Protesta është më e madhe se PD

Protesta është më e madhe se PD

78
0
Shares

Nga Fatbardh Kadilli

Per kedo që e njeh sjelljen e partive, e di që PD ka lindur nga protesta dhe në protestë manifeston maksimumin e vetë. Por asnjë herë, as në pushtet, PD-ja nuk i ka mbushur sheshet kaq shumë. Dukshëm në protestë vijnë demokratë, mbështetës të PD-së, por vijnë edhe njerëz që lidhjen me politikën e kanë vetëm sa kohë kauza e tyre përkon apo shkon paralel me politikën. Kjo është arsyeja pse në protestë ka shumë më shumë sesa PDja do të mund të nxirrte qoftë kur do të manifestojë paqësisht, qoftë kur do të tregojë muskuj.

Prandaj, protesta është më e madhe se PD-ja, më e madhe se opozita politike. Për fat të keq, organizimit të protestës i ka shpëtuar paraqitja me gjithë vërtetësinë e këtij dimensioni popullor jopolitik. Banoret e Unazës, tashmë të famshëm për veshjen më jelekë portokalli, janë gjithnjë atje. Intelektualët, artistët, që prej një viti mbrojnë Teatrin, janë gjithnjë atje. Të vetëpunësuarit e biznesit të vogël janë gjithnjë atje. Fermerët janë gjithnjë atje. Studentët janë gjithnjë atje. Gazetarë dhe folës të shquar publikë janë atje. Profesionistët, që kanë apo s’kanë punë, janë gjithnjë atje. Himarjotët që shohin se si nip i tyre është më rrezik për pronat se osmanët në shekuj, janë atje. Ata vijnë nga origjina të ndryshme, nga orientime politike të ndryshme. Atje janë edhe ata që e kanë votuar “rilindjen” me ose pa pagesë, edhe ata që kane votuar me hir ose me pahir. Ata janë atje dhe do të vijnë, sa kohë opozita u jep shpresë se kauza e tyre do të zgjidhet dhe protesta përballë pushtetit është rruga. Por ata nuk janë thjesht numra, as foto e radhës në fb-të e politikanëve. Ata nuk janë atje thjesht një performancë më shumë që pasuron dekorin e protestës. Ata janë atje si vlera më e pastër e protestës. Janë ata që përplasjen politike midis qeverisë dhe opozitës e shndërrojnë në përballje të popullit me pushtetin. Ndaj, ata duhet të jenë edhe më të zëshëm. Ata duhet të kenë më shumë vend në protestë. Ata duhet t’i flasin Shqipërisë nga protesta. Pikërisht atyre u takon më shumë. Sepse ata janë më të zhgënjyerit, më të dëmtuarit, më të vërtetët. Ashtu siç duhet që të kenë më shumë vend dhe demokratët e thjeshtë që nisen nga çdo cep i Shqipërisë, edhe pse janë ata që përfitojnë më pak nga politika. Ata janë atje, por në hije, jo në drita prozhektorësh. Duhet që ata t’u flasin shqiptarëve drejtpërdrejt. Ata përfaqësojnë me kauzën e tyre të spikatur, kauzën dhe shpresën e çdo shqiptari. Vetëm duke qenë të zëshëm sot, duke qenë në ballë të protestës sot, ata dhe çdo shqiptar që është si ata, do të besojë vërtet se do të jetë pjesë e pushtetit të ri nesër.

Protesta është më e madhe se opozita. Ajo është më e madhe edhe sesa vetë protesta fizike. Veç atyre që protestojnë ka një shumicë tjetër, që vëzhgon protestën dhe ndjek me zemëratë teatrin e shëmtuar të pushtetit. Ka një shumicë të heshtur që mbështet përballjen me pushtetin si një përballje dhe me politikën në tërësi. Kjo shumicë kërkon shpresë, kërkon besim, kërkon frymëzim. Opozita ka detyrën që këtë shumicë qe mban brenda zemëratën e madhe ta ftojë, ta bëjë pjesë të përballjes me pushtetin. Kjo kërkon që opozita të kuptojë e para që ajo drejton një protestë më të madhe se vetvetja.

Protesta është më e madhe se PD-ja edhe në aspektin politik. Kjo krizë politike, më e thella në demokraci, ka brenda edhe mëkate të prodhuara herë nga vetë e herë nga bashkautorësia e PD-së. Kjo krizë nuk është dhe nuk mund të shihet ngushtësisht si vetëm politike. Nuk është opozita përballë pushtetit. Mashtrojnë veten përfaqësuesit e pushtetit kur tentojnë ta zvogëlojnë krizën me ambiciet politike dhe axhendën politike të PD-së dhe partive të opozitës. Mashtrojnë veten kur tentojnë të mashtrojnë opinionin se kjo krizë është artificialisht e pjellë nga frika prej Reformës në Drejtësi, apo nga frika për fatin e karrierës politike të ndokujt. Mashtrojnë veten edhe ata partnerë ndërkombëtarë, që mendojnë se këtu kështu ka ndodhur e kështu do të ndodhë, se shqiptaret kaq kuptojnë nga politika, kaq kuptojnë nga demokracia. Se lufta për pushtet mund të menaxhohet duke u bërë me më të fortin e radhës. Kjo nuk është thjesht luftë për pushtet. Kush e kupton kaq ngushtë, ose kush synon ta përdorë kaq ngushtë, gabon. Kjo krizë është më e madhe se loja e politikës, është më e madhe se loja e pushtetit. Si e tillë, kjo krizë nuk mund të zgjidhet me marrëveshje mes të mëdhenjve të politikës. Çdo marrëveshje që i vë kapak krizës, vetëm sa do e shtyjë për një moment tjetër shpërthimin e saj. Kush mendon se Rama dhe Basha mund ta zgjidhin me një marrëveshje, gabon. Askush nuk e ka forcën ta zgjidhë me një marrëveshje të radhës këtë krizë. As Kryeministri, as lideri i opozitës. Kjo është më e madhe se politika.

Zgjidhja do të vijë kur, në radhë të parë aktorët kryesorë të jenë të vetëdijshëm që kjo krizë po shkon drejt një përballjeje që kapërcen kufijtë politik.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY