të shtëna armësh. Demonstruesit nuk ndaleshin,filluan të qëllojnë me gurë dhe tulla drejt forcave të policisë. Ata që ishin në rrugën Skënderbej përfituan nga rasti nga që vëmendja u përqendrua në pjesën mbrapa ambasadave greke dhe gjermane u futën në pjesët e parme të ambasadave.

Policia ishte komplet jashtë kontrollit. Filluan thirjet LIRI-DEMOKRACI! POSHTë DIKTATURA! ENVER-HITLER! Nga ballkonet e pallatit të diplomatëve dëgjoheshin thirrjet e familjarëve të diplomatëve, ASSASINO! KILLERS!, klithma, thirrje, ulurima, të shtëna armësh, njerëzit përsëri nuk largoheshin nga rruga Skënderbej.

Tashmë nga pjesa e mbrapme kishin hyrë rreth 100-140 vetë në territoret e ambasadave greke dhe gjermane pas shpërthimit të dytë të murit të pasëm nga porta jug-perëndimore e ambasadës greke.
Skoda e Ylli Bodinakut, në momentin që çau murin e ambasadës gjermane, 2 korrik 1990.

Nga rruga Skënderbej në sallonin e ambasadës gjermane dalloheshin lëvizje të diplomatëve për të ndihmuar të strehuarit. Siç morëm vesh, një djalë i ri në tentativën për të kaluar murin ishte plagosur rëndë nga armë zjarri dhe ishte në rrezik për jetën. Duke parë se gjendja e tij ishte e rëndë, diplomatët gjermanë e dërguan në spital duke e ruajtur vetë njerëzit e ambasadës si i strehuar politik.

Lothar Parzeller punonjës i sigurimit të ambasadës gjermane në lidhje me vrasjen e 17 vjeçarit Artin Basha natën e 2 korrikut 1990, më shkruan ne një email vite më pas:

“Që nga momenti që kamioni hyri në ambasadë ne kishim një të çarë të madhe në murin e mbrapëm të oborrit. Në anën e jashtme të murit u shfaqën njerëzit e Sigurimit për të ndaluar refugjatët të hynin në territorin e ambasadës.

Atë natë një grup i madh provonte të hynte nga e çara e murit për tu strehuar në ambasadë. Sigurimi nuk mundi t’i ndalojë dhe shumë prej tyre hynë brënda.

Ne dëgjuam të shtëna përpara murit por nuk pamë të plagosur. Një djal i ri nga ky grup u rrëzua përtokë pak metra pasi kishte hyrë në territorin e ambasadës. Ne e ndihmuam atë dhe e ngritëm duke e mbajtur dhe futur në një dhomë të ambasadës. Kujtoj se ishte shumë i zbehtë.

Unë pashë dy vrima të vogla në trupin e tij, një në krahun e djathtë në nivelin e stomakut, dhe një në krahun e majtë në nivelin e mushkërisë. Kur ai mori frymë, poça të vogla ajri i dolën nga krahu i majtë.

Ne vendosëm ta dërgojmë në spital me një makinë të ambasadës.
Ndërkohë që ai ishte në operacion ne shikonim nga dera që të ndalonim Sigurimin që mos ta merrte atë. Më kujtohet shumë mirë që ata erdhën dy herë brënda 24 orëve që ta merrnin atë…
Në fund ne morëm urdhër nga ambasada që të largohemi nga spitali përndryshe do të jetë me rrezik për ne.

Gjatë kohës atje unë u miqësova me një doktor. Disa ditë më pas ai na informoi që disa orë pasi ne u larguam nga spitali arritën njerëzit e Sigurimit dhe djali vdiq.”

Si ka ndodhur realisht? Nuk ka asnjë version zyrtar apo hetim për të vetmen vrasje të ngjarjes së ambasadave deri më sot. Në të kundërt, shteti shqiptar i asaj kohe u mundua ta fshehë këtë vrasje duke mos dhënë as një njoftim. Kjo del edhe nga takimi me intelektualët në gusht 1990, kur Sali Berisha i drejtohet Ramiz Alisë në lidhje me fshehjen e kësaj ngjarjeje.

Ramiz Alia në replikë me Sali Berishën ndërmjet të tjerave thotë:
“Jo. Jo Sali… Ti po ngrihesh me një tezë të drejtë që informacioni duhet të jetë i drejtë. Ti si thua që ky djalë… duhet të ishte kështu. Dakord jam me ty. E para e punës.

Ai djalë nuk ju erdhi atë ditë në spital se e di mirë këtë çështje. Ai djalë u plagos kur hyri makina me vrull, hodhi… domethënë, çau murin e ambasadës dhe një polic qëlloi. Bukur. Qartë. Po ai djalë ka ndenjtur tri ditë në ambasadën gjermane dhe pas tri ditësh ka ardhur në spital. Kështu është historia”.

Nga zbardhja e takimit të Ramiz Alisë me intelektualët në gusht 1990 Ramiz Alia pranon në bazë të informacionit që i është dërguar si kryetar shteti se polici ka shtënë me armë. Por, në anën tjetër do të fajësojë personelin e ambasadës për vdekjen e 17 vjeçarit, ku sipas tij e mbajtën tri ditë në ambasadë dhe më pas e sollën në spital, atëherë kur nuk kishte më shpëtim.
Aksidentalisht apo me qëllim, plumbi që mori Artin Basha ka dalë nga pistoleta e policit të shërbimit.

Nga të gjithë dëshmitarët e shërbimit spitalor, nga të strehuarit në ambasadë, nga personeli i ambasadës dhe nga raportet për ngjarjen, Artin Basha është dërguar në spital natën midis 2 dhe 3 korrikut 1990. Nuk ka mundur t’i jetojë plagës së marrë, megjithë shërbimin shëndetësor të spitalit numër 2. 17 vjeçari Artin Basha ka ndërruar jetë, më datën 4 korrik 1990.

Dilaver Bengasi, drejtor i përgjithshëm i Policisë së Shtetit nga viti 1985-1990, ku më parë kishte qenë hetues deri edhe kryetar i Hetuesisë së Tiranës në vitet 1973-1983, në librin e tij “Enigma e 2 korrikut ‘90” mundohet të manipulojë këtë vrasje

duke lënë të kuptohet, se Artin Basha është qëlluar nga personeli
i ambasadës. Bengasi shkruan:
“Kjo viktimë e vetme e 2 korrikut mban dhe enigmën e vet. Mjaft pyetje profesionale, për rrethanat e pafavorshme të asaj ndodhie mbeten pa përgjigje, siç mund të jenë: Kur dhe kush e plagosi? Nëse u plagos jashtë rrethimit të ambasadës aq rëndë, sa përfundoi në vdekje, si mundi që të shkojë deri në mjediset e brendshme të ambasadës?”37

Ambasadori Werner Daum, më ka treguar se policët e sigurisë së ambasadës nuk ishin të armatosur dhe nuk kishin armë, këtë nuk e lejonte vendi pritës Shqipëria.
Natën e 2-korrikut polici shqiptar ka hyrë me armë në territorin e ambasadës dhe është çarmatosur nga njerëzit e sigurimit të ambasadës, të cilit i është marrë arma dhe është mbajtur në ambasadë për disa orë. Më pas arma është dorëzuar në Ministrinë e jashtme nga punonjësit e ambasadës.

Përse nuk u bë hetim për këtë ngjarje ku mund të verifikohej fare lehtë plumbi në trupin e Artin Bashës?! Përse nuk u bë ekspertiza e pistoletës së policit që u mbajt për disa orë nga personeli i sigurimit të ambasadës, kur ky u fut në territorin e saj me pistoletë, dhe arma e tij më pas u dorëzua në Ministrinë e jashtme?!!

Nga të gjitha rrethanat arrihet lehtësisht në konkluzionin: se Artin Basha, ka pësuar vdekjen nga arma e policisë së shtetit, e zbrazur nga polici i Dilaver Bengasit.

A ka ndodhur kjo aksidentalisht nga rrethanat apo me qëllim, kjo i takonte të merreshin organet e drejtësisë, ashtu si dhe shumë krime të tjera gjatë kësaj periudhe që janë në shkelje me ligjet e vetë shtetit të asaj kohe, si vrasjet në kufi, dhunimet, torturat, presionetpsikologjike e të tjera e të tjera. Kjo nuk ka ndodhur dhe nuk do të ndodhë. Sot në 2015, po flitet për dekriminalizimin, ne përsëri
37. Dilaver Bengasi, “Enigma e 2 korrikut 90’, botimi “BK”, Tiranë 2003, f. 73.

Kemi zëvendësministër të brendshëm Ilir Mustafarajin që ishte në të njëjtin funksion në korrik 1990.
Njerëzit nuk largoheshin nga rruga Skënderbej. Filluan thirrjet Liri-Demokraci! Enver-Hitler! Vazhdonin tentativat për t’u futur në ambasada. Rruga Skënderbej tashmë mund të kishte rreth 1000 vetë plus shumë më shumë në Rrugën e Kavajës që lidhej me rrugën Skënderbej. Ata që u futën në ambasadën greke, kalonin murin e ambasadës gjermane. Shqiptarët “hoqën vizat” në vendet e BE-së brenda në Tiranë që në korrik-1990.

Rreth orës 23:30, nga drejtimi i Rrugës së Durrësit apo Kongresi i Përmetit siç quhej në atë kohë, u vu re lëvizje të rinjsh në drejtim për nga Rruga e Kavajës apo Konferenca e Pezës, megjthëse njerëzit gjithmonë i kanë thënë Rruga e Kavajës dhe Rruga e Durrësit, ashtu si dhe rrugës Asim Vokshi, Rruga e Fortuzit.

Ata thërrisnin: “Erdhën, erdhën!”. Në fillim nuk po merrej vesh, pastaj u panë kamionët IFA të Repartit 326 të sampistëve, nga ku zbritnin me lopata xheniere në duar, ata filluan pastrimin e rrugës Skënderbej. Filluan thirrje, klithma, trupa që përplaseshin si thasë dhe mundoheshin të ngriheshin, rrëzoheshin përsëri nga goditja tjetër e lopatës xheniere të sampistit, mundoheshin të largoheshin dhe shkelnin njëri-tjetrin.

Turma e demonstruesve që ishte në rrugën Skënderbej u drejtua për nga rruga e Kavajës. U grumbulluan aty ku ishte Kinema Rinia, sot Kisha Katolike. Sampistët bllokuan rrugën e pastruar Skënderbej. Kishin ngelur rreth 500 vetë në Rrugën e Kavajës nga Kinema Rinia në trotuarin që ndante Rrugën e Kavajës deri tek rruga e Bogdanëve.

Përforcime të tjera sampistësh erdhën nga Rruga e Kavajës dhe ndaluan para “Klubit Sportiv të Tironës”, sot Kisha Ortodokse. Kamionë me studentë të Shkollës së Bashkuar “Skënderbeg” thërrisnin: Parti-Enver!

Në hyrjen e rrugës Skënderbej, ishin Zylyftar Ramizi dhe drejtues të tjerë të Sigurimit dhe policisë. Pati moment pause e qetësie nga të dy krahët.

Pas rreth pesë minuta, Zylyftar
Ramizi, me megafon i drejtohet demonstruesve të shpërndahen. Përgjigja, ishte breshëri tullash që i kishin shkulur nga muret përrreth, pllakat e shkallëve të kinemasë, thirrjet: Kriminel! Kriminel! Poshtë Diktatura! Enver-Hitler! Sampistët me përforcime dhe nga skënderbegasit – nxënësit ushtarakë të Shkollës së Bashkuar të Oficerëve “Skënderbeg” u lëshuan drejt demonstruesve. Rezistenca ishte e pamundur.

Sampistët e Repartit 326 ishin të fuqishëm dhe të përgatitur e të stërvitur. Ata ishin si robotë pa asnjë lloj ndjenje njerëzore, pa asnjë sens mase, por të kurdisur nga urdhri i komandantit të tyre përplasnin në tokë si dengje demonstruesit, i godisnin me shqelma fytyrës e ku të mundnin. Klithmat, rënkimet ndjeheshin në afshin e nxehtë të natës së 2-korrikut në një ndeshje të pabarabartësh.

Turma u drejtua nga qëndra për t’i ikur goditjeve të lopatave xheniere të sampistëve, mbërriti mbrapa monumentit të Enver Hoxhës i cili ishte i rrethuar me ushtarë të armatosur dhe civilë. Turma që mundi t’i shpëtojë ndaloi mbrapa monumentit, rreth 300-400 vetë të mbetur filluan përsëri thirrjet: Enver-Hitler! Liri- Demokraci! Poshtë Diktatura! Nuk zgjati shumë dhe erdhën “IFAT”, filloi KREHJA.

Përsëri përdorimi i lopatave xheniere, shkelma, përplasje në tokë, brinjë të thyera, turinj të enjtur e të gjakosur, klithma, rënkime e thirrje për ndihmë që shuheshin nga goditja pasardhëse. Gjaku të të rinjve të Tiranës në atë mesnatë të 2-korrikut lajmëronte agimin e lirisë.

Banorët e pallateve në anë të Bankës së Shqipërisë kishin dalë të gjithë në ballkone e dritare. Dëgjoheshin zëra: “Mosni more se i mbytët, kini mëshirë!” Në anën tjetër zërat e eprorëve “BjERINI!”
Tek pallati anash Bankës, ku ishte një si tunel, aty ku ishte libraria ku dikur ka qenë Hosteni, shoh me biçikletë komshiun tim Agim Kubati. I drejtohem:
– Ec të ikim se po vijnë forca të tjera, këta janë tërbuar, sonte duan gjak!

Gjeta një biçikletë përtokë, e mora dhe i thashë Kubatit. – Ikim! Duke u larguar, klithmat, rënkimet, sa vinin e shuheshin…
Ishte protesta e parë masive që pas ardhjes së komunistëve më 1945 si përleshje qytetare me regjimin në Tiranë në mes të Tiranës pas asaj të Postribës që ishte lokale. Por me një ndryshim, atëherë regjimi po ndërtonte themelet me gjak, tani po mbronte shembjen me gjak që vazhdon dhe rrjedh…

U futëm me Kubatin në tunelin e pallatit anash Bankës, kaluam nga mbrapa Postës Qëndrore ndërmjet pallateve për të eliminuar rrugët kryesore, dolëm mbrapa pallateve të Shallvareve, nuk bisedonim. Kaluam urën e Lanës, vazhduam mbrapa Shallvareve tek Kinema Dajti, morëm drejtimin nga Fakulteti Ekonomik duke kaluar mbrapa Institutit të Arteve, iu ngjitëm rrugës së Liqenit. Ndaluam lart tek lokali, tek çesmja ku dikur kishin qenë “varrezat e dëshmorëve të LNÇ”, aty ku sot janë vëllezërit Frashëri dhe Faik Konica. Kubati m’u drejtua: – Këtu nuk rrihet më!
Unë: – Si t’ia bëjmë?

Kubati: – Të ikim. Ikjen nga vendi e kishim biseduar shumë kohë më parë me Kubatin dhe tim vëlla. Kubati bisedonte më shumë me tim vëlla, pasi ishin dhe më të lidhur me njëri-tjetrin.
Unë: – Gim, unë dua të shoh fundin e këtyre!
Kubati: – Lëre fundin e fillimin, unë kam një ide!
Unë: – Fol një herë, çfarë ideje paske ti?

Kubati: – Mendoj të futemi tek ambasada italiane. Vemendja është përqendruar tek rruga Skënderbej. Kalojmë nga Fakulteti i Gjeologji-Minierave dhe me biçikleta kthehemi me shpejtësi tek porta kryesore e ambasadës italiane e cila është e hapur.

U mendova një çast, iu përgjigja: – Dakord. Morëm biçikletat dhe nga mbrapa Fakultetit të Gjeologjisë dolëm në Rrugën e Elbasanit, përballë Filologjikut, nga ku ambasada nuk ishte as 100 metra. Dritat e ambasadës ishin të gjitha të hapura. Kur u afruam dukshëm dallohej shtimi i policëve, sidomos tek dera kryesore ku kishim planifikuar të hynim.

– E pamundur – tha Kubati – vazhdojmë drejt. Ishte ora afër 2:00 e natës, në rrugë nuk shikoje këmbë të gjallë, përpos policëve të objekteve shtetërore. Nga Rruga e Elbasanit u kthyem tek
Unaza. Kaluam tek parku përballë Dajtit tek Tajvani, duke kaluar nga pallatet anash Bankës aty ku ishim nisur. Sheshi përpara Muzeut Kombëtar dhe Bankës, ku gjendej monumenti i Enver Hoxhës, ishte bosh.

Një dyzinë ushtarë me automatik ishin rreth monumentit të Enver Hoxhës. U futëm në Rrugën e Durrësit, tek Kafe Flora shohim tim atë që kishte dalë, ishin bërë merak për vonësen e pas mesnate, për atë çfarë kishte ndodhur atë natë të 2-korrikut në Tiranë. Si tek Kubati dhe tek unë, ishin të alarmuar se mos kishte ndodhur gjë me ne.

Atë natë në Tiranë dukej se nuk flinte askush, të gjithë ishin zgjuar dhe askush nuk dukej. Rajonet e policisë ishin mbushur me të rinj që i kishin torturuar. Pallatet e Rajonit të Policisë tek rruga Mine Peza janë tronditur aq shumë atë natë nga klithmat e ulërimat e njerëzve që rriheshin, nga që ishin kapur në demonstrimin e rrugës së ambasadave, sa disa janë larguar nga shtëpitë…

Klithmat dëgjoheshin deri në pallatin ku banoja unë, që nuk ishte më shumë se 50 metra në vijë ajrore. Dritaret e hapura prej vapës së korrikut dhe qetësisë mortore të kësaj nate, traumatizuan lagjen përrreth. Ime më një moment m’u drejtua: “Amon o Ilir mbylli ato dyrë e penxhere! Mo mirë plasim vape se po më këpusin shpirtin ato bij nonash që po ulurinë, si me qenë duke u therë bagëtitë! A kanë zot, din e imon këto që rrafin njerzit me këtë far feje?!” Ishte ora tre e natës. Nuk flinte asnjë në shtëpi, por edhe në Tiranë. Tirana po priste…

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY