Meta paralajmëron shtyrjen e datës së zgjedhjeve

Meta paralajmëron shtyrjen e datës së zgjedhjeve

103
0
Shares

Ilir meta ka përsëritur shqetësimin e tij lidhur me krizën politike ku ndodhet vendi. Në një njoftim të fundit për mediat, Presidenti nënvizon angazhimin e tij maksimal në ofrimin e një mundësie që palët të gjejnë gjuhën e përbashkët.

Më tej, Kreu i Shtetit përsërit vullnetin për të vendosur në funksion të zgjidhjes edhe mandatin e tij si President, pra për të dhënë dorëheqjen.

Më poshtë deklarata e plotë e Presidentit Ilir Meta:

Presidenti i Republikës përsërit shqetësimin e thellë mbi krizën kushtetuese, institucionale, politike dhe të përfaqësimit ku ndodhet vendi.

Thellimi i dallimeve mes palëve dhe kokëfortësia për mohimin e kësaj krize kanë vështirësuar edhe më tej gjetjen e rrugëdaljeve të arsyeshme dhe të qëndrueshme nga kjo gjendje që po rrezikon stabilitetin dhe demokracinë në vend.

Me angazhimin maksimal si Kreu i Shtetit, kam bërë thirrje të përsëritura për prapësimin nga kjo rrugë e konfliktit, duke u ofruar për të dhënë çdo kontribut dhe për të bërë gjithçka që do të afronte palët politike drejt një zgjidhjeje, që ka në themel interesin kombëtar dhe rrugëtimin e pandalshëm evropian të Shqipërisë.

Nxitur nga zhvillimet e djeshme, përshëndes dhe mirëpres angazhimin e shprehur të Parlamentit Gjerman për zgjidhjen e krizës, duke iu bashkuar thirrjes së tyre drejtuar të gjitha palëve politike në Shqipëri, për të marrë përgjegjësitë vendimmarrëse për të gjitha çështjet që lidhen me stabilitetin demokratik në vend, në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe pa përjashtuar asnjë temë.

Gjithashtu, si Kryetar i Shtetit, kam përgjegjësinë kushtetuese të respektoj dhe mbroj parimet e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, duke evidentuar gjithashtu çdo rast kur këto parime rrezikojnë të kërcënohen.

Vlerësoj faktin që edhe Parlamenti Gjerman, ky institucion kyç i partnerit tonë strategjik, ka paralajmëruar se zgjedhjet pa pjesëmarrjen e opozitës janë problematike në aspektin demokratik, duke u pamundësuar qytetarëve shqiptarë zgjedhjen mes alternativave konkurruese.

Neni 3 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ndër të tjera, përcakton qartë detyrimin kushtetues për mbrojtjen e pluralizmit politik nga të gjithë. Kjo nënkupton jo vetëm ekzistencën e partive të ndryshme politike, por edhe mundësinë e tyre reale për të konkurruar, në kushte të barabarta dhe pa pengesa, në zgjedhje të lira dhe të ndershme, si mundësia e vetme për të respektuar të drejtën kushtetuese të qytetarëve shqiptarë për të zgjedhur.

Unë kam përgjegjësi kushtetuese, që brenda caqeve që Kushtetuta më lejon, të siguroj respektimin, në formë e në përmbajtje, të Kushtetutës. Për mua bashkëjetesa demokratike dhe uniteti i popullit janë parime kushtetuese që duhen mbrojtur, përpara çdo rregullimi tjetër dytësor apo formal.

Bashkohem me thirrjen e Parlamentit të Gjermanisë se është përgjegjësia e vendimmarrësve politikë që të sillen të arsyeshëm në këtë situatë dhe që me të gjitha forcat të përpiqen për ta qetësuar gjendjen, sepse nëse kjo nuk ndodh ekziston rreziku që vendit t’i mbyllet rruga drejt Evropës.

Ndaj:

• me përgjegjësi për të ardhmen evropiane të vendit;

• me vendosmërinë për të ndërtuar një shtet të së drejtës, demokratik dhe që garanton të drejtat dhe liritë themelore të njeriut;

• me frymën e tolerancës, në funksion të paqes, mirëqenies dhe solidaritetit shoqëror;

shpreh angazhimin tim për të përmbushur përgjegjësinë kushtetuese për të garantuar unitetin e popullit dhe parimet bazë të bashkëjetesës demokratike, që rrezikohen nga kriza politike në vend.

Në këtë kuadër, shpreh gatishmërinë time institucionale, që në përputhje me kompetencën që më jep shkronja ‘gj’ e nenit 92 të Kushtetutës, të rishikoj Dekretin për caktimin e datës së zgjedhjeve vendore dhe të dekretoj një datë tjetër për zhvillimin e tyre, në përputhje me vullnetin e shprehur të palëve politike.

Garantimi i rendit kushtetues, sigurisë publike, stabilitetit të vendit dhe i zgjedhjeve demokratike, të lira dhe të ndershme janë parime kushtetuese që mbizotërojnë mbi çdo aspekt tjetër formal, përfshirë këtu rishikimin e datës së zgjedhjeve.

U bëj edhe një herë thirrje palëve, të ndalojnë retorikat si reflektim i sinqertë ndaj apelit të Parlamentit Gjerman.

Të ndalojnë hartimet publike justifikuese dhe të angazhohen me sinqeritet dhe përgjegjshmëri për gjetjen e një zgjidhjeje sa më shpejtë dhe të qëndrueshme.

Ashtu siç deklarova me përgjegjësi më 20 mars nga Pogradeci, mbetem i gatshëm që për një zgjidhje që i shërben interesit më të mire, stabilitetit dhe demokracisë së vendit, të vendos në dispozicion edhe mandatin tim si President i Republikës, nëse palët e gjykojnë edhe këtë element si të rëndësishëm për një zgjidhje gjithëpërfshirëse, që do t’u jepte qyetetarëve shqiptarë të drejtën për të zgjedhur edhe Presidentin me votën e tyre të lirë.

Askush nuk duhet të ketë frikë nga vota e lirë e qytetarëve shqiptarë që qëndron në themel të bashkëjetesës demokratike, pa garantimin e së cilës nuk mund t’i çelim as negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY