Zgjedhje pa opozitën, Fuga: Ja cilat do të ishin pasojat

Zgjedhje pa opozitën, Fuga: Ja cilat do të ishin pasojat

80
0
Shares
Artan Fuga

Nga Artan Fuga

Unë nuk po i hyj këtu një analize për të gjetur përgjegjësitë politike të ndokujt.

Sigurisht nuk është aq e vështirë për t’a bërë atë lloj analize. Por, jo medoemos është analiza e vetme.

Problemi është tjetër, edhe më thelbësor.

Ku po shkon Shqipëria nëse opozita nuk merr pjesë në zgjedhje? Nëse elektorati opozitar nuk paraqitet në kutitë e votimit? Nëse na dalin 61 bashki ku partitë qeveritare të jenë përfaqësueset e vetme të vullnetit elektoral. Me një fjalë ku po shkojmë nëse bëhen zgjedhjet e 30 qershorit pa pjesëmarrjen e partive politike opozitare?

Pasojat do të ishin:

– Këshilla bashkiake pa këshilltarë opozitarë, çka do ta degradonte edhe më tej pushtetin lokal anë e mbanë vendit, madje më keq sa edhe çfarë ai është.
– Veç faktit që vendi është me President pa kompetenca të vërteta pushtetore, honorifik, pa gjykatat e veta si sistem i plotë, me parlament të shkrehur, do të kemi edhe një pushtet lokal, i cili nuk do të ketë parametrat minimale të një demokracie, sepse nuk do të jetë pluralist.
– Kriza e bllokimit të demokracisë shqiptare do të institucionalizohej në mënyrë të pakthyeshme sepse për disa vite rresht këshillat bashkiake dhe bashkitë do të qendronin në këtë situatë. Kjo për faktin se zgjedhjet bashkiake nuk do të mund të përsëriteshin më pas disa muajsh, ose edhe një kohe më të gjatë.
– Ndarja midis popullit shqiptar do të kthehej në një vijëndarëse e dukshme dhe jo thjesht politike, por edhe institucionale. Njera pjesë e kombit do t’i njihte institucionet bashkiake kurse pjesa tjetër jo. Përçarja pra do të ishte institucionale. Nga kjo pikëpamje nuk do të kishim as parametrat e Konferencës të Pezës në 1942 dhe jo më të një demokracie moderne!
– Do të kishim 61 kryetarë bashkie me legjitimitet pushtetar të kontestuar dhe të dyshuar. Sepse edhe komisionet zgjedhore pa opozitën do të ishin krejtësisht të pabesueshëm.
– Do të thyhej institucionalisht edhe miti i demokracisë si pluralitet alternativash në pushtetin lokal te brezi i ri që ka lindur dhe rritur me ëndrrën se po shkon drejt një Shqipërie demokratike.
– Shtohen rrisqet që administratat bashkiake të bëjnë shërbime të diferencuara për elektoratin që ka marrë pjesë në zgjedhje dhe atë që nuk ka marrë pjesë në zgjedhje. Kjo do të nxiste genocidin politik në pushtetin lokal!
– Shqipëria do të pësonte një goditje vdekjeprurëse në imazhin e saj në Europë dhe në botë duke qenë i vetmi vend në planet me pushtet lokal të formësuar qysh në origjinë si pushtet monist.
– Vulosja e një pushteti lokal monist do t’a bënte të pakthyeshme dhe do t’a mbyllte cdo dialog të mëvonshëm midis klasës politike shqiptare për t’u rikthyer në rrugën e normalitetit institucional. Do t’a kthente krizën politike të sotme nga një krizë konjukturore në krizë strukturore.
– Do ta mbyllte mundësinë për ballafaqimin midis alternativave të kundërta në administrimin e proceseve urbanizuese, të shërbimeve sociale, të taksave lokale, të ekologjisë, etj. Pushteti lokal do të kthehej thjesht në një vegël edhe më të thjeshtëzuar të pushtetit qendror seç është deritani.
– Do të krijohej precedenti i zgjedhjeve pa alternativë opozitare që do ta përdorte në vazhdimësi cdo diktator kokëkrisur e çdo aventurie në të ardhmen.
– Do të rrezikonte mbijetesën e partive opozitare, por edhe të partisë në pushtet, të parat me rrezikun e shuarjes, e dyta me rrezikun e kthimit në një bandë të inkriminuar nga shkelja e neneve dhe frymës të Kushtetutës!
– Partnerët dhe aleatët tanë do t’a konsideronin këtë gjendje si “normale” për rastin shqiptar, pra do të shpallej se shqiptarët nuk bëjnë dot shtet.
– Nëpunësit lokalë do të ishin si mbi gjemba dhe do të kishin vështirësi për t’iu kushtuarve detyrave të tyre. Shkalla e korrupsionit te ata do të arrinte maja të papara.
– Shumica e papërfaqësuar në këshillat bashkiake do të ishte disa herë më e madhe sesa përfaqësimi i elektoratit proqeveritar atje. Demokracia edhe në planin e vlerës të brendshme do të kishte marrë goditje vdekjeprurëse.
– Parti pothuajse fantazmë dhe pa elektorat, me kryetarë të dështuar, të rreshtuara në krah të partisë qeveritare do të fryhen e mbufaten duke u hequr si parti politike të vërteta, do të marrin pushtete duke iu imponuar partisë socialiste me presion. Ja a nuk ja shiti partisë social demokrate akademinë e shkencave partia socialiste?
– Një pjesë e elektoratit opozitar që ka vende pune në pushtetin lokal do të mbetet e papunë dhe energjia destruktive antiqeveritare do të rritet duke rrezikuar destabilizimin e pakthyeshëm të vendit. Krimi lokal do të rritet jashtë mase.
– Pushteti qendror do të duhet të merret edhe më në mënyrë hierarkike dhe të çentralizuar se derimësot me pushtetin lokal duke mos ditur se ku e ka kokën, cilat janë prioritetet dhe administrimi i vendit do të shkojë në rrëpirë!

Ja lista e dëmeve parë me ftohtësi dhe me neutralitet shkencor!

T’i thërrasim mendjes sa nuk është vonë!

Lërini o politikanë iftaret dhe urimet për Bajramin. Nuk i presim nga ju! Sepse janë hipokrite, për vota. Pra, bien ndesh me frymëzimet e një feje pa politizëm.

Shihni përrballë dëmet që po shkaktoni! Cfarë janë dëmet e tërmetit në Korçë përballë dëmeve dhe shkatërrimeve të këtij tërmeti politik! Asgjë!

Mos thoni se nuk ju thamë!

Sepse nuk ka kush ju thotë!

Universitetet si qendra të dijes kombëtare janë nën thundrrën e bordeve të politizuara. Nuk flasin ato!

Akademia e shkencave nuk flet se nuk ka kush flet atje, kurse drejtimi i saj është krejtësisht politik.

Nuk flet sepse fle!

Shoqatat nuk flasin sepse duan të marrin fonde!

Mos dëgjoni budallenjtë!

Shqipëria po bie në humnerë!

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY