‘Dreqi ta hajë, ku po shkojmë? Ç’të themi pas 10 vjetësh që...

‘Dreqi ta hajë, ku po shkojmë? Ç’të themi pas 10 vjetësh që na vunë para ca palaço?’

132
0
Shares

Gazetari Mentor Kikia i ka dedikuar një shkrim ngjarjeve të fundit në të cilat disa këngëtarë janë përfshirë.

Ai është ndalur tek arrestimi i Stresit, por jo vetëm. Ai përmend dhe personazhe të tjerë, të cilët së fundmi janë bërë pjesë dhe e teksteve shkollore.

Kikia e trajton çështjen si një problem në tërësi, duke kërkuar ndërhyrjen e institucioneve kompetente për të ndaluar transmetimin e muzikës së tyre, pasi janë një model jo i mirë për të rinjtë që po rriten.

KOMENTI I PLOTË

Një këngëtar (nëse mund të quhet kështu), u arrestua për të disatën herë në Tiranë, i kapur me armë dhe drogë. Kësaj radhe policia thotë se Arkimed Lushaj, i njohur si Stresi, është pjesë e një organizate kriminale. Nuk e dimë se sa do të qëndrojë në burg kësaj radhe. Ky djalë, ka shumë ndjekës në rrjetet sociale. Këngë të tij, që kanë për tekst vetëm fjalë të ndyra, kërcënime për vrasje, armë dhe për sfond breshëri automatiku, janë klikuar nga 1.5 deri në 3 milion herë.

Qindra e mijëra komentues shprehin admirimin për “burrërinë” e tij që i thotë “fuck” policisë. Ndërsa shumë të rinj vetëquhen me krenari si grupet e fansave të tij. Ata janë kundër fansave të një tjetër soji si ky, Noizy. Edhe ky protagonist aktesh të dhunshme, përplasjesh me armë, plagosjesh, rrahjesh… Edhe ky ka fansat e tij dhe është edhe më shumë i klikuar nga adoleshentët e të rinjtë.

Për këtë meritë u përfshi edhe në librat e shkollës. Si këta ka edhe shumë të tjerë, në Shqipëri e Kosovë, e që sundojnë në mënyrë të shëmtuar tregun muzikor. Videoklipe që promovojnë dhunën, seksin, drogën, paratë, luksin që buron nga grabitja, makinat e shtrenjta, horrllëkun, vrasjet. Sjellje të dhunshme në skenë dhe jashtë saj.

E di, do të thoni që jemi shoqëri e lirë, gjithkush bën ç’të dojë. Por ka një problem të madh në shoqërinë tonë. Jemi lëshuar nga frerët dhe nuk njohim kufi. Jemi të lirë dhe me këtë kuptojmë se kemi të drejtë të bëjmë gjithçka. Padyshim, një vajzë mund të bëjë videoklip edhe pa kënduar, vetëm duke tundur silikonet, edhe me armë në dorë. Përderisa e preferojnë, përse të mos e bëjë? Një djalë mund të bëjë tekste këngësh me këcënime, me drogë dhe pallaçollëqe të tjera të këtij lloji. Mund të pozojë edhe me automatikë e pistoleta, madje edhe me tanke nëse i ka.

Por këta njerëz për fatin e zi të kohës që po jetojmë, janë modelet e adoleshentëve. E dini ju që 13-17 vjeçarët i dinë këngët e tyre përmendësh? E dini që bëjnë tatuazhe si të tyret? Apo që përleshen mes tyre për faktin se janë “banda” fansash rivalë? Në kushtet e lirisë, këta nuk mund ti ndalosh dot të bëjnë kësi lloj arti mizerje, derisa nuk ka një ligj për “genocid” muzikor. Por ata pompohen në publicitetin e tyre nga mediat, nga ekranet, nga studiot ku i ftojnë të promovohen dhe nga ekranet që transmetojnë këto këngë me të tilla videoklipe.

Ndaj, nëse nuk e ndalon dot të këndojë këngë të tilla, AMA duhet të ndërhyjë urgjent të ndalojë publikimin e videoklipeve të tyre. Në çdo ekran. Kemi nevojë urgjente të riformatojmë rregullat e menaxhmit të shoqërisë, kemi nevojë të bllokojmë çdo element të degradimit moral e social.

Dreqi ta hajë, ku po shkojmë? Ç’të themi pas 10 vjetësh, që na vunë përpara ca palaço dhe ne të tjetër nuk qemë në gjendje të vendosim ca rregulla?

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY