KOMENT/Pse nuk është politikë, loja politike Rama-Meta

KOMENT/Pse nuk është politikë, loja politike Rama-Meta

168
0
Shares

Nga Sami Neza

Presidenti I vendit Ilir Meta deklaroi të shtunën se ka ndërmend të rikthehet edhe njëherë në procedurën që coi në refuzimin e dekretit për emërimin e Sandër LLeshit ministër të Brendshëm.

Vendimi i Presidentit erdhi fill pas propozimit që bëri Kryeministri Rama duke i dërguar në zyrë Ilir Metës për së dyti të njëjtin emër për ministër të Brendshëm. Deklarata e sotme e metës lë hapësirë që Presidenti mund të rrëzojë vendimin e  tij para një jave dhe të dekretojë për ministër të njëjtin emër që refuzoi pak më parë. “Presidenti i Republikës Sh.T.Z. Ilir Meta ka nisur procesin e bashkëpunimit me institucionet përgjegjëse për të marrë përgjigje të qarta, të plota dhe shteruese ndaj të gjitha çështjeve për të cilat Presidenti nuk mundi të sqarohej herën e parë pavarësisht nga përpjekjet e tij të vazhdueshme për bashkëpunim”, thuhët në deklaratën për shtyp të Presidencës.

Për të ligjëruar rikthimin në procedurë ndihmon edhe deklarata e Kryeministrit Rama e cila pavarësisht se duket në pamje si qortuese për Presidentin, brenda saj bart tërë vullnetin për të kriijuar një shteg sa më të pranueshëm për rikthimin në procedurë sikur të ishte rishikim e caktimit të një përgjegjës sektori në cfarëdo drejtorie të administratës publike. “Duke nënvizuar se “herën e pare”, Presidenti i Republikës nuk ka kërkuar asnjë lloj sqarimi nga Kryeministri, përkundrazi ka qene Kryeministri qe i ka kërkuar një takim sqarues Presidentit, pas letrës së dërguar nga ky i fundit për të shprehur refuzimin e paargumentuar të gjeneral Sandër Lleshit, si Ministër i Brendshëm, Kryeministri Edi Rama, e siguron opinionin publik se ditën e hënë, Presidenti Meta do të marrë përgjigje të qarta e të plota, lidhur me pyetjet e tij të dërguara shkresërisht”, thuhet në deklaratën e Kryeministrit.

Pra të dy sëbashku përmes deklaratave perpiqen të drejtojnë publikun e suprizuar dhe të habitur drejt një shtegu ku të shuhet edhe supriza, edhe habia.

Ilir Meta shënoi një precedent para një jave duke refuzuar emërimin e një ministri të propozuar nga Kryeministri. Vendimi i tij vuri në pikëpyetje republikën parlamentare dhe nëse kjo lloj republike është e pajisur si duhet me ligj dhe me kushtetutë për të ruajtur formatin e saj të vendimarrjes dhe jo solemnitetit, format i cili e rendit në fillim Kryeministrin. Është një moment që mund të marrë shumë kohë e mund të konstuticionalistëve shqiptarë të cilët rrallëherë japin përgjigje shteruese për një “krisje” që ndodh mes pushteteve në vend.

Por po aq është precedent në historinë e qeverisjes në Shqipëri pas ’90 propozimi nga ana e Krymeinistrit, për së dyti i të njëjtit emër për ministër brenda një jave me pretendimin që të marrë firmën e të njëjtit President përmes së njëjtës procedurë me të cilën u refuzua para shtatë ditësh.

Po ashtu është precedent fakti se Presidenti pranoi të rifillonte procedurën dhe do të jetë precedent nëse Presidenti  e dekreton ministrin, cfarë ka shumë mundësi të ndodhë.

A është e cuditshme që brenda një kohe kaq të shkurtër, përmes një komunikimi aspak transparent, dy zyrat më të rëndësishme të vendit të shënojnë të paktën dy precedente kushtetuese? Kur ka ndodhur kjo më herët, pavarësisht se Kushtetuta nuk e parandalon një precedent të tillë?

Gjatë takimeve që kanë pasur më herët si Rama dhe Meta në lidhje me dekretimin e ministrit të Brendshëm nuk kanë përmendur në asnjë rast motivet për të rihyrë në procedurë që ata i deklaruan të shtunën. Ilir Meta tha se refuzoi emrin e Sandër Lleshit për shkak të bindjes së tij ndërsa Edi Rama tha se ai nuk ka asnjë argument që të rrëzojë propozimin e tij.

Por në deklaratat e së shtunës të dy thonë dicka të ndryshme. Ilir Meta del nga kufijtë e bindjes së tij dhe hidhet në mungesën e  informacionit që i ka ardhur jo shterues prej institucioneve. Pra nuk ka qenë bindja e tij por mungesa e informacionit që linte shteg për vendimarrje të pasigurtë. Po ashtu Edi Rama thotë se të hënën Presidenti do të marrë përgjigje të plota e të qarta, pra na le të kuptojmë se disa nga të dhënat nuk paskan qenë të plota dhe të qarta. Por në të njëjtën deklaratë të lexuar nga këndvështrimi i Kryeministrit del po ashtu se Presidenti nuk ka pasë paqartësi dhe nuk ka kërkuar shpjegime nga Kryeministri javën që shkoi.

Takimi Rama Meta zhvilluar pak orë pas refuzimit të dekretit duket se ka zhvendosur nga pozicioni i tij Ilir Metën. Është jashtë mendjes të mendohet se Meta është zhvendosur nga pozicioni i tij pa u siguruar se edhe Rama do të bëjë një zhvendosje në pozicionet e veta. Ajo cfarë dimë deri tani është se Rama nuk është zhvendosur në lidhje me ministrin e ri të Brendshëm Sandër Lleshi. Janë të njohura për ndjekësit e vëmëndshëm të politikës lojërat politike mes Ramës dhe Metës kur ata nuk ishin në koalicion, kur ishin në koalicion dhe në disa cështje edhe tani që PS qeveris e vetme dhe Lsi është në koalicionin e opozitës, sic janë votat në këshillin bashkiak të Tiranës.

Nga pozicioni që kanë, si Ilir Meta President, edhe Edi Rama Kryeministër kanë plot treg për të bërë pazar mes tyre. Rama ka cfarë të ofrojë, por edhe Meta ka cfarë të ofrojë. Bile Meta shpejtoi të tregohet i dobishëm në këtë pazar duke dekretuar emërimin e Kryetarit të SHISH gati një vit pas propozimit të Ramës. Vetë Rama tha se ajo cfarë po ndodh është një lojë politike. Pra të dy janë përfshirë në lojë politike ndërkohë që drejtojnë dy institucionet kryesore të shtetit.

Kjo ka bërë që shumë njerëz të mos dallojnë qartë se ku është vendi i ligjit ndërsa kjo lojë politike zbatohet. Nëse ligji dhe loja politike mund të qarkullojnë ndërveti pa turbulluar njëri tjetrin dhe të dy udhëheqësit mund të jenë aq të qartë sa edhe ne të tjerët mos të ngatërrohemi, nuk ka ndonjë gjë të keqe. Por nuk është kështu. Për një javë kushtetuta është bërë e paqenë, e paaftë dhe të dy krerët e shtetit po lëvizin jashtë saj për shkak të lojës politike.

Të dy kanë ndërtuar precedentë mbi Kushtetutën dhe e shesin këtë eksploziv në shtetin ligjor si një cështje procedurash të administratës së ministrisë së Mbrojtjes dhe Kryeministrisë që nuk kanë raportuar saktë në lidhje me honorarin dhe rrogën e Sandrit. Precedentët kanë zhdukur një pjesë të dallimeve mes Kryeministrit dhe Presidentit dhe kanë zbehur hierarkinë shtetërore. Republika Parlamentare është e pasigurtë dhe shtegu është hapur për interpretime të tjera ekstraligjore që mund të shërbejnë në pazarin politik por nuk shërbejnë në shtetin ligjor.

Këtu nuk është më fjala për Sandër Lleshin nëse e meriton të jetë ministër apo jo.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY