Avokati Matthias Prinz, PPP apo prokurim i drejtpërdrejtë?

Avokati Matthias Prinz, PPP apo prokurim i drejtpërdrejtë?

107
0
Shares

Nga Dardan Mustafaj

Për ata që ende nuk e dinë, Kryeministri ynë Edi Rama, pasi na pastroi kazanin mediatik Shqiptar, bëri shtetin (cilido qoftë kuptimi i kësaj shprehjeje), rilindi Shqipërinë siç e duam, mundi korrupsionin, çeli negociatat për anëtarësimin në BE etj., pra, pasi nuk i ngeli më gjë për të bërë në Shqipëri, vendosi t’i përveshet një detyre të re: pastrimi i kazanit mediatik gjerman nga gazetari Peter Tiede!

Mbase njësoj si Jakubi i Dhiatës së Vjetër, i cili mijëra vjet përpara tij pa në ëndërr misionin e tij, edhe Kryeministri ynë u zgjua me mendjen e ngadhënjyer nga kjo detyrë e re dhe e rëndësishme që po i ngarkonte vetes dhe nga gëzimi, me të hapur sytë në orën 6:54 të mëngjesit, ia pëshpëriti zogut të vogël blu, i cili e cicëriu anembanë internetit.

“Sapo i kam dhënë prokurën avokatit gjerman Matthias Prinz, për nisjen e procesit gjyqësor mbi publikimet e ‘Bild’. Gjykatat gjermane le ta vendosin kush ka të drejtë e kush ka faj në këtë mes. E bëj sepse shqiptarët meritojnë të dinë të vërtetën nga drejtësia e atij vendi pa hije”

Siç e thotë shprehja biblike “Askush nuk është profet në vendin e tij”, edhe Kryeministri gjeti të njëjtin fat biblik, veçse më gjerë pasi cicërimës së tij mëngjesore iu bashkuan dhjetëra cicërima kundërshtuese dhe kritikuese nga Shqipëria dhe më gjerë.

Personalisht, mendoj se ky mesazh është i gabuar dhe shqetësues në shumë aspekte dhe shenjë e një shpërbërjeje të theksuar të praktikës institucionale dhe shtetërore të vendit tonë. Duhet të shqetësohemi të gjithë, kemi të gjitha simptomat për të kuptuar sëmundjen, nuk duhet të presim që të vdesë i sëmuri për ta kuptuar nga autopsia se cila ishte sëmundja që e mundonte.

Në aspektin e prestigjit të funksionit të tij, Kryeministri nuk mund të merret me gjyqe me gazetarë, qofshin shqiptarë a të huaj. Kryeministri është i zgjedhuri ynë, duam apo s’duam ai na përfaqëson të gjithëve, flet në emër të Shqipërisë, merr vendime në emër të Shqipërisë, urdhëron administratën anembanë Shqipërisë, bën ligje në emër të Shqipërisë (të cilat thjesht sa miratohen nga të besuarit e tij në Parlament). Në sistemin tonë të demokracisë përfaqësuese, Kryeministri ka kaq shumë pushtet sepse presupozohet se ka një figurë morale jashtëzakonisht të pastër. Prandaj, në një shtet të “bërë” dhe funksional, një përgënjeshtrim i thjeshtë i Kryeministrit është i mjaftueshëm për të mbyllur çdo debat. Një Kryeministër që e ka të nevojshme t’i “lutet” një gjykate, për më tepër të huaj, që të bëhet ajo dëshmitare dhe konfirmuese e pafajësisë së tij, është një Kryeministër që e meriton nderin e të ushtruarit atë funksion. “Fshati që duket s’do kallauz” dhe një Kryeministri nuk i duhet një kallauz pafajësie. Për më tepër, të shtrosh çështjen tënde përpara një gjykate do të thotë që i nënshtrohesh juridiksionit, urdhrave dhe vendimeve të asaj gjykate. Me këtë akt, Kryeministri ynë ka çeduar sovranitetin e vendit tonë, duke krijuar precedentin e mbrapshtë dhe të rrezikshëm që një Kryeministër i Shqipërisë në detyrë mund të bëhet objekt çështjesh gjyqësore në një shtet të huaj! Nëse pretendon që mund të ngresh padi në një shtet të huaj, atëherë sigurisht që mund edhe të ngrihen padi kundrejt teje në shtete të huaja! Çfarë prestigji ka një Kryeministër, i cili shkon të luajë në fusha kaq të vogla?

Një aspekt tjetër shqetësues për mua është ai financiar. Si taksapagues i rregullt, dua të di si përdoren taksat e mia, prandaj pres që Kryeministri të më informojë nëse ky avokat do të paguhet me fondet personale të tij, apo nga buxheti i shtetit? Dallimi është i rëndësishëm në shumë drejtime.

Së pari, Kryeministri mund të bëj ç’të dojë me paratë e tij, por nëse avokati paguhet me fonde publike, atëherë ato mund të përdoren vetëm për mbrojtjen e një interesi publik dhe nëpërmjet një procesi prokurimi. Me aq informacione që zotëroj, nuk më rezulton që jetë bërë ndonjë proces prokurimi. Ndoshta Kryeministri ka bërë ndonjë marrëveshje PPP dhe do ta lajmë disa fish me këste mujore për njëzet vitet e ardhshme.

Së dyti, cili është interesi publik që Kryeministri kërkon të mbrojë në këtë rast? Përgjimet e botuara nga gazetari i “Bild” nuk na cenojnë ne, shqiptarët, por vetëm Edi Ramën personalisht dhe njerëzit e tij të besuar që kanë dalë në ato përgjime. Atëherë, duket se po përdoren fonde nga buxheti i shtetit për të mbrojtur nderin dhe personalitetin e Edi Ramës dhe të njerëzve të besuar të tij. A mund të cilësohet kjo gjë si interes publik që justifikon financimin nga buxheti i shtetit? Në mendimin tim jo, prandaj pres nga Kryeministri transparencë në lidhje me këtë proces.

Së treti, unë shoh këtu sindromën e vjetër të një sëmundjeje kronike të shtetit shqiptar: njehsimin e shtetit me kryetarin e tij. Një model i tillë i përkon mbretërisë absolute si ajo e Luigjit XIV, i cili njihet për shprehjen e famshme “shteti jam unë”. Në kohën e Enver Hoxhës, shteti ishte Enver Hoxha. Me ardhjen e pluralizmit duket sikur kjo sindromë shfaqej herë pas here në periudha kohore dhe veprime të caktuara të kryetarëve të qeverive apo të shtetit. Sot më duket se kjo sindromë po shfaqet përsëri me rastin e Matthias Prinz. Paratë e arkës së shtetit janë të vetmet që mund të përballojnë tarifat e një avokati, i cili ka mbrojtur familje mbretërore, sulltanë dhe futbollistë… Rroga e Edi Ramës nuk do të mjaftonte kurrë.

Kaq shumë pikëpyetje dhe kundërshtime ka ngritur Kryeministri me këtë lëvizje saqë harruam aktualitetin, mos ndoshta në fund të fundit ky ishte qëllimi?

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY