Një natë pas ngjarjes ku familja e një biznesmeni u dhunua dhe u grabit nga tre persona të armatosur e maskuar në banesën e tyre, në të gjithë lagjen numër 14 në Shkozet dhe jo vetëm, paniku është i madh tek të gjithë banorët.
“Ato të tronditur e ne të tronditur më shumë. S’më ka zënë gjumi gjithë natën, imagjinoja ata”, thotë një banore e lagjes për News 24.
Vetë biznesmeni Kelmendi jashtë kamerës shprehet se kanë shpëtuar mirë pas dhunës së ushtruar nga tre personat e maskuar që i grabitën shumën e parave. Ai tha se ka 12 vjet që merret me biznes, me transport ndërkombëtar me kamion. Iu kanë rrëmbyer fillimisht telefonat, që të mos komunikonin me askënd. Pasi janë larguar tre personat e maskuar të paidentifikuar ende nga policia, kanë qenë fqinjët e tyre që iu kanë dhënë ndihmën e parë dhe kanë lajmëruar policinë.
“Erdhën duke thirrur tek porta. O Xhevo o Xhevo hape derën, dola me vrap i thashë çfarë ka ndodhur. Më tha kanë ardhur hajdutët, më kanë rrëmbyer djalin. Vetë ishte i gjakosur, që e kishin goditur dhe kërkonte telefonin për të njoftuar policinë. E njoftuam pastaj policinë me telefonin tonë, sepse ata s’i kishin telefonat dhe pastaj erdhën policia e të tjerët”, tha një fqinj.
Në fytyrën e tij dukeshin qartë edhe shenjat e dhunës së mbrëmshme. Kelmendi tha se mbrëmjen e shkuar ka qenë në shtëpi me bashkëshorten dhe djalin e mitur 7-vjeçar. Sipas dëshmisë së dhënë në polici, biznesmeni së bashku me djalin 7 vjeç kanë qenë duke hyrë në portën e banesës së tyre në momentin që u sulmuan nga tre personat e maskuar. Ata kanë lidhur dhe kanë torturuar vetë biznesmenin dhe bashkëshorten e tij, ndërsa djalin e kanë marrë peng për disa metra në këtë zonë dhe më pas e kanë lënë të lirë
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/