Historia e komedisë ‘Revolveri’, si u arrestua punonjësi i Muzeut për armën...

Historia e komedisë ‘Revolveri’, si u arrestua punonjësi i Muzeut për armën e Qemal Stafës

218
0
Shares

Në shkrimin dedikuar historive personale në sistemin diktatorial kam prekur pjesërisht persekutimin deri në humbjen e kujtesës, apo dëmtimet serioze jetike të emrit që më pas u kthye në skeçin e dashur për kohën, “Revolveri”.

Në këtë shkrim, ky personazh na rivjen në një version edhe më ndryshe. Çfarë ndodhi në fillimet e para të viteve ‘90 me të ardhurit e parë çamë në tokën shqiptare.

Si u largua njëri prej tyre nga grupi i turistëve, duke iu fshehur syrit të Sigurimit të Shtetit, vetëm për një përqafim falënderimi me pinjollët e familjes, që i dhanë një pjesë të mirë të pasurisë së tyre. Por historia më e veçantë është ajo e Fatmir Brahos, punonjësit të Muzeut Historik Kombëtar me origjinë çame, që u torturua nga punonjësit e Sigurimit të Shtetit për humbjen e revolverit të Qemal Stafës.
Ishte kjo histori, që më pas do të kthehej në një subjekt komik nga skenaristi dhe regjisori Koço Devole.

FILMI

Ndodhitë personale të persekutimeve në fillimet e viteve ‘90 ishin historitë më zbavitëse dhe të preferuara për krijuesit. Situatat groteske dhe absurde personale, ku individi përballej me pyetjet apo më keq akoma, kudogjendjen e Sigurimit të Shtetit, frymëzuan shumë emra të artit, të cilët tashmë nisën të lëvronin në një terren të paprekur më parë. Emri i Koço Devoles nisi të evidentohej si skenarist, regjisor dhe aktor i shumë skicave të këtij humori të zi. E natyrisht shumë krijues të tjerë nisën praktikimin e ngjarjeve reale, ngjizur nga ky absurd.

Figurat e xha Brahos, Nafijes, si dhe emrave realë të sistemit, si Gradeci, apo vetë diktatori, bënë që këto copëza jetësore të ishin skeçet apo telefilmat më të preferuar për kohën. Përpëlitjet dhe dialogët anormalë të hetuesve apo punonjësve të specializuar kalonin caqet e asaj çka njerëzit ishin mësuar të shihnin dhe dinin. Nga këtu nis procesi i zbulimit të disa mistereve nëpërmjet humorit, humbëtira ku ishte hedhur një komb i tërë në emër të parimeve. Ky është privilegji i artit. Kështu mund ta perceptoje më mirë batakun ku qemë katandisur. Kjo histori i referohet viteve ‘80. U desh të kalonin rreth 10 vite që historia e revolverit të heroit të ngacmonte Veli Radën, duke e sjellë në këtë version që ne e njohim. Por çfarë ka më shumë se ajo që ne pamë?

CILI ISHTE FATMIR BRAHO

Fatmir Braho (1950-2012), çami nga Spatari e Filati, djali plot jetë e gazmor, e kishte pasion sportin (futbollist i të rinjve në klubin sportiv “Dinamo”), ndërsa puna si mekanik ishte profesioni që ushqeu me bukë familjen e tij të madhe. Ishte djali i vogël i çamëve që erdhën në fund të nëntorit në vitin 1944 pas shpërnguljes masive të këtij komuniteti nga gjenocidi i tmerrshëm grek.
Familje e madhe si në numër, ashtu edhe në emër. Në gjendje të mirë ekonomike, kokulur dhe të ndjeshëm ishte karakteristikë e kësaj familjeje që merrej me blegtori. Ymer Braho (nga Spatari) dhe Fatime Zeqirjai (nga Filati) ishin prindërit e Fatmirit, të cilët pasuria dhe bizneset që kishin në Spatar (fshat me shumicë çame pranë zonës së Igumencës), vetëm i bënë më njerëzorë ndaj më pak të fatlumëve. Ymer Braho (babai i Fatmirit) së bashku me familjen (tre fëmijë e gruan shtatzënë në kohën e eksodit) në Shqipëri erdhën kur ishin rreth të 35-ave. Nga vendi i tyre morën një pjesë të vogël të bagëtive të shumta që kishin, kalin dhe familjen e ngushtë prej 5 vetash. Tre fëmijë të tjerë do të lindnin në tokën tashmë të re dhe pak të njohur, ku më i vogli ishte Fatmiri.
Specialiteti i kësaj familjeje ishte dhe vijoi të ishte edhe në vendin e ri, bulmeti, ku bagëtia ishte me shumicë. Banorët e Spatarit rrëfejnë histori të shumta për këtë mbiemër edhe për faktin se ishte familja e myftiut të urtë e paqësor Zeqir Zeqirjai, i studiuar në Stamboll për teologji. Myftiu si tregtar dhe i shkolluar e njihte Shqipërinë, pasi vetë mbreti Zog e kishte ftuar në dasmën e tij të madhe. Kur familjet e varfra blinin në dyqanet e tyre, blerësit kishin edhe shtesën e dhuruar nga vetë i zoti i dyqaneve. Kjo rrëfehej nga banorët.
Largimi nga pasuria dhe gjithçka kishin vënë me djersë e trashëgimi, u la pas eksodit. Ndaj një pjesë e mirë e bagëtisë dhe tokat që kishin, ua dhuruan pikërisht kësaj kategorie, kryesisht ish-punëtorëve të tyre, ose komshinj grek apo çamë që vijuan të jetojnë vetëm pasi ndërruan fenë e nacionalitetit. Kjo dhuratë nuk mund të harro hej lehtë. Ata ende jetojnë e punojnë në ato prona e dyqane, të cila një pjesë janë ende në gjendje pune, ndërsa pjesa tjetër dergjet në tokën e lënë djerrë.

ÇAMËT E PARË GREKË NË SHQIPËRI DHE TAKIMI I FSHEHTË ME FATMIRIN NË MUZEUN KOMBËTAR

Kur një grup çam erdhi në Tiranë rreth viteve ‘90, ndër emrave të tjerë, kërkonin të takonin edhe Fatmirin, për të cilin kishin informacione se punonte në muze. E dinin se Muzeu ishte i mbushur me punonjësit e Sigurimit të Shtetit, ndaj kishin kujdes mos diktoheshin prej tyre. Por kujdesi ishte i pjesshëm, pasi mjeshtërit e shpërndarë, ndiqnin lëvizjet e turistëve hap pas hapi. Në Muze kishte ndodhur një incident, një nxënës i klasës së tetë, gjatë një vizite në muze, kishte marrë revolverin e heroit Qemal Stafa. Fëmija kurioz dhe i papërgjegjshëm për dëmin, mundi të marrë revolverin e reklamuar në xhamat e Muzeut nëpërmjet shkopit mbajtës së lules në krah. Kur personeli përgjegjës pikas zhdukjen e objektit, thirren në hetim tre punonjësit e ngarkuar, ndër ta edhe Fatmiri.
Por, fatmirësisht, të nesërmen nëna e djalit e dorëzon armën e vjedhur, por ndërkohë punonjësit ishin torturuar keqas brenda mureve të errët të Ministrisë së Brendshme. Vizitat e bëra në shtëpi kohë e pa kohë nga personazhet e frikshëm të Sigurimit, e degraduan situatën deri në atë pikë, sa goditet nga hemorragjia cerebrale, duke u dergjur në spital për rreth tre muaj, tashmë edhe me kujtesë të humbur. Kur çamët e ardhur si turistë kërkonin Fatmirin, ai po përjetonte një dramë të dytë, pasi tashmë kishte një histori të jetuar pas hekurave të gjysmë dritës diktatoriale. Dëshira për t’i takuar mysafirët nga larg ishte e madhe, por edhe frika e ndonjë komplikacioni ishte mbytëse.
Njëri nga turistët largohet tinëzisht dhe me ndihmën e një taksie gjen adresën e saktë të shtëpisë së tij dhe papritur i troket në derë. Me sytë e lotuar dhe përqafimet mirënjohëse, turisti midis shumë të tjerave nxjerr nga xhepi edhe një masë të konsiderueshme dhrahmish (monedha greke e kohës), duke u përpjekur të bindë tre djemtë e tij të vegjël të pranonin dhuratën modeste nga larg. Por ata refuzuan të trembur nga vështrimi i rreptë i prindërve. Kjo vizitë zgjati fare pak, në vrapin e ikjes, blic. Si hyri ashtu edhe u largua. Ky takim ishte vijimi i ankthit të dytë për të.

AKUZA 2:TENTATIVË PËR BOMBËVËNIE

Pas kësaj ndodhie, e cila nuk mbeti e pavëzhguar, rinisën hetimet dhe sulmet e reja, e bashkë me të makthi e frika. Nuk kaloi shumë dhe, ja, tek del akuza për “Tentativë të hedhjes së bombës” në muzeun e dytë, që sapo u ndërtua për nder të Enver Hoxhës, sot Piramida, ku Fatmiri ishte magazinier. Për këtë ngjarje, familjarët kanë më pak informacion, pasi Fatmiri nuk tregon asgjë. Në momentin e parë të mundshëm ai largohet nga Shqipëria dhe pasi provon tre shtete, përfundon të vendoset në Gjermani me familjen.
Ngjarja me revolverin si dhe gjithçka ndodhi me jetën e tij nuk do të ishte marrë vesh kurrë, nëse nuk do të largohej nga vendi. Ishte realizimi i intervistës si dhe arsyet për pranimin e azilit politik, shkaku i publikimit të këtij realiteti të pathënë. Deri në atë moment, familjarët nuk dinin asgjë për çka hoqi kryefamiljari i tyre. Dhe siç ndodh në vendet e lira, kjo histori rrëqethëse, tregohet me megafon në kampin ku ishin të strehuar emigrantë nga e gjithë bota në pritje të përgjigjes së dokumenteve ndenjëse.
Aty i informuan të gjithë, jo vetëm familjarët për atë çka realisht kishte ndodhur me jetën e tij. Sytë e të gjithëve ndalën vështrimin tek emri që kaloi gjithë këtë kalvar dhimbjeje. Fati e mbajti gjallë edhe disa vjet, deri në momentin e një ataku të ri cerebral për ta gozhduar në karrigen më rrota e më pas largimin nga kjo jetë e lodhur në vitin 2012.
Pas këtij rrëfimi, familjarët nisën të organizonin e lidhin copëzat e kujtimeve në periudhën kur ai përpëlitej e u përsëriste dhimbshëm nën zë – “Nuk di gjë, nuk di gjë…”, atyre që prezantoheshin si “Shokët e Fatit” dhe që në fakt… paskëshin qenë punonjësit e Sigurimit të Shtetit, të cilët kërkonin informacione si për të, ashtu edhe kolegët, pavarësisht kushteve kritike më shëndetin. Dhe kalvari i persekucionit vazhdon.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY