570 mijë euro dëm shtetit, KLSH kallëzim në Prokurori për ish-kryetarin dhe...

570 mijë euro dëm shtetit, KLSH kallëzim në Prokurori për ish-kryetarin dhe 4 drejtuesit

135
0
Shares

Ish-kryetari dhe 4 drejtues të Bashkisë Dibër janë kallëzuar në Prokurori nga Këshilli i Lartë i Shtetit.

Nga auditi i KLSH, dëmi ekonomik i konstatuar është në vlerën prej 71.8 milionë lekë, ose mbi 570 mijë euro dhe efekti negativ në Buxhetin e Shtetit nga përdorimi i fondeve publike pa ekonomicitet, efiçiencë dhe efektivitet në vlerën 204,2 milionë lekë ose mbi 1.6 milionë euro.

Gjatë auditimit, KLSH konstatoi shkelje dhe parregullsi të dispozitave ligjore në fushën e prokurimit publik, kryesisht në përzgjedhjen e procedurës së prokurimit, vlerësimin e ofertave ekonomike, duke vepruar me dy standarde vlerësimi, në zbatimin e investimeve, etj.

RAPORTI I PLOTE
– Në procedurën e prokurimit me objekt: “Përmirësim i infrastrukturës vendore dhe Rivitalizimi i hapësirave publike në zonën pranë Pallatit të Kulturës”, për vlerën prej 173,490,908 lekë, në të cilën kanë marrë pjesë 1 operator ekonomik (OE) dhe 1 bashkim i operatorëve ekonomikë(BOE), është skualifikuar me të drejtë BOE për mungesë dokumentacioni dhe është kualifikuar OE që nuk plotëson këto kritere.

– Në procedurën e prokurimit me objekt: “Ndërtimi i Shkollës së Mesme të Përgjithshme Maqellarë”, për vlerën prej 79,675,817 lekë, në të cilën kanë marrë pjesë 7 operatorë ekonomikë (5 prej tyre nuk kanë paraqitur oferta) dhe kanë paraqitur oferta 1 bashkim i operatorëve ekonomikë(BOE) dhe 1 operator ekonomik (OE), është skualifikuar me të drejtë BOE për mungesë dokumentacioni dhe është kualifikuar OE që ka mungesa të theksuara në dokumentacion.

– Në procedurën e prokurimit me objekt: “Rinovimi i infrastrukturës së bulevardit “Elez Isufi”, rrugës “Safet Zhulali” dhe rrugës së “Muzeut”, për vlerën prej 92,272,248 lekë, në të cilën kanë marrë pjesë 2(dy) bashkime të operatorëve ekonomikë(BOE) dhe 5(pesë) operatorë ekonomikë(OE), janë skualifikuar me të drejtë 4 OE dhe 2 BOE për mungesë dokumentacioni dhe është shpallur fitues operatori ekonomik që rezulton me  mungesa të theksuara në dokumentacion.

Të tria procedurat e mësipërme të prokurimit të hapur, me fond limit me vlerën 345,438,973 lekë dhe oferta fituese në vlerën 339,269,335 lekë, me një diferencë më pak nga fondi limit (kursim) në vlerën 6,169,638 lekë, ose në masën 1.7%, i kanë shkaktuar një dëm ekonomik Buxhetit të Shtetit në të tri procedurat në shumën rreth 51,6 milionë lekë, si rezultat i diferencës ndërmjet vlerës së ofertës të operatorit ekonomik të kualifikuar padrejtësisht (me vlerë më të lartë) dhe vlerës së ofertës të operatorit ekonomik të skualifikuar padrejtësisht (me vlerë më të ulët), duke sjellë shpenzimin e më shumë fondeve buxhetore dhe shpallje fitues të operatorëve ekonomikë që nuk kanë plotësuar Dokumentat Standardë të Tenderimit(DST).

Nga auditimi i zbatimit të punimeve civile të kontratës me objekt “Rinovim i infrastrukturës së bulevardit “Elez Isufi”, rrugës “Safet Zhulali” dhe rrugës së “Muzeut”, Bashkia Dibër, të kontratës me objekt “Sistemim asfaltim i rrugëve në lagje ku ka mbaruar ujësjellësi”, Bashkia Dibër, të kontratës me objekt “Sistemim asfaltim rruga Borde – Peshkopi, Nj.A. Luzni”, Bashkia Dibër, të kontratës me objekt “Sistemim asfaltim rruga Staravec-Shimçan-Zimur”, Bashkia Dibër dhe të kontratës me objekt “Ndërtimi i shkollës së mesme të përgjithshme Maqellarë”, Bashkia Dibër, rezultuan në total diferenca në volume pune të pakryera në fakt në vlerën 17.6 milionë lekë me TVSH.

Këto dhe shumë shkelje të tjera të konstatuara janë veprime në kundërshtim me Ligjin nr. 9643 “Për prokurimin publik”, datë 20.11.2006, i ndryshuar, neni 1 “Objekti dhe qëllimi”, pika 1, 2/a/b/c/ç/dh, neni 2, “Parimet e përzgjedhjes”, neni 24 “Anulimi i një procedure prokurimi”, neni 46 “Kualifikimi i ofertuesve”, pika 1 dhe neni 53 “Shqyrtimi i ofertave”, pika 3; 5.

Për këto shkelje, KLSH, me shkresën nr. 545/11 datë 06.09.2018 ka depozituar kallëzim penal pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Dibër ndaj H.F., me detyrë ish Kryetar i Bashkisë Dibër, në cilësinë e Titullarit të Autoriteti Kontraktor, L.C., me detyrë Drejtor Finance, në cilësinë e Kryetarit të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave(KVO), K.S., me detyrë ish-Përgjegjës Sektori në Drejtorinë e Kujdesit Social, në cilësinë e anëtarit të KVO, K.R., me detyrë ish-Përgjegjëse e Burimeve Njerëzore, në cilësinë e anëtares së KVO dhe Z.GJ., me detyrë Përgjegjëse e Sektorit të Kulturës, Edukimit, Komunikimit dhe Çështjeve Gjinore, në cilësinë e anëtares së KVO, për konsumimin e elementëve të veprave penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tender apo ankande publike” dhe “Shpërdorimit të detyrës”, parashikuar nga nenet 258 dhe 248 të Kodit Penal.

KLSH, me qëllim përmirësimin e situatës, i ka rekomanduar Bashkisë Dibër masa me karakter organizativ në lidhje me eliminimin e praktikave që kanë sjellë impakt negativ në Buxhetin e Shtetit, kryesisht në fushën e tatim taksave, si dhe të ardhura të munguara në vlerën 30 milionë lekë.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY