KOMENT/ Patozi nuk bind!

KOMENT/ Patozi nuk bind!

94
0
Shares

Nga Ergys Mertiri

Pasi u bë një kohë e gjatë në një gjendje thuajse pasiviteti politik, Astrit Patozi u shfaq në publik, duke prezantuar një parti të re. Gjithçka erdhi krejt papritur, madje edhe firmat i mblodhi në një kohë rekord, duke ia dalë t’i mbyllë letrat vetëm një ditë para skadimit të afatit që e lejon të hyjë në zgjedhje. Natyrisht, ai e kishte lënë që herët hapur mundësinë e krijimit të një partie, por në asnjë moment nuk u duk të bënte hapa në funksion të kësaj dhe, mbi të gjitha, nuk arriti të krijonte dot një fluks për të hedhur shtratin e duhur në funksion të këtij projekti.

Çfarë ndodhi? Pse kjo shfaqje e papritur, vetëm tani, pasi e gjithë opozita ka dalë në rrugë, duke lënë bosh vendet në institucione?

Një shpjegim i drejtpërdrejtë mund të jetë se z. Patozi vetëm po përfiton nga situata. Mungesa e opozitës në zgjedhje duket një rast i mirë për të mbushur një pjesë të vakuumit, të cilin më vonë ajo mund të mos e rifitojë dot më. Por, në fakt, kushdo që e njeh mirë realitetin politik në vend, dhe Patozi është një njohës i tillë i shkëlqyer, e ka të qartë se shanset për një këtë skenar janë shumë të vogla. Hyrja në zgjedhje kur opozita është në bojkot, përfshirja në institucione kur ajo është e gjitha në protestë do të konsiderohej doemos dhe po konsiderohet masivisht tashmë si një akt tradhëtie nga demokratët. Askujt nuk do t’i leverdiste në këto kushte të sakrifikonte më kot kredencialet e veta, pa pasur një mbështetje nga faktorë të tjerë, qofshin këta nga maxhoranca apo ndërkombëtarët.

Kjo do të thotë se z. Patozi ka hyrë në zgjedhje jo për të garuar, por vetëm për të marrë pjesë, në funksion të krijimit të kushteve aparenciale për legjitimitet. Natyrisht, zgjedhjet nuk mund të mbahen pa një opozitë dhe Ramës dhe ndërkombëtarëve iu duhet doemos një figurë për këtë. Që të ketë garë, ka nevojë për më shumë se një garues. Ramës i duhet një kundërshtar për të qenë fitues, ndërsa ndërkombëtarëve iu duhen të paktën dy rivalë për të qenë arbitër. Në mungesë të rivalëve të vërtetë duhen shpikur rivalë alternativë dhe Bindja Demokratike po hyn në lojë pikërisht me këtë mision.

Gjithçka duket se ka qenë një zgjedhje e minutës së fundit. Pas një procesi të vështirë për të bindur kandidatët e fundlistave të pranonin mandatet e braktisura, problemi i dytë është se ata nuk mund të formojnë dot një forcë politike konkurrente. E ashtuquajtura “opozitë e re” është veç një grumbull individësh jopërfaqësues, që nuk formojnë dot një organizatë. Bindja Demokratike do të jenë kështu ombrella portative e krijuar për të grumbulluar deputetët e rinj, në mënyrë që të mund të sajohet një opozitë artificiale, sa për të hedhur lumin.

E krijuar në vrap e sipër, partia e re tregon se është krejtësisht e papërgatitur dhe nuk ka gati asgjë për të ofruar; as infrastrukturën organizative, as parimet politike që promovon, as pikëpamjet idelogjike për të prodhuar një frymë. Megjithë prezencën e liderit të saj në publik, ajo nuk ka shfaqur deri tani asnjë program dhe asnjë ide të qartë mbi aksionin e saj politik. Vetë kryetari i saj duket i përgjumur dhe po tregon se nuk ka asnjë motivim për betejë në zgjedhjet ku pret të kandidojë. Idetë që transmeton mbi rrëzimin e sistemit, shkatërrimin e dy partive kryesore, ndryshimin e kodit zgjedhor, janë thjesht demagogji të atypëratyshme, të papërpunuara mirë, të paqarta dhe kontradiktore.

Siç z. Patozi e tha vetë në një studio televizive, kjo parti ngrihet mbi pretendime të mëdha për të rrëzuar sistemin politik të deritanishëm, për të sjellë një frymë të re, e cila do të transformojë realitetin politik në vend. Ai nuk arriti të sjellë as një alibi për të legjitimuar faktin se kjo frymë e re po krijohet nga një figurë politike që vjen nga zemra e sistemit të vjetër. Vetë tërheqja e znj. Hajdari në moment të fundit, një ditë para miratimit në gjykatë, pasi kishte lënë të kuptohej se do ishte ajo violina e parë e kësaj force të re, tregon se ideja është krejtësisht e paqartë dhe e papjekur mirë.

Gjithashtu, ai foli për idetë e mëdha që kjo parti do të sjellë në arenën politike shqiptare, duke pohuar se idetë do të jenë vlera themelore e saj, më shumë se njerëzit. Por ai nuk paraqiti vetë asnjë ide të tillë, preku vetëm nevojën për ndryshimin e sistemit zgjedhor, ku përmendi si mundësi alternative thjesht variantet standarde të sistemeve elektorale të mirënjohura, pa treguar aspak se cila prej tyre i duhet vendit. Në fakt, politika e deritanishme nuk është se ka vuajtur shumë për ide, por për njerëz që t’i kenë patur ato seriozisht.

Mbi të gjitha, z. Patozi është kontradiktor me veten, nëse i referohemi qëndrimeve të tij të mëparshme. Një vit e gjysëm më parë, ai bojkotoi zgjedhjet për kreun e PD-së, ndonëse ishte prezantuar publikisht si një kandidat real për të mundur Lulzim Bashën. Ai i konsideroi ato si zgjedhje të kapura nga kryetari, ndaj dhe refuzoi të marrë pjesë, me argumentimin se nuk mund të bëhej koperturë e një gare të gënjeshtërt. Jo vetëm kaq, por ai dhe grupi i tij sulmuan z. Selami, kur ky i fundit vendosi të kandidojë kundër Bashës. Ata e akuzuan z. Selami se me kandidimin e tij po legjitimonte procesin. Z. Patozi sot po pranon të bëhet koperturë e Ramës, nëse e gjykojmë me të njëjtën logjikë.

Kjo do të jetë, natyrisht, një handikap i madh në legjitimimin e aksionit të tij politik kundër lënies së mandateve dhe gjithçka tregon se z. Patozi do ta ketë shumë të vështirë që “Bindjen” e tij ta bëjë të besueshme. Ai zgjodhi të rihyjë në politikë nga dera e gabuar. Në vend që të bashkohej me protestën dhe të luftonte fort për të qenë një zë energjik në opozitë, ai zgjodhi të fitojë qyl, duke shfrytëzuar rastin kur opozita ka zbritur në shesh për betejë. Kjo e bën partinë e tij një forcë aspak premtuese, cilido qoftë skenari apo motivet që e shtynë për të ardhur deri këtu.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY