Ish-presidenti: Pse po e gënjen qeveria Këshillin e Evropës për pronat e...

Ish-presidenti: Pse po e gënjen qeveria Këshillin e Evropës për pronat e shqiptarëve

131
0
Shares

Ish-presidenti Bujar Nishani ka reaguar lidhur me të drejtën e pronës në Shqipëri duke analizuar se pse komiteti i ministrave të Këshillit të Evropës ka dështuar.

Në një postim në rrjetet sociale, Nishani shkruan se Sekretariati dhe për rrjedhojë dhe Komiteti kanë shqyrtuar, gjykuar dhe vendosur mbi të drejtat themelore të qytetarëve shqiptarë vetëm mbi komunikimin e njëanëshëm me Qeverinë Shqiptare.

Sipas tij ata janë të njëanshëm dhe se cili është kredibiliteti i Qeverisë Shqiptare mjafton të shohësh informacionin e saj drejtuar Këshillit të Evropës për kandidaturat për gjyqtar në GJEDNJ, kur u thotë se : “të gjithë ata kanë kaluar proçesin e vetingut”, kur në të vërtet askush prej tyre nuk ka kaluar kurrë në atë proces.

Postimi i Nishanit 

Të dashur miq, pse dështoj Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës për të drejtën e pronës në Shqipëri ?

Përpara pak ditësh përmes medias, Qeveria Shqiptare deklaroi se : “Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës, në mbledhjen e datës 19 shtator 2018, miratoi Rezolutën për Shqipërinë, me konkluzionin se mekanizmi i ri i kompensimit të pronave, parashikuar me ligjin 133/2015 është plotësisht funksional dhe efektiv”.

Kjo Rezolutë është miratuar vërtetë, por (për të ardhur keq), e pa mbështetur në faktet e vërteta, në injorim të parimeve dhe normave të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, pa respektuar dhe ndjekur protokollin dhe procedurën që ky Komitet dhe veçanërisht Sekretariati i tij, kanë ndjekur për të gjitha shtetet dhe qytetarët e vendeve të tjera, duke demonstruar një standard të dyfishtë ndaj qytetarëve shqiptarë, të cilët u dhunuan, grabitën dhe ju mohua e drejta fondamentale e pronës, më shumë se çdo individi në vendet e tjera ish-komuniste të sistemit bolshevik në Evropën Lindore.

Sekretariati e për rrjedhojë dhe Komiteti, kanë konkluduar se : “mekanizmi i ri është plotësisht funksional”.

Gjetje krejtësisht e pasaktë, jo korrekte dhe fyese ndaj qytetarëve shqiptarë.
Sekretariati dhe Komiteti çuditërisht kanë injoruar faktin se mbi 70% e pronarëve shqiptarë kanë refuzuar të bëhen pjesë e këtij mekanizmi dhe e kanë bojkotuar tërësisht atë sepse e konsiderojnë një mekanizëm që jo vetëm nuk është efektiv por rikthen dhunimin e të drejtës së tyre mbi pronën.

Ndaj ata, i janë drejtuar Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg duke besuar se të paktën ajo është e pa influencuar politikisht.
Sekretariati dhe për rrjedhojë dhe Komiteti kanë shqyrtuar, gjykuar dhe vendosur mbi të drejtat themelore të qytetarëve shqiptarë vetëm mbi komunikimin e njëanëshëm me Qeverinë Shqiptare.

Vetë Rezoluta tregon se ajo është mbështetur vetëm mbi korespondencën me qeverinë, vetëm mbi informacionet dhe dokumentacionin që ka dërguar kjo qeveri.
Se cili është kredibiliteti i Qeverisë Shqiptare mjafton të shohësh informacionin e saj drejtuar Këshillit të Evropës për kandidaturat për gjyqtar në GJEDNJ, kur u thotë se : “të gjithë ata kanë kaluar proçesin e vetingut”, kur në të vërtet askush prej tyre nuk ka kaluar kurrë në atë proces.

A ka kurajo më delirante se sa të gënjesh kaq dhunshëm një institucion kaq të lartë sa Këshilli i Evropës ?
Komiteti pra, merr për bazë në shqyrtimin e tij vetëm garancitë dhe informacionet e kësaj qeverie dhe nuk ka asnjë qasje ndaj aktorëve të tjerë !!!
Në proçesin e shqyrtimit nga Sekretariati dhe Komiteti mungon totalisht qëndrimi i Avokatit të Popullit (Ombudsmani).

Komiteti i Ministrave nuk mund ta kishte mohuar këtë detyrim të tij, por duhet të mbante të njëjtin standard siç ka bërë me rastet e vendeve të tjera.
Komiteti nuk pasqyron shqyrtimin e asnjë qëndrimi të palëve të interesit siç janë shoqatat e pronarëve apo shoqatat jo-qeveritare që mbrojnë të drejtat e njeriut.
Pra Rezoluta e Komitetit është tërësisht e njëanëshme dhe partizane.

Në këndvështrimin e Komitetit të Ministrave ; “Shqipëria i ka përmbushur të gjitha detyrimet sipas vendimit pilot të Manushaqe Putos & të Tjerët, , për ngritjen e mekanizmit efektiv të brendshëm për kompensimin e pronave të shpronësuara nga regjimi komunist”.

Ky konkluzion është krejtësisht larg së vërtetës.
Vendimi pilot Manushaqe Puto & Othr. si dhe ai “Sharra kundër Shqipërisë”, kërkojnë mbi të gjitha, që Harta e Vlerës të reflektoj çmimin e tregut.
Ligji i ri me hartën e tij jo vetëm që nuk pasqyron vlerën e tregut të viti 2015, por çmimin për zërin kadastral të pronës në vitit 1945 duke ligjëruar kështu jo vetëm sekuestrimin pa shpërblim prej 70 vitesh por edhe duke injoruar totalisht Vendimin pilot të Gjykatës së Strasburgut.

Parimi bazë i Doktrinës së Jurisprudencës, i Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe në tërësi të shtetit ligjor është “Siguria Juridike”.
Ligji i ri i pronave rivlerëson me formulë krejt tjetër të gjitha vendimet ligjore të afirmuara administrativisht dhe gjyqësisht më parë por që tani bëhen “nul” thjesht nga një vullnet i caktuar politik.

Rezoluta e Komitetit pajtohet me asgjesimin e parimit të “Sigurisë Juridike”.
Këtë e bën vetëm me rastin e Shqipërisë !
Nuk ka trajtuar kurrë ndonjë vend tjetër apo qytetarë të shteteteve të tjera me këtë standard.

Tashmë pas kësaj Rezolute të njëanëshme dhe partizane të Komitetit të KiE, njihemi nga media për një Raport të misionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, EURALIUS, mbi të drejtën e pronës.

Ky raport që për arsye të pashpjegueshme është mbajtur i papublikuar nga zyra e BE në Tiranë, bën një vlerësim krejt të ndryshëm nga Rezoluta e Komitetit të Këshillit të Evropës.

“Situata e pazgjidhur ligjore dhe faktike për kthimin dhe kompensimin e pronave të sekuestruara gjatë regjimit komunist si dhe legalizimi, shpronësimi dhe regjistrimi i pasurive të paluajtshme në Shqipëri, mund të përbëjë shkelje serioze të një prej të drejtave bazike të cilës i referohet neni 1 i protokollit 1 të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut, e drejta për ta gëzuar paqësisht pronën,” shkruan Euralius në përmbledhjen e gjetjeve të raportit.

“Ligji i miratuar në 2015-ën ndryshon nga paraardhësit e tij të miratuar në vitet 1993 dhe 2004, pasi ndryshon metodologjinë e përllogaritjes së kompensimit të tokave të shpronësuara”, vijon konkluzioni i EURALIUS.
Misioni i specializuat i BE nënvizon fort se : “ligji i 2015 i mohon të drejtën ose e redukton ndjeshëm të drejtën për kompensim të pronarëve origjinalë”.
Për fat të keq bllokimi i pakuptueshëm i publikimit të këtij Raporti duket se i ka shërbyer më së miri synimit politik të Qeverisë Shqiptare që ai të mungonte në procesin e shqyrtimit të çështjes së pronave nga Komiteti i KiE.
Qytetarët shqiptarë besojnë shumë se Ambasadori i ri i BE në Tiranë do të mundësoj botimin e tij, në mënyrë që tani të paktën Gjykata e Strasburgut ta ketë në dispozicionin e saj.
Avokati Popullit, si monitorues i kuadrit ligjor ka detyrimin të përgatis Raportin e tij për GJEDNJ si dhe Komisionin Evropian.

Për fatin e keq Rezoluta e Komitetit reflekton dështimin e mbrojtjes së të drejtës së pronës për qytetarët shqiptar.
Reflekton, dështimin në rivendosjen e të drejtës mbi pronën e sekuestruar pa shpërblim nga rregjimi stalinist në Shqipëri.
Por, këto dështime janë edhe dështim i Konventës Evropiane, është dështimi i Komitetit të Ministrave të KiE në mbrojtje të asaj Konvente, deshtim i të gjithë mentorëve dhe vëzhguesve në mbrojtje të të drejtave dhe lirive themelore në Shqipëri.

Por ky dështim i paralajmëruar (nga përpjekjet dhe shantazhet e turpshme të përfaqësuesve të lartë të qeverisë ndaj gjyqtarëve dhe zyrtarëve të Strasburgut), nuk duhet të dekurajojë qytetarët shqiptarë.
Shpresa e tyre, se Gjykata në Strasburg do të jetë e pandikuar politikisht dhe e paanëshme në gjykimin e së drejtës së tyre, barabar me të gjithë qytetarët e tjerë evropian, do të vdesë e fundit.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY