Presidenti Meta: Jemi buzë greminës, partitë të largohen nga pozitat e të...

Presidenti Meta: Jemi buzë greminës, partitë të largohen nga pozitat e të fortit

75
0
Shares

Në një intervistë për Ora News, presidenti i Republikës Ilir Meta ka komentuar zhvillimet e fundit në vend, takimin me krerët e partive opozitare për zgjidhjen e ngërçit dhe Samitin e djeshëm të mbajtur në Berlin mes qeverive të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Sipas kreut të shtetit, “partitë të largohen nga pozitat e të fortit për të bërë të mundur shmangien e krizës së pakthyeshme me pasoja të paparashikueshme.

Sipas Metës, tashmë jemi në tehun e greminës.

Ky takim ishte një mesazh i qartë që duhen shtuar përpjekjet dhe kontributet nga të gjithë për të evituar rrëshqitjen e pakthyeshme drejt një krize të pakontrolluar, e cila vë në diskutim edhe vetë pluralizmin politik dhe vetë bashkëjetesën demokratike.

Të gjitha partitë parlamentare opozitare jo vetëm kanë vendosur të largohen nga parlamenti, por edhe një vendim tjetër për të mos u regjistruar në zgjedhjet e dekretuara prej kohësh në 30 qershor.

Mendoj që takimet janë të rëndësishme dhe janë të domosdoshme dhe të gjithë duhet të reflektojnë për të mos vazhduar askush nga pozitat e të fortit, atje në tehun e buzës së greminës. Atje këmba mund të rrëshqasë edhe pa dashje për të shkuar në një krizë të paparashikuara.

Unë shqetësimet e mia i kam ngritur prej kohësh, për përpjekjet e mia të vazhdueshme për të parandaluar një situatë të tillë, sepse mungesa e dialogut do të akumulojë një hendek që do të çojë në kriza. Këtu një problem serioz ka qenë dhe mbetet mungesa e Gjykatës Kushtetuese, problemet e mëdha të sistemit gjyqësor që në bindjen time nuk vijnë nga reforma në drejtësi, por nga mënyra e njëanshme jashtë dialogut politik dhe në mungesë të respektit, parimeve kushtetuese dhe afateve kushtetuese, për krijimin në kohë të institucioneve që do ta kishin evituar një situatë të tillë. Më duhet të theksoj, për hir të së vërtetës dhe problemit që është krijuar se unë kam qenë kundër vetingut për Gjykatën Kushtetuese, kur ka nisur procesi i reformës në drejtësi. Kam patur shqetësimin që mund të kemi një situatë, ku të kemi një anëtar që ka mbaruar mandati, po qoftë edhe 2-3 të mungojnë nuk është pak për një trup kaq të kufizuar dhe me kaq përgjegjësi siç është Gjykata Kushtetuese.

Në Shqipëri Gjykata Kushtetuese ka qenë një institucion i respektuar dhe i pranuar nga të dyja palët. Në tërësi Gjykata Kushtetuese ka marrë vendime në përputhje me interesin kombëtar apo interesin publik. Unë në pozitën time si kryetar i Kuvendit jam kujdesur që gjithçka të shkonte perfekt  me shortin e KED në dhjetor 2016, por edhe si President në përpjekjen time për t’i dhënë një zgjidhje përfundimtare dhe për të shmangur çdo situatë ekstraligjore për krijimin e KED, kam bërë të gjitha përpjekjet e mia dhe për fat të keq kemi humbur më shumë se dy vjet dhe për këtë unë nuk e fajësoj dot opozitën.

Në rast se ne do të kishim sot një Gjykatë Kushtetuese funksionale dhe të besueshme unë do të mbaja fjalimet më të zjarrta kundër sabotimit që po i bën opozita në Shqipëri integrimit evropiane. Opozita nuk ka asnjë përgjegjësi për faktin që Shqipëria sot nuk ka Gjykatë Kushtetuese, nuk dua të them kush janë. Presidenti ka bërë përpjekjet që gjithçka të bëhet në respekt të Kushtetutës që është votuar me konsensus për të parandaluar një situatë të tillë”, u shpreh Meta.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY