ANALIZA/ “Pse përdhunimi elektoral i 30 qershorit nuk u fsheh as nga...

ANALIZA/ “Pse përdhunimi elektoral i 30 qershorit nuk u fsheh as nga vëzhguesit e ODIHR, budallenjtë që sulmojnë Palmer duhen kuruar”

212
0
Shares

Agron Gjekmarkaj/ Të dielën Shqipëria u përdhunua elektoralisht ndonëse shumica absolute e qytetarëve e bojkotoi procesin më të turpshëm elektoral në 107 vite shtet kombëtar! Edi Rama qëkur ka hyrë në politikë s’ka qenë kurrë më vetëm! Ai e kupton këtë pos gajretit që shet lart e poshtë! Çdo qendër votimi u kthye në dëshminë e asaj se çfarë është në gjendje Rilindja t’i bëjë këtij vendi!

Kudo u dalin pafund vota më shumë se votues se njerëzit preferuan të mos nxinin as gishtin as fytyrën! Të panumërta janë rastet e kërcënimeve për të votuar! Ata kishin komisionet e veta, KZAZ, KQZ, po prapë u ngatërruan keq si hajdutët pas gjësë së vjedhur! Lideri, organizata, partia, pushteti dhe shteti funksionuan si një trup dhe turp i vetëm!

Aradha e policëve, zaptieve të administratës nën mbrojtjen e çunave problematike bënë gjithçka kërkohej prej tyre! Me turravrapin e ethshëm të denatyrimit moral para të cilit njeriu i ri i komunizmit të duket një fisnik i vërtetë, mikrobet e një republike që vdes për ditë ja bënë fora!

Qeveria e Edi Ramës dhe ai vetë e kanë humbur mbështetjen popullore! Atë me gjasë nuk e fitojnë dot edhe sikur Palmeri me Boshardin e Sorecën të bëjnë një pafundësi deklaratash pro tij!

Nuk e fiton atë edhe nëse Mogerini me Vlahutinin ja japin kujës me oi në mes të Brukselit! Nuk e fiton edhe nëse Ornela Vorpsi shkruan një baladë për të nën hijen e shkrumbuar të Notre Damit! Nuk e fiton edhe nëse Sandër Lleshi në vend të deklaratave plot urrejtje nxjerr nga goja plumba!

Rama tanimë e ka shndërruar Shqipërinë në një lodër me të cilën po bën çfarë të dojë derisa ajo t’i mbesë në dorë e të mos i bëjë më derman as njeri e as dreq!

Ne qeverisim me disa parime si shoqëri mes te cilave shkëlqejnë frika, kërcënimi, korrupsioni dhe propaganda! Unë sot pa pikën e admirimit nuk e them dot që Edi Rama nuk është i zoti i cili sundon si despot edhe pse në minorancë të dukshme! Shoqëria dhe opozita duhet ta bëjë këtë pyetje dhe ta gjejnë sa më parë përgjigjen për të mirën e tyre! Duhet të reflektojnë brigjeve të lumit pse atij i ecën kungulli mbi ujë?

Pse SHBA dhe BE i thonë marshallah edhe pse qindra mijëra kanë ikur duke boshatisur qytete e fshatra, edhe pse njohëm me kriminalin e projekteve politike , kanabizimin, edhe pse një km rrugë kushton 20 milion euro, edhe pse Konçensionet të famshmet PPP janë dhurata për klientë personal , edhe pse Zëri i Amerikës dhe Bild nxorrën të gjithë skemën se si krimi e mafia menaxhon skemën zgjedhore, se si ministra , deputete, kryebashkiakë përfshihen në zhdukjen e votimit si koncept dhe dinjitetit si ndjenjë??!!

Ata e lejuan ta kryejë dhunimin i cili do mbetet përgjithmonë në kujtesë! Opozita duhet ta zbulojë këtë sa më parë nëse nuk do të zhduket!! Diktaturat fillojnë si vullnet i pakicës kundër shumicës dhe përfundojnë si tirani e shumicës kundër pakicës! Ne shqiptarët e dimë këtë!

Opozita u shndërrua në fasadë, në një subjekt politik që në çdo palë zgjedhje do shërbente vetëm si legjitimim për fitoren e rradhës të grabitur nga Edi Rama! Lulzim Basha mori vendimin e duhur nga pikëpamja historike duke mos e pranuar më të qenit dekor! Praktikisht mund të ketë qejfmbetur!

Ai nuk mund të hynte ne zgjedhje që vetëm vidhen! Ata të dielën ja vodhën vetvetes o jo më nuk do ja bëni Lulzim Bashës! Lideri i opozitës pat paraljmëruar që nuk do ketë votime e zgjedhje pa opozitën!

Bëri gjithçka që t’ja dilte! Mbështetja popullore në protesta që e madhe për të! Ne fund ai u tërhoq nga presioni ndërkombëtar e nga vetëdija që populli shqiptar nuk meriton gjakderdhje mes vedit ! Në instancë të fundit unë e besoj që Basha nuk do t’i përplaste shqiptaret mes tyre përtej kërcënimeve që vinin nga përtej detit! Po një mësim ai duhet ta nxjerrë nga kjo histori !

Duhet të mësojë të mos e lëshojë pa fre litarin e retorikes, të mos e zmadhojë pafund distancën ndërmjet aktit dhe fjalës. Tek e fundit qytetarët e dëgjuan klithmën e dëshpëruar të Bashës, ata nuk votuan.

Ata refuzuan! Sot në Shqipëri problemi është Edi Rama dhe jo Lulzim Basha. Është rilindja dhe lidhja e saj me korrupsionin dhe krimin. Para dy vitesh ne të gjithë e kemi pranuar faktin se Edi Rama do të qeveriste për katër vjet të tjera. Kjo dukej gjëja më e padiskutueshme. Sot çdo gjë që Edi Rama përfaqëson është vënë në diskutim dhe mbi të gjitha në vetmi popullore. Opozita bëri dhe po bën betejën e saj.

Kjo betejë vazhdon. Sot ajo krahas radikalizmit e ka jetike të ndryshojë disa gjera. Së pari perceptimin në raport me SHBA. Opozita dhe kushdo është e dënuar të ketë përjetësisht vetëm marrdhënie të mira me Amerikë. PD është krijuar si partia e parë proamerikane e këtij vendi.

Budallenjtë që nxjerrin Palmerin si të ndikuar nga serbët në faqen e parë të RD, duhen kuruar. Ligjërimi pjesor i opozitës ( e cila ka meritë të madhe për transformimin e Reformës në Drejtësi nga traktat ideologjik në një koncept juridik) duhet të ndryshojë në favorin e saj qofte edhe duke shtrënguar dhëmbët për kapjet ndaj saj që po konsumon Kryeministri. Perëndimi në këtë moment do garanci për të. Partitë në Shqipëri konsiderohen si grupe biznesi këtu nuk bën përjashtim as opozita. Ajo në këto 6 vite nuk i ka bërë asnjë lëshim shoqërisë duke qëndruar me thonjë brenda mureve të arrogancës së mosndryshimit.

PD duhet të gjejë frymën e vitit 1990 edhe pse kohët janë bërë tejet pragmatiste ku idealizmi përqeshet. Shoqëria do ta mirpresë këtë e lodhur nga batakçillëku që po na zë frymën. Krahas refuzimit të siatemit të Ramës , Basha duhet të ndërtojë sistemin e rindërtimit të PD në partneritet me shoqërinë. Në këtë pikë ai do të jetë më i fortë për të hyrë në zgjedhje edhe me Ramën Kryeministër, edhe pa marrëveshje pa e përjashtuar atë.

Tanimë qytetarët e kaneëbraktisur Skënderbeun e cfilitur nga minjët që i hanë trarët e shtëpisë dhe këmbët e karriges se kali ka ngordhur. Rama e di se çfarë peshe ka mbi shpinë. Batutat i ka nga zori! Ata , qytetarët, duhet t’i fitojë opozita me një pakt besimi duke reflektuar shpresat dhe problemet e tyre, jo duke pritur që të bjerë Rama e të votohet pa ndryshuar. Nuk është e thënë që kjo të ndodhë në pak javë.

Po një ditë do të ndodhë s’ka tjetër mundësi. Sot kur Rama i ka te gjitha, çuditërisht kam më shprese. Më ka ikur melankolia e para 30 qershorit në plan personal. Diktatura që ju ofron shqiptarëve do t’i shndërrohet ne gurin e lidhur pas qafës. Kostot ende nuk i dimë por Rama është narcist i madh e do veten ndaj do mundohet së paku vetes tja kurseje disa.

Të investojmë pak në durim. Panorama e Glover, shefes së monitorimit të misionit OSBE-ODIHR ishte e frikshme për mazhorancën. Ajo praktikisht i rrëzoi këto votime në analizën dhe parashtrimin e fakteve që paraqiti!! Tani le të brohorasin votat tona plumb për armikun (opozitën)

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY