Dekada e sëmundjeve, depresionit dhe kequshqyerjes për shqiptarët

Dekada e sëmundjeve, depresionit dhe kequshqyerjes për shqiptarët

264
0
Shares

Në dhjetë vitet e fundit, shëndeti i shqiptarëve dhe stili i jetesës është përkeqësuar në drejtim të sëmundjeve jo të transmetueshme. Janë rritur prevalencat e obezitetit, hipertensionit, diabetit, kancerit etj. Një anketë e udhëhequr nga Instituti i Shëndetit Publik dhe INSTAT te 15,800 persona në vitin 2018 gjeti se shqiptarët vuajnë rëndë nga shëndeti mendor. Gati 60- 70% e të anketuarve kishin kaluar një përvojë depresioni dy javë para anketës, teksa 18% e grave dhe 13 % burrave ishin në depresion gjithë kohës. Vitin e kaluar, 1 në 5 femra dhe 1 në 6 meshkuj të moshës 15-59 vjeç raportuan se ishin diagnostikuar me të paktën një sëmundje jo të transmetueshme (kardiovaskulare, neoplazma, diabeti etj.)

Blerina Hoxha

Periudha e tranzicionit ka ndikuar negativisht te shëndeti i popullatës për disa sëmundje si kanceri, ato kardiovaskulare dhe shëndeti mendor, prevalencat e të cilave po rriten vit pas viti, për shkak të regjimeve ushqimore të gabuara, mungesës së aktivitetit fizik dhe urbanizimit me shpejtësi të vendit.

Vitin e kaluar, 1 në 5 femra dhe 1 në 6 meshkuj të moshës 15-59 vjeç raportuan se ishin diagnostikuar me të paktën një sëmundje jo të transmetueshme (hipertensioni, neoplazma, diabeti e etj), sipas gjetjeve të anketës të përbashkët të Institutit të Shëndetit Publik dhe INSTAT për “Demografinë dhe Shëndetin” të zhvilluar në vitin 2018 te 15800 persona. Studimi i thelluar mbi gjendjen shëndetësore të popullatës evidentoi se sëmundshmëria në vendin tonë është e nëndiagnostikuar sidomos për sëmundjet kardiovaskulare dhe depresionin.

Prevalenca e sëmundjeve kardiovaskulare dhe kancerit në vend është duke u rritur. Në vitin 2017 ato ishin përgjegjëse për 70% të vdekjeve në vend sipas të dhënave zyrtare, ndërsa në vitin 2008, këto sëmundje ishin përgjegjëse për 52% të jetëve të humbura. Trendi i hipertensionit në Shqipëri është përkeqësuar për meshkujt dhe femrat në 10 vitet e fundit. Sipas anketës së vitit 2018, prevalenca e hipertensionit është 24.3% për femrat kundrejt 20% më 2008, për meshkujt është rritur me rreth 10 pikë përqindje në raport me 2008. Qarku i Fierit ka numrin më të madh të meshkujve me hipertension.

Anketa gjeti një gjendje të rënduar të shëndetit mendor. Rreth 70 për qind anketuarve gra dhe 57% e burrave pohuan se kanë kaluar një përvojë depresioni gjatë dy javëve para studimit. Nga këto 13% e grave dhe 18 meshkujve të moshës 15-59 vjeç ishin shumë depresiv dy javë para sondazhit.
Krahasim me të dhënat e 2018-s për shëndetin e popullatës tregon se obeziteti është rritur më tej për femrat. Përqindja e meshkujve mbipeshë ose obezë ishte 53% në vitin 2018, e njëjtë si në vitin 2008, ndërsa përqindja e femrave mbipeshë ose obezë është rritur nga 39% në 2008 në 45% në vitin 2018.

Ekspertët e Institutit të Shëndetit Publik pohojnë se, sfida e kohës është të zvogëlohen faktorët e rrezikut që lidhen kryesisht me ushqyerjen, dietën dhe aktivitetin fizik, duke u kushtuar vëmendje të veçantë vajzave dhe grave, teksa është vënë re rënie e lehtë e konsumit të duhanit dhe alkoolit. Studimi për shëndetin e popullatës evidentoi se shqiptarët nuk janë konsumatorë të rregullt të frutave dhe perimeve dhe nuk ushtrojnë aktivitet fizik.

HIPERTENSIONI NË RRITJE, ËSHTË I NËNDIAGNOSTIKUAR

Nga 2008 më 2018, prevalenca e hipertensionit të matur u rrit nga 20% në 24% në mesin e femrave të moshës 15-49 vjeç dhe nga 28% në 38% tek meshkujt në të njëjtën grupmoshë. Hipertensioni është shkaktari kryesor për sëmundjet e zemrës, gjithashtu dëmton trurin, duke shkaktuar vdekje ose dëmtim të përhershëm fizik. Të anketuarit u pyetën nëse kishin marrë ndonjëherë diagnoza nga një profesionist shëndetësor për hipertension. 13% e grave raportuan se janë diagnostikuar me tension të lartë para sondazhit, ndërsa 4% e burrave të së njëjtës moshë raportuan se kanë marrë diagnozë.

Por anketa për shëndetin e popullatës u shoqërua me matje të drejtpërdrejta ne terren, dhe u gjet se rastet me hipertension ishin shumë të larta se diagnozat e raportuara nga të pyeturit. Hipertensioni i matur gjatë anketës ishte prezent në 24% të grave dhe 38% e meshkujve të moshës 15-49 vjeç.

Matjet e hipertensionit në anketë gjetën se vetëm 1/4 e grave të dhe 1/5 e burrave kishin qenë më parë diagnostikuar me hipertension.
Përhapja e hipertensionit bazuar në diagnozat mjekësore të mëparshme rritet ndjeshëm me moshën. Gratë me status arsimor të përparuar kanë qenë më të prira për të marrë diagnozë nga mjekët profesionistë të fushës në raport me gratë me arsim fillor, por kjo ndasi nuk është shumë e madhe për meshkujt e së njëjtës grupmoshë.

PAAFTËSI KRONIKE, VUAJNË MBI 3% E POPULLATËS

Në gjuhën e mjekësisë, paaftësia kronike është gjendje fizike ose mendore që vështirëson ose bën të pamundur aktivitetin normal të një individi. Një person mund të lindë me një aftësi të kufizuar, ose mund t’i pësojë nga sëmundjet ose aksidentet.

Në paaftësinë kronike përfshihen edhe personat që vuajnë nga depresioni kronik apo çrregullimi bipolar. Por në anketën e shëndetit të popullatës 2018, depresioni është trajtuar veçmas në mënyrë më të zgjeruar. Prevalenca e aftësisë së kufizuar kronike është 3% për gratë dhe 2% për meshkujt 15-59 vjeç. Rreth 4% e grave dhe 3% e burrave raportuan se nuk mund të punojnë për shkak të aftësive të kufizuara. Dobësimi i shikimit raportohet nga 3% e grave dhe 1% e burrave 50-59 vjeç, ndërsa dëmtimi i dëgjimit raportohet nga 1% e grave, por në më pak burra.

Prevalenca e aftësisë së kufizuar ishte më e lartë në zonat rurale tek meshkujt, por për femrat, ndryshimi është më i ulët.  Prevalenca është dukshëm më e lartë në kategoritë e arsimit të ulët. 7% e femrave dhe 11% e meshkujve me arsim fillor 4-vjeçar ose më pak raportojnë një paaftësi, krahasuar me 1% të të anketuarve me universitet.

Për të pasur një vlerësim të incidencës së lëndimeve dhe sëmundjeve të papritura, të anketuarve ju kërkua nëse 2 javë para sondazhit (shtator 2007 për sondazhin e vitit 2008- shkurt 2018 për sondazhin e 2018) kishin pasur ndonjë sëmundje të papritur ose lëndim, të tilla si gripi, diarreja, prerje ose fraktura të kockave.

U gjet se gripi dhe të ftohtit e zakonshëm ishin sëmundjet më të shpeshta të përmendura, të raportuara nga 12% e femrave dhe 7% e meshkujve. Vetëm 1% e grave dhe burrave raportuan dhimbje koke në 2 javë para studimit. Sëmundje të tjera kishin një prevalencë edhe më të ulët. Përqindja e të anketuarve që kanë raportuar lëndime fizike, siç janë thyerjet e eshtrave ose çarjet, është gjithashtu më pak se 1%.

VETËVLERËSIMI, 62% E GRAVE DHE 68% E BURRAVE NDIHEN MIRË

Vetëvlerësimi i një individi për statusin e tij shëndetësor ka të ngjarë të jetë i pasaktë në shumë raste, por disa studime kanë treguar se vetëperceptimi i shëndetit mund të jetë një parashikues i rëndësishëm i vdekshmërisë për të moshuarit. Studimet kanë treguar se njerëzit që e perceptojnë shëndetin e tyre si të varfër kanë gjasa të kenë rezultate më pak të favorshme shëndetësore, sesa ata që e perceptojnë shëndetin e tyre si të mirë. Në anketën e 2018-s, shumica e grave dhe burrave të moshës 15-59 perceptojnë se nuk ka pasur ndonjë ndryshim në shëndetin e tyre gjatë 12 muajve para studimit (përkatësisht 62.3% dhe 68%).

Ndër ata që raportojnë ndryshime në shëndet, shumica dërrmuese raportojnë përmirësim. Pak më shumë se 10% e të anketuarve e perceptojnë shëndetin e tyre shumë më të mirë vitin e fundit, 16% disi më mirë, ndërsa 10% e grave dhe 4% e burrave raportuan se kanë pësuar përkeqësim të shëndetit të tyre në 12 muajt e fundit.

Diagnozat e hershme janë mjeti më i mirë për të parandaluar vdekshmërinë sidomos ndaj kancerit. Duke vlerësuar se deri në çfarë mase shqiptarët kanë njohuri për testimin dhe testet diagnostike që janë në dispozicion si pjesë e shërbimeve mjekësore, është e rëndësishme për të udhëhequr ndërhyrjet dhe hartimin e politikave që synojnë të promovojnë përdorimin e testeve të tilla, thekson raporti. Rezultatet gjetën se më pak se 1 në 10 femra të moshës 15-59 nuk kanë dëgjuar as për Pap Testet dhe as për mamografinë. Tre të katërtat kanë dëgjuar për të dy testet, 16% kanë dëgjuar vetëm për mamografinë dhe 1% kanë dëgjuar për Pap Testin.

Në zonat urbane pothuajse të gjitha gratë kanë dëgjuar për testet diagnostike, vetëm 6% e tyre nuk kanë dëgjuar. 84% e grave në qytet kanë njohuri për Pap Testin dhe 93% e kanë dëgjuar për mamografinë krahasuar me 66% dhe 87%, respektivisht të grave që jetojnë në fshat.

70% E SHQIPTARËVE KANË KALUAR PËRVOJË DEPRESIONI

Depresioni është një gjendje komplekse mendore dhe emocionale, e lidhur zakonisht me të qenët i trishtuar, humor të keq që ndikon për keq te produktiviteti mendor dhe lëvizjet. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, përqindja e popullsisë globale me depresion vlerësohet të jetë 4.4%. Ky proporcion ndryshon sipas gjinisë dhe moshës.

Në përgjithësi, prevalenca e depresionit ka tendencë të jetë më e lartë në mesin e grave në moshë. Ekspertët e Shëndetit Publik pohojnë se diagnostikimi i depresionit si një çrregullim mendor kërkon shqyrtim të përpiktë profesional. Ekspertët kanë vënë re re se çrregullimi i depresionit është nënraportuar për shkak të stigmës të lidhur me këtë gjendje.

Për shkak të këtij kufizimi, rezultatet e anketës 2018 nuk përfaqësojnë matje të saktë të prevalencës së depresionit në Shqipëri, por vetëm një vlerësim të përqindjes së njerëzve që raportojnë se janë ndier në depresion në kohën e intervistës. Për të bërë një vlerësim rreth depresionit, të anketuarit u pyetën: “A jeni ndier në depresion gjatë dy javëve të fundit?

Për të siguruar një tjetër tregues më të veçantë të depresionit, të anketuarit u pyetën nëse ata janë diagnostikuar nga një mjek. Në këtë rast, prevalenca e raportuar e diagnostikuar mbi depresionin pasqyron një kombinim më të saktë të gjendjes reale të popullatës me depresion. Rreth 70 për qind anketuarve gra dhe 57% e burrave pohuan se kanë kaluar një përvojë depresioni gjatë dy javëve para studimit. Nga këto 13% e grave dhe 18 meshkujve të moshës 15-59 vjeç ishin shumë depresiv dy javë para sondazhit.

Nga ana tjetër, 31% e grave dhe 43% e burrave thanë se nuk kanë përjetuar depresion dy javë para studimit, por nuk e përjashtuan të kaluarën. Kur u pyetën nëse kishin kryer vizitë te një mjek profesionist për depresion, 2% e grave dhe 4% e burrave u përgjigjën pozitivisht. Të dhënat e gjetura nga anketa në raport me diagnozat tregojnë se depresioni është një sëmundje e nëndiagnostikuar në vendin tonë.

Për të dyja gjinitë, depresioni rritet me moshën dhe është më i lartë në zonat rurale dhe më i ulët në kategorinë e personave me arsim të lartë.
Rreth 22% e grave me arsim 8-vjeçar ndiheshin shumë në depresion dhe 9% e tyre janë diagnostikuar me depresion, teksa ndër ato me arsim universitar, këto përmasa ishin shumë më të ulëta. Gjendja ekonomike është një faktor themelor që çon në depresion. 14% e grave në rangun më të ulët të pasurisë kanë përjetuar depresion për shumë kohë dhe 4% kanë raportuar se janë në depresion gjithë kohës edhe gjatë periudhës së sondazhit.
Në mesin e grave në kategorinë më të lartë të pasurisë, prevalenca e depresionit është më e ulët.

Farmacitë: Konsumi i antidepresivëve, në rritje të shpejtë

Sipas të dhënave konfidenciale nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, importet e Loram-it, Xanax-it dhe Citolex-it janë rritur ndjeshëm tre vitet e fundit. Për vitin 2016, ato janë 6-17% më të larta sipas llojit të medikamentit. Më 2016, u zhdoganuan 195,137 pako Loram (2.5 miligramë) nga 167,000 më 2015, me një rritje vjetore 18%. Me ritme dyshifrore (11%) janë rritur edhe importet e Xanax-it dhe rritje 6% edhe ato të Ciltolex-it. Burimet në dogana pohojnë se ritmet e rritjes së importeve të këtyre medikamenteve kanë qenë të larta në dy vitet paraardhëse.

“Monitor” bëri më herët një vrojtim në të paktën 20 farmaci në rajonin Tiranë-Durrës, 18 prej të cilave pohuan njëzëri se është rritur konsumi i antidepresivëve, ndërsa 2 refuzuan të përgjigjen. Në Tiranë, farmacitë e pyetura ishin në zonën e spitaleve, “Medresesë”, “Siri Kodrës”, “5 Majit” dhe në zonën e ish-Bllokut. Pothuajse të gjitha njësitë e shitjes së medikamenteve pohuan se është shtuar konsumi nga moshat 25-40 vjeç.

Loram-i, një medikament popullor kundër shenjave të para të stresit dhe depresionit që në Shqipëri konsumohej më së shumti nga të moshuarit me Parkinson dhe Alzhaimer, tani po merret nga moshat e reja, pohojnë farmacistët. Shumica e tyre pohuan se këto medikamente po konsumohen nga kategori të shoqërisë që më parë nuk ishin klientë. Biznesmenë, punonjës të administratës, persona në vështirësi ekonomike, personat që jetojnë vetëm dhe adoleshentët janë klientët e rinj të antidepresivëve, pohojnë farmacistët. Ata shtojnë se ka një numër të madh personash që kërkojnë të blejnë pa recetë qetësues për gjumë, si Diazepam etj.

Gjithashtu shumica e farmacive të pyetura pohuan se është shtuar numri i të rinjve që konsumojnë antidepresivë. Është rritur numri i rasteve nga të rinjtë që konsumojnë hashash, efekti i të cilit në disa persona është gjendja e depresionit. Kështu që përdoruesit e hashashit, në një masë të konsiderueshme, po përjetojnë përkeqësim të shëndetit mendor e për pasojë, po konsumojnë më shumë antidepresivë. Farmacitë në rajonin e Durrësit pohuan kryesisht fenomenin e depresionit nga përdoruesit e hashashit. Ndërsa njësitë e shitjes së ilaçeve në Tiranë pohuan se konsumatorët e antidepresivëve janë kryesisht të ardhurit në Tiranë, të cilët gjenden nën presionin e ndryshimit të kushteve të jetesës dhe përshtatjes me kultura të tjera.

Arjana Rreli, mjeke psikiatër në Tiranë, tha se depresioni është sëmundje e nëndiagnostikuar në Shqipëri për shkak të mungesës së kulturës për trajtim që ka shoqëria jonë. Mjekët pohojnë se mbetet shqetësues fakti që kjo kategori personash nuk u drejtohet mjekëve specialistë dhe tentojnë mjekim amator pa recetën e mjekut. Konsumi i qetësuesve pa recetë është shumë i lartë dhe se të prekurit nga depresioni e përkeqësojnë edhe më tej situatën, duke u trajtuar në këtë mënyrë. Përveçse me depresion, ata krijojnë varësi nga medikamenti, duke e bërë më pas mjekimin protokollar edhe më të vështirë.

Kostot ekonomike

Dy vitet e fundit, shqiptarët janë populli që kanë emigruar më shumë në Europë, pas vendeve të Lindjes së Mesme që janë në luftë si Siria. Nga viti 2015 deri më 2017, kanë kërkuar azil në vendet e BE-së rreth 200 mijë shqiptarë. Mjekët shpjegojnë se emigracioni është treguesi më i qartë se vendi është duke kaluar një situatë jo të mirë psikologjike. Psikiatrja Arjana Rreli, pohon se faktori ekonomik, përveç predispozitës biologjike, është ndër më kryesorët që krijon depresion.

Ajo shton se sëmundjet e shëndetit mendor kanë kosto të shumëfishta në jetën ekonomike dhe sociale të një vendi. Një shoqëri që ka stres të shtuar dhe depresion, më e pakta që mund të ndodhë është mungesa e eficencës, d.m.th. e të bërit të gjërave mirë. Por nga ana tjetër, trajtimi i sëmundjeve mendore është i kushtueshëm. Këta persona kërkojnë angazhimin e shumë burimeve të tjera si njerëzore edhe materiale. Medikamentet që trajtojnë shëndetin mendor kushtojnë shumë, ndërkohë që depresioni nuk zgjedh. Në këtë këndvështrim, Shqipëria një vend i vogël, por me problematika të mprehta, nuk ka mjete të mjaftueshme për të trajtuar me dinjitet këto kategori pacientësh që po shtohen çdo ditë e më shumë, – shton doktoreshë Arjana.

Studimet globale mbi depresionin kanë gjetur se, fenomeni është mjaft i përhapur në vendet në tranzicion. Sëmundja po vjen në rritje gjithnjë e më shumë. Organizata Botërore e Shëndetit ka gjetur se njerëzit e prekur nga çrregullimet mendore, kryesisht depresioni, kanë performancë të ulët në punë, sigurojnë pak të ardhura dhe kanë cilësi të ulët martese. Këto sëmundje bëhen shkak për invaliditet, vdekje më të hershme, shumica e të cilave janë vetëvrasje.

Organizata Botërore e Shëndetësisë i rendit çrregullimet depresive si faktorin e katërt që krijon aftësinë e kufizuar, por deri më 2020, OBSH vlerëson se depresioni do të jetë shkaku i dytë. Edhe pse të dhënat për prevalencën dhe kostot e depresionit nuk ekzistojnë për shumicën e vendeve, anketat psikiatrike janë kryer në shumë vende të zhvilluara, si dhe në një numër në rritje të vendeve në zhvillim dhe rezultatet tregojnë rritje të sëmundjes.
Kosto e sëmundjes dhe hulumtimet rreth saj kanë treguar se depresioni krijon një barrë të madhe ekonomike. Një studim i fundit tregon se depresioni i kushton SHBA-së 210 miliardë dollarë në vit. Sipas studimit, 40% e kësaj shume është kosto e drejtpërdrejtë që lidhet me depresionin, por shumica janë të lidhura me shëndetin mendor, si ankthi dhe stresi post-traumatik.

FAKTORËT E RREZIKUT, FRENOHET KONSUMI I CIGAREVE DHE ALKOOLIT

Konsumi i cigareve është burimi kryesor i sëmundjeve të parandalueshme dhe vdekshmërisë së parakohshme. Kanceri i mushkërive është një prej shkaqeve kryesore të vdekjes nga kanceri dhe shkaktohet nga pirja e duhanit.

Duhanpirësit gjithashtu janë më të ekspozuar nga lloje të tjera të kancerit si ai i faringut, laringut, ezofagut, pankreasit, veshkave dhe fshikëzës. Pirja e duhanit është ndikon gjithashtu te sëmundjet kardiovaskulare. Anketa gjeti se 36% e meshkujve të moshës 15-49 vjeç pinin duhan, në raport me 43% që ishte duhanpirja në këtë grupmoshë në vitin 2008.
Gjetjet treguan se duhanpirja tek femrat është rritur me 1% në dekadën e fundit. Studimi evidentoi se 5% e femrave të moshës 15-49 vjeç ishin duhanpirëse.

Mes meshkujve, përqindja e duhanpirësve zvogëlohet ndjeshëm me nivelin arsimor. 58% e personave me arsim fillor dhe vetëm 31% e personave me universitet pinë cigare. Ky krahasim nuk vlen për femrat, pasi pirja e duhanit nis e rritet me nivelin arsimor.
Në mesin e meshkujve, përqindja e duhanpirësve ndryshon gjerësisht në prefektura, nga 23% në Korçë dhe 26% në Kukës, në 42% në Tiranë dhe 45% në Vlorë. Ndërsa te femrat, përqindja e duhanpirësve rritet me pasurinë e familjes, nga 3% në kuintilin më të ulët në 8% në atë më të lartë, por ky modeli nuk vlen për meshkujt.

Duhanpirësit meshkuj kanë tendencë të pinë duhan më tepër se femrat. Rreth 23% e duhanpirëseve meshkuj të moshës 15-49 vjeç raportojnë se pinë më shumë se 25 cigare në ditë, krahasuar me vetëm 3% të duhanpirësve femra. Duhanpirja është një nga burimet më të mëdha të sëmundshmërisë së parandalueshme dhe vdekshmërisë së parakohshme. Kanceri i mushkërive është shkaku kryesor i vdekjes që shkaktohet nga pirja e duhanit.
Përdorimi i alkoolit gjithashtu është me risk në shëndetin publik për shkak të lidhjes së tij me sëmundje të ndryshme dhe shkakton probleme akute, fizike, psikologjike dhe të sjelljes. Intoksikimi akut mund të prodhojnë efekte serioze negative, edhe ndër individët që nuk përjetojnë varësi nga alkooli. Problemet shëndetësore që lidhen me alkoolin sjellin rreziqe në lëndimin fizik dhe çrregullime vdekjeprurëse të sistemit nervor, kardiovaskular dhe sistemet e frymëmarrjes.

Anketa tregoi se një në katër (25%) femra të moshës 15-49 vjeç raporton pirjen e alkoolit 1 deri në 3 herë në muaj, 3% raportojnë se pinë 1 deri në 4 ditë në javë dhe vetëm 1% thonë se pinë 5 ose më shumë ditë në javë. Meshkujt pinë më shumë se gratë. Një e treta e tyre raportojnë se pinë 1 deri në 3 ditë në muaj, 20% raportuan se pinë 1 deri në 4 ditë në javë, dhe 6%, 5 ose më shumë ditë në javë.

Përqindja e femrave të moshës 15-49 vjeç që konsumojnë alkool 1 deri në 3 herë në muaj u rrit nga 12% më 2008 në 25% në 2018, ndërsa përqindja që pi 1 deri në 4 herë në javë u ul nga 5% më 2008 në 3% në 2018. Një trend i ngjashëm është vërejtur te meshkujt. Përqindja që konsumon alkool 1 deri në 3 herë në muaj është rritur nga 17% në 2008 në 33% më 2018, ndërsa ka pasur rënie të lehtë të meshkujve që pinë katër ditë në javë nga 23% në 2008 në 20% në 2018.

Në proporcion duke pirë 1 deri në 4 ditë në javë. Gratë në zonat urbane konsumojnë më shumë alkool, pasi 29% e tyre pinë 1 deri në 3 herë në muaj, krahasuar me 18% e grave në zonat rurale. Pasuria e familjes është e lidhur fort me konsumin e alkoolit, pasi rreth 40% e grave të pasura konsumojnë alkool një ose dy ditë muaj.

SHQIPTARËT, DREJT OBEZITETIT PA KONTROLL

Dieta e pakontrolluar dhe mungesa e aktivitetit fizik po i çon shqiptarët me shpejtësi drejt obezitetit. Kjo situatë bëhet shkak, ndër të tjera, ndaj ekspozimit kundrejt sëmundjeve vdekjeprurëse. Një anketë e Institutit të Shëndetit Publik dhe INSTAT gjeti se në 2018, rreth 45% e femrave dhe 53% e meshkujve në moshën 15-49 vjeç ishin mbipeshë ose obezë. Gjysma e femrave të moshës 15-49 vjeç kanë peshë normale, 4% janë të dobëta dhe 45% janë mbipeshë ose obeze.

Përqindja e femrave të moshës 15-49 vjeç nën peshë është rritur lehtë nga 3% në 2008 në 4% më 2018. Në të njëjtën periudhë, përqindja e femrave mbipeshë u rrit nga 39% në vitin 2008 në 45% më 2018. Përqindja e femrave mbipeshë ose obeze rritet ndjeshëm me moshën, nga 14% te femrat e moshës 15-19 vjeç bë 75% te femrat e moshës 40-49 vjeç.

Ndërsa përqindja e femrave që janë mbipeshë ose obeze zvogëlohet me rritjen e nivelit të arsimit, nga 49% në femrat me arsim fillor dhe 4-vjeçar në më pak se 35% në mesin e atyre me universitet. Ndërmjet meshkujve 15-49 vjeç, 39% kanë peshë normale, 2% janë nën peshë dhe gati 60% janë mbipeshë ose obezë. Përqindja e meshkujve në moshën 15-49 vjeç nën peshë u rrit lehtë nga 1% në 2008 në 2% në 2018. Përqindja e meshkujve mbipeshë ose obezë mbeti e pandryshuar në 53%.

Ashtu si edhe te femrat, përqindja e meshkujve që janë mbipeshë ose obezë rritet ndjeshëm me moshën, nga 14% që është obeziteti në moshën 15-19 vjeç, shkon në 76% te meshkujt e moshës 40-49 vjeç. Përqindjet e meshkujve me peshë normale janë më të larta në zonat rurale (48%) sesa në zonat urbane (43%). Përqindja e meshkujve mbipeshë dhe obezë është më e ulët në nivelin e ulët arsimor dhe më e lartë në nivelet më të avancuara të arsimit. Afërsisht 60% e meshkujve me universitet dhe në kuintilin e lartë të pasurisë janë mbipeshë ose obezë.

Pijet e dëmshme me sheqer të shtuar, shqiptarët i konsumojnë rregullisht

Pije të buta dhe pijet me përmbajtje të lartë sheqeri të shtuar krijojnë mjaft probleme në shëndet. Acidet dhe sheqernat që gjenden në lëngjet e buta industriale bëhen shkak për kariesin dentar dhe erozionin e smaltit të dhëmbëve. Shumë studime kanë gjetur se konsumi i madh i lëngjeve të buta krijon obezitet tek fëmijët dhe adoleshentët, duke u bërë një nga shkaktarët më të mëdhenj të diabetit në moshat e reja.

Për të vlerësuar nivelin e konsumit të pijeve me përmbajtje të lartë të sheqerit, të anketuarit u pyetën nëse kishin pirë lëngje të buta me sheqer të shtuar 7 ditë para sondazhit. Ndër femrat e moshës 15-49 vjeç, 25% kishin pirë 1 ose 2 pije të buta, 32% kishin pirë 3 deri në 6 nga këto pije, 6% kishin pirë 7 ose më shumë dhe 36% raportuan se nuk kishin pirë pije me sheqer gjatë 7 ditëve të fundit.

Konsumi i pijeve me sheqer është pak më i zakontë te meshkujt e kësaj grup-moshe, pasi 17% kishin pirë 1 ose 2 pije me sheqer gjatë 7 ditëve, 30% kishin pirë 3 deri në 6 herë në javë, 10% kishin pirë gjatë shtatë ditëve dhe 42% raportuan se nuk kanë pirë pije me sheqer në 7 ditët e fundit. Konsumi i pijeve të buta është më i shpeshtë te moshat e reja në shtresën me arsim të ulët, si për meshkujt edhe për femrat. Personat me arsim fillor pinin pije me sheqer thuajse gjatë 7 ditëve të javës.

Konsumi i yndyrave, 90% përdorin vaj vegjetal, 6% gjalpë

Në terma të përgjithshëm, gatimi me vajra bimorë është i preferueshëm, pasi ato kanë përmbajtje më të lartë të yndyrës së ngopur, ndërsa vajrat vegjetalë kanë përmbajtje më të ulët. Marrja e yndyrave të ngopura shoqërohet me rritje të rrezikut të sëmundjeve jo të transmetueshme, përfshirë sëmundjet koronare të zemrës, obezitetin dhe diabetin. Mund të përmendim disa vajra bimorë si vaji i palmës, vaji i kokosit, të cilat kanë një përmbajtje të lartë të yndyrave të ngopura.

Për të vlerësuar konsumimin e vajrave dhe yndyrave, të anketuarit u pyetën se çfarë lloj vaji ose yndyre përdornin më shpesh gjatë gatimit. Rreth 91% e gratë dhe 86% e burrave të moshës 15-49 vjeç raportuan se vaji i perimeve është lloji më i përdorur. Gjalpi përdoret më pak, në 6% të rasteve. Konsumi i gjalpit është më i lartë në zonat rurale. Konsumi i yndyrave të kafshëve, i cili mbart një potencial më të lartë rreziku, është më i pranishëm në popullsinë e Dibrës dhe Kukësit dhe Shkodrës. Gjithashtu u evidentua se gjalpi gjen përdorim gjithnjë e më të ulët në shtresat më të ardhura të larta.

Frutat dhe perimet, vetëm 37% e grave dhe 14% e burrave i konsumojnë rregullisht

Studime të shumta tregojnë se konsumi i rregullt i frutave dhe perimeve lidhet me reduktimin e rreziqeve të kancerit, sëmundjeve kardiovaskulare, sëmundjes së Alzheimerit. Konsumi i frutave dhe perimeve ofron ndër të tjera përfitime shëndetësore edhe në parandalimin e sëmundjeve kronike. Në terma të përgjithshëm rekomandohet konsumi i tre ose më shumë frutave dhe tre ose më shumë perimeve në ditë sipas Departamentit Amerikan të Shëndetësisë.

Për të vlerësuar modelet e konsumimit të frutave dhe perimeve, të anketuarit u pyetën nëse kishin konsumuar fruta dhe perime në ditën para studimit dhe se çfarë frutash ose perimesh kishin konsumuar. 37% e femrave të moshës 15-49 vjeç dhe 14% e meshkujve kishin marrë sasinë e rekomanduar të frutave (tre ose më shumë të tilla në ditën para studimit. Pak më shumë se 80% e burrave dhe grave kanë konsumuar 1 deri në 3 lloje perimesh në ditë, por vetëm 7% e grave dhe 3% e meshkujve të moshës 15-49 kishin konsumuar numrin e rekomanduar të perimeve (katër ose më shumë) në ditën para studimit.

Numri i rekomanduar i frutave (tre ose më shumë lloje) në ditën para studimit u konsumuan më së shumti në zonat urbane (40%) se sa në zonat rurale (32%). Konsumi i frutave gjithashtu gjen rritje në mesin e njerëzve të arsimuar dhe ata me nivel më të lartë të pasurisë.
Rekomandohet që adoleshentët aktivë dhe të rriturit, që konsumojnë rreth 2,200 kalori në ditë, të kenë në regjimin e tyre ushqimor katër lloje perimesh dhe tre lloje frutash. Vetëm 5% e femrave dhe 2% e meshkujve 15-49 vjeç kishin konsumuar numrin e rekomanduar të frutave dhe perimeve një ditë para studimit.

Studimi vërejti se konsumi i frutave dhe perimeve ndryshon sipas qarkut. Në prefekturat e Shkodrës, Beratit, Gjirokastrës, Korçës, më pak se 1% e grave dhe 0% e meshkujve kishte kombinimin e rekomanduar të frutave dhe perimeve, ndërsa në Dibër, 13% e femrave dhe 12% e meshkujve, dhe në Kukës, 14% e femrave dhe 18% e meshkujve, kishin kombinimin e rekomanduar të frutave dhe perimeve.

STILI I JETËS, RRETH 80% E SHQIPTARËVE NUK BËJNË AKTIVITET FIZIK

Aktiviteti fizik është i rëndësishëm për shkak të mirëfunksionimit të zemrës, si dhe të gjithë trupit. Ushtrimet fizike gjithashtu janë me shumë dobi edhe për shëndetin mendor. Për të vlerësuar nivelet e ushtrimit aerobik në një javë tipike, të anketuarit u pyetën nëse bënin aktivitete si ecja, çiklizmi, lojëra etj., në një javë të zakonshme.

Në përgjithësi, 12% e femrave të moshës 15-49 vjeç raportojnë se bëjnë një lloj forme të stërvitjes aerobike 5 deri në 7 ditë të javës, 4% i bëjnë këto ushtrime 3 ose 4 herë në javë, 3% i bëjnë ato 1 ose 2 herë në javë dhe 82% nuk bëjnë ushtrime aerobike asnjë ditë.

Ndër meshkujt në të njëjtën moshë, 11% ushtrojnë 5-7 herë në javë aktivitet fizik, 7% ushtrojnë 1 deri në 4 herë në javë, dhe 76% nuk bëjnë asnjë lloj ushtrimi aerobik. Praktika e ushtrimeve aerobike ndryshon në mënyrë të konsiderueshme sipas prefekturave. Proporcioni e grave që ushtrojnë 5-7 ditë në javë është 19% në Tiranë, krahasuar me 3% në Durrës dhe 2% në Shkodër. Teksa arsimi shihet të ketë ndikim në këtë drejtim pasi 13% e femrave me universitet angazhohen në stërvitje aerobike 5-7 ditë në javë. Në mënyrë të ngjashme, 14% e meshkujve me arsim të lartë ushtrojnë aktivitet fizik rregullisht për 7 ditë të javës.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY