“E premte e zezë”, Fuga: Nuk e pranoj krimin elektoral në Akademinë...

“E premte e zezë”, Fuga: Nuk e pranoj krimin elektoral në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë

87
0
Shares

Akademiku Artan Fuga ka reaguar në rrjetet sociale, lidhur me çështjen e shumëpërfolur këtë javë, lme Akademinë e Shkencave.

Kujtojmë se  debatet dhe puna dyvjeçare për reformimin e  Akademisë së Shkencave të Shqipërisë do të rezultojnë sot me votimin e kandidatëve që do ta drejtojnë këtë institucion.

Përgjatë një muaji nga data 10 prill deri më 10 maj, konkurrentët për kryesinë e Akademisë së Shkencave kanë paraqitur kandidaturat e tyre, ku mësohet se ka rezultuar një mungesë dëshire për të mbajtur këto poste drejtuese dhe përfundimisht kandidaturat kanë rezultuar me një person të vetëm. Për kryetar ka kandiduar akademiku Skënder Gjinushi, për nënkryetar kandidon akademiku Vasil Tole.

Fuga e cilëson të gjithën një krim elektoral dhe një ditë e zezë për shkencën dhe arsimin në Shqipëri. Fuga thotë se kete farsë nuk e mbështet dhe Akademia në këtë rrugë e nxjerr veten jashtë kuadrit ligjor.

REAGIMI I FUGES 

E premte e zezë për arsimin dhe shkencën në Shqipëri dhe e krimit elektoral në Akademinë e Shkencave!

Une refuzoj ta pranoj puçin institucional, krimin elektoral, në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë dhe nuk e njoh rezultatin e farsës zgjedhore të 24 majit 2019, si edhe kryesinë e kryetarin e dalë që andej!

Sot është një ditë e zezë për shkencën dhe arsimin në Shqipëri. Nëpërmjet një puci institucional të denoncuar vazhdimisht nga unë dhe nga forca të tjera intelektuale progresiste, Akademia e Shkencave e nxjerr veten jashtë kuadrit ligjor në fuqi dhe inkriminohet institucionalisht!

Sikurse e kam paraqitur tashmë para opinionit publik dhe autoriteteve të heshtura të shtetit, këtë qendrim e kam mbështetur në dhjetra prova e fakte. Por përsëris se farsa vjen kryesisht nga :

1. Kandidati për kryetar i akademisë së shkencave është një politikan karriere prej mëse tre dekadash dhe statusi i tij si kryetar partie politike e ndalonte ligjërisht të ishte anëtar i akademisë jo më të kandidonte për kryetar të saj!

2. Në votim janë thirrur në kundërshtim me ligjën në fuqi edhe individë 80 dhe madje 90 vjeçarë pa të drejtë vote dhe që e kanë mbaruar mandatin e të qenurit antar të rregullt të Akademisë së Shkencave! Kjo masakër në votim ka për qëllim të realizojë masën elektorale për të kryer farsën zgjedhore në Akademi. Skandali i akademikëve që prej 30 vjetësh janë shkëputur nga cdo kërkim shkencor bashkohet kështu me mbytjen e zëri të cdo kandidature rivale në zgjedhje. Kjo lidhet edhe me inkrimimin e akademikëve të ndryshëm nëpërmjet shkeljeve ligjore dhe administrative që janë ulur këmbëkryq në atë institucion!

3. Kjo farsë elektorale vjen krejt në kundërshtim me vendimet e Asamblesë për reformimin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë marrë thuajse dy vjet më parë duke uzurpuar pushtetin në këtë Akademi pa pritur as kuadrin e ri ligjor reformues as përpilimin e akteve statutore dhe as pranimet e reja. Dëshira për pushtet e grupit uzurpator në Akademinë e Shkencave për të fshehur zullumet atje, rezulton më e fortë sesa respektimi i vendimeve zyrtare për reformim.

4. Kjo farsë elektorale u bë e mundur edhe në sajë të praktikave të antikushtetuese të ndjekura në Komisionin e Edukimit dhe të Mjeteve të Informacionit, me bllokimin e procedurave atje nga ana e ekzekutivit që i dha mundësinë grupit drejtues në Akademinë e Shkencave të veprojë jashtë cdo kuadri ligjor të reformuar.

5. Farsa elektorale që realizohet sot në Akademinë e Shkencave është një dështim i madh në politikat qeveritare dhe në angazhimet personale të kryeministrit Edi Rama për gjoja reformimin e Akademisë të Shkencave duke ja shitur atë kryetarit të njerës nga partitë që rezulton në koalicion partiak politik qeveritar. Shkenca u shit për qëllime pragmatiste elektorale politike. Kjo është një përgjegjësi e madhe e pa precedentë në të gjithë historinë e akademive të shkencave në të gjithë botën! E gjitha kjo u krye me veprimin aktiv dhe mosveprimin e paligjshëm të Ministres të arsimit Besa Shahini, e cila e ka shprehur tashmë hapur synimin e saj kobëzi për shkrirjen e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë !

6. Unë ende shpresoj se Presidenti i Republikës z. Ilir Meta që e ka në kompetencë ekskluzive ligjore miratimin ose jo të kryetarit të akademisë të shkencave nuk do ta miratojë këtë farsë elektorale dhe as rezultatin e saj. Po ashtu shpresoj ende se do të ketë forca që për përgatitjen e kuadrit të ri ligjor reformator do të përpunojnë ato norma ligjore që do ta bëjnë të pavlefshme farsën elektrale të 24 majit 2019! Po ashtu sapo Shqipëria të ketë Gjykatë Kushtetuese, unë do të bëj çmos të motivoj ata që e kanë këtë të drejtë për ta ngritur para saj çështjen e kësaj farse të padëgjuar elektorale.

7. Nëse edhe këto mekanizma nuk funksionojnë, atëhere unë paralajmëroj të gjithë opinionin publik dhe sidomos komunitetin intelektual dhe universitar të vendit se kombi ndodhet përpara rreziqeve për t’i dëmtuar edhe dijen edhe ndërgjegjen e tij! Në këtë rast, unë do të marr të gjitha veprimet e deklaruara për t’u distancuar nga një Akademi Shkencash që do të ishte preja e një puçi institcucional dhe e inkriminuar institucionalisht!

8. Unë mbetem i bindur se komuniteti shkencor dhe universitar i vendit nuk pajtohet me një akademi shkencash të plakur, parazitare, të mbyllur në vetvete, me privilegje të pamerituara, pa produkt shkencor, jashtë çdo funksioni, që uzurpon rolin e institucioneve të tjera shkencore, dhe që është bërë vendi i trafiqeve të influencave, e vendosur nën thundrrën e politikës si kjo e sotmja!

Unë mbetem shumë optimist sepse e keqja e arriti kulmin e vet, tani ajo nuk ka se çfarë bën tjetër veçse të njohi humnerën e saj!

Për këtë unë nuk do të rresht veprimet e mia duke qenë kurdoherë i motivuar për të kryer të gjitha detyrat në kërkimin shkencor me statuset dhe funksionet që as nuk m’i ka falur njeri as lejoj t’i preki njeri!

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY