Urimi për 28 vjetorin e ‘RD-së’, Basha: Shqipëria ka nevojë për media...

Urimi për 28 vjetorin e ‘RD-së’, Basha: Shqipëria ka nevojë për media që i shërbejnë të vërtetës

94
0
Shares

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka uruar 28 vjetorin e gazetës së parë opozitare në vend, Rilindja Demokratike.

Me një shkrim në rrjetet sociale, Basha kujton gjithë përpjekjet e gazetarëve për të qënë të lirë dhe për të sjellë vlerat dhe idealet e demokracisë.

Basha përmes këtij rasti, ka dhe një mesazh ku thotë se Shqipëria ka nevojë më shumë se kurrë për media që i shërben të vërtetës, mirëinformimit dhe vetëdijësimit të njerëzve.

REAGIMI I PLOTË

Si sot 28 vite më parë lindi bashkë me shtypin e lirë Rilindja Demokratike. E para media opozitare në Shqipëri pas 45 vitesh diktaturë erdhi në jetë bashkë me pluralizmin politik dhe me lirinë e shprehjes. Në betejë prej ditës së parë me gënjeshtrat, manipulimin dhe propagandën komuniste, RD arriti brenda një kohe të shkurtër të kthehej në manualin e ideve të demokracisë, të pluralizmit dhe europianizmit. Kësisoj ajo ishte edhe fidanishtja e brezit të parë të gazetarëve dhe analistëve të medias dhe të fjalës së lirë.

Bashkëndaj sot me mijëra qytetarë mirënjohjen e thellë për të gjithë gazetarët dhe drejtuesit e RD-së në vite, që me kurajo, mençuri dhe vendosmëri kontribuan për lindjen dhe rritjen e RD duke triumfuar mbi presionet, kërcënimet dhe shantazhet.
Me kontributet e saj për lirinë Rilindja Demokratike ka përherë një vend të veçantë në historinë e medias dhe të demokracisë shqiptare.

Një falenderim të veçantë kam për Bledi Kasmin dhe gazetarët e bashkëpunëtorët e sotëm të Rilindjes Demokratike të cilët vazhdojnë çdo ditë betejën për të vërtetën, në shërbim të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Rilindja Demokratike është sot një nga të paktat media të lira në Shqipëri që lufton për interesin publik. Urimi im është që të vazhdojë të mbetet përherë e tillë.

Sot Shqipëria ka nevojë më shumë se kurrë për media që i shërben të vërtetës, mirëinformimit dhe vetëdijësimit të njerëzve. Vetëm qytetarët e mirëinformuar mund të ruajnë lirinë, demokracinë dhe të vetqeverisen. Mosbesimi, helmi i dyshimit që krimb çdo shpresë për ndryshim është investimi më i rëndë i regjimit aktual, që të vazhdojë të sundojë, të grabisë dhe të përçajë shqiptarët.

Shqiptarët kanë nevojë të besojnë tek vetja, tek njëri-tjetri, tek ndryshimi dhe tek e ardhmja. Ndaj këtë ditëlindje të medias së lirë, ju uroj gazetarëve dhe njerëzve të fjalës, kurajo, besim dhe vendosmëri në përmbushjen e misionit të shenjtë për një Shqipëri europiane të lirisë, dinjitetit dhe demokracisë! Gëzuar!

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY