Bisedimet Kosovë-Serbi, përfshihet SHBA

Bisedimet Kosovë-Serbi, përfshihet SHBA

130
0
Shares

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, thanë se kanë biseduar me telefon me ndihmës sekretarin amerikan të shtetit për çështje evropiane dhe euro-aziatike, Wess Mitchell, për arritjen e një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Presidenti Thaçi, tha se me zotin Mitchell janë pajtuar që të shtohen përpjekjet për të arritur një marrëveshje, “e cila njëherë e përgjithmonë do t’i mbyllë armiqësitë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”. Ai tha se ndihmës sekretari Mitchell është zotuar se Kosova do ta ketë mbështetjen e palëkundur të Shteteve të Bashkuara në këtë proces.

Presidenti i Serbisë, tha se Shtetet e Bashkuara i japin mbështetje të plotë procesit të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe shpresojnë për një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe afatgjatë.

Në një njoftim të zyrës së tij, thuhet se presidenti serb i ka thënë zotit Mitchell se “do të jetë shumë e vështirë që të arrihet një marrëveshje, por ai do të bëjë gjitha çfarë është e mundur për qëndrueshmërinë afatgjate ne Ballkanin Perëndimor.

As njëri dhe as tjetri nuk i përmendën idetë e tyre për normalizimin e marrëdhënieve ndonëse gjatë ditëve të shkuara kanë kërkuar mbështetje për një marrëveshje që do të përfshinte edhe ndryshimin e kufijve.

Gjatë ditës, presidenti Thaçi takoi edhe ambasadorin e Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Greg Delaëie dhe ambasadorin amerikan në Serbi, Kyle Scott, për të diskutuar procesin aktual politik me Serbinë.

Presidenti Thaçi po përballet në shtëpi më kundërshtimin e idesë së tij për “korrigjimin e kufirit”. Partitë opozitare synojnë që më 4 shtator të mbajnë një seancë të jashtëzakonshme të parlamentit ku do të hidhet për miratim një rezolutë që, siç thuhet “i ndalon presidentit dhe kujtdo tjetër të negociojë për tërësinë territoriale të Kosovës”.

Presidenti Thaçi gjatë të enjten takoi në dy raste drejtuesit e institucioneve të Kosovës për të diskutuar këto çështje.

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, tha pas takimit të parë se procesi i bisedimeve nuk nënkupton diskutim të territorit as të kufijve të Kosovës.

“Edhe presidenti shprehu pozicionin e tij se respekton jo vetëm territorin dhe integritetin e sovranitetin e vendit por vetëm i ushtron funksionet e veta kushtetuese dhe nuk pranon që të diskutohet territori i vendit”, tha kryeministri Haradinaj.

Ai tha se institucionet e vendit duhet të dalin me qëndrim të përbashkët kundër përfshirjes së kufijve në bisedime.

“Ajo që është shumë me rëndësi është që të qartësohen pozicionet institucionale pra që të kemi qëndrim të qartë institucional që territori dhe kufijtë nuk diskutohen, pra nuk janë çështje për diskutim në kuadër të dialogut. Mendoj që kjo është rëndësia pastaj po është shumë me rëndësi që opozita e të gjithë të jemi pjesë e bisedimeve”, tha kryeministri Haradinaj.

Thaçi: Marrëveshja me Serbinë – pothuajse e pamundur

Të enjten pasdite presidenti Thaçi tha se arritja e një marrëveshjeje me Serbinë përjashton çdo mundësi të ndarjes apo shkëmbimit të territoreve, ndërsa theksoi se është në bashkërendim me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian për arritjen e marrëveshjes përfundimtare me Serbinë.

“Angazhimi është 100 për qind i bashkërenduar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian dhe gjithë akterët që duan paqe, qëndrueshmëri, konsolidimin e shtetit të Kosovës dhe në rrafshin ndërkombëtarë. Katë dilemë hiqeni, zërat tjerë janë zëra që me të vërtetë duan përshtjellim në skenën politike, duan frenim dhe duan që t’i frikësojnë qytetarët”, tha presidenti Thaçi.

Ai tha se të gjithë udhëheqësit e Kosovës pajtohen që bisedimet duhet të vazhdojnë dhe duhet shfrytëzohet momenti për të arritur një marrëveshje pasi që sipas tij. ai moment nuk do të zgjasë përgjithmonë.

“Përfundimisht dhe zyrtarisht i pëlqeu dikujt apo jo unë do ta shtroj kërkesën e shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, që ajo pjesë t’i bashkëngjitet territorit të Kosovës. Unë nuk kam ndonjë nostalgji për kufijtë që janë përcaktuar në kohën më të vështirë të dëbimit të shqiptarëve të vitit 1956 në kohën e famëkeqit (Aleksandër) Rankoviç, nuk kam ndonjë nostalgji për vijat e tij. Unë kur flas për korrigjim, flas për korrigjimin e padrejtësive që i janë bërë popullit shqiptar. Prandaj të gjithë janë të pajtimit që duhet vendosur kufiri me Serbinë dhe kjo arrihet vetëm përmes një partneriteti të ngushtë edhe me bashkësinë ndërkombëtare”, tha ai.

Presidenti Thaçi tha se arritja e marrëveshjes me Serbinë “është pothuajse e pamundur dhe se të dyja palët janë në pozicione krejtësisht të kundërta”.

“Ata që flasin për Trepçë, Gazivodë, Mitrovicë unë ua largoj frikën njëherë e përgjithmonë, ato janë të Kosovës njëherë e përgjithmonë dhe nuk ka njeri që e cenon. Ata që flasin për ndarje janë në agjendë të mundësisë për shtrirje të ideologjive jo perëndimore në Kosovë por edhe në rajon, por nuk do të kenë sukses”, tha ai duke nënvizuar se idetë për veriun janë ide të huaja, janë ide të njerëzve që e duan ndarjen e Kosovës.

“Nuk do të lejoj që në asnjë rrethanë dhe me asnjë çmim diçka të tillë por askush nuk duhet t’i frikësohet bashkangjitjes së Luginës së Preshevës, Kosovës. Prandaj do të punoj këmbëngulësisht me të gjithë akterët politik dhe në fund përmes referendumit qytetarët e Kosovës të deklarohen për marrëveshjen finale në mes të Kosovës e Serbisë. Kosova nuk do të mbetet peng i njerëzve inatçi në politikën e Kosovës, njerëzve të dështuar, njerëzve që më herët kanë qenë të gatshëm ta dorëzojnë Kosovën krejt Serbisë, e tash flasin për ankime apo të flasin që t’i shpallin luftë dikujt, ndërkohë kur ka qenë lufta kanë hezituar apo kanë pasur një pozicion komplet jo të guximshëm dhe që as kanë guxuar të mendojnë se Kosova do të fitojë lirinë”, tha ai.

Ai tha se marrëveshja me Serbinë do t’i hapte rrugën Kosovës drejt anëtarësimit në organizata të rëndësishme ndërkombëtare.

“Po unë dua dhe do të punoj këmbëngulsisht gjithashtu dua të ju siguroj juve dhe qytetarët e Kosovës se asnjë marrëveshje nuk do të ndodhë nga ana e Kosovës pa pëlqimin e plotë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës por edhe Bashkimit Evropian dhe NATO-s. Ata që duan ta izolojn Kosovën në kundërshtim me SHBA-në e kanë gabim, ata që deklarohen se Shtetet e Bashkuara po i bëjnë argat Rusisë në Kosovë e Ballkan e kanë gabim, ne duhet të jemi mirënjohës dhe të përulemi gjithmonë për rolin e SHBA-së”, tha ai.

Presidenti akuzoi opozitën për qasjen e saj ndaj procesit të bisedimeve.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, pritet të takohen më 7 shtator në Bruksel me ndërmjetësimin e shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian Federica Mogherini në kuadër të asaj që quhet periudha përfundimtare e bisedimeve. Zonja Mogherini tha të mërkurën mbrëma në Vjenë se pret një takim të vështirë në kërkim të një marrëveshjeje ligjore ndërmjet të dyja vendeve.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY