Pse kjo lëvizje duhet t’u mbetet atyre që e krijuan, studentëve

Pse kjo lëvizje duhet t’u mbetet atyre që e krijuan, studentëve

124
0
Shares

Nga Mark Marku

Greva e studentëve si duket ka shastisur jo vetëm qeverinë dhe Kryeministrin Rama, por edhe shumë aktorë politikë dhe publikë të shoqërisë shqiptare. Të çorientuar sipas interesave, stilit dhe hallit të secilit në këtë histori, të shastisurit kanë filluar “të ftillohen” dhe ta mësyjnë grevën e studentëve me shumëçka: misionarë, oferta, aleanca, akuza.

Studentët kanë vazhduar grevën e tyre, por presioni mbi ta është rritur. Për momentin janë xhelozë në mbrojtjen e “shenjtërisë” së lëvizjes së tyre që zu fill në shpirtin e tyre rinor dhe që u shfaq me tërë pastërtinë në sfondin e fëlliqur të shoqërisë shqiptare. Duke i qëndruar besnikë shenjtërisë së reagimit të tyre, kanë refuzuar dialogun me ministren, me Kryeministrin, kanë refuzuar mbështetjen e faktorit politik duke mos i lejuar deputetët përfaqësues të tyre t’ua marrin mikrofonin, kanë përzënë që andej pedagogët ideologë që kërkojnë t’i shndërrojnë në aderues të utopive të vdekura prej kohësh, madje nuk kanë pranuar as të bëjnë kauzë të përbashkët me protestues të tjerë që vetëm një kilometër më tej protestojnë si ata për të drejtat e tyre.

Gjithë këto ditë i kam vënë fre tundimit për të shkuar atje, për të qenë një nga protestuesit në lëvizjen e tyre (edhe pse i kam mbështetur publikisht, qoftë në mënyrë individuale, qoftë përmes Forumit për Liritë Akademike dhe Autonominë Universitare, ku aderoj prej vitesh me kolegët e mi profesorë), i bindur se ajo lëvizje duhet t’u mbetet atyre që e krijuan: studentëve. Askujt tjetër! E, pra, tundimi nuk ka qenë i vogël, për mua dhe kolegët e mi, sidomos po të kihet parasysh fakti se prej pesë vitesh së bashku me ta, jemi angazhuar në një betejë me qeverinë për ligjin e arsimit të lartë të vetëdijshëm se ai ligj, e fuste në kolaps universitetin publik shqiptar, dhe po aq të vetëdijshëm se pasojat e merkantilizimit amatoresk që prodhonte ai ligj do të binin mbi kurrizin e studentëve, kryesisht të studentëve dhe përmes tyre edhe mbi shoqërinë shqiptare.

Kryeministri Rama na u përgjigj me hakërrima (që nuk na frikësuan aspak), ministrja Nikolla me buzëqeshje dhe komunikim normal njerëzor, por jo më shumë se kaq, trupa akademike nuk e pati fuqinë e një reagimi të atillë që ta ndalonte kalimin e ligjit, të zgjedhurit tanë në universitet nga një anë përgatisnin ligjin me qeverinë nga ana tjetër solidarizoheshin me ne, duke na thënë se kishim të drejtë, opozita premtoi se do ta dërgonte ligjin në Gjykatën Kushtetuese, por nuk e bëri, shoqëria në apati të plotë, kështu që ja ku jemi, me studentë në rrugë dhe me auditorë të boshatisura fiks siç e donte Rama universitetin publik. Besoj kuptohet lehtë çfarë tundimi është të shkosh aty të shikosh kryeveprën qeveritare.

Këtë radhë do ta mposht shtysën dhe nuk do të shkoj mes tyre. Edhe pse do të doja t’u thosha se kërkesat e tyre janë modeste për peshën që ka marrë protesta, madje ndonjëherë edhe cikërrima, kur ata janë aty në rrugë për shkak të pasojave që ka prodhuar ligji dhe paradoksalisht nuk gjen një kërkesë të tyre për abrogimin e ligjit.

Edhe pse habitesh kur mendon se ata janë aty si reagim ndaj aktit arbitrar të një bordi universiteti, megjithëse nuk kërkojnë anulimin e bordeve.

Edhe pse do të doja t’u thosha se 100 kërkesa për probleme anësore janë më pak se një, dy apo tri kërkesa thelbësore.

Edhe pse të vjen t’u thuash se përballja bëhet më frontale kur bëhet me Kryeministrin dhe jo me vartësit e tij, pasi është ai që e ka përgjegjësinë kryesore për gjendjen e tyre.

Edhe pse nuk e kupton pse ata nuk reagojnë ndaj kryebashkiakut Veliaj që në bashkëpunim me drejtuesit e korruptuar të universitetit u ka marrë terrenet sportive, pikërisht ajo bashki që ka në bordin e Universitetit të Tiranës nënkryetarin Arbër Mazniku, ishzv.ministrin e Arsimit, që është marrë drejtpërdrejt me ligjin për arsimin e lartë, pasojat e të cilit po i vuajnë tani.

Edhe pse shqyen sytë kur shikon rudimente të revolucionit kulturor, me foto pedagogësh që ata i konsiderojnë të korruptuar dhe që pavarësisht se i përbuz po aq sa ata, në mos më shumë, të rëndon teksa shikon rrezikun që një lëvizje, e cila jep shpresë për aq shumë ndryshim në vendin tonë, mund të bjerë pre e logjikës totalitariste që sistemin e drejtësisë së mbështetur mbi ligjin e ngatërron me drejtësinë popullore. Edhe pse mund të kesh shumë gjëra për të thënë atje mes studentëve grevistë, mendoj se nuk duhet shkuar atje. Nuk duhet të shkojë askush përveç atij që ka statusin e studentit.

Duhet respektuar lëvizja e tyre me mosshkuarjen atje, edhe në rastin më të mirë kur thjesht shkon atje për t’i përkrahur në mënyrën më të ndershme. Studentët kanë vendosur karantinën rreth grevës së tyre, akt ky që, normalisht, e bën protestën e tyre të çuditshme, pasi të gjitha protestat synojnë shtrirjen në shoqëri dhe jo izolimin e tyre. Por ata për momentin kështu kanë vendosur, me arsye. Sepse studentët janë aty ngaqë kanë humbur besimin te qeveria, te Parlamenti, te partitë politike, te profesorati dhe te strukturat drejtuese universitare, te shoqëria.

Kryeministri dhe qeveria i rrjep prindërit e tyre, i dhunon me taksa, me banditë, i poshtëron me papunësi, ua degdis fëmijët, vëllezërit dhe motrat e tyre larg vatrës familjare, me mijëra çdo vit. Dhe si të mos mjaftojnë këto dhe plot të tjera si këto, i tall pa pushim natë e ditë, duke i konsideruar si spektatorë të estradës qeveritare.

Partitë politike opozitare në vend që të dalin me një alternativë të qartë, konkrete dhe të plotë për zgjidhjen e krizës, solidarizohen me studentët dhe u premtojnë zgjidhjen e problemeve të tyre përmes disa deputetëve apo figurave që vijnë nga bota akademike, që janë pikë për pikë figurat që ata i urrejnë më shumë: pedagogë të paaftë apo të korruptuar që ata i shënojnë me kryq në “dacibaot” e tyre. Por edhe më irrituese është kur mendon se janë pikërisht partitë politike, të gjitha, që më klientelizmin partiak të punësimit, kanë shkatërruar diplomat e tyre universitare duke i zëvendësuar me librezat e anëtarësimeve partiake.

Profesorati dhe burokracia universitare gjithashtu gëzojnë mosbesimin e studentëve. Pasi një pjesë jo fort e vogël e tyre me paaftësinë profesionale dhe veset korruptive, ua shpërdorojnë fondet dhe ua shesin notat apo librat dhe studentët nuk mund t’i trajtojnë ndryshe, veçse si pjesë e një megasistemi të degraduar politik dhe shoqëror që i privon nga e drejta për dije dhe universitet bashkëkohor, duke ua nxirë jo vetëm të tashmen, por edhe të ardhmen.

Për këtë arsye dhe shumë arsye të tjera nuk duhet shkuar atje. Veçse nëse je student apo nëse ata ta kërkojnë t’u bashkohesh. Dhe nëse shkon, duhet vetëm për aq sa ta kërkojnë ata. Shoqëria shqiptare nuk ka më asnjë të drejtë morale t’u japë as mësime, as këshilla, as vërejtje, asgjë. Studentët të paktën një gjë ia kanë dhënë kësaj shoqërie vetëm me aq sa kanë bërë deri tani: dinjitetin e reagimit ndaj së keqes që ka pllakosur shoqërinë. Të tjerët le ta bëjnë protestën e tyre nëse duan dhe munden, secili sipas fuqisë dhe ideve. Shoqëria ka nevojë për protestën e të gjithëve. Ky po, që do ishte pluralizëm, pluralizmi i vërtetë që e humbëm me po atë entuziazëm që e fituam në 90-n.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY