Universiteti i Vlorës zhvat studentët, 80 mijë lekë për planin

Universiteti i Vlorës zhvat studentët, 80 mijë lekë për planin

119
0
Shares

Viti i ri akademik 2018-2019 ka nisur me tarifa të larta për studentët e universitetit “Ismail Qemali” në Vlorë, dhe jo vetëm për pagesën vjetore. Përkatësisht, bëhet fjalë për planin mësimor, për të cilin studentët që kanë përfunduar nivelin bachelor, por edhe master duhet të paguajnë plot 80 mijë lekë të vjetra për ta marrë. Një grup studentësh në këtë universitet, kanë denoncuar pranë “Gazeta Shqiptare” dyfishimin e tarifës për planin mësimor krahasuar me vitin e kaluar.

“Jam një studente që kam përfunduar vitin e tretë bachelor në universitetin “Ismail Qemali” në Vlorë. Problematika jonë është shumë e madhe pasi për të marrë planin mësimor, duhet të paguajmë 80 mijë lekë të vjetra. Nga studentët e vitit të kaluar kam dëgjuar se pagesa për vitin akademik 2017-2018 ishte 40 mijë lekë të vjetra. Nuk e kuptojmë se pse ka ardhur ky dyfishim tarife brenda një viti. Kërkojmë një zgjidhje sa më shpejt nga instancat përkatëse, pasi për mua kjo është një zhvatje e hapur që po i bëjnë xhepave të studentëve”,-thekson për ‘Gazeta Shqiptare’ një prej studenteve.

Pamundësia ekonomike
Për studentët, tarifa prej 80 mijë lekësh vetëm për planin mësimor është e papërballueshme, pasi ata duhet të paguajnë përveç kësaj edhe tarifën vjetore për vitin akademik si dhe të blejnë librat për secilën lëndë. “Duhet të paguajmë për çdo gjë, për vitin akademik, për librat e shtrenjtë, për konviktin, e tani edhe për planin mësimor. Studentët nuk kanë mundësi ekonomike për të përballuar shpenzime të tilla, edhe prindërit nuk kanë mundësi të na mbulojnë gjithmonë me ato rroga që marrin. Kjo është e padrejtë, universiteti po na rrjep nga lekët, shpresojmë që të zgjidhet sa më shpejt e të gjenden fajtorët për gjithë këtë situatë skandaloze”,-shprehet për ‘Gazeta Shqiptare’ një student në këtë universitet. Ndërkohë, studentët më tej kërkojnë që të ketë një tarifë fikse për çdo universitet.

“Nuk po e kuptoj se pse duhet të vendoset një tarifë kaq e lartë për planin mësimor. Në fund të fundit është vetëm një fotokopje me një vulë të universitetit sipër e për këtë universiteti e quan plan mësimor dhe i vendos tarifat sipas qejfit. Kemi marrë informacion se në universitetin “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan, në universitetin “Eqerem Çabej” në Gjirokastër apo edhe në universitete të tjera plani mësimor kushton vetëm 10-15 mijë lekë të vjetra. Është skandaloze, ose të vendoset një tarifë fikse për çdo universitet, ose të zgjidhet problemi se kush po i vjedh studentët e Vlorës”,-thotë i revoltuar një tjetër student. Pavarësisht kërkesave të shumta që studentët kanë drejtuar në këtë institucion ende nuk kanë marrë një përgjigje mbi arsyen e dyfishimit të tarifës. “Na kanë lënë pa përgjigje, asnjë nuk do t’ia dijë për ne studentët. Dje pyeta sekretaren e departamentit ku unë studioj dhe më tha që nuk ka asnjë informacion se pse është dyfishuar tarifa këtë vit. Kjo është vjedhje e pastër. Ministria e Arsimit të ndjekë rastin dhe të na japë një zgjidhje sa më shpejt të jetë e mundur pasi ne vetë nuk kemi mundësi të pagujmë tarifa kaq të larta”,-thekson një tjetër studente.

Lista e notave
Studentët e universitetit të Vlorës, ngrenë edhe një tjetër shqetësim mbi pagesën e listës së notave që kushton 11 mijë lekë të vjetra. “Universiteti jonë gjithmonë do të gjejë mënyra nga më të ndryshmet për të na zhvatur. Nëse kërkojmë listën e notave, ajo kushton plot 11 mijë lekë të vjetra, ndërkohë që në universitetin e Elbasanit është vetëm 1 mijë lekë të vjetra. Pse duhet të ketë diferencime të tilla vallë? Një listë notash 11 mijë lekë? Sistemi arsimor kështu dëshmon edhe njëherë se është kalbur, asnjë përfitim për studentët. Si nuk kanë turp që na zhvatin në këtë mënyrë kaq të pisët”,-thotë për ‘Gazeta Shqiptare’ një tjetër student.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY