“Lufta brenda llojit, Rama godet Bushatin përmes Cakajt”

“Lufta brenda llojit, Rama godet Bushatin përmes Cakajt”

99
0
Shares

Analisti Armand Shkullaku i ka “uruar” mirëseardhjen në organizatën e Rilindjes Genti Cakajt, ministri i ri i Jashtëm Shqiptar që u prezantua nga kryeministri si njeri i dijes dhe i librit.

Por sipas Shkullakut, dalja e fundit e Cakajt, për të lajmëruar shkarkimin e disa diplomatëve shqiptarë, tregoi se njeriu i librave dhe i mençurisë u përdor rëndon nga vetë “Skënderbeu”.

Edi Rama prej kohësh ka një marrëdhënie të ftohtë dhe të thyer me ish Ministrin e Jashtëm Ditmir Bushati dhe për të goditur këtë të fundit, shkruan Shkullaku, kryeministri përdori ministrin e tij të Jashtëm Gent Cakaj.

Shkrimi i plotë:

Ministri i Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj, vërtetoi edhe njëherë këto ditë aksiomën e njohur shqiptare se organizata e mbyt individualitetin, sado i spikatur të jetë ai. I prezantuar si një mendje e ndriçuar, si një intelektual i formuar mbi lirinë e bindjeve apo parimeve tek të cilat beson si individ, si një i ri i ardhur nga bota e librave dhe jo si një prurje e përroit që sjell “skënderbegas” dhe adhurues pa kushte të liderit maksimal, ministri në detyrë zhgënjeu me konferencën e tij të papritur për shtyp, ku doli për të komunikuar “diçka të rëndësisë së veçantë”.

Zhgënjimi nuk ka të bëjë me mënyrën se si foli apo me fjalët që ishin përzgjedhur për të kumtuar mesazhin e tij. Shijen e keqe e krijoi fakti se djaloshi i formuar në perëndim, pranoi të bëhet menjëherë pjesë e intrigës së vogël brenda organizatës së Rilindjes. Një ministër i rangut kaq të lartë, siç është ministri i Jashtëm, del përpara kamerave kur ka vërtet një komunikim të rëndësisë së veçantë: hapja e negociatave fjala vjen, një marrëveshje e rëndësishme për shtetin, një kumt që prek dhe i intereson gjithë shoqërisë. Largimi nga puna i 10 apo 20 nëpunësve të administratës, nuk është ndonjë akt që kërkon impenjimin personal të ministrit për të dalë përpara shqiptarëve. Eshtë një procedurë që ndodh rëndom në shumë dikastere.

Por ajo që u kuptua nga dalja me zë dhe figurë e ministrit në detyrë, ishte se komunikimi i rëndësisë së veçantë qe diçka tjetër. Ai nuk kishte të bënte as me lajmërimin për largime nga puna dhe as me ftesën publike për vende të lira pune në ministrinë tonë të Jashtme. Rëndësi e veçantë ishte fakti se ministri i Jashtëm de jure, vetë lideri i organizatës, kishte vendosur që nëpërmjet zëvendësit të tij të godiste paraardhësin, i cili i është kthyer në shqetësim brenda klanit të tij. Prej kohësh flitet për një ftohje në ekstrem mes Edi Ramës dhe Ditmir Bushatit. Njerëzit pranë kryeministrit gjithnjë e më shumë kanë lënë të kuptohet se Bushati, por edhe disa të tjerë brenda organizatës, po tentojnë të krijojnë një lloj kundërshtie, sado të zbehtë dhe të ndrojtur, ndaj mënyrës se si lideri po e drejton kupolën. Dhe, nëpërmjet Cakës, Edi Rama vendosi t’i japë një goditje poshtëruese në publik ish ministrit të tij të “suksesshëm”, që për gati 6 vite drejtoi diplomacinë e që në fund doli nga rrezja e tij e ndikimit.

Mesazhi i rëndësishëm i Gent Cakës, ishin pikërisht deklaratat që të kujtonin një stil të njohur etiketimesh në zhargonin e organiztaës si ato për “një pellg të ndenjur të së shkuarës”, për “nepotizëm dhe klientelizëm politik, korrupsion moral, klane të krushqive e kushërinjve”, etj. Pellgu i ndenjur i të shkuarës, që do të kullohet e filtrohet tashmë me lëvizjen e 20 vetave, nuk është gjë tjetër veçse trashëgimia e Ditmir Bushatit, që, nëpërmjet komunikimit të rëndësisë së veçantë, duhej denigruar publikisht, live, përpara dhjetra kamerave.

Edi Rama i ka me shumicë megafonët e rilindjes që do ta merrnin përsipër me shumë pasion goditjen e dikujt që, edhe vetëm me heshtjen e tij, është distancuar nga organizata. Lideri ka dhjetra taulantë, gjyle dhe ahmetë që janë të gatshëm të vihen nën komandë për të çuar në vend porosinë e boss-it. Por ai zgjodhi Gent Cakën dhe zhgënjimi ka të bëjë me faktin, që edhe një djalë i ri, me atë formim intelektual si ai, pranoi të jetë një numër pa identitet në tufën njëngjyrëshe të organizatës. Ministri i Jashtëm në detyrë, doli në atë komunikim thjesht për të goditur dikë që kishte marrë guximin, ose më saktë mendimin, të shqetësonte shefin, që ka mbi supe barrën e Shqipërisë e rajonit. Lajmi nuk ishin një grusht diplomatësh që do lëvizin nga detyra, por korrupsioni moral dhe moçali klientelist i Ditmir Bushatit, të cilin djaloshi nga Prishtina e zbuloi pas dy muajve në detyrë.

Prej fillimit, kur emri i Cakës u propozua për ministër të Jashtëm të Shqipërisë, nuk kishte si të mos të binte në sy një paradoks. Ai i njeriut mendjehapur, që kult ka lirinë e bindjeve individuale dhe ndershmërinë intelektuale me atë të një organizate që modus vivendi ka shërbimin pa asnjë lloj parimi e ideologjie dhe religjion të vetëm interesin material. Paradoksi mes Gent Cakës, të formuar nga librat dhe universitetet, me atë të ushtrisë së injorantëve, që përbëjnë ingranazhet dhe zemrekun e kupolës së rilindjes.

Sigurisht që fundi është i parashikueshëm. Organizata i asgjeson librat. Për të qenë pjesë e saj duhet ta dëshmosh këtë nëpërmjet “komunikimeve të rëndësisë së veçantë”, për të cilat nuk të duhet ndonjë aftësi e jashtëzakonshem intelektuale dhe as të shërbejnë librat që ke lexuar në jetë. Mjafton të lexosh një tekst që për dekada është bërë i shpifur për veshët e shqiptarëve ose të flasësh me gjuhën e liderit. Kështu bën përpara. Prandaj mirëserdhe në organizatë.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY