Rama po na ofron Edin, si zgjidhje!

Rama po na ofron Edin, si zgjidhje!

148
0
Shares

Nga Çim Peka

 

Opozitarë, politikanë, analistë, profesorë, znatçinjë të `shoqnisë` civile, mësues, mjekë, emigrantë, astiras, shkozarë e zharzarë, minatorë e tregtar të vegjël, të varfër e të `mesëm`…janë kthyer të gjithë përnjëherësh si Lulet e Diellit, nga dielli i protestës së studentëve.

Shihni çfarë po ndodh. Papritur të gjithë i kanë shpresat dhe sytë nga një lëvizje që nisi në auditoret e Arkitekturës, si një instikt vetëmbrojtës e mbijetues, pasi u zunë në befasi nga një gjobë e radhës e qeverisë Rama. Shumica e “mendimtarëve” publikë dhe mediatikë janë lëshuar të zbardhin konspiracionin, se kush e organizoi e kush është mbrapa kësaj lëvizje që po shkund shqiptarët.

Jo është Mona me “kamikazët” e saj rinorë, jo Luli me ca të huaj, Lali Eri me ish mjaftistët për t’i bërë presion Ramës, Qorri e Organizata Politike dhe më e bukura, si shkëndijë shitet edhe vetë kryeministri, që paska pasur hall të shmang vëmendjen nga skandali i pastrimit të parave në Unazën e Madhe.

Broçkulla me “brirë”!

Të gjithë këta që kemi rreshtuar më sipër, do të donin të ishin prapa protestës së studentëve dhe e vërteta është që po bëjnë çdo gjë, që të bëhen pjesë e saj. Dhe nuk ka asgjë të keqe, që kushdo të shfrytëzojë energjinë e studentëve kur bëhet fjalë për qëllime emergjente kombëtare, siç është rrëzimi kësaj organizate kleptokrate e kriminale në pushtet.  Por meritë në startimin e saj, nuk kanë dhe pikë.

Lëvizja e këtij Dhjetori nisi thjesht, kur në xhepat e studentëve dhe të prindërve që i investojnë, u shtua edhe një vrimë më shumë nga rrjedhin para për qeverinë, rektoratin, profesorët e korruptuar, etj.

As vetë ata dhjetëra të rinjtë e parë që u nisën nga 21 Dhjetori drejt ministrisë së Arsimit nuk e dinin, që do të bëheshin kaq shumë. Nuk e kishin parashikuar se do ta fitonin aq lehtë heqjen e 670 lekëshit gjobë, për çdo kredit provimi. Ditë pas dite janë përhapur në gjithë Universitetet e vendit dhe shtuan kërkesat, duke shkuar drejt rrëzimit të gjithë skemës koruptive të sistemit arsimor, të cilën Rama e ka shitur si “Reformë historike”.

Tani jemi në pikën që në mënyrë subkoshiente, ata po godasin në fakt gjithë sistemin politiko-shtetëror në Shqipëri. Shihni parullat e tyre; sa vijnë e bëhen më politike.

E duam Shqipërinë si gjithë Europa – është një dëshirë e ëndërr 28 vjeçare. Por a janë të përgatitur që këtë referim instiktiv, ta kalojnë në fazën e një lëvizjeje të mirë organizuar, politike e anti-estabilishment?!

Ata janë shpresa – thotë Luli dhe Mona. Na shpëtoni nga Edi Rama, rrëzojeni- bëjnë sikur përgjërohen Fatosi me Andin. Bashkëqeverisni me mua dhe hajdeni të luftojmë së bashku korrupsionin-tallet Edi Rama!

Luftoni edhe për Teatrin, Astirin, korrupsionin, koncesionarët, varfërinë, ata që ikin në emigrim, prindërit që nuk kanë punë, taksat, rrugët, çmimet, shkollat, spitalet, lotot…u bën thirrje studentëve, histeria kolektive. Tani na ka ngelur që atyre 18-20 vjeçarëve, t`ju kërkojmë që të detyrojnë  edhe presidentin Macron, që të japë dorëheqjen meqenëse nuk po ju plotëson kërkesat “jelekverdhëve” në Francë!

Domethënë studentët u ngritën që u ngritën, duhet edhe të zgjidhin gjithë hallet e opozitës, grupeve të goditura të interesit e të gjithë shqiptarëve!

Vini re me vëmendje se çfarë po përpiqet që të bëjë Edi Rama sot, në monologun e tij të përçartur. Krahason këmbënguljen e studentëve për të mos negociuar dhe biseduar fare për kërkesat e tyre, me “Çadrën” e Bashës; Ultimatume, ultimatume!

Dhe në fakt ai pikërisht nga ultimatumet ka frikë, por vetëm nga ato që çohen deri në fund.

Dihet, si përfundoi historia e Çadrës. Edhe atëherë u ngrit deri në astrosferë shpresa e gjithë shqiptarëve, por të gjithë e pamë se fundi na zhyti edhe më thellë në pusin e Rilindjes. Rama me organizata e tij ecën përpara dhe “rilindën” sërish, edhe më të fuqishëm e arrogant.

Bisedoi me Lulin, negocioi me banorët e Zharzës dhe çfarë ishte përfundimi?!

Studentët e kanë kuptuar me kë kanë të bëjnë, prandaj janë të vendosur; Ose merri dhe zgjidhi, ose lëri. Me ty nuk ka rrugë të mesme-kurthe, siç je mësuar!

Kjo është situata, ku ka ngecur mes flutura të tij imagjinare Edi Rama. Frika e vërtetë që ka, nuk janë kërkesat e studentëve. Sepse përderisa e fut dorën në thesin e parave publike sa herë që i vijnë oferta miliardëshe “të pa kërkuara” nga biznesmenët e oborrit të Surelit dhe oazit të prapategut, nuk e ka problem që të lëshojë ca kocka, sa për të hedhur lumin sërish.

Ai ka frikë, nga fryma e kësaj proteste. Ka frikë se të gjithë shqiptarët e kuptuan përfundimisht, se mendon vetëm bizneset e veta, më saktë për skemën e ndërmarrjes korruptive e kriminale, që ka ndërtuar nëpërmjet pushtetit.

Dhe ja ku jemi përpara një gjysmë dejavu-je, të viteve 1990-1991. Themi gjysmë, sepse deri më tani studentët janë të vendosur dhe të pa negociueshëm vetëm për kërkesat ekonomike brenda “shtëpisë”. Brezi i baballarëve të tyre kuptoi, se “kushtet ekonomike” i ka në dorë vetëm skema politike. Prandaj avancuan për ta prishur atë, kërkuan “kokën” e Ramiz Alisë, pluralizëm dhe pollën parti.

Sot skema politike në Shqipëri, vetëm formalisht mund të quhet plurale. Me vota apo jo, dhunë apo para, Rama është mbret (pa thonjëza) njësoj siç ishte Ramiz Alia, deri në ditën kur studentët u nervozuan për “kushtet ekonomike”.

Prandaj ai po bën njësoj, si Alia atëherë. Ku të gjejë një Fatos Nano?! Gjithçka, që  të ruajë skemën edhe nëse i duhet të presë koka brenda radhëve. Sepse `koka` e tij dhe skema janë baras.

Gjithçka, edhe duke mohuar e duke u shfaqur jashtë partisë dhe Rilindjen. E dëgjuat çfarë u tha studentëve-Hajdeni të luftojmë së bashku korrupsionin e Rilindjes!

Edhe 28 vite më parë kurthi për studentët u ngrit mbi skemën, se Partia e Punës kishte degraduar, Adil Çarçani ishte i paaftë dhe i keq, por shoku Ramiz është i mirë dhe nuk i dinte të gjitha.

Sot në  vitin 2018: Rektorët, profesorët dhe vetë Lindita Nikolla është e keqe dhe fajtorë; por Edi Rama i mirë!

Atëherë për të shpëtuar Ramizin, e shndërruan në “bombë e flamur”, Zërin e Popullit të  Kiço Blushit dhe RTSH-në.

Sot kanë prehur lapsin dhe kanë bërë top;  Top Channel, Klan, Report tv, News 24, RTSH… dritare e frëngi.

E njëjta skemë me Temë; kur nuk shpëtojmë dot qeverinë dhe partinë, të shpëtojmë  ram(izi)ën. Dikur me bashkimet profesionale e Hysni Milloshin, sot me OP e Qorrin. Atëherë mbroheshin duke sulmuar zogistë e ballistë, sot duke demonizuar PD-në, Berishën, Bashën dhe çdo media që pasqyron thelbin e shkaqeve të protestës së studentëve.

Me Lulin pa Lulin, me Monën apo pa Monën, Rama nuk shpëton dot. Është shumë e thjeshtë; ai i ka mbyllur orët e punës, nuk ju duhet më as atyre që e kurdisën, kur ju fut valles së politikës dhe pushtetit!

I ngujuar brënda zyrës, po bën çdo gjë që të bëjë shqiptarët të besojnë metafmorfozën; nga krimb mëndafshi, të shndërrohet në një flutur si ato që ka stamposur në mure! Nga Rama 6 vite kryepushtetar fuqiplotë, në Edi që do të donte të ishte student, e sot të protestonte edhe ai.

Por e ka prerë biletën, studentët janë thjesht faturino!

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY