Profesionet që pritet të paguhen më shumë në Shqipëri për 2019

Profesionet që pritet të paguhen më shumë në Shqipëri për 2019

189
0
Shares

Viti 2019 sapo ka hyrë dhe secili ka ambiciet e veta. Një punë më e mirë, një kërkesë për rritje page, apo një ngritje në detyrë janë në planet dhe pritshmëritë e shumëkujt. Por, sa i përgjigjet ambienti i punës kërkesave tona. Cilat janë profesionet që pritet të kërkohen më shumë?

Sa paguhen drejtuesit në Shqipëri? Si është tendenca e pagave sipas profesioneve të ndryshme? Është më mirë dhe më lehtë të gjesh një punë të mirë në kryeqytet apo në rrethe?

Sipas EPPC Albania & Kosovo, kompania e rekrutimeve dhe trajnimeve, ka përgatitur pas kërkesës së Monitor një guidë me pozicionet më të kërkuara nga drejtues në specialist dhe punonjës të pakualifikuara dhe pagat përkatëse.

Pozicionet drejtuese më të kërkuara gjatë 2018 kanë qenë: (1 më i kërkuari, 5 më pak i kërkuari)

Drejtor Shitjesh;

Drejtor Marketingu;

Drejtor Finance;

Drejtor Prodhimi/Operacionesh/Logjistike;

Drejtor i Përgjithshëm. (CEO)

Pagat për nivelin drejtues (CEO-1, më lartë nga numri 1 tek 4) luhaten nga 150,000 Lekë neto në 300,000 – 450,000 Lekë neto. Paga e tyre luhaten nga industria ku punojnë, kompleksiteti i përgjegjësive, etj.

Ndërsa paga e Drejtorit të Përgjithshëm (CEO), është përafërsisht dy herë më e lartë sesa e drejtuesve CEO-1. Kjo kategori (CEO dhe CEO-1) nuk ka pasur rritje domethënëse gjatë 2018 në pagën fikse, por ka është vënë re rritje objektivi ose vendosje objektivash shtesë për pagesë variabël (që njihet si bonus), i cili është në varësi të rezultateve të matshme.

Punët në nivel specialisti.

Punët në nivel specialistësh kanë pasur kërkesë të lartë gjatë vitit 2018. Pagat e tyre vazhdojnë të rriten dhe këtë vit kanë qenë rreth 5-10% më të larta se një vit më parë. Pagat luhaten nga 40,000 Lekë neto në 100,000 Lekë neto.

Pozicionet më të kërkuara gjatë 2018 kanë qenë :

Shitës në terren;

Specialistë marketingu;

Specialistë financë;

Specialist i teknologjisë së informacionit (programuesit kryesojnë);

Shërbim ndaj klientit;

Asistente administrative;

Specialist i shëndetit dhe sigurisë në punë;

Arkëtar/e;

Magazinier;

Elektricist (specialist);

Marangoz/hidraulik/saldator;

Jurist;

Inxhinier;

Arkitekt/e;

Mekanik (specialist).

Punët e pakualifikuara

Në këtë kategori kërkesa për punë është shumë më e madhe sesa oferta. Ka zona të tëra me të papunë të pakualifikuar dhe ku ka më së shumti një ose dy fasoneri ose kantiere pune.

Por pavarësisht faktit se këto janë punë të pakualifikuara, përsëri duhen disa njohuri sociale bazë që të fillosh punë, duke filluar që nga mundësia e këtyre personave për t’u informuar për vendin e lirë të punës dhe çfarë kërkohet, ose paraqitja tek punëdhënësi me minimumin e sjelljes dhe qasjes ndaj punës, në mënyrë që t’i mundësohet puna. Mungesa e këtyre elementeve bazë, por shpesh edhe mentalitetit prapanik që prek sidomos gratë dhe vajzat, e mban këtë kategori jashtë tregut të punës.

Pagat e kësaj kategorie kanë një minimum ligjor që është bruto 24,000 Lekë (nga 1 janari është bërë 26 mijë lekë), por ka kompani që e kanë tejkaluar këtë minimum, duke paguar në nivelet neto 28,000 Lekë të reja dhe në raste të rralla neto 30,000 – 35,000 Lekë të reja në muaj.

Çfarë pritet në 2019?

Gjatë vitit 2019, sipas vlerësimit të EPPC Albania & Kosovo, pritet që të rritet kërkesa dhe qarkullimi për drejtues të lart dhe të mesëm (CEO, CEO-1 dhe CEO-2), si edhe për punonjës të kualifikuar ose jo në fushat e mëposhtme:

Shitje në terren sipas sektorëve;

Shërbim ndaj klientit (Ballë për ballë ose nëpërmjet telefonit);

Punëtorë shërbimi në hotele;

Teknologjia e informacionit për Programues, Rrjetesh, Ruajtjes së të dhënave, etj.;

Specialist elektrik, mekanik, hidraulik, marangoz, murator, mirëmbajtës;

Specialiste finance;

Inxhinier;

Punëtorë ndërtimi;

Punëtorë fasoneri;

Specialist shëndeti dhe sigurie në punë;

Asistente zyre/administrative.

Sektorët që mund të presin rritje page

“Ndryshimet e konsiderueshme në tregun e punës ndikohen nga zhvillimi ekonomik i vendit dhe investimet”, thotë Erald pashaj, drejtor i EPPC Albania & Kosovo. “Ndërmjet këtyre të fundit janë investimet e huaja zëri kryesor që ndikon rritjen e ofertës për punë, kërkesës për personel të kualifikuar që të zbatojë standarde, rritjen profesionale të stafit dhe për rrjedhojë edhe rritjen e nivelit të pagave”.

Vite më parë në sektorin bankar, telekomunikacion dhe farmaceutikë, qenë pikërisht investimet e huaja të cilat rriten nivelin e pagave të këtyre sektorëve dhe ndryshuan tregun e punës. Gjatë vitit 2019 pritet që të rritet paga minimale bruto nga 24,000 Lekë, në 26,000 Lekë të reja në muaj si edhe sektori i hoteleri-turizmit të ketë ndryshimet më pozitive në paga, nxitur nga zhvillimet e fundit në këtë sektor.

“Viti 2019 do të njohë përsëri rritje pagash për kategoritë drejtues dhe specialistë, kryesisht e nxitur nga kërkesa qarkulluese ndërmjet bizneseve aktuale, por dhe nga lëvizjet e pritshme të kësaj kategorie në vendet e BE-së, ku në vend të parë është oferta për punë në Gjermani”, thotë Pashaj.

Më lehtë të gjesh punë në kryeqytet, sepse nuk ka forcë pune të kualifikuar jashtë Tirane

Gjatë vitit 2018 u vunë re disa dukuri, të cilat janë shfaqur lehtë vitet e fundit, por gjatë vitit 2018 janë ndjerë më shumë sesa më parë.

Sipas vlerësimit të EPPC, sot në Shqipëri ka një dallim të madh ndërmjet Tiranës dhe pjesës tjetër të vendit. Ky dallim është i dukshëm në shumë aspekte të jetës, por ndihet edhe më shumë në tregun e punës. Në 2018 tregu i punës në Tiranë pati disa lëvizje, negative dhe pozitive. Pati shkurtime vendesh pune, falimentime ndërmarrjesh, por edhe zgjerime kompanish ekzistuese apo kompani të reja të mesme ose projekte të reja me fonde publike.

Nga ana tjetër në shumë rrethe është një gjendje e gjatë stanjacioni, e mekur në ofertë për punë dhe e trishtueshme përsa i përket njohurive dhe qasjeve nga punëkërkuesit edhe në atë ofertë të pakët. Dëshira e kompanive për të zgjeruar aktivitetin edhe në rrethe të tjera jashtë Tiranës, ekziston, por kësaj dëshire nuk i përgjigjet niveli i punëkërkuesve në rrethe. Sot puna në çdo kompani, sado e thjeshtë dhe e pasofistikuar që të jetë, kërkon më së paku disa aftësi bazë, aftësi sociale dhe njerëzore, si komunikimi, e folura, e lexuara, dëgjimi, sjellja e përgjegjshme, respekti, etj.

Paralelisht nevojiten dhe disa aftësi që lidhen me profesionin, që nga si mbahen veglat e punës, si përdoren pajisjet e zyrës, si i shërbehet një klienti në bar apo restorant, ose si punohet pa rrezikuar veten dhe kolegët, etj. Nëse nuk do të përmirësohen aftësitë bazë si më lart, kjo kategori do të vazhdojë të përballet me vështirësi punësimi. Madje përmirësimi i aftësive shoqërore është edhe më i rëndësishëm që t’ju japë një mundësi për të hyrë fillimisht në një punë, ku më pas të mësojë edhe aftësitë bazë të profesionit. Këto aftësi sociale e sjelljeje duhen gjithmonë dhe kudo.

Përtej pozicionit dhe punës që një person do të kryejë, këtë vit e në vazhdim do të shihet më shumë se për cilën kompani do të punojë. Reputacioni i punëdhënësit është bërë edhe më i rëndësishëm se vetë puna që ofrohet. Kjo do të jetë një dukuri pozitive për tregun, sepse do të nxisë punëdhënësit që të ndërmarrin masat e duhura që të kategorizohen më lartë dhe për rrjedhojë të tërheqin gjithnjë e më shumë punonjës të aftë.

Gjithashtu gjatë vitit 2018 u ndje një lëvizje e punonjësve të kualifikuar dhe gjysmë të kualifikuar drejt Gjermanisë. Kërkesa për punë në tregun gjerman u zgjerua përtej pozicioneve të kerkuara prej kohësh tashmë si IT, doktorë dhe infermierë, por edhe në pozicione të tjera të mesme, si berber, shofer kamionësh, etj. Kjo kërkesë gjatë 2018 u frenua nga legjislacini gjerman që ende nuk është plotësisht lehtësues, por edhe nga mospasja e minimumi të kërkuar profesional apo njohja bazë e gjuhës gjermane.

Punët e kualifikuara.

“Ne në EPPC marrim mbi 100 aplikime për punë çdo ditë, ku shumica e tyre janë aplikime për punë të kualifikuara, që nga Drejtor, Shef Finance, Drejtor Shitjesh e deri tek Specialist Marketingu, etj”, thotë Pashaj.

“Jo të gjithë aplikuesit janë të papunë, madje mund të them që rreth 70% e tyre janë në punë, por janë në kërkim të punëve/pozicioneve dhe kompanive më të mira se ajo ku punojnë aktualisht. Ndërsa 30% janë përkohësisht pa punë ose duke u larguar nga një punë.

Nga një sondazh që ne në EPPC kemi bëre vjet në rang vendi, na rezultoi se 66% e të punësuarve në Shqipëri janë të pakënaqur me punën që bëjnë. Prandaj nuk është aspak rastësi që 70% e aplikimeve ditore në EPPC janë nga punonjës që janë në marrëdhënie pune. Por mos harrojmë që nga ana tjetër edhe punëdhënësit kërkojnë ndryshimin e punonjësve ekzistues. Punësimi i personave të duhur ndikon drejtpërdrejtë në rezultatet e kompanive, dhe punësimi/apo mbajtja e personave të gabuar ka pasoja të rënda për biznesin, ekipin dhe atmosferën e punës.

Prandaj punëdhënësit janë të gatshëm të paguajnë për shërbimin e punësimit, por edhe për të ofruar paga më të larta për punonjës më të mirë në sjellje dhe profesion. Vërehet se gjithmonë e më shumë po merr rëndësi sjellja e individit në vendin e punës. Trajnimet e stafit për sjelljen, komunikimin, shërbimin ndaj klientit, etj., janë shumë të kërkuar, sepse janë domosdoshmëri për çdo biznes që do të ecë përpara”, rekomandon Pashaj./ Monitor.al

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY