“Babalja” dhe ‘”Xhisiela”, Meta: Prokuroria dhe Policia të qëndrojnë larg ndikimit politik

“Babalja” dhe ‘”Xhisiela”, Meta: Prokuroria dhe Policia të qëndrojnë larg ndikimit politik

88
0
Shares

Presidenti i Republikës, Ilir Meta i ftuar sot në emisionin ‘5 pyetjet’ të gazetarit, Ilir Babaramo ka folur dhe për situatën e rënduar të kriminalitetit në vend.

I pyetur se cili është perceptimi i tij lidhur me kriminalitetin dhe a pajetohet me deklaratat e kryeministrit apo me qëndrimet e opozitës lidhur me këtë çështje, Meta është shprehur se:

Është shumë e rëndësishme që të ketë reagime të shpejta e transparente për çdo ngjarje, që mund të ketë dyshime për ndikim të politikës ndaj institucioneve ligjzbatuese apo të drejtësisë. Në zona të caktuara të vendit ndihet shqetësimi i qytetarëve apo sipërmarrësve përsa i takon garancisë te funksionimi i shtetit ligjor në raport me ‘të fortët’ apo me njerëzit e krimit. Është e domosdoshme të kemi një qasje më transparente nga ana e qeverisë dhe qasje më racionale nga ana e opozitës’, – u shpreh Presidenti Meta.

I pyetur mandje lidhur me çështjet ‘Babale’ apo ‘Xhisiela Maloku’, kreu i shtetit u shpreh qartë duke theksuar se: ‘Këto janë çështje në proces dhe shpresojmë që edhe Prokuroria, edhe Policia e Shtetit, edhe institucionet e tjera të cilat janë të përfshira në hetimin e këtyre çështjeve të mos kenë asnjë ndikim politik dhe të japin vendime të drejta dhe transparente, cilado qoftë kostoja e tyre, pavarësisht se kush mund të preket apo cenohet sepse kjo do të rriste kredibilitetin e këtyre institucioneve dhe së dyti, do të jepte mesazhe tepër pozitive për qytetarët për funksionimin e shtetit ligjor, njëkohësisht edhe mesazhe të qarta për të gjithë ata persona politikë apo pranë politikës të cilët dëshirojnë të kenë një pozicion të privilegjuar në raport me ligjin’, – theksoi Presidenti Meta.

PJESE NGA INTERVISTA

Gazetari: Po përtej promovimit unë do të doja që biseda jonë të përqëndrohej te zhvillimet më të fundit politike në vend, te debatet që zhvillohen jo vetëm në Tiranë, por edhe ato në Prishtinë. Sot kemi një fjalim që ka mbajtur Kryeministri i vendit, z.Edi Rama me strukturat drejtuese të Ministrisë së Brendshme, ku ai me tone tejet të ashpra kundër opozitës, kundër mediave gjithashtu, u shpreh për një ofensivë politiko-mediatike, e cila kërkon që të nxijë realitetin shqiptar. Dhe gjithnjë, sipas kryeministrit, të krijojë një perceptim se Shqipëria po dominohet nga kriminaliteti. Dhe kriminaliteti, gjithmonë sipas kryeministrit, është në shifra shumë më të ulëta se sa ato, le të themi, të katër apo pesë viteve më parë. Për ju si kryetar shteti, cili është perceptimi për kriminalitetin aktualisht?

Presidenti Meta: Natyrisht që kriminaliteti është një dukuri, që ekziston në çdo shoqëri, por ka shumë rëndësi raporti i tij me shtetin dhe me funksionimin e shtetit të së drejtës. Pra dallimi mes një vendi tërësisht demokratik apo ligjor është që krimi përpiqet të bëjë punën e tij, pra punën e krimit, por shteti gjithmonë është në goditje, në parandalim, në ofensivë kundër tij. Kjo do të thotë që siguria publike, aq më tepër siguria kombëtare, nuk janë të cenueshme.

Është tepër e rëndësishme të theksojmë se kjo është një betejë jo e thjeshtë dhe sigurisht që polarizimi i kësaj dukurie nuk ndihmon në forcimin e institucioneve të shtetit dhe forcimin e pavarësisë së institucioneve të drejtësisë dhe ligjzbatuese. Në vend që të përqendrohet energjia pozitive e të gjithëve, pra qoftë e mazhorancës, qoftë e opozitës, në lokalizimin dhe goditjen serioze të krimit, për shkak të polarizimit, dëmtohet besueshmëria e kësaj lufte dhe në këtë mënyrë, nuk ndihmohet në forcimin e autoritetit, as të shtetit, as të ligjit.

Është tepër e rëndësishme gjithashtu që të funksionojë shtetit i së drejtës. Është shumë e rëndësishme që të ketë reagime të shpejta e transparente për çdo ngjarje, që mund të ketë dyshime për ndikim të politikës ndaj institucioneve ligjzbatuese apo të drejtësisë.

Përndryshe, me mungesën e reagimeve të shpejta, padyshim që çon në tejzgjatje të këtyre debateve, që nuk ndihmojnë qytetarët në radhë të parë.

Sidoqoftë më e rëndësishme është ajo që mendojnë qytetarët. Kuptohet që na duhet shumë punë për të pasur besim edhe më të fortë te institucionet ligjzbatuese, pasi nuk është ndonjë gjë e re ta them se në zona të caktuara të vendit ndihet shqetësimi i qytetarëve apo sipërmarrësve përsa i takon garancisë te funksionimi i shtetit ligjor në raport me ‘të fortët’ apo me njerëzit e krimit.

Gazetari: Zoti President, që prej dy javësh opinioni publik shikon se si dy individë me të kaluar të dyshimtë, po i bëjnë publikisht ankand kryeministrit dhe shefit të opozitës, se cili ofron më shumë për ta. Si dilet nga kjo situatë e pakëndshme?

Presidenti Meta: E theksoj se është e domosdoshme të kemi një qasje më transparente nga ana e qeverisë dhe qasje më racionale nga ana e opozitës.

Gazetari: T’i marrim me radhë: Çfarë do të thotë secila?

Presidenti Meta: Në rast se nga ana e qeverisë do të ketë reagime më të shpejta, për rastet kur ka shqetësime, denoncime nga qytetarët, ngjarje kriminale, pra kur del dikush përpara përgjegjësisë në kohën e duhur, atëhere lihet më pak hapësirë për opozitën apo për opinionin dyshues.

Së dyti, është tepër e rëndësishme që edhe opozita të jetë racionale, që do të thotë se nismat apo edhe denoncimet të saj të jenë sa më të mirëfaktuara, me qëllim goditjen e këtyre dukurive, parandalimin e tyre, dhe jo thjesht zgjedhjen e tyre si një mënyrë për të dëmtuar qeverinë apo institucionet, te të cilët ajo nuk ka besim.

Gazetari: Opozita akuzon Prokurorinë se po bëhet palë në këto hetime, për të cilat sapo ju pyeta. A është e besueshme Arta Marku si Prokurore e Përgjithshme?

Presidenti Meta:  Këto çështje që ju ngritët janë në hetim. Ne kemi kërkuar nga ana jonë sqarimet tona në drejtim edhe  të Prokurorisë dhe institucioneve të tjera, sipas rastit, prej kohësh dhe në vazhdimësi për të krijuar një bindje më të plotë dhe një informacion më gjithëpërfshirës rreth këtyre fenomeneve apo rreth këtyre ngjarjeve.

Këto janë çështje në proces dhe shpresojmë që edhe Prokuroria, edhe Policia e Shtetit, edhe institucionet e tjera të cilat janë të përfshira në hetimin e këtyre çështjeve të mos kenë asnjë ndikim politik dhe të japin vendime të drejta dhe transparente, cilado qoftë kostoja e tyre, pavarësisht se kush mund të preket apo cenohet sepse kjo do të rriste kredibilitetin e këtyre institucioneve dhe së dyti, do të jepte mesazhe tepër pozitive për qytetarët për funksionimin e shtetit ligjor, njëkohësisht edhe mesazhe të qarta për të gjithë ata persona politikë apo pranë politikës të cilët dëshirojnë të kenë një pozicion të privilegjuar në raport me ligjin.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY