“Rrokullisja dhe zvarritja e Rilindjes pas orëve e ditëve të pushtetit në ikje, thjesht mbjell dëm, pesimizëm social, deprimim të rëndë ekonomik dhe varfëri eksplozive”.
Kështu shprehet nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili në një reagim të tijin në Facebook.
Duke e quajtur sistemin mbi të cilin qeveris Rama një “Rilindje policore”, Vasili shton se, kjo vetëm sa po rëndon keqas veten dhe po dëmton padrejtësisht shqiptarët, por vetëm për pak kohë…
Postimi i plotë i Petrit Vasilit:
Politika policore e rilindjes si gremisje e saj jashtë Sistemit!
Politika policore, sjellje policore, qëndrime policore, mbrojtje policore: është ky kursi i gremisjes pa kthim të Rilindjes jashtë sistemit politik, demokratik e pluralist.
Paaftësi qeverisjeje, paaftësi mendimi politik, paaftësi menaxhimi dhe paaftësi kulturore, kjo është diagnoza e një Rilindjeje, që gremiset, s’qëndron dot më në sistem.
E lindur mbi superficialitetin, mbi demagogjinë violente dhe pa përmbajtje, mbi dogmën e formës pa substancë, Rilindja në pushtet është vetëm një rrokullimë e zhurmshme jashtë sistemit.
Kjo rrokullisje e zvarritje e Rilindjes pas orëve e ditëve të pushtetit në ikje, thjesht mbjell dëm, pesimizëm social, deprimim të rëndë ekonomik dhe varfëri eksplozive.
Lindur mbi një grabitje kriminale zgjedhore në 2017 dhe duke ngritur pushtetin mbi këtë ilegjitimitet, Rilindja është kthyer në simbolin e imponimit të antishtetit ilegjitim dhe antisistemit politik armiqësor kundër qytetarëve.
Duke kapur dhunshëm drejtësinë, ashtu siç grabiti dhunshëm zgjedhjet, Rilindja po kërkon të bllokojë me çdo kusht të vërtetën e zgjedhjeve, që dosjet 339 e 184 në mënyrë pastërtisht ligjore kanë provuar.
Ky bllokim është thjesht një rrënim i mëtejshëm antisistem i Rilindjes, pasi e vërteta e grabitjes së zgjedhjeve njihet tashmë nga të gjithë shqiptarët dhe falë VOA-s ka kaluar edhe oqeanin, ndaj përpjekja e Rilindjes në agoni për ta bllokuar të vërtetën është si “të futësh minaren në xhep.
Legjitimimi i qeverisjes përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme është e vetmja zgjidhje, është e vetmja rrugë dhe është i vetmi opsion për të shpëtuar shtetin nga rruga e zhbërjes dhe për të filluar me pas të ngremë të gjithë së bashku shtyllat e thyera të Parlamentit të as gjësuar e monist, të drejtësisë së kapur dhe të medias së shantazhuar e poseduar me mekanizma kriminale.
Në ditët shumë të rënda, që Shqipëria po kalon Rilindja është strukur pas skafandrave e mburojave të policisë, pas gazit helmues e shkopinjve të gomës, pas arrestimeve e shantazhimeve policore duke dalë përfundimisht jashtë sistemit demokratik e pluralist.
Thellimi i fajit të rëndë të Rilindjes duke u sjellë si një sekt policor po e bën atë gjithmonë e më të pashpresë.
Asnjë instrument kushtetues, ligjor dhe politik nuk mund të zëvendësohet nga Policia dhe logjika policore.
Ky shpërdorim i dhunshëm antiligjor i Policisë thjesht do të shkatërronte rolin detyrat dhe funksionin e Policisë, duke e shndërruar atë në një trupë të urryer dhe armike të popullit.
Ndërkohë që nga ana numerike, kjo Polici është qesharake përballë popullit, i cili nuk ka pasur asnjë herë synim të ndeshet me Policinë, pasi Policia është një hiçgjë përballë fuqisë së pamatshme popullore.
Regjimi rilindas dhe Kryeministri që fshihet pas potureve të policëve dhe pas frëngjive të “Twitter” e “Facebook” kanë zgjedhur rrugën e vetizolimit, vetasgjësimit dhe vetëdaljes plotësisht jashtë sistemit politik, nëpërmjet policizimit të shoqërisë pluraliste dhe demokratike.
Sot, detyra e rindërtimit të sistemit të zhbërë nga Rilindja, e ringritjes së shtetit duke dërrmuar antishtetin dhe e rindërtimit të demokracisë së votës së lirë që shkatërron autokratizmin policor të Rilindjes, është një mision pa kthim.
Kemi përfundimisht një qeveri e Kryeministër që kanë dalë me dashje të kriminalizuar jashtë sistemit demokratik.
Ndaj, ringritjen e sistemit nuk mund ta ndalë kurrkush.
Rilindja policore vetëm sa po rëndon keqas veten dhe po dëmton padrejtësisht shqiptarët, por vetëm për pak kohë…
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/