‘100 të drejta të mohuara’ Fuga propozon një kartë të të drejtave...

‘100 të drejta të mohuara’ Fuga propozon një kartë të të drejtave themelore universitare

201
0
Shares

Nga Artan Fuga

Për një Kartë të të Drejtave Themelore Universitare (IAL)

Propozim

100 të drejta të mohuara

I. Platformë për të drejtat e pedagogëve
——————————————-
1. – Punonjësi i universitetit gëzon drejtpërdrejt dhe automatikisht të gjitha të drejtat që ja njeh kushtetuta e RSH, ligja për arsimin lartë, kuadri i përgjithshëm ligjor në fuqi, si edhe statuti dhe rregulloret në fuqi të UT.
2. – Punonjësi akademik i universitetit është i lirë të zhvillojë të gjitha bindjet dhe idetë e tij në kërkimin shkencor dhe në mësimdhënie mjafton që ato të mos jenë të shpallura antikushtetuese nga kuadri ligjor në fuqi. Cdo penalizim ose pengesë që vjen për shkak të bindjeve ose ideve të punonjësit akademik të universiteteve konsiderohet diskriminim social dhe kulturor. Universiteti është një mjedis plural në planin kulturor, estetik, shkencor dhe ideor.
3. – Territori i universitetit konsiderohet si një zonë imunitare në planin juridik për punonjësin akademik.
4. – Punonjësi akademik i universitetit nëpërmjet pjesëmarrjes të tij në asamblenë e personelit akademik të njësisë kryesore ka të drejtë të zgjidhet dhe të zgjedhë në të gjitha funksionet e parashikuara nga ligja për arsimin e lartë, nga statuti sipas normave dhe rregullave në fuqi.
E drejta për revokim mandati.
Asambletë dhe trupat pedagogjike në nivel njësish bazë kanë të drejtë që nëse e shohin të arsyeshme, mbi bazën e një argumentimi të besueshëm dhe të qendrueshëm, mjaftueshmërisht të legjitimuar, të kërkojnë ndërprerjen e mandatit, pra revokimin, e cilitdo të zgjedhuri të tyre në detyra, poste dhe funksione drejtuese universitare.
Kjo e drejtë mund të vendosi para revokimit të gjitha trupat drejtuese, autoritete dhe instanca universitare: përgjegjësit e departamenteve, dekanët, senatorët, antarët e bordeve, rektorët.
Revokimi mund të nisi si procedurë në çdo çast mjafton që të kërkohet nga 50 përqind plus 1 e trupës që e ka zgjedhur atë autoritet, për të cilin kërkohet votëbesimi.
Pranimi ose refuzimi e vlefshmërisë të argumentave të kërkesës për revokim të një drejtuesi universitar të cdo niveli realizohet me votim të fshehtë nga senati i IAL.
Revokimi quhet i kryer nëse për të në votim të fshehtë voton 50 përqind plus 1 e zgjedhësve dhe kandidatura alternative merr njëkohësisht më shumë se 50 përqind të këtyre votave.
Për të realizuar procesin e votimit vepron një komision i përhershëm votimi në nivel IAL që ka mandat në kohë të vlefshëm si ai i të gjitha instancave drejtuese të IAL.

5. – Punonjësi akademik i universitetit gëzon sipas ligjës paprekshmërinë e personit, mbrojtjen e dinjitetit të tij kundër cdo akti që cënon lirinë dhe të drejtat e tij për ushtrimin e detyrës, si edhe mbrohet nga institucioni i arsimit të lartë kundër cdo diskriminimi, presioni, intimidimi apo cdo akti që shkel të drejtat e tij.
6. – Punonjësi akademik i universitetit është subjekti sovran në sallën ku ai zhvillon procesin mësimor. Askush nuk mund të ketë akses në të pa autorizimin e tij.
7. – Pengesa e krijuar për cdo punonjës akademik që ai të zhvillojë procesin mësimor të parashikuar konsiderohet dhe trajtohet si dhunim për shkak të detyrës.
8. – Punonjësi akademik i universitetit ka të drejtë të marrë informacion sipas një kërkese të thjeshtë me shkrim për të gjitha veprimtaritë dhe të dhënat financiare dhe administrative të njësisë bazë, njësisë kryesore, apo të rektoratit pavarësisht se në cilën prej tyre bën pjesë.
9. – Punonjësi akademik i universitetit ka të drejtë të ankimohet te instancat sipërore universitare dhe të marri përgjigje me shkrim për cdo problem që ai konsideron se është viktimë e një padrejtësie nga autoritete drejtuese apo nga vendime kolektive të marra lidhur me të ose që prekin drejtpërdrejt ose tërthorazi atë.
10. – Punonjësi akademik i universitetit ka të drejtën e pamohueshme të shpërblimit të drejtë sipas punës, shkallës të kualifikimit të tij. Ai ka të drejtën e shpërblimit sipas sasisë dhe cilësisë dhe në kohën e parashikuar në kontratën e tij të punës. Cdo vonesë në shpërblimin e tij i cel atij të drejtën e ankimit dhe të dëshpërblimit sipas interesave financiare të vonuara. Punonjësi akademik ka të drejtë të njohi të gjitha informacionet që lidhen me shpêrblimin e tij financiar, kontributet e tij shoqërore, etj.
11. – Punonjësi akademik i universitetit ka të drejtë të ketë një vend pune korrekt ku të ketë kushte të domosdoshme të punës dhe që përfshijnë të gjitha mjetet e domosdoshme që e lejojnë atë të kryejë një punë me cilësi. Kushtet e punës të pedagogut përcaktohen në kontratën e tij të punës.
12. – Punonjësi akademik i universitetit ka të drejtë të gëzojë në mënyrë të patjetërsueshme të drejta që vijnë nga legjislacioni në fuqi për të drejtat e autorit, për patentat, si edhe për të gjithë autorësinë e tij në leksione, referime shkencore, artikuj shkencorë etj.
13. – Punonjësi akademik i universitetit ka akses të lirë dhe të pakufizuar në cdo mjedis universitar. Ai pajiset me kartën përkatëse të identifikimit dhe e paraqet atë saherë i kërkohet nga personeli mbikqyrës i sigurisë.
14. – Ai ka akses të pakufizuar në fondin e librave dhe revistave të cdo njësie të universitetit, në fondin e bibliotekave, si edhe ka të drejtë te kërkojë kushtet e domosdoshme të punës për të kryer leksione me cilësi në auditore. Të gjitha shpenzimet për kushtet dhe mjetet e punës përballohen nga universiteti ku ai punësohet.
15 . – Punonjësi akademik i universitetit ka pavarësi të plotë në ushtrimin e kërkimit të tij shkencor si edhe është i lirë të mbrojë, botojë dhe shprehi të gjitha rezultatet e punës të tij shkencore, jashtë cdo presioni politik, ideologjik apo psikologjik. Askush nuk ka të drejtë të ushtrojë censurë mbi punimet dhe botimet shkencore të punonjësit akademik të Universitetit.
16. – Me përjashtim të aktiviteteve politike punonjësi akademik i universitetit ka të drejtë të organizohet në shoqata që mbrojnë interesat e tij profesionale dhe të ushtrojë aktivitet në emër të tyre në mjediset universitare sipas rregullave dhe normave që parashikohen konkretisht.
17. – Për lëndën që mbulon, punonjësi i universitetit ka të drejtën e plotë të propozojë dhe caktojë përmbajtjen e saj, bibliografinë dhe metodologjinë e përdorur, pa ndërhyrje nga persona të tretë të pautorizuar, si edhe jashtë procedurave të përcaktuara nga rregulloret e njësisë bazë ku ai merr pjesë.
18. – Punonjësi akademik i universitetit ka të drejtë të refuzojë zhvillimin e seancave mësimore nëse konsideron me arsye të mjaftueshme se i mungojnë kushtet laboratorike si edhe infrastruktura tjetër për një zhvillim cilësor të procesit mësimor.
19. – Punonjësi akademik i universitetit është sovran në vlerësimin e njohurive të studentëve në lëndën që mbulon. Cdo presion i brendshëm ose nga jashtë në këtë fushë konsiderohet si shkelje e të drejtave në punë dhe i dinjitetit profesional dhe etik i punonjësit.
20. – Cdo punonjës akademik i universitetit në kuadrin e departamentit ku bën pjesë ka të drejtë të marrë vendime kolektive për strategjinë e mësimdhënies, për numrin e studentëve të pranuar, për tarifat e studimeve si dhe për menaxhimin e procesit mësimor.
21. – Punonjësi akademik i Universitetit është i lirë dhe gëzon të gjitha të drejtat për të marrë pjesë në debate shkencore në të gjitha forumet që ai i quan të nevojshme, të japi gjykime për punën shkencore dhe atë mësimore të të tretëve brenda rregullave etike dhe administrative të njësisë bazë.
22. – Punonjësi akademik i universitetit ka të marrë pjesë në të gjitha vendimmarrjet në departament dhe asambletë e njësive bazë. Cdo privim i tij nga kjo e drejtë konsiderohet shkelje e statutit të universitetit dhe ndëshkohet si e tillë.
23. – Cdo punonjës akademik i universitetit ka të drejtë të marrë pjesë në të gjitha mbledhjet e dekanatit të njësisë ku punon, si edhe në mbledhjet e bordit, senatit dhe rektoratit të universitetit. Instanca universitare të specializuara dhe asnjëherë ad hoc, sipas statuit të universitetit. Cdo vlerësim tjetër nuk është veçse ndihmës dhe anësor, pa efekte zyrtare mbi karrierën e pedagogut.
24. – Cdo punonjës akademik universitar mund të vlerësohet shkencërisht vetëm nga instanca të specializuara universitare. Cdo vlerësim tjetër është thjesht anësor dhe nuk ka pasoja të drejtëpërdrejta mbi karrierën e tij.
25.- Cdo punonjës akademik i universitetit ka të drejtë të marrë pjesë si aksionar në të gjitha pasuritë universitare të kthyera në aksione me vlerë.
26. – Punonjësi akademik i universitetit në përputhje me etikën profesionale dhe detyrimet e tij administrative është përgjegjës për mbarëvajtjen e mesimit në auditoret ku ai lektoron dhe ka të drejtën e mospranimt të asnjë ndërhyrjeje të pajustifikuar me rrethana të pazakonta nga kushdo në auditorin ku ai është duke lektoruar.
27. – Me propozim te anëtarit të personelit akademik, me miratimin e drejtuesit të njesise kryesore, pas aprovimit nga Rektori, cdo pedagog mund të kryejë veprimtari kërkuese shkencore, botuese, të bashkëpunojë në procesin e mësimdhënies në bashkëpunim me njësi bazë vendase ose të huaja. Kjo veprimtari duhet të njihet si kontribut i tij si punonjës akademik i universitetit, të sjelli dobi për rritjen e cilësisë të mësimdhënies dhe kërkimit shkencor të universitetit, si edhe të nxisi bashkëpunimin e universitetit me universitetet dhe qendrat e tjera të kërkimit shkencor brenda dhe jashtë vendit.
28. – Për të gjitha konferencat shkencore jashtë vendit, organizuar nga institucione universitare homologe, ku punonjësi akademik merr pjesë si lektor, ka të drejtën e financimit nga ana e universitetit të tij.
29. – Punonjësi akademik i universitetit ka të drejtë të kërkojë mbulimin nga ana e universitetit të gjitha shpenzimeve për infrastrukturën, mjetet e punës, si edhe për librat që ai konsideron të domosdoshme për t’i pasur në dispozicion të tij.
30. – Punonjësi akademik universitar ka të drejtën të përfitojë nga fondi buxhetor i veçantë që mbështet botimet shkencore në open acces brenda dhe jashtë vendi.
31. – Për të gjitha tekstet që konsiderohen me nivel të lartë dhe të domosdoshme për procesin mësimor, punonjësi pedagogjik i universitetit ka të drejtë të mbështetet financiarisht.
32. – Asnjë autoritet nuk mund t’i imponohet punonjësit akademik të universitetit për të marrë pjesë në veprimtari kërkimore e shkencore që ai i konsideron në kundërshtim me etikën dhe bindjet e tij fetare, politike ose ideore.
33. – Punonjësi akademik i universitetit ka të drejtë të ketë së paku një hapësirë shkencore botimi të vendosur në dispozicion nga universiteti për kërkimin e tij shkencor.
34. – Punonjësi akademik i universitetit ka të drejtë të ketë akses të lirë në të gjitha arkivat universitare. Ai ka të drejtë t’i sigurohen nga bibliotekat universitare të gjitha revistat e huaja me nivel të lartë në disiplinat që mbulon.
35. – Cdo pedagog, punonjës shkencor, student ka të drejtën për të pasur një hapësirë virtuale dhe numerike në hapësirën në web të universitetit.
36. – Punonjësi i universitetit ka të drejtën e lejes krijuese shkencore të financuar me pagën e plotë për cdo kërkim shkencor të aprovuar nga instancat universitare përgjegjëse për të.
37. – Cdo punonjës akademik i universitetit ka të drejtën e mësimdhënies në të gjitha universitetet brenda dhe jashtë vendit me përjashtim të rasteve kur kjo paraqet konflikt interesi në dëm të universitetit ku ai është punësuar. Titujt dhe gradat shkencore të tij njihen për efekt punësimi në të gjithë sistemin universitar të Shqipërisë.
38. – Cdo punonjës akademik i universitetit ka të drejtën të ketë një llogari financiare për të administruar fondet e krijimit shkencor ku është angazhuar.
39 – Paga e cdo punonjësi akademik të universitetit indeksohet cdo vit mbi bazën e rritjes të inflancionit në vend.
40 – Cdo punonjës akademik i universitetit ka të drejtë të përfitojë nga të ardhurat që vijnë nga shërbimet nga të tretët nëse ka kontribuar për to.

II. Platformë për të drejtat e pedagogëve

1. Studenti ka të drejtë t’a zgjedhi lirisht profilin e studimeve që dëshiron të ndjeki në të gjithë universitetet e territorit shqiptar ose në Universitete të tjera partnere të tyre!
2. Studenti ka të drejtë të rregjistrohet drejtpërdrejt në universitetin që dëshiron pa kaluar në asnjë agjenci apo hellkë filtruese.
3. Studenti ka të drejtë të njihet paraprakisht me universitetiun, fakultetin dhe departamentin ku dëshiron të ndjeki studimet.
4. Studenti ka të drejtë në bazë të meritës të ndjeki të gjitha nivelet e profileve të studimit që njeh ligji për arsimin e lartë.
5. Studenti rregjistrohet në nivel universiteti dhe ka të drejtë të ndjeki lëndët e parashikuara në të gjitha fakultetet e universitetit ku rregjistrohet.
6. Studenti ka të drejtë të rregjistrohet për lëndët e parashikuara në programin mësimor te cdo pedagog që mbulon atë lëndë në Universitetin ku është rregjistruar.
7. Studenti ka të drejtë të vlerësohet nga pedagogë dhe komisione që sigurojnë gjykim të drejtë, pa konflikt interesi.
8. Studenti ka të drejtë të refuzojë paraprakisht të merret në provim nga pedagogë që i konsideron në konflikt interesi me një vlerësim të drejtë të dijeve të tij.
9. Studenti ka të drejtë të marrë të gjitha informacionet që lidhen me veprimtarinë mësimore, shkencore dhe administrative e financiare të njësisë kryesore ku ai bën pjesë si edhe të vetë Universitetit ku është rregjistruar.
10. Studenti ka të drejtën e respektimit të dinjitetit të tij brenda dhe jashtë mjediseve të Universitetit sipas Kushtetutës të RSH, ligjeve në fuqi, ligjit për arsimin e lartë dhe statutit dhe rregulloreve të Universitetit, etj.
11. Studenti i ka të drejtën e përdorimit të gjitha mundësive që Universiteti vendos në dispozicion të shërbimit të studentit.
12. Studenti ka të drejtën e vlerësimit të drejtë dhe korrekt të dijeve në të gjitha lëndët e kurrikulumit të programit të studimeve ku ai është rregjistruar.
13. Ai ka të drejtën të njihet me përgjigjet e sakta të pyetjeve të cilave u nënshtrohet në provime dhe procedura të tjera të kontrollit të njohurive.
14. Studenti ka të drejtë të shprehi pa asnjë pengesë, censurë dhe presion të gjitha bindjet, besimet, opinionet e veta politike dhe ideologjike, në përputhje me të drejtat e qytetarit të RSH në kushtetutë e vendit, dhe të mos ndëshkohet ose pësojë vlerësime negative për to.
15. Studenti ka të drejtë të organizohet në shoqata studentore lirisht dhe të përfaqësohet drejtpërdrejtë ose nëpërmjet tyre në të gjitha vendimmarrjet që lidhen me drejtimin e Universitetit dhe njësitë e tij.
16. Studenti ka të drejtë të kryejë veprimtari shoqërore në mjediset universitare pa pengesë, jo në shërbim të partive politike dhe me logon e tyre, dhe në respekt të të drejtave të të gjithë sensibiliteve të tjera sociale dhe pa penguar procesin mësimor.
17. Studenti ka të drejtën e ankimit në të gjitha instancat drejtuese të Universitetit në rast se konstaton se është viktimë e harselimit, e presioneve e diskriminimit dhe e të gjitha praktikave të tjera të dënueshme nga kuadri ligjor.
18. Studenti ka të drejtë të marri pjesë në të gjitha mbledhjet e departamentit ose dekanatit të fakultetit ku është rregjistruar.
19. Studenti ka të drejtë të njihet paraprakisht me përmbajtjen e programit dhe planit mësimor të profilit të studimeve ku është rregjistruar.
20. Studenti ka të drejtë të zgjedhi të deleguarit studentë që shprehin vullnetin kolektiv. Me anë të tyre, studentët kanë të drejtë marrin pjesë lirisht në mbledhjet e njësive bazë që mbulojnë programin e tyre të studimeve.
21. Studenti ka të drejtë të njihet me tematikën e të gjitha mbledhjeve si edhe vendimet e dekanatit dhe të njësisë bazë.
22. Studenti ka të drejtë të marri pjesë nëpërmjet lëndëve me zgjedhje në kurrikulumin e e programit të studimeve ku ai është rregjistruar.
23. Cdo njësi bazë ka detyrimin të përcaktojë për cdo vit sasinë e lëndëve me zgjedhje dhe emërtimin e tyre që i lejojnë studentit të ketë lii zgjedhjeje.
24. Në rast se brenda ose jashtë njësisë kryesore, një lëndë zhvillohet nga pedagogë të ndryshëm, studentit i lind e drejta të ndjeki lëndën sipas pedagogut që ai parapëlqen.
25. Lëndët alternativa me zgjedhje i paraqiten studentit për cdo vit akademik nga njësi bazë.
26. Studenti ka të drejtë të marri dije shkencore bashkëkohore të nivelit më të lartë. Ai ka të drejtë të refuzojë të marri pjesë në leksione që gjykohen kolektivisht prej studentëve nën nivelin e pranueshëm.
27. Studenti ka të drejtë të marri pjesë në të gjitha veprimtaritë shkencore ku ftohet të bashkëpunojë nga pedagogët e tij që mbulojnë lëndë në kurrikulën e programit të studimeve ku është rregjistruar.
28. Studenti ka të drejtë të refuzojë cdo detyrim mësimor ose shkencor nëse ai nuk është kompensuar zyrtarisht dhe sipas rregullave në fuqi në rrugë financiare ose me kreditet përkatëse.
29. Studenti ka të drejtë të refuzojë të shfrytëzohet ekonomikisht qoftë edhe me pagesë nga sipërmarrje në pronësi të pedagogëve të tij.
30. Studenti ka të drejtë të ketë akses falas në së paku një dokument të shkruar ose rregjistruar (libër, tekst, monografi, cikël leksionesh të shkruara, fashikuj kapituj monografish, etj,), ku të jepen njohuritë themelore të përmbajtjes të lëndës, paraqitur nga pedagogu i lëndës dhe aprovuar zyrtarisht si i tillë me vendim të njësisë bazë që mbulon lëndën përkatëse.
31. Studenti ka të drejtë të ketë informacion për një bibliografi të gjerë vendase ose të huaj, që trajton problemet dhe temat e lëndës ku ai merr pjesë. Kjo realizohet me anë të detyrimit që ka pedagogu për ta dhënë këtë informacion në sillabusin e lëndës që mbulon.
32. Studenti ruan të gjitha të drejtat e autorit mbi punimet dhe krijimet shkencore që paraqet në procesin e ndjekjeve të profilit të studimeve ku është rregjistruar.
33. Studenti ka të drejtë të refuzojë zhvillimin e mësimit në cdo lëndë nëse për të nuk ka një akses falas dhe të mjaftueshëm në dokumente të përmendur më sipër.
34. Studenti ka të drejtë të studjojë dhe të paraqitet në provim për një lëndë me një literaturë dhe përqasje tjetër alternative nga ajo që i është propozuar nga pedagogu i lëndës.
35. Asnjë pedagog nuk ka të drejtë t’i imponojë studentit jashtë vullnetit të tij studimin e një literature të caktuar.
36. Studenti ka të drejtë që në fund të cdo programi studimesh që ndjek që të ketë një titullim shkencor si edhe të orientohet drejt njohjes të diplomës të tij si mundësi integrimi brenda urdhërit të një profesioni të njohur me ligj në tregun shqiptar dhe më gjerë.
37. Cdo program studimesh duhet të finalizohet me një njohje kompetencash brenda një ose disa profesioneve të njohura me ligj.
38. Studenti ka të drejtë të ketë së paku një literaturë alternative të vlefshme, përvec tekstit, manualit, ose ciklit të leksioneve të pedagogut të lëndës.
39. Studenti nëse sheh praktika hapur dhe dukshëm në kundërshtim me të drejtat e tij, me statutin e Universitetit ose rregulloret e njësive bazë, ka të drejtë të braktisë ose refuzojë të marri pjesë në lëndët ku këto probleme konstatohen kolektivisht ose individualisht.
40. Studenti ka të drejtë ë të shprehet me anë të sondazheve dhe metodave të tjera për cilësinë e mësimdhënies në çdo lëndë të programit të studimeve, pas mbarimit të kontrollit të njohurive. Detyrimin për ta realizuar këtë të drejtë e ka njësia bazë që është përgjegjëse për atë program mêsimor.
41. Studenti pasi ka përfunduar me sukses vitin e parë të studimeve, në programin e studimeve ku është rregjistruar, i lind e drejta të ndjeki sipas parapëlqimeve të tij edhe një ose më shumë program tjetër studimesh, plotësues me të parin, brenda ose jashtë njësisë kryesore ku është rregjistruar fillimisht. Për këtë studenti është vetë përgjegjës për të krijuar kushtet kohore etj. Rregjistrimi në njëe program të dytë bëhet sipas tarifave në fuqi.
42. Pas rregjistrimit në Universitet studenti ka të drejtën për shërbime falas që lidhen me realizimin e statusit të tij universitar në fakultetin ku është rregjistruar.
43. Studenti ka të drejtë të shfrytëzojë të gjitha hapësirat kulturore, sportive, argëtuese që janë në dispozicion të Universitetit ose Fakultetit.
44. Studenti ka të drejtën për të kërkuar këshillim të vazhdueshëm për karrierën e tij si edhe për trajektoren e studimeve.
45. Studenti me probleme shëndetësore ka të drejtë për trajtime të veçanta që i mundësojnë ndjekje normale të studimeve.
46. Studenti ka të drejtë të marri pjesë në zgjedhjen e të gjitha instancave drejtuese të departamentit, dekanateve dhe rektoratave etj të Universitetit.
47. Studenti ka të drejtën të njihet me të gjitha mundësitë për bursa, shkëmbime dhe stazhe në universitete të tjera të vendit ose të huaja dhez te perfitoje prej tyre.
48. Studenti ka të drejtën të ketë trajtesë financiare të favorizuar në varësi të ecurisë të rezultateve të tij si edhe të gjendjes financiare të familjes të tij.
49. Studenti ka të drejtë të pajiset me kartën e studentit që me rregjistrimin e tij dhe në bazë të saj ai fiton trajtime të favorizuara në të gjithë territorin e RSH sipas përcaktimeve që përcaktohen me ligj të veçantë.
50. Studenti rregjistrohet lirisht në secilin nga universitetet brenda ose jashtë territorit të vendit sipas zgjedhjes të vet të lirë.
51. Studenti ka të drejtë t’i zhvendosi lirisht studimet e tij nga një universitet te tjetri mbi bazën e pranimit në Universitetin ku kërkon të rregjistrohet.
52. Studenti ka të drejtë për kushte studimi normale duke pasur një vend në auditor.
53. Studenti në universitetin ku është rregjistruar ka të drejtën e aksesit në Internet dhe të një hapësire virtuale në web ku i vijnë të gjitha informacionet.
54. Studenti ka të drejtë të marri menjëherë sipas kërkesës cdo dokument që i njeh identitetin e tij studentor duke e përdorur atë sipas nevojave.
55. Studenti ka të drejtë të marri falas nga fakulteti ku është rregjistruar shërbim psikologjik bazik dhe shërbim mjekësor dhe të bëjë ekzamlinimet bazë cdo dy vjet organizuar nga fakulteti ku bën pjesë.
56. Studenti ka të drejtë të ketë brenda hapësirave të fakultetit ku kryen studimet për pika tregtare për konsumin ushqimor.
57. Studenti ka të drejtë të kërkojë mbështetje me avokat nga Universiteti ku kryen studimet.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY