Edi Rama i nis letrën e 5-të publike Lulzim Bashës, ja çfarë...

Edi Rama i nis letrën e 5-të publike Lulzim Bashës, ja çfarë i shkruan

99
0
Shares

Kryeministri Edi Rama i ka shkruar sot letren e pestë publike kryedemokratit Lulzim Basha, teksa i ben thirrjen e vazhdueshme per dialog pa kushte.

Letra e pestë e kryeministrit vjen një ditë pas protestës së jashtëzakonshme të qytetarëve poshtë dritareve të zyrës së tij.

LETER E PESTE PUBLIKE LULZIM BASHES

Zoti Kryetar, në radhë të parë sinqerisht përgëzime për mbrëmë, sepse pavarësisht bojëhedhjes mbi mure që e keni cen fiziologjik si parti, kalimi nga kapsollat e molotovët, tek balonat dhe dritat e celularëve ishte një hap domethënës mbrapa!

Por siç edhe me siguri e vutë re vetë, karvani i fitores Suaj imagjinare po firon pak e nga pak, çdo herë që sos në Tiranë dhe siç e kuptoni, njëkohësisht po firojnë edhe shanset e Dialogut mes nesh. Koha e mbetur drejt ditënisjes zyrtare të fushatës së 30 qershorit po tretet me shpejtësi, e bashkë me të po jep shpirt të them të drejtën edhe shpresa ime e vobektë, se në dyllin e veshëve Tuaj mund të hapet një vrimë.

Sidoqoftë shpresa vdes e fundit dhe ja ku jam, unë përsëri, në kërkim të Dialogut me Ju për të bërë timen deri në fund kundër kësaj historie të pakuptimtë, të shëmtuar e dëmtore për vendin tonë të përbashkët. U bënë muaj që vini vërdallë, bashkë me punonjësit e bashkive blu e me ca katranë me bojë, duke goditur Shqipërinë ndërkombëtarisht dhe ngritur pikëpyetje të madhe tek miqtë europianë, lidhur me çeljen e negociatave me Bashkimin Europian; duke cënuar veprimtarinë ekonomike të vendit dhe turizmin në veçanti; duke trazuar një popull të tërë me hallin absurd se çfarë do të ndodhë e çfarë do të digjet kur të sosni në Tiranë herën tjetër…

Përveç këtyre sukseseve, që mund t’i thelloni më tutje nëse e vijoni këtë avaz dhe rënies së mëtejshme të mbështetjes së grupimit Tuaj politik, çfarë keni arritur ose mund të arrini tjetër apo le të dalë ku të dalë?

Parlamentin e keni ndaluar dot të funksionojë normalisht?
Jo, madje në seancat e të enjtes ka më shumë prezencë në anën e djathtë të sallës, se sa ç’kishte deri kur Ju e braktisët.

Qeverinë e keni ndaluar dot të vazhdojë punën normalisht?
Jo, madje e vërteta është se edhe të enjten, që na e kishit imponuar si ditë për lojë luftash, kur duhet të merreshim me baltën, çizmet, bojën, glasat e vezët Tuaja në Kuvend, e kemi ditë kuvendore normale.

A mos vallë më keni larguar mua dot?
Po, kjo po, më keni larguar mbrëmë me balonat që merrnin me vete në qiell parrullën e lodhur “Rama ik”, nën tingujt ëngjëllorë të vuvuzelëve të paqes, teksa pllaka e gramafonit Tuaj rilajmëronte fundin e afërt të tiranisë me përkrahjen mbarëbotërore për largimin tim drejt qiellit, kurse fallxhorja Juaj i rrëfente popullit se në një filxhan amerikan ishte iluminuar mbi dhunën, që Zoti e dënon si shembëlltyrë të Djallit!

Gjithësesi, pa u zgjatur me çka Ju kam stërshpjeguar nga ana ime në katër letrat e mëparshme, shoh të udhës të nënvizoj si vijon:

E para, nëse nuk ulemi në Tryezën e Dialogut edhe këto pak ditë që kanë mbetur, Ju mund të vazhdoni të lëshoni balona e të ndizni dritat e celularëve të shpresës se qielli do më përpijë mua, njësoj balonat dhe nga qielli bum, do bjerë dhuratë për Ju fitorja që me votë meazallah se e arrini dot. Vazhdoni po deshët deri në qershor 2021, me këtë ritual grotesk të fushatë – protestave seriale kundër zgjedhjeve, me frikën nga drejtësia si karikues për bateritë tuaja. Ndërsa ne, thjesht do të nisim e do të zhvillojmë fushatën e zgjedhjeve vendore, do t’i marrim bashkitë e braktisura prej jush se meqë i latë ju, s’mund t’i lemë edhe ne rrugëve dhe do të vazhdojmë të qeverisim, me të gjitha bateritë e karikuara për katër vjet, deri në qershorin 2021.

E dyta, zgjedhjet e 30 qershorit nuk i shtyn dot askush ndër ne dhe as i pengon dot askush mbi këtë dhe! Sepse Kushtetuta e Republikës sonë nuk lejon askënd t’i shtyjë, kurse ligji dënon rëndë këdo që prek qoftë edhe një kuti votimi. E meqë ra fjala, ata miqtë gjermanë të Shqipërisë në partinë Tuaj simotër, bëni mirë t’i dëgjoni kur Ju sugjerojnë dialog pa kushte, e jo të abuzoni publikisht për të çoroditur dynjanë, duke spekulluar me opinionet e tyre krejt miqësore! Se jo për gjë po ja, erdhi dita kur 61 kandidatët e mijëra këshilltarët e Partisë Socialiste do të jenë në Tiranë, për t’i rënë gongut të vrapimit drejt 30 qershorit dhe pastaj s’mbetet asnjë mik në botë, që të harxhojë më kohë as për opinione miqësore.

E treta dhe e fundit, mos mendoni Ju lutem për asnjë moment se 30 qershori nuk do të vijë apo do të kalojë pa zgjedhje. Një dritëshkurtësi e tillë mund t’i lejohet udhëheqësit Tuaj të currufjasur, i cili zhubravitet papushim nga mllefi i patretshëm qysh prej ikjes nga pushteti me 1 milionë shpulla dhe cfilitet përditë, nga tmerri i pangushëllueshëm i trokitjes së drejtësisë në derë. Po kjo s’ka si t’Ju falet Juve që të nesërmen e 30 qershorit, do të gjykoheni nga ndjekësit Tuaj për se si ka mundësi, që i dorëzuat pa betejë elektorale tërë bashkitë e Shqipërisë! E aty pastaj kam frikë se edhe tërë pasojat e xhindosjes së atij marroqit dixhital ndaj meje e Partisë Socialiste, do t’i hani Ju si fajtori i madh i një disfate katastrofike.

Mos gënjeni veten më tutje i dashur Lulzim, koha po mbaron dhe mbytja e anijes Suaj sapo ka filluar. Ka ende një mundësi të vogël për Dialog përpara se sa vetë ndjekësit Tuaj, t’Ju flakin të parin në ujrat thithës ku e keni futur qorrazi atë anije.

Edi Rama
Post Scriptum: Meqë lajmëruat grumbullimin e radhës në 31 maj, shtabi ynë elektoral vendosi ta spostojë në 1 qershor mitingun e çeljes zyrtare të fushatës – kollaj, nuk ishte një datë si ajo zgjedhjeve që s’e kemi ne në dorë:-)

26 maj, 2019

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY