29 Nëntori, ish-presidenti: Rast politik jo vetëm historik, ja faktet e pakundërshtueshme

29 Nëntori, ish-presidenti: Rast politik jo vetëm historik, ja faktet e pakundërshtueshme

113
0
Shares

Ish-presidenti Bujar Nishani e quan 29 Nëntorin si një rast jo thjesht historik, por dhe politik.

Në një reagim në rrjetet sociale, Nishani shkruan se kjo datë u imponua si politike dhe duhet korrigjuar.

Sipas Nishanit, simbolikë e saj është  pozicionimi antiperëndim i Shqipërisë dhe synimi, lidhja e emocioneve njerëzore të shqiptarëve me regjimin absolutist të komunistëve dhe për këtë ai thotë se ”Fakti është historik, analiza dhe konkluzioni gjithmonë janë politike”.

“29 nëntori” është thjesht një reminishencë e pozicionimit antiperëndim të Shqipërisë prej regjimit të kaluar diktatorial. Shqiptarët duhet ti ruajnë në vendin e duhur të nderimit, Rezistencën dhe sakrificat e atyre që u ngritën për lirinë por pa mbetur peng i kompleksimit nga fanatizmi i një minorance nostalgjikësh që primare kishin pushtetin absolut në asgjesim të lirisë, ideologjinë moniste përkundër dinjitetit te vlerave reale madje edhe ndaj atyre që dhanë gjithshka, jetën vetë”, shkruan Nishani.

Postimi i plotë

29 Nëntori nuk përfaqëson sakrificën e Rezistencës Antifashiste!
Qysh prej rënies së diktaturës komuniste në Shqipëri debati për mbajtjen e 29 Nëntorit si festë kombëtare që përkujton çlirimin e vendit nga pushtimi nazifashist vijon të mbetet në publik por pa u adresuar mbi analizën dhe logjikën politike të kohës që jetojmë.
Argumenti i debatit të deri tashmë mbi “ditën se kur u largua nazisti i fundit nga Shqipëria” nuk është thelbësor.

Rasti i 29 nëntorit nuk është thjesht historik, ai është tërësisht politik. Ai lindi dhe u imponua si politik dhe duhet korrigjuar me logjikë politike.
Faktet historike janë; pushtimi i Shqipërisë prej fashizmit dhe nazizmit (siç dhe ndodhi në shumë vende të tjera) si dhe reagimi dhe përpjekja antifashiste e shqiptarëve, e më pas përfundimi i Luftës së Dytë Botërore.
Këto janë fakte të pakundërshtueshme historike.

Fakti është historik, analiza dhe konkluzioni gjithmonë janë politike.
Rezistenca dhe përpjekja antifashiste e shqiptarëve është dhe do mbetet një faqe nderi në historinë tonë.
Ajo lindi nga vetëdija kombëtare e shqiptarëve të cilët reaguan pa motivim ideologjik apo krahinor.
Në të u angazhuan komunistët e kohës, nacionalistët, të pa angazhuar politik e shumë të tjerë.
Shqipëria nuk pati asnjë mundësi të bënte një luftë klasike kundër pushtuesit.
Kjo për shumë arsye. Edhe vetë regjimi komunist në Shqipëri bënte fjalë për “luftë partizane,” një luftë guerile.
Në fakt Shqipëria e asaj kohe nuk mund të bënte veçse një luftë guerile.
Kjo luftë guerile shpejt u drejtua ndaj vetë shqiptarëve që konsideroheshin si kundërshtar politik edhe pse ata ishin angazhuar kundër pushtuesit por që kishin përkatësi ideologjike krejt tjetër nga ajo bolshevike.

Rezistenca dhe përpjekja antifashiste e shqiptarëve pagoi një çmim të lartë.
Djem e vajza, burra e gra patriotë ranë në mbrojtje të lirisë, tokës dhe vlerave më të mira njerëzore në të cilat ata besonin pavarsisht ideologjive politike që ju ishin bashkëngjitur.
Përfundimi i Luftës së Dytë Botërore solli një fat të hidhur për shqiptarët.
Vendosja e një regjimi autoritar që degradoi shpejt në diktaturën më mizore të Evropës së pasluftës që nuk kishte asgjë të përbashkët me vlerat dhe idetë për të cilat të rënët për liri falën edhe jetën e tyre.
Por regjimit i duhej të shfrytëzonte për qëllimet politike gjakun e derdhur nga të rënët dhe sakrificën e tyre, për të mbuluar krimet dhe varfërimin e përditshëm të shqiptarëve. Ideologjisë së izolimit dhe dekulturalizimit perëndimor i vyheshin simbolikat.
Njëra prej tyre ishte padyshim 29 nëntori. Data specifikisht, pati natyrisht indikacion “jugosllavofilinë” e kohës, ku regjimi ishte tërësisht i varur për të konsoliduar pushtetin e vet në Shqipëri.
Por simbolika, ishte njëkohësisht pozicionimi antiperëndim i Shqipërisë dhe synimi, lidhja e emocioneve njerëzore të shqiptarëve me regjimin absolutist të komunistëve.
Ne mbarim te luftës vetë regjimi e njehësoi çlirimin me 28 nëntorin, më pas e ndryshoi. Pikërisht si pozicionim pro bolshevik e anti perëndimor.
Këtë mesazh ka mbartur kjo datë për gati gjysëm shekulli me rradhë e ka vijuar të mbetet si relike e tillë edhe pas 1992.
Keqpërdorimi i sakrificës sublime të të rënëve për lirinë, pikërisht për t’ja mohuar lirinë popullit, përbën një krim tjetër të atij regjimi.
Ajo sakrificë sublime e të rënëve është e epërme.
Mbi çdo ideologji politike. Mbi çdo pushtet partie. Mbi cilindo ndër të gjallët.
E gjithë bota e përkujton, e nderon dhe e mban në piedestalin e lartë të koshiencës kombëtare fitoren mbi nazifashizmin dhe kthimin e lirisë.
Kultura e Perëndimit e mban të njehësuar atë sakrificë sublime me përmasën e Lirisë.
Në Evropë, 8 Maji kujton madhështinë e sakrificave të asaj lufte dhe rikthimin e dinjitetit të njeriut.
Në Shqipëri, e majta vazhdon ta mbrojë “29 nëntorin” nën preteksin e luftës për liri por në të vërtetë, tërësisht si trashëgimi dhe realitet ideologjik për të siguruar egzistencën e propagandës partiake.
“29 nëntori” është thjesht një reminishencë e pozicionimit antiperëndim të Shqipërisë prej regjimit të kaluar diktatorial.
Shqiptarët duhet ti ruajnë në vendin e duhur të nderimit, Rezistencën dhe sakrificat e atyre që u ngritën për lirinë por pa mbetur peng i kompleksimit nga fanatizmi i një minorance nostalgjikësh që primare kishin pushtetin absolut në asgjesim të lirisë, ideologjinë moniste përkundër dinjitetit te vlerave reale madje edhe ndaj atyre që dhanë gjithshka, jetën vetë.
Sot më shumë se kurrë edhe për hir të parimeve të atyre që sakrifikuan, duhet rrëzuar simbolika antiperëndim, sllavofile dhe ideologjike e “29 nëntorit” dhe të ridimensionohet vlera e përpjekjeve, rezistencës dhe sakrificave antifashiste sipas modelit evropian, atje ku 99% e shqiptarëve duan të identifikohen.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY