Me arsyetimin se nuk ka prova të mjaftueshme, Gjykata e Tiranës ka vendosur të zbusë masën e sigurisë për Ervis Martinajn, ndërsa ky vendim është apeluar nga Prokuroria, që kërkon rikthimin e tij në burg.
Gazeta “Panorama” zbardh arsyetimin e Gjykatës, në lidhje me ndryshimin e masës së sigurisë, 4 ditë më parë. Në vendim, gjyqtari Artan Gjermeni argumenton se caktimi i masës së sigurisë “Arrest në burg” për Martinajn është i mbështetur vetëm në një provë, që deri më tani nuk është mbështetur me prova të tjera.
“Organi i akuzës e ka bazuar kërkesën për caktimin e masës së sigurimit, në një provë të vetme, që janë sms-të e shkëmbyera midis personit nën hetim, Ervis Martinaj, me komunikuesin tjetër të regjistruar me emrin “Aldo”, ku Ervis Martinaj shkruan: “Lidhu me cun…..Afroh….. Me arm”, por me kalimin e një kohe të arsyeshme, një provë e vetme e palidhur dhe shoqëruar me prova të tjera nuk mund të përbëjë “arsye të mjaftueshme” për vazhdimin e masës së paraburgimit, në kushtet kur edhe kjo provë e vetme nuk i përgjigjet më veprës penale, për të cilën është regjistruar procedimi e është caktuar masa e paraburgimit”, shkruhet në vendim.
Më tej, gjyqtari argumenton se nga rezultatet e aktekspertimeve për faktorët plotësues të qitjes ka rezultuar se nuk janë evidentuar mbetje të këtyre faktorëve në duart apo veshjet e 36-vjeçarit.
“Në kushtet kur referuar përfundimeve të aktekspertimit balistik dhe faktorëve plotësues të qitjes, të marra nga duart, fytyra dhe teshat e personit nën hetim Ervis Martinaj nuk janë evidentuar nitrite dhe nitrate, të cilat ndodhen dhe te mbetjet e qitjes me armë zjarri apo faktorë dhe elementë të tjerë kimikë, të cilët janë pjesë e mbetjeve të qitjes me prejardhje nga armët e zjarrit, si dhe deklarimeve të personave të tjerë të pranishëm në vendngjarje ku asnjë prej këtyre personave nuk evidenton në asnjë moment personin në hetim Ervis Martinaj si pjesëmarrës direk apo indirekt në konfliktin e ndodhur brenda ambienteve të subjektit ‘Monopol’ ku u zhvillua ngjarja, Gjykata çmon se dyshimi i arsyeshëm i bazuar në prova është i ‘zbehtë’ për sa i përket veprës penale të ‘Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese’ në bashkëpunim, mbetur në tentativë (neni 79 shkronja ‘dh’ dhe 25 e 22 i K. Penal). Dhe se në gjendjen që janë provat, veprimet e personit nën hetim Ervis Martinaj, kualifikohen në fazën përgatitore të veprës penale, për të cilën është regjistruar procedimi dhe jo në atë të tentativës sikurse pretendon organi i akuzës”, argumentohet më tej.
Por, këto argumente të Gjykatës së Shkallës së Parë konsiderohen si të pabazuara nga Prokuroria. “Në këtë fazë të hetimeve dhe në këtë moment procedural, Gjykata e hetimeve paraprake nuk ka asnjë tagër dhe mundësi ligjore të shqyrtojë themelin e çështjes penale dhe as bazueshmërinë e faktit në prova.
Gjykata ndalohet të kryejë kualifikimin ligjor të veprës penale për sa kohë çështje penale është ende në fazën e hetimeve paraprake”, argumenton Prokuroria në ankimimin e dorëzuar në Apelin e Tiranës.
Prokuroria apelon vendimin: Martinaj të rikthehet në burg
Duke e konsideruar si të pabazuar dhe jokorrekt vendimin e Gjykatës, Prokuroria e Tiranës ka dorëzuar ankimin në Gjykatën e Apelit. Sipas Prokurorisë, nga hetimet e deritanishme rezulton se Martinaj ka pasur rol aktiv në ngjarje dhe se ndaj tij rëndojnë edhe akuza të tjera.
“Përfundimi i Gjykatës që veprimet e të hetuarit Martinaj përfshihen në kuadër të përgatitjes së veprës penale, nënkupton konstatimin e mungesës së përgjegjësisë penale së të hetuarit Martinaj. Ky është një përfundim jo i saktë, jokorrekt, i pabazuar dhe në kundërshtim më provat e administruara deri në këtë fazë të hetimeve. Rezulton dyshimi se i hetuari Martinaj ka vepruar aktivisht në pozicionin e organizatorit dhe nxitësit të grupit të personave që e shoqëronin në ngjarjen e datës 04.10.2018. Ai ka kërkuar pjesëmarrjen në ngjarje të të hetuarit Eljon Hato (alias Esmeraldo Hato), ku ky i fundit, këtë mesazh elektronik rezulton nga akti i ekspertimit teknik i aparatit celular në përdorim të tij, ua ka kaluar personave të tjerë. Në këto rrethana, rezulton se i hetuari Martinaj ka kryer veprime aktive që tejkalojnë fazën e përgatitjes së veprës penale, pasi veprimet e mëpasshme të personave të tjerë pjesë e grupit të tij në ngjarje, kanë vijuar me përplasje me armë zjarri në vendin e ngjarjes. Të gjitha këto veprime të tyre janë koordinuar dhe nxitur nga i hetuari Martinaj”, argumenton Prokuroria.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/