Qyteti i Belshit është pa policë e kjo është padyshim një ndër problemet që i shqetëson kaq shumë të 33 mijë banorët e këtij qyteti.
Mungesa e një komisariati i bën ata të jenë të pasigurtë për jetën e tyre, ndërsa nga ana tjetër janë maskat ato që favorizohen dhe kanë dorë të lirë të bëjnë ç’të duan.
Belshi varet direkt nga komisariati i policisë së Cërrikut i ndodhet rreth 25 km larg. Situata bëhet edhe më alarmante kur qyteza e Belshit vizitohet nga një numër i konsiderueshëm turistësh të cilët gjithashtu nga momenti në moment mund të bien pre e keqbërësve duke cenuar jo vetëm sigurinë, por njëherazi edhe njollosur imazhin e vendit.
Kjo është letra publike e gazetarit Arben Rustemi, i cili është nga qyteti i Belshit. Gazetari i bën kërkesë minsitrit Sandër Lleshajt për të marrë përsipër këtë situatë.
LETRA
Belshi pa policë!
Kërkesë publike drejtuar ministrit të brendshëm z.Sandër Lleshaj
Maskat s’mund të mposhtin banorët e Belshit!
Z.Lleshaj duke ju uruar punë të mbarë në detyrën tuaj të re, fisnike, të vështirë, në shërbim të qytetarëve e në kontakt me njerëzit, më lejoni të shpreh një shqetësim publik nëpërmjet kësaj kërkese.
Ju jeni ministri i tretë në fakt që i drejtohem, pasi z.Saimir Tahiri dhe z.Fatmir Xhafaj nuk e gjetën asnjëherë mundësinë dhe as kohën ta vlerësonin dhe realizonin këtë lutje.
Ju shkruaj si një ndër 33 mijë banorët që ka lindur në qytezën e Belshit sot në Bashkinë e 61-të, të Republikës.
Prej kohësh me investime të rëndësishme është kthyer në një zonë atraktive turistike, shumë tërheqëse si dhe me një nivel jetese të admirueshëm.
Kjo kurrë falë drogës por në sajë të emigrimit të rinisë në këtë zonë që ka ndërtuar banesat dhe të ardhmen e tyre duke sistemuar edhe prindërit. Prindërit të cilët sot si dikur, Sami Frashëri “Rilindas” shkruante për Belshin-kryeqyteti i Shqipërisë, jetojnë në këtë territor me një shqetësim që po agravon gjithnjë e më tepër.
Zyrtarisht janë 33 mijë banorë, 24.240 zgjedhës sipas statistikave të KQZ-së, por aty janë mbi 40 mijë banorë e në sezonin turistik 60-100 mijë banorë të cilët jetojnë nën ankthin e Hajdutëve, Grabitësve, apo Maskave.
Kjo, e denoncuar publikisht edhe nga qytetarët që përfshijnë edhe policinë. Unë dhe shumica s’e besojmë kurrë që policia është palë, por policia aty është në pamundësi reale të reagojë.
Janë jo më shumë se 10 policë në Postën e Bleshit. Belshi z.Ministër ka një shtrirje gjeografike prej 215 km2, kufizohet me Peqinin, Lushnjen, Kuçovën, Cërrikun dhe në 360 gradë Dumreja ka rrugë hyrëse e dalëse, kjo falë investimeve dikur të PD, sot edhe të PS që për mua janë pa ngjyrime por investime të vlefshme.
Në këtë letër ju kërkoj të merrni në konsideratë këto fakte:
Belshi ka varësi nga komisariati i Cërrikut, i cili me çdo vendngjarje ndodhet minimalisht 10-25 km larg. Imagjinoni pak një krim që do të ndodhte në Vorë ta menaxhonte komisariati nr.4 ose një krim në Pogradec që ta menaxhonte Korça.
Shqetësimi aktual mbetet vjedhjet dhe po ju tregoj nëse doni verifikojeni në komunikatat tuaja rezultojnë të shkruara e bardha mbi të zezë nga rakija deri ke vaji ullirit, pulat, lopët apo delet. Fundja këto janë pasuritë e njerzëve aty dhe këto i shqetësojnë ata dhe mua.
Ndaj pas flotës së re që shpërndatë kudo nëpër Shqipëri, në Belsh ende s’ka një furgon policie, s’ka ambiente të denja për të pritur qytetarët, s’ka një patrullë policie, s’ka një motorr policie, s’ka një biçiklet patrullë dhe pse është zonë turistike.
Z.Lleshaj është zona kur Shqipëria lulëzoi nga kanabisi dhe aty mbillej duhan dhe jo drogë, paçka se fermerëve djersa ju nëpërkëmb dhe do i dilte më mirë me drogë!
Të paktën sot reagoni JU, që maskat si dikur, kur duhej paguar taksa tek bandat e Cërrikut për të shkuar në Elbasan, mos e kthejnë atë qytezë në hambarin ku çdo natë terrorizohen pleq, plaka dhe familje.
Ajo zonë e ka dhe traditën e kobures e të çiftes, por prej dekadash ka zgjedhur të mos e përdor pasi JETA është më e bukur pa to. Nëse ju do të heshtni sërish duke e lënë me 10 policë atë 215 km2, me 33 mijë banorë, e këta 10 policë i ka e gjithë posta për tre turne shërbim, atëherë???!!!
Jo vetëm ju, por edhe paraardhësit tuaj dhe ata të qeverisë dikur por krijojnë me ndërgjegje një problem të madh social.
Do pyesni përse po jua dërgoj unë kërkesën?!
Sepse unë jam një Belshak që kurrë s’e kam mohuar origjinën dhe ndaj atij komuniteti kam detyrimin të përcjell çdo shqetësim për minimalisht, sigurinë e jetës.
Z.Lleshaj ligji për policinë e shtetit me 33 mijë banorë nuk ju detyron por nuk ju pengon ta bëni komisariat, fundja s’ka rëndësi komisariati, posta apo stacioni, rëndësi kanë burimet njerëzore dhe baza materiale e mbështetëse.
Z.Lleshaj kjo kërkesë vjen tek ju, kur drejtues dhe ish-drejtues policie me të cilët unë kam ndarë këtë shqetësim thonë duhej ishte bërë me kohë, e sot kërkesa është ta bëni JU.
Z.Lleshaj ndoshta do thoni gjykata dhe prokuroria janë në Elbasan, por kjo s’ka rëndësi pasi njerëzit atje s’duhen lënë nën mëshirën e maskave.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/