Ministri Hungarez: Asnjë i huaj s’është më shqiptar se shqiptarët

Ministri Hungarez: Asnjë i huaj s’është më shqiptar se shqiptarët

92
0
Shares

Ministri i Jashtëm dhe i Tregtisë së Hungarisë, Péter Szijjártó, deklaron se kriza politike në Shqipëri duhet të zgjidhet nga vetë shqiptarët, në mënyrën më të mirë, për interesin dhe stabilitetin e vendit.

Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Koha Jonë”, gjatë vizitës që zhvilloi tre ditë më parë në Tiranë, kryediplomati hungarez thekson se qasja e organizatave ndërkombëtarë ndaj krizave është shpesh herë e gabuar.

I pyetur se çfarë duhet të bëjnë ndërkombëtarët për tensionet në Shqipëri, Péter Szijjártó, sjell shembullin e vendit të tij dhe thotë se askush nuk mund të jetë më shqiptar sesa shqiptarët.

“Të jem i sinqertë, jam ngopur me ata politikanë, që shkojnë në vende të tjera me mendjen për t’u treguar njerëzve atje, se çfarë duhet të bëjnë. Ky është vendi juaj. Kjo është çështja juaj, prandaj ju takon juve që ta zgjidhni. Unë nuk mendoj se keni nevojë për këshillat e tyre. Nuk mendoj se keni nevojë për këshillën time, pikë së pari. Së dyti, unë e bazoj politikën time të jashtme në një qasje, respekt të ndërsjellë. Kjo do të thotë se, unë nuk mund të jem më shqiptar sesa shqiptarët, prandaj më mirë ta zgjidhë vetë populli shqiptar”,- shprehet Péter Szijjártó.

I pyetur për deklaratat e BE-së për Shqipërinë, Szijjártó sjell shembullin e Hungarisë në raport me vendet e tjera.

“Unë ua ndaloj ambasadorëve të mi, kudo, që të bëjnë deklarata për çështjet e brendshme të vendeve të tjera. I ndaloj që të bashkohen me çdo lloj deklarate të delegacionit të BE-së që merret me çështjet e brendshme, sepse, nuk është puna jonë të mbështesim një palë apo një tjetër në këtë çështje. Së dyti, Bashkimi Europian mund të bëjë rolin e ndërmjetësit, vetëm në një rast, nëse ka pëlqim, nëse ka një konsensus në vendin e caktuar për të ftuar BE-në që të ndërhyjë”,– deklaron Szijjártó.

Z. Péter Szijjártó, ju falënderojmë që pranuat të jepnit këtë intervistë për gazetën “Koha Jonë”. Do deshëm të nisim komunikimin me raportet mes dy vendeve. Marrëdhëniet diplomatike mes Shqipërisë dhe Hungarisë vlerësohen të shkëlqyera. Si i konsideroni marrëdhëniet ekonomike dhe a ka projekte të afera konkrete mes dy vendeve?

Ne e konsiderojmë të gjithë Ballkanin Perëndimor si një ndër prioritetet tona kur bëhet fjalë për ekonominë kombëtare, sepse është afër. Biznesmenët hungarezë e njohin mjaft mirë. Ballkanasit janë të guximshëm për të marrë vendime. Tani ne kemi një kompani mjaft të suksesshme këtu, banka më e madhe hungareze, OTP.

Sapo ka marrë blerë aksionet e bankës Societe Generale Albania dhe pritet të bëhet një ndër aktorët kryesorë të sektorit bankar në Shqipëri. Kjo sipërmarrje do të ketë një efekt të paparë, sepse kudo që OTP operon, u jep besim kompanive hungareze që të rriten në të njëjtin treg.

Pra, OTP është tani një sipërmarrje e suksesshme, e cila do t’i ndihmojë kompanitë hungareze që të investojnë këtu.
Momentalisht, ne kemi një shkëmbim tregtar prej 129 milionë dollarësh në vit. Por, ka hapësira për përmirësim, padyshim.

EXIM Bank ka hapur linjën e kredisë prej 125 milionë dollarësh për të ndihmuar financiarisht kompanitë hungareze dhe ato shqiptare për të lidhur marrëveshje tregtare me njëra-tjetrën. Shpresoj që kompanitë të përfitojnë nga kjo mundësi, dhe pastaj mund të flasim për përparim të mëtejshëm. Por 120-150 milionë euro nuk është tavani, kështu që duhet t’i rrisim investimet.

Hungaria ka qenë gjithmonë një mbështetëse e fortë e integrimit të Ballkanit Perendimor në BE dhe Shqipërisë. Çelja e negociatave për integrimin është hapi i radhës i Shqipërisë drejt rrugës për në BE. Vendimi që pritej javën e kaluar për hapjen e negociatave u shty në muajin tetor. Mendoni se në muajin tetor Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut do të marrin çeljen e negociatave? Cili është hezitimi i BE, në rastin e Shqipërisë, në veçanti?

Për ne, vendimi e Këshillit Europian ishte shumë zhgënjyes. Qëndrimi ynë ishte shumë i qartë. Ne ishim pro çeljes së menjëhershme të bisedimeve të anëtarësimit me BE-në.

Ne kemi ndjekur përpjekjet që ju dhe Maqedonia e Veriut keni bërë gjatë viteve të fundit. Bazuar në këto përpjekje, ne jemi absolutisht të bindur se, si ju dhe maqedonasit keni fituar mjaft merita dhe i keni përmbushur kriteret, në bazë të të cilave duhet të nisin bisedimet e anëtarësimit.

Për ne, të ashtuquajturat argumente të parashtruara nga shtetet e Europës Perëndimore, miqtë tanë, për mosçeljen e negociatave, janë të pakuptimta, gjepura. Para së gjithash, mendoj se ishte qesharake që ata iu referuan mungesës së kohës, sepse ju keni qenë kandidatë për pesë vjet dhe të gjithë e dinin për këtë plan që prej një viti.

Gjithkush e dinte se nuk ka asgjë të re në raportin e Komisionit, kështu që unë mendoj se të gjitha kushtet e domosdoshme ishin plotësuar, për të marrë një vendim. Megjithatë, u bë një lojë taktike shumë e padrejtë për të konsumuar kohë, kur francezët i bënë presion Komisionit Evropian që të mos e nxirrte raportin para zgjedhjeve të Parlamentit Europian dhe më pas Gjermania deklaroi se nuk kishte autorizimin e Parlamentit gjerman. Pra, kjo nuk ishte asgjë tjetër veçse harxhim kohe.

Të gjithë e dinin për datën e mbledhjes së Këshillit që para shumë kohësh. Gjithkush mund të ishte përgatitur për këtë. Disa argumente të tjera, që u hodhën nga Këshilli Evropian, ishin pak më thelbësore, si lufta kundër krimit të organizuar, trafikut të qenieve njerëzore apo çfarëdo qoftë. Unë mendoj se këto janë çështje serioze, por këto çështje duhet të trajtohen dhe duhet të adresohen gjatë bisedimeve për anëtarësim.

Ka kapituj të dedikuar për këto çështje dhe trajtimi i tyre duhet të bëhet gjatë procesit të anëtarësimit bazuar në kapitujt përkatës.
Ju ndodheni në Tiranë në një situatë aspak të zakontë politike. Partia Socialiste në pushtet për pak ditë do të shkojë drejtë zgjedhjeve lokale, më 30 qershor.

Opozita ka djegur mandatet në Parlament dhe ka bojkotuar zgjedhjet lokale me argumentin se me një qeveri të akuzuar për krime dhe vjedhje të votave nuk mund zhvillojë zgjedhje. Për të shmangur konfliktin dhe për t’i ulur palët në dialog, Presidenti i Republikës anuloi datën e zgjedhjeve.

Sot jemi në fazën kur qeveria kërkon shkarkimin e Presidentit dhe po hyn në zgjedhje duke pasur në garë vetëm kandidatët e saj dhe pa një datë ligjore për zhvillimin e zgjedhjeve.

Cili është mesazhi që keni për palët politikë dhe a quhet një proces i tillë zgjedhje demokratike me standarde europiane?

Të jem i sinqertë, jam ngopur me ata politikanë, që shkojnë në vende të tjera me mendjen për t’u treguar njerëzve atje, se çfarë duhet të bëjnë. Ky është vendi juaj. Kjo është çështja juaj, prandaj ju takon ju që ta zgjidhni. Unë nuk mendoj se keni nevojë për këshillat e tyre.

Nuk mendoj se keni nevojë për këshillën time, pikë së pari. Së dyti, unë e bazoj politikën time të jashtme në një qasje, respekt të ndërsjellë. Kjo do të thotë se, unë nuk mund të jem më shqiptar sesa shqiptarët, prandaj më mirë ta zgjidhë vetë populli shqiptar. Sepse pres që të gjithë të tjerët jashtë Hungarisë të respektojnë vendimet e hungarezëve për të ardhmen e Hungarisë.

Pra, këtu mund të bëjmë vetëm një gjë, të presim që ju ta zgjidhni situatën sa më shpejt, sepse të jetosh në një vend ku politika është më paqësore dhe më e qëndrueshme është më mirë se të jetosh në një mjedis të turbullt politik.

Nuk më pëlqen qasja e organizatave ndërkombëtare apo vendeve më të mëdha, që ata gjithmonë mendojnë se duhet të mësojnë të tjerët. Prandaj, më mirë nuk ndërhyjmë në këto çështje dhe pyesim nëse mund të ndihmojmë.

Diçka që munde ta bëjmë patjetër, sepse mund ta shtyjmë përpara procesin e integrimit, por nuk kemi pse të ndërhyjmë në çështjet e brendshme, “nuk është puna jonë”.

Kriza në Shqipëri ka më shumë se 6 muaj që ka nisur dhe qëndrimet që kanë ardhur nga ambasadorë dhe institucionet e BE jo vetëm nuk kanë ndikuar për zgjidhjet e saj, por ndonjëherë kanë krijuar idenë e një mbështetje të pamerituar vetëm ndaj qeverisë. Në 30 qershor lajmet që mund të vijnë nga Shqipëria mund të jenë ato të një konflikti civil. A ka ndërmend BE të ndërhyjë seriozisht?

Para së gjithash, unë ua ndaloj ambasadorëve të mi, kudo, që të bëjnë deklarata për çështjet e brendshme të vendeve të tjera. I ndaloj që të bashkohen me çdo lloj deklarate të delegacionit të BE-së që merret me çështjet e brendshme, sepse, nuk është puna jonë të mbështesim një palë apo një tjetër në këtë çështje.

Së dyti, Bashkimi Europian mund të bëjë rolin e ndërmjetësit, vetëm në një rast, nëse ka pëlqim, nëse ka një konsensus në vendin e caktuar për të ftuar BE-në që të ndërhyjë. Nëse nuk ka konsensus të tillë, mendoj se institucionet evropiane nuk duhet të ndërhyjnë. Kjo është qasja ime, jo vetëm për Shqipërinë. Kjo është qasja ime në përgjithësi, që institucionet e BE-së nuk duhet të marrin rolin e ndërmjetësit, vetëm nëse i ftojnë.

Pas marrëveshjes mes Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut, një nga pikat më të nxehta në Ballkan është arritja e një marrëveshje finale mes Serbisë dhe Kosovës. Pjesë e këtij debati është bërë kohët e fundit dhe ideja e korrigjimit të kufijve apo shkëmbimit të territoreve mes dy vendeve. Cili është qëndrimi i Hungarisë për këtë çështje?

Para së gjithash, dua t’ju them se, për ne, stabiliteti, zhvillimi dhe e ardhmja më e mirë e Ballkanit Perëndimor është thelbërose, sepse jemi vende fqinje. Ne ende i kujtojmë ato kohë kur dhjetëra e qindra mijëra refugjatë duhej të hynin në Hungari nga territori i Jugosllavisë, për shkak të luftës, për shkak të tensioneve, për shkak të çështjeve të pazgjidhura. Prandaj, kur flasim për mbështetjen tonë ndaj Ballkanit Perëndimor, i cili është gjithashtu një çështje e jona, sepse është edhe në interesin tonë që situata të jetë e qëndrueshme.

Kur është fjala për Serbinë, më duhet të them se për një kohë të gjatë, marrëdhëniet tona kanë qenë të tensionuara, madje armiqësore, do të thosha. Por para disa vitesh, ne ishim në gjendje t’i zgjidhnim këto marrëdhënie të tensionuara mes dy vendeve.

Serbia është vend mik dhe aleat strategjik i Hungarisë, i cili u garanton të drejta hungarezëve më shumë se të gjitha vendet ku jetojnë komunitete kombëtare hungareze. Në shumicën e vendeve fqinje, jetojnë komunitete hungareze, por serbët u japin më shumë të drejta sesa vendet anëtare të BE-së që na rrethojnë.

Pra, me Serbinë, ne ishim në gjendje t’i zgjidhnim çështjet tona. 10 vjet më parë, dukej se zgjidhja ishte e pashpresë. Pra, kjo duhet të shërbejë si nxitje, që zgjidhja e çështjeve, në dukje të pashpresa, mund të bëhet realitet, pikë së pari. Së dyti, ne duam vërtet që dialogu Beograd-Prishtinë të jetë i suksesshëm. Por, duhet t’ua lëmë atyre që të negociojnë. Dhe nëse ka një zgjidhje, ta zgjidhin si të dëshirojë. Nëse ka një zgjidhje, e cila, së pari, bazohet në mirëkuptimin e tyre të përbashkët të të dyja palëve; dhe së dyti, respekton të drejtën e ligjet ndërkombëtare, atëherë pse duhet ta kundërshtojmë.

Si mund ta kundërshtojmë? Ta zgjidhin si të dëshirojnë. Pra, unë nuk dua të dal në përfundime të mundshme se si do të shkojë dialogu, sepse, sërish, nuk dua të ndërhyj në çështjet e tyre. Por, çfarëdo që përputhet me mirëkuptimin e tyre të përbashkët dhe kërkesat e të drejtës dhe ligjeve ndërkombëtare, ne nuk do ta kundërshtojmë, pa asnjë dyshim.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY