‘Vendlindja e autorit është kryeqyteti botëror i personazheve të tij letrarë’

‘Vendlindja e autorit është kryeqyteti botëror i personazheve të tij letrarë’

156
0
Shares

Intervistë ekskluzive për “The Albanian”, me shkrimtarin Arbër Ahmetaj

Forca e përshkrimit psikoanalitik na zhyt në një existencë të mbyllur, ku fantazmat marrin formë, falë fuqisë së fjalëve, në bukurinë e errët të një shkrimi tronditës”, kështu shkruan për shkrimtarin Arbër Ahmetajn, Marie-Rose Genaud, Studiuese e letërsisë, Zvicër.

Ahmetaj është një zë i mirënjohur në letërsinë shqipe pas viteve 90-të, autor i shumë librave dhe fitues i disa çmimeve. Përveç disa librave me publicistikë, ai është autor i katër romaneve : «Flethyrje për në varr», «Varri i braktisur», «I huaji, ai Kosovari», «Një natë te Luiza», i përmbledhjeve me tregime «Riva H.» dhe «69 gra» si dhe i një libri poetik shqip-frëngjisht «Më mori malli e dashur». Proza e tij është botuar në frëngjisht, rumanisht, anglisht, etj.

Arbër Ahmetaj u lind në Tropojë në vitin 1965. I diplomuar në Farmaci nga Universiteti i Tiranës dhe i Gjenevës, ai që nga viti 1986 bashkëpunon me shtypin letrar (Zëri i Rinisë, Drita, Nëntori). Krahas studimeve në vitet 1991-1993 punon si redaktor në gazetat “Balli i Kombit”, “Kosova” e më pas, gazetarë në TVSH, Departamenti i Informacionit. Në vitin 1993 i bashkohet stafit të MPJ-së.

Ndërkohë specializohet për diplomaci në Oksford, Washington, Gjenevë dhe në Maltë. Pas postesh të ndryshme brenda MPJ-së në Tiranë, emërohet Sekretarë i Parë i Ambasadës shqiptare në Bukuresht. Në shtator të vitit 1997 jep dorëheqje dhe vendoset në Zvicër, ku ka bashkëpunuar me gazetën “Bota Sot”. Punon si farmacist në Sion, Zvicër.

INTERVISTA

FS: Në tri dekada krijimtari, keni botuar shumë tituj. A mendoni se jeni vlerësuar sa duhet nga shteti apo institucionet përkatëse?

AA: Do përpiqem që edhe në dekadat apo vitet që më kanë mbetur të mos shkruaj asgjë, të mos botoj asnjë vepër e cila të ketë ndonjë element, personazh, apo ide që të vlerësohet nga shteti apo institucionet. Letërsia që shkruaj bazohet në përpjekjet e njeriut, individit në kërkim të lirisë, rrjedhimisht është një letërsi krejtësisht në anën e kundërt të ciklopit antiliri, makinës shtetërore dhe  institucioneve të tij.

FS: Atëherë, nëse është kështu, cili është vlerësimi më i madh që ju është bërë si shkrimtar?

AA: Lidhja që kanë krijuar me tekstet e mia letrare qindra lexues shqiptarë. Ky është vlerësimi më i madhqë mund të marrë një shkrimtar. Çmimi më nobël i letërsisë, është krijimi i miqësive me njerëz të panjohur, përmes tekstit letrar. Fakti që shumë nga lexuesit e mi, më janë bërë miq të mrekullueshëm dhe presin me gëzim daljen e çdo libri tim, përbën për mua vlerësimin më të hijshëm, më të çmueshëm si shkrimtar. Ky atashim, nuk përkthehet shpesh me shifra shitjesh, por me një “lobim të fortë” në favor të leximit të romaneve të mia. Lexuesit besnikë, janë agjentët e mi letrarë më të mirë. Ja t’ju them një shembull: një lexues i imi në Kroaci, ka ofruar dy vjet jetë për ta përkthyer romanin tim “I huaji, ai Kosovari” në kroatisht. Libri nuk është botuar akoma në këtë gjuhë, por ai s’ndalet së kërkuari një botues. Në Zagreb kam një ambasador të shkëlqyer të letërsisë që shkruaj. Ky nuk është rast i izoluar. Përpjekje të tilla, vijnë edhe nga Italia, Greqia, Kanadaja, Franca etj. Unë e njoh botën e komplikuar të botimeve dhe jam munduar t’i shkurajoj miqtë e mi nga ndërmarrje të tilla, pa dashur t’i lëndoj, po i quaj patetike, por në të njëjtën kohë, ato janë gjeste shumë prekëse për një autor.

FS: Çfarë mendoni për letërsinë shqipe të pas 90-ës?

AA: Mendoj se letërsia shqipe është ndër më të bukurat e kontinentit. Sidomos poezia, por edhe proza. Ndarjet kohore, apo me periudha janë interesante për studiuesit e letërsisë, për të lehtësuar mësimin e saj nëpër shkolla. Unë mendoj se Ali Podrimja dhe Hamit Aliaj, janë ndër poetët më të mëdhenj europianë. Anton Pashku, Mitrush Kuteli, Zija Çela janë ndër prozatorët e mirë europianë. Ja sepse e kam të vështirë të bëj ndarje kohore, disa prej autorëve që përmenda kanë shkruar para e pas 1990, pa pësuar lëkundje të mëdha në cilësinë e shkrimit. Por unë e kuptoj pyetjen tuaj. Para rënies së komunizmit letërsia jonë ishte e mbushur me emra e tituj të pompuar nga shteti, pasi ishin libra panagjerik, shumica të neveritshëm. Letërsia e krijuar në liri, edhe pse ndonjëherë pa atë cilësi shkrimi e sidomos në fillimet e saj, pa ndonjë cilësi botimi, ka arritur t’i kthehet thelbit të saj të natyrshëm: njeriut, emocioneve, dramës, lirizmit, problemeve dhe shqetësimeve të tij! Romanet e mia, “Fletëhyrje për në varr”, “Varri i braktisur”, “I huaji, ai Kosovari” etj,  janë pjesë e kësaj letërsia johipokrite.

FS: Brezi juaj i shkrimtarëve, a e ka krijuar personalitetin e duhur në letërsi, për t’u identifikuar si brez?

AA: Unë e konsideroj veten shkrimtar shqiptar. Jam i një brezi me krijuesit e mrekullueshëm të Ciklit të Kreshnikëve, me Pjetër Bogdanin, Naim Frashërin, Ernest Koliqin, Martin Camajn, At Zef Pllumin, Din Mehmetin, Luan Starovën, Visar Zhitin, Petro Markon, i një brezi me disa tregime të Fatos Arapit, Koço Kostës, Kim Mehmetit, pastaj Ardian Kyçykut, Petrit Palushit, Zejnullah Rrahmanit, Sadik Bejkos, Beqir Musliut, Mehmet Elezit, Ramiz Gjinit, Ndriçim Ademaj, Flutura Açkaj, Ridvan Dibrës, Ylli Demnerit, Jaho Margjekaj, Irena Gjoni dhe i vëllait tim Bislim Ahmetaj. Kjo përgjigje nuk  përputhet krejtësisht me pyetjen tuaj. Por unë mendoj se “krijimi i brezave” në letërsi, është i panevojshëm, për të mos thënë është rrjedhojë e reminishencave përjashtuese, krijimit të hierarkive letrare me pikëzime në qendër, aq i ëmbël për sisteme centrike, poshtruese për shkrimtarët e për shkrimin në përgjithësi. Shkrimtarët janë galaksia e një kulture dhe gjuhe, piramidat, breza-ret janë simbole të faraonëve dhe diktatorëve.

FS: Cilat janë temat që mungojnë sot në letërsinë shqipe?

AA: Nuk besoj se një letërsie i mungojnë temat. Kur shkruan për njeriun, ke shkruar për temat themelore të njerëzimit: kërkimi i lirisë, i dashurisë. Kur një shkrimtar interesohet për këto subjekte, atij do t’i duhet të kalojë përmes një game të jashtëzakonshme emocionesh, siç janë zhgënjimi, euforia, ndjenja e hakmarrjes, e ushtrimit apo kundërshtimit të dhunës, pasionet e thella, qofshin edhe për lulet e kopshtit të vet, apo peshqit e akuariumit. Nga kjo pikëpamje nuk bëhet më fjalë për tematikë, por për përcjellje artistike të këtyre emocioneve qoftë përmes shkrimit si aventurë në vetvete, qoftë përmes aftësisë rrëfyese të një aventure të personazheve letrare. Nga ana tjetër, është plotësisht e vërtetë që, nëse shkruan për dramën e tmerrshme të shqiptarëve gjatë regjimit komunist, edhe sot e kësaj dite gjenden “dashamirës”, që të censurojnë, që ta gjejnë vendin në brezaret e tyre. Ta mbyllin derën! Tashmë kjo nuk bëhet me burgosje shkrimtarësh, apo varje në litar, por duke mbushur hapësirat mediatike me peronazhe që grorifikojnë, duke e kritikuar nga pak të shkuarën,  duke revizionuar krimin makabër ndaj shqiptarëve, duke ia lënë fajin sistemit, thua se sistemi ishte një makinë grirëse marsiane dhe jo e përbërë nga togerë e banditë shqiptarë të indoktrinuar. Shoqëria shqiptare kurrë nuk do të humanizohet, nëse nuk kujdesemi me dhembshuri për plagët që i shkaktojmë apo ia kemi shkaktuar njëri-tjetrit. Letërsia e mirë nuk shkurajohet kurrë. Asaj i duhet të bëjë përpjekje serioze për të përmbushur këtë mision. Letërsia nuk është gjykatë që shqipton dënime, por ama është gjykim që ndihmon shoqërinë të njerëzohet, të tregojë respekt e dhemshuri për dramën e tjetrit.

FS: Pse ka pak sukses letërsia jonë në botë? Mungesë përkrahje shtetërore, mungesë cilësie apo…?

AA: Autorët që kërkojnë përkrahje shtetërore e kanë të garantuar mungesën e suksesit. Për cilësinë e veprës së tyre, është e vështirë të flas në përgjithësi. Në botë letërsia jonë ka emër të mirë. Ka dy aspekte që duhen këqyrur me kujdes. I pari ka të bëjë me vetë natyrën e ndërmarrjeve private të botimit. Ato shohin e botojnë tekste letrare që shiten. Atyre iu duhet një mall i shitshëm. Shpesh edhe pa asnjë vlerë letrare. Asnjë botues europian nuk është i gatshëm të botojë një autor, librin e të cilit e ka të vështirë ta shesë. Ja një histori suksesi e bazuar në shitje fiktive në periudhëm e Luftës së Ftohtë. Një autor nga Europa Lindore, i përkthyer në një gjuhë europianoperëndimore nga një i burgosur i ndërgjegjes në vendin e tij. Një mijë kopjet e para i kanë blerë miqtë e përkthyesit, të arratisur apo që jetonin në atë vend. Sipas rrëfimit të njërit prej tyre, ata i blenë dhe i hodhën në plehra librat e blerë. Shpresa e tyre ishte se duke e bërë të famshëm autorin e “shitshëm”, ata mund ta ndihmonin përkthyesin e tij, mikun e tyre, të fitonte lirinë. Kjo e befasoi botuesin e huaj, që nxori menjëherë një tirazh tjetër, i cili u shit brenda pak orësh ose ditësh me të njëjtën mekanizëm. Ky “sukses” u përdor nga autori në vendin e tij, si trafik i plotë interesi. Botuesi i tij vendas, shtetëror, ribotonte autorin në 2-3 qind mijë kopje. Këto janë tirazhe që nuk ekzistojnë më.  Aspekti i dytë ka të bëjë me një problem relativisht të komplikuar të natyrës së shkrimit. Botuesit e huaj kanë kolana të veçanta: Roman policor, romane dashurie, romane filozofike, triller etj. Shkrimtarët shqiptarë shkruajnë gjëra të mrekullueshme, por brenda një romani i gjen të gjitha. Kjo është fantastike. Pavarësisht nga “mungesa e suksesit” në botë, ata duhet të shkruajnë ashtu siç mendojnë. Por nëse ndonjëri prej tyre ka lehtësinë e natyrshme të shkruajë një roman policor, të zi, rozë, epik apo tjetër,  duhet ta njohë këtë specificitet të botuesve të huaj. Ndryshe do t’i duhet të kërkojë ndihmë shtetërore e kjo është vdekje e sigurtë letrare. Për ta mbyllur po them se letëria jonë nuk është aq e panjohur, vetëm në frëngjisht janë të botuar mbi 100 autorë shqiptarë, përfshi edhe të intervistuarin tuaj 

FS: A e dëmton shkrimtarin angazhimi politik?

AA: Shkrimtarin e dëmton në rradhë të parë cilësia e dobët e shkrimit. Të qënit armik i diktatorëve nuk e ka dëmtuar Fishtën e Koliqin, Trifon Xhagjikën e Petro Markon, nuk e ka shpartalluar si shkrimtar Visar Zhitin, Pjetër Arbnorin, Isabela Allenden, Brehtin, apo Lorkën, Havzi Nelën, Adem Demaçin, aq më pak At Zef Pllumin apo poetin e mrekullueshëm Frederik Reshpja. Veçanësia e shkrimtarëve që përmenda është se janë rreshtuar në krah të lirisë së qytetarëve të tyre. Shkrimtarin e dëmton, pavarësisht cilësisë së shkrimit të tij, angazhimi në krah të atyre që shtypin qytetarët dhe liritë e tyre. Disa tekste letrare mund të rezistojnë, por emrat e autorëve të tyre shuhen. Ka një rast të jashtëzakonshëm në Francë: Louis-Ferdinand Céline. Ai ishte dhe mbetet një shkrimtar stilist ndër më të mëdhenjtë e të gjitha kohërave. Është shkrimtar shumë më i mirë se Kafka e Xhojsi. Angazhimi i tij pak para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore me pamflete antisemite e ka dëmtuar shumë rëndë posturën e tij si personalitet e si shkrimtar. Angazhimi politik është dytehësh. Nëse mbron një politikë të caktuar dhe letërsinë tënde e shndërron në fejton politik të forcës që udhëheq, në kryeartikull letrar të gazetës politike, siç ndodhte me shumë kolegë tanët në komunizëm, kjo është e dëmshme. Nëse shkrimi dhe tekstet tua letrare vihen në kërkim të lirisë, të lumturisë të sa më shumë njerëzve, ky është mision humanist, politikisht i  angazhuar, por pa asnjë rrjedhojë paragjykuese për shkrimin letrar. Të dalësh nëpër studio televizive, duke shitur autoritetin si shkrimtar, në mbrojtje të një partie politike, mund të kesh përfitime të mëdha, të tipit dhurata e dekorata shtetërore, por s’mund të kesh miq e lexues. Fiton ndjekës, blerës e votues si çdo politikan dhe kjo s’ka asnjë të keqe. Veçse, dikush e bën, dikush jo. Një shkrimtar i vërtetë e ka të vështirë të identifikohet me qeverisjen. Personalisht votoj nga ma merr mendja, shkruaj nga më anon shpirti. Shpirti shitet vështirë për një apartament, për një post, për një dekoratë, për një përfshirje të emrit në protokolle festash, apo për një dalje në tribunë krah për krah me udhëheqësit. Por nuk duhet harruar se shkrimtarët, sidomos ata me autoritet të madh letrar, janë figura me peshë në jetën publike, atyre u duhet nganjëherë të marrin qëndrime që edhe paragjykohen. Duhet respektuar guximi i tyre edhe kur gabojnë.

FS: Sa vend zë historia lokale në krijimtarinë tuaj?

AA: Kjo duket e thjeshtë, por në fakt është ndër pyetjet më të sofistikuara që i bëhet një shkrimtari. Unë kam lindur në Bajram Curri. Në fëmijërinë time ai ishte një fshat që ngadalë po dilte nga mesjeta. Ndërtimi i hydrocentralit të Fierzës nga fundi i viteve 70 të shekullit të kaluar e shndërroi në qendër relativisht të zhvilluar. Në romanet e Dostojevskit, të Xhojsit, Markezit, Updike, Khaled, Ecos, Zafon apo edhe të tjerëve ngjarjet e një romani vendosen në një fshat apo qytet real apo të imagjinuar. Historia lokale është histori e njerëzimit. Aty ngjizen embrionet e para që i shërbejnë autorit si minierë nga ku vjel personazhe, detaje, heronj e antiheronj. Disa prej tyre unë i kam ruajtur me emrat real. Hafizja e çmendur, Isë Gjeologu, Ibër Gjongeci, apo tjerë si Piktori Bojgri, Regjisori, Poeti, SS-ja, Farmacisti Miop, janë personazhe që njihen nga të gjithë lexuesit e vendlindjes sime. Ndërkohë një lexues në Zvicër më thoshte se ato personazhe kanë jetuar edhe në fshatin e tij mes Alpeve të Europës, Edmond Tupja e Rudolf Marku më kanë thënë se njihnin në personazhet e mia të gjithë “heronjtë” e qyteteve të tyre. U habita. Kjo vinte nga fakti që vogëlsia njerëzore, ose shpirti i madh humanist, konflikti i pashpirt për asgjë, hakmarrja dhe dashuria, dhuna dhe pasojat e saj, dëshprimi dhe shpresa janë energji planetare, të përjetueshme kudo e nga gjithkush. Sa më i realizuar të jetë heroi lokal, aq më të madhe e ka jehonën planetare. Të gjithë qajmë e qeshim, vuajmë e lumturohemi njëlloj. Nga kjo pikë vështrimi nuk i kam lakmi as Xhojsit për Dublinin e tij, as Kafkës për Pragën, as Markezit për Aracataca, Balzakut për Parisin, Mitrush Kutelit për Pogradecin, Borges për Bouenos Aires, apo Migjenit për Shkodrën. Qyteti im i lindjes është kryeqyteti botëror i personazheve të mia letrare. Nuk duhet harruar edhe fakti që unë kam jetuar në Bajram Curri vetëm 20 vitet e para të jetës sime, 33 të tjerat i kam kaluar në të katër anët e planetit, nga Amerika në Irlandë e Angli, nga Shqipëria në Rumani, nga Malta në Zvicër e kështu që letërsia ime ka marrë ngjyrat dhe heronjtë e shumë hapësirave.  

FS: A keni një këshillë për shkrimtarët e sotëm shqiptarë, për politikën apo lexuesit?

AA: Absolutisht jo. Unë di një gjë: që ne shkruajmë e botojmë pak. Ne kemi pak romane, kjo duhet të ndryshojë. Duket absurde pasi shumë kush ankohet se ka shumë libra. Kjo i ngjan një mallkimi! Imagjinoni sikur fermerët të ankohen që toka e tyre prodhon shumë! Ne botojmë pak romane, ne duhet ta kalojmë numrin e 100-150 romaneve në vit. Atëherë do kemi se çfarë të zgjedhim, se çfarë ligjësish na përcaktohen, se çfarë drejtimi do të ndjekim si letërsi. Kjo nuk është këshillë, kjo është dëshirë e imja si autor i letërsisë shqipe. Për politikën kam veç një sygjerim! Të mos shndërrohet në penguese të lirisë së njerëzve. Përndryshe vet do ta paguaj çmimin. Në shekullin e 21 ka pak popuj që pranojnë kufizimin e lirisë së tyre. Lexuesve u lutem të mos na lexojnë nëse i mërzisim, të mos lexojnë romane të cilave iu bëhen publicitete si të ishin pije freskuese, apo kremëra për lëkura me puçrra. Me refuzimin e tyre estetik, lexuesit do na mësojnë edhe ne se si të shkruajmë më me cilësi.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY