Tvklan.al ka siguruar foton 45-vjeçarit Altin Koçi, i arrestuar më 15 Mars si kreu i një grupi që shpërndante drogëra të forta në disa zona të kryeqytetit.
Koçi ra në pranga gjatë operacionit të Policisë së Tiranës të koduar “Lapraka”, së bashku me dy persona të tjerë, A.D. 25 vjeç dhe 34-vjeçarja me iniciale F.C. Atyre iu sekuestruan 51.2 gram heroinë, 47 doza heroine dhe 10.3 gram kokainë. Altin Koçi dhe dy bashkëpunëtorët e tij e shisnin drogën përmes dozave nëpër gjimnaze të Tiranës, kryesisht tek “Qemal Stafa” dhe “Aleks Buda”, si dhe në zonën e Laprakës, Unazë të Re dhe në Rrugën e Durrësit.
Policia e Tiranës është duke vazhduar hetimet për të identifikuar dhe arrestuar anëtarët e tjerë të grupit. Ndërkohë, pritet që Altin Koçi dhe dy bashkëpunëtorët e tij të dalin para Gjykatës së Tiranës për masë sigurie.
45-vjeçari është person me precedent të mëparshëm penal. Në vitin 1995 kur ishte 21 vjeç u dënua me 15 vite burgim për një vjedhje me pasojë vdekjen. Në vitin 2008, ai doli nga qelia pasi përfundoi dënimin për këtë krim.
Në Qershor të vitit 2015, Koçi u arrestua sërish nga policia. Ai u kap pranë ish-Ekspozitës në Tiranë duke udhëtuar me një motor me targa AL 037. Në çantën e tij personale policia gjeti dhe sekuestroi një pistoletë TT. Uniformat blu të kryeqytetit kishin marrë informacione në rrugë operative dhe dyshonin se Altin Koçi ishte vrasës me pagesë. Sipas të dhënave operative nga policia, mendohej se Koçi do të kryente ngjarje kriminale, si vrasje apo grabitje. Por këto dyshime të policisë nuk u provuan pasi 45-vjeçari nuk bashkëpunoi me autoritetet. Altin Koçi u dënua me 2 vite burgim vetëm për armëmbajtje pa leje, për shkak se dyshimet e tjera nuk u vërtetuan. /tvklan.al
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/