Dy drejtuesit e burgjeve përplasen ashpër, i “kujtojnë” njëri- tjetrit burgun

Dy drejtuesit e burgjeve përplasen ashpër, i “kujtojnë” njëri- tjetrit burgun

198
0
Shares

Disa të dënuar, kryesisht të sigurisë së lartë, që konsiderohen “VIP”, kanë përplasur drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve, Agim Ismaili, me drejtorin e Policisë së Burgjeve, Bardhul Kaçori.

Ka qenë Ismaili, që ditën e hënë, më datë 22 prill 2019, u ka nisur një email të gjithë vartësve të tij, drejtuesve të IEVP-ve në të gjithë vendin, duke përfshirë edhe kreun e Policisë së Burgjeve, Kaçorin.

“Takimet konfidenciale e joinstitucionale me të burgosurit VIP nga drejtues, janë transferim i pushtetit të administrimit të burgut tek ata”, ky ka qenë subjekti i email-it të nisur nga Ismaili. Sipas këtyre email-ve, që u publikuan dje në “Balkanëeb”, duket qartë një gjuhë me tone të ashpra, madje dhe me kërcënime me burg që Ismaili u drejtohet vartësve të tij.

Ndër të tjera, Ismaili flet për takime të padokumentuara të zyrtarëve të burgut me të dënuar VIP. Këta zyrtarë ai i paralajmëron me burg. I menjëhershëm ka qenë reagimi i drejtorit të Policisë së Burgjeve, Bardhul Kaçori, i cili informon Ismailin se ka vepruar konform ligjit, duke dëgjuar nga afër problematikat e të dënuarve. Kaçorri i përgjigjet edhe kërcënimit të eprorit për burgun.

“Nuk dëshiroj të jem me ta (në burg), pavarësisht eksperiencave negative që kanë ndodhur me Drejtorët e Përgjithshëm (nënkupton Arben Çukon, i cili u arrestua pas dyshimeve për korrupsion), fatkeqësisht kohët e fundit. Nuk mendoj se ju e keni këtë mundësi për të më bërë edhe mua banor të përkohshëm të ndonjë IEVP për shumë arsye”, shkruan Kacori.

Të tjera emaile janë shkëmbyer mes dy krerëve të Burgjeve, të cilët në vend që të menaxhojnë situatën në të gjitha IEVP në vend, që për hir të së vërtetës, siguria në to lë shumë për të dëshiruar dhe ka një mal probleme, për shkak se shumë të dënuar VIP bëjnë ligjin brenda mureve, harxhojnë kohë dhe energji duke kërcënuar njëritjetrin me burg apo etiketuar policët si “kaqolë” apo institucionin si “magazinë kavanozësh”. Më poshtë, komunikimi i plotë elektronik mes drejtuesve.

EMAIL-I NGA DREJTORI I PËRGJITHSHËM I BURGJEVE, AGIM ISMAILI, DREJTUAR DREJTORIT TË POLICISË SË BURGJEVE DHE DREJTUESVE TË IEVP-VE

Subjekti: Takimet kofidenciale e joinstitucionale me të burgosurit VIP nga drejtues, janë transferim i pushtetit të administrimit të burgut tek ata.

Të nderuar, kam informacione që nga drejtues e funksionarë të ndryshëm kryhen takime joinstitucionale dhe të padokumentuara me të burgosur të caktuar, kryesisht VIP. Varianti i menaxhimit të burgut, ruajtjes së qetësisë e normalitetit aty, përmes kreditimit e trajtimit preferencial të VIP-ave është efektivisht një transferim i pushtetit të administrimit të burgut tek ata.

Çdokush që i takon konfidencialisht, ka kryer një shkelje shumë të rëndë dhe goditje të fortë ndaj punonjësit të Policisë, i cili, gjatë këtyre takimeve të shefave, rri si kaqol mbas dere. Ata janë të burgosur si gjithë të tjerët, respekti ndaj integritetit të tyre e lirive e të drejtave të parashikuara në aktet rregullative është busulla e veprimit tonë, poooor takimet joinstitucionale, konfidenciale, të padokumentuara përbëjnë një akt që nuk ka lidhje me detyrën, por edhe drejtpërdrejt kundër saj.

Të burgosurit janë të barabartë, pavarësisht krimit të kryer, forcës fizike, fuqisë ekonomike, mbështetjes kriminale apo ndryshe nga jashtë burgut. Nëse nuk i trajtojmë kështu, efektivisht jemi bërë pjesë e suportit ndaj tyre dhe efektivisht duhet të jemi aty me ta (në burg) e jo duke qeverisur burgun.

Është evidente se sa i motivuar do jetë një polic apo oficer trupe përballë të burgosurve VIP gjatë veprimeve që kryhen për ditë, ndërkohë që x apo y drejtor i takon konfidencialisht ata. Çfarë ju thotë ky drejtor? Ku e dokumentoi veprimin? Çfarë zgjidhi? Do marr masa për të verifikuar raste kësisoj dhe pa dyshim që reagimi im do jetë “propozim për shkarkim”, por ky është vetëm fillimi.

PËRGJIGJJA ME E-MAIL NGA DREJTORI I POLICISË SË BURGJEVE, BARDHYL KAÇORI

Z.Drejtor, në përgjigje të informacionit të përcjellë nga persona anonim, pa karakter dhe vazhdimisht tek ju për takimet VIP (të cilët i cilësoni në mënyrë të përsëritur të tillë) dhe i quani jo institucionale, ju bëj me dije se:

Nuk quhet takime por kontakte me të dënuarit, se janë të paparashikuara, pavarësisht problematikave që ata i kishin përcjellë para shumë kohësh. Varianti i menaxhimit të burgut përmes kreditimit e trajtimit preferencial ka të bëjë me shumë me paaftësinë për t’u përballur ju dhe ndonjë tjetër me këta VIP-a, për problematikat që ata kanë dhe i shprehin në mënyrën e tyre kur rregulli ia parashikon.

Dhe mospërballja me ta u jep kredite dhe autoritet fals. Unë gjithmonë i trajtoj të dënuarit të barabartë në të drejta dhe zbatueshmëri ligjore. Takimet konfidenciale nuk arrita t’i kuptoj në këtë email, kur unë shoqërohem nga një staf policor si çdo person tjetër që ligji lejon hyrjen në IEVP pa autorizim, mos vallë ju duhet të më autorizoni mua për të bërë detyrën time dhe më shumë tuajën për këto kohë? Nuk dëshiroj të jem me ta (në burg), pavarësisht eksperiencave negative që kanë ndodhur me drejtorët e Përgjithshëm, fatkeqësisht kohët e fundit.

Nuk mendoj se ju e keni këtë mundësi për të më bërë edhe mua banor të përkohshëm të ndonjë IEVP për shumë arsye. Për sa i përket motivimit të punonjësve, ata shohin vazhdimisht aftësinë time për t’u përballur në mënyrë të drejtpërdrejtë, duke argumentuar me zë të lartë të drejtat dhe detyrimet me persona, të cilët janë problematikë në shumë aspekte, ku takimet e mia janë dhe të orientuara shumë herë nga ata si një nevojë për t’u dhënë autoritet të gjithë punonjësve. Ky, Drejtori, ju thotë atyre që do drejtoj me mend, me qetësi, pa korrupsion, me korrektësi, barazi dhe trimëri.

Që të mos lodhesh duke verifikuar kontaktet e mua, po ju listoj të gjithë personat që takova sipas informacionit tuaj anonim: Alfred Shkurti, Enver Dondollaku, Viktor Imeri, Denis Shtraza, Selman Myrto, Astrit Peqini, Eduart Peqini, Altin Kodra, Gazmend Braka, Agim Pepa, Fredi Aliaj, Armand Hasani, Dritan Dajti, Hektor Voci, Klajdi Sherrmadji, Arben Grori, Dritan Kateshi, Taullant Balliu, Alfred Qefalia, të gjithë të dënuar të sigurisë së lartë. Ndërsa super VIP-i ishte Dejvis Rustemi, i cili më ngatërroi me drejtorin e Përgjithshëm duke me kërkuar konfidencialitet, pasi po fliste me një nipin tuaj në telefon me mbiemrin Bushati (nëse është i vërtetë).

Drejtor, paraprakisht, duhet të konsultoheshe me mua, përpara se të përcillje email-in. Ju akuzoni padrejtësisht, kërcënoni padrejtësisht, ofendoni padrejtësisht. Unë kisha shumë gjëra për ju dhe të tjerë, por mendoj pas një periudhe 3- mujore, ju detyrimisht do ta ndryshoni këtë STIL pune si një periudhë stanjacioni, pasi burgu nuk është magazinë kavanozash, por një jetë me problematike ku zgjidhjet priten më shumë nga ju, përveç stuhisë ndëshkimore që po kalojmë me shumë dhimbje dhe stres. Nuk di sa sintetik ishte me këtë përgjigje. Por të garantoj vetëm sinqeritet për sa të shkrova.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY