Status-quoja në Ballkan do ndryshojë përsëri. Pa konflikt s’ ka zgjidhje të...

Status-quoja në Ballkan do ndryshojë përsëri. Pa konflikt s’ ka zgjidhje të përhershme

99
0
Shares

Një ekspert i çështjeve të Ballkanit, ish-analist i lartë i CIA-s për rajonin dhe Evropën, thotë se patologjia e perëndimit për çdo zhvendosje territori e cungon diskutimin për Kosovën dhe Serbinë. David Kanin, profesor për Studime Evropiane në Universitetin “Johns Hopkins” në Uashington thotë se historia e Evropës është një histori e ndryshimit të kufijve. Por në këndvështrimin e tij, debati i rihapur për këtë temë është dytësor dhe çështja më e rëndësishme është ajo e sovraniteti të Kosovës, që do të mbetet e hapur përsa kohë nuk njihet nga Serbia dhe nga pesë anëtarët e BE-së që nuk e kanë pranuar pavarësinë e saj. Zoti Kanin e intervistoi gazetarja e Zërit të Amerikës, Keida Kostreci:

Zëri i Amerikës: Zoti Kanin, ju jeni mes ekspertëve që e njohin rajonin që e kanë ndjekur me vëmendje diskutimin e rihapur për shkëmbim territori, ndryshim kufijsh, apo ndarje mes Kosovës dhe Serbisë. Por mendoj se ju jeni ndoshta i vetmi që keni shprehur shqetësim se kjo përbën një kërcënim për statusin e Kosovës. Pse?

David Kanin: Unë nuk mendoj se ky diskutim kërcënon statusin e Kosovës. Statusi i Kosovës ishte i kërcënuar që në fillim. Konteksti është sovraniteti i cunguar i Kosovës. Nuk është një shtet i njohur universalisht. Nuk ka rëndësi sesa vende e njohin, pesë vende të Bashkimit Evropian nuk e njohin dhe sigurisht edhe Serbia, Rusia dhe Kina. Çështja është statusi i kontestuar i Kosovës. Diskutimi i tanishëm për ndarjen sado i zhurmshëm merret me çështjen dytësore se cili (vend) merr cilin territor. Pyetja për sovranitetin e Kosovës është çështja kryesore dhe do të mbetet e hapur përsa kohë nuk njihet nga Serbia dhe nga pesë anëtarët e BE-së që nuk e njohin dhe unë nuk shoh shenja se kjo do të ndryshojë. I gjithë ky diskutim nuk ka lidhje me këtë.

Zëri i Amerikës: Shkëmbimi i territoreve mund të ndodhë midis dy shteteve sovrane. A nënkupton kjo që Serbia duhet ta njohë Kosovën më parë? Si mund të hyjë Serbia në diskutim me një territor që sipas saj nuk është shtet?

David Kanin: Jo, nuk është e thënë. Pjesë e diskutimeve ka qenë mundësia që Kosova të marrë një vend në Kombet e Bashkuara, domethënë që të mos njihet zyrtarisht (nga Serbia). Kjo do të bënte të mundur që Serbia të shmangte njohjen de jure të Kosovës. Shumë akademikë dhe diplomatë perëndimorë do të ishin të kënaqur me anëtarësimin në OKB, duke menduar se vendi në OKB do të thoshte njohje e pavarësisë. Jo, nuk do të thotë këtë. Kosova do të ishte në OKB dhe një shkëmbim territori mund të ndodhte – dhe e përsëris që kjo është teorike dhe nuk besoj se do të ndodhë – por Kosova do të kishte diçka më pak sesa status të plotë. Taivani kishte një vend në OKB dhe në Këshillin e Sigurimit për dekada, derisa balanca e pushtetit ndryshoi dhe tani Kina është në OKB dhe Taivani jo. Kosova nuk është Taivan, është një kontekst tjetër, por ngjashmëria mes dy situatave do të ishte se Kosova nuk do të kishte sovranitet, do të kishte vetëm një vend në OKB, që është shumë më pak. Kjo ka qenë pjesë e diskutimeve. Sipas pikëpamjes sime, nëse Kosova pranon që në fillim më pak sesa sovranitet të plotë, si pjesë e marrëveshjes fillestare, atëherë e ka humbur lojën.

Zëri i Amerikës: Çfarë mendoni për idenë në vetvete?

David Kanin: Ndarjen?

Zëri i Amerikës: Njerëzit po e quajnë shkëmbim territori, ndryshim kufiri. Nuk e di nëse mund të quhet ndarje nëse palët bien dakord…

David Kanin: Çdo shkëmbim territori dhe lëvizje popullate – dhe të dyja këto do të ndodhnin me këtë ide – sido që t’ia vësh emrin, do të ishte sakrilegj në sytë e institucioneve perëndimore, diplomatëve OJQ-ve, akademikëve dhe intelektualëve publikë, që kanë një farë besnikërie patologjike ndaj demokracive laike, shumëetnike, të integruara, si rruga e vetme për të ecur përpara, rruga evropiane. Angela Merkel tha përsëri se kufijtë në Ballkan nuk do të ndryshojnë. Historia evropiane është një histori e ndryshimit të kufijve dhe lëvizje popullsish. Kjo nuk ka ndaluar. Çdo ndryshim i Jugosllavisë që kur Jugosllavia u shpërbë ka qenë për ndryshim kufijsh lëvizje njerëzish, disa të mbështetura nga perëndimi dhe disa të kundërshtuara.

Ajo që po them është se elitat perëndimore që pretendojnë se dominojnë rajonin, vazhdojnë t’u thonë njerëzve në rajon se nuk ka alternativë përveç demokracive shumëetnike, laike të integruara. Çdo zhvendosje territori që do të sillte lëvizje njerëzish dhe njohje e çdo gjëje mbi baza etnike është sakrilegj, sulmohet si ide, gjithkush thotë që është e tmerrshme, se nuk mund të ndodhë. Pra është diçka që ka të bëjë me politikat e perëndimit dhe ndjesisë së tij të privilegjit në rajon, pasigurive të veta për problemet e veta dhe modelet e veta dhe mendoj se patologjia për këtë nocion, e cungon diskutimin, do të thotë që nuk lejohesh t’i shqyrtosh këto lloj idesh. Dhe është kjo mungesë e shqyrtimit të mundësisë për ndryshim që do të ishin të ngjashme me ndryshimet që kanë ndodhur dhe vazhdojnë të ndodhin në Evropë, lënia e të gjitha atyre jashtë, që e ndryshon drejtimin e diskutimit dhe bën që të mos jetë shumë i vërtetë sipas mendimit tim dhe sjell si rezultat mungesë zgjidhjeje, e lë pezull statusin aktual dhe mendoj se do të vijë dita kur të ketë një raund të ri luftimesh, qoftë në Maqedoni, Bosnje, Kosovë, do të ketë raunde të reja vështirësish, pjesërisht sepse shqyrtimi i mundësive të tjera përveç atyre që lejohen nga institucionet perëndimore nuk lejohen.

Zëri i Amerikës: Pra ju mendoni se kundërshtimi nga Perëndimi ia ndryshon drejtimin diskutimit?

David Kanin: Mendoj që ia ndryshon drejtimin dhe e frenon diskutimin, e mban rajonin në pozita varësie. “Nuk janë gati për këtë apo atë”. Kjo e gjitha presupozon se të huajt i lejojnë vetes të drejtën që t’u thonë njerëzve në rajon se ç’të bëjnë. E bllokon diskutimin.

Zëri i Amerikës: Ju sa folët për pozicionin e Kancelares Merkel, pozicionin e Bashkimit Evropian, por pozicioni i Shteteve të Bashkuara ka qenë më pak i qartë. Më parë ishte thënë se nuk do të kishte ndryshim kufijsh dhe shkëmbim territoresh ndërsa tani thuhet se palët duhet të jenë elastike dhe zgjidhja duhet të vijë prej tyre. Por nuk ka qëndrim të prerë pro ose kundër. A është kjo një çarje mes Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara?

David Kanin: Së pari desha të them, meqë kam punuar për qeverinë se mendimet që po shpreh janë të miat, jo të qeverisë. Jam i kënaqur që shoh një mungesë qartësie në pozicionin e Shteteve të Bashkuara, sepse ka hapur shumë gjëra për diskutim. Mendoj se saktësia e rreme e kënvështrimit tradicional perëndimor dhe i këndvështrimit që ende ka Evropa, i ndrydh shumë gjërat. Ideja e shkëmbimit të territoreve, lëvizjes së popullatave, ka qenë që në fillim mbi tryezë. Privatisht, njerëzit flasin për këtë në rajon gjithë kohës, ky diskutim nuk ka ndalur kurrë. Pyetja për qëndrimin e Amerikës, i ka hequr kapakun këtij diskutimi dhe tani po bëhet hapur dhe kjo është diçka e mirë. Nuk do të thotë se do të sjellë këmbim territoresh ose ndarje, ose çfarëdo që do ta quash. Unë nuk besoj se do të ketë zgjidhje, diplomatike apo të ndonjë lloji tjetër, për një kohë të gjatë në rajon. Mendoj se kjo gjendje do të vazhdojë për një kohë të gjatë, derisa disa aspekte të kontekstit të lëvizin, përsa u takon fuqive të jashtme dhe vendasve. Por mendoj se mungesa e qartësisë në pozicionin amerikan nuk është gjë edhe aq e keqe, duke pasur parasysh problemet në rajon dhe dëmin që është bërë nga kufizimi që perëndimi ka imponuar për një kohë kaq të gjatë. Është diçka konstruktive.

Zëri i Amerikës: Kur thoni mungesë qartësie, a keni parasysh mungesën e shprehjes së një qëndrimi publikisht, apo mungesë e një politike koherente, sepse ka nga ata që mund të thonë që mungesa e një politike koherente amerikane do të ishte problematike.

David Kanin: Nuk jam i sigurt nëse ka një politikë koherente amerikane (për këtë çështje). Unë nuk shoh që të ketë. Kjo nuk me shqetëson edhe aq shumë. Gjithmonë flasim se çfarë mendon perëndimi, cila është politika perëndimore, nëse popujt e Ballkanit Perëndimor do të hyjnë në Bashkimin Evropian ose jo, nëse amerikanët kanë një politikë apo jo. Unë mendoj se sa më shumë vendasit t’i marrin çështjet në dyert e tyre, aq më mirë është, çfarëdo që të ndodhë. Unë mendoj se i vetmi shans për një zgjidhje afatgjatë është nëse për të bihet dakord nga vendet vetë dhe kjo do të kishte problemet e veta. Jo vetëm që nuk është e lehtë dhe ka shumë çështje që pengojnë një zgjidhje së shpejti. Por mendoj se përsa kohë të ekzistojë në rajon statusi i imponuar nga perëndimi, i imponuar nga jashtë, presioni do të vazhdojë të shtohet. Do të vijë një ditë kur luftrat e viteve 1990, do të mbeten mjaftueshëm larg në të shkuarën, saqë dikush do të arrijë në përfundimin se nuk janë më të shqetësuar për dëmin e shkaktuar, njerëzit do të harrojnë për dëmin, një brez i ri do të vijë dhe do të ketë luftime prapë, unë mendoj se ka gjasa që kjo të ndodhë. Lajmi i mirë përsa i takon mungesës së konfliktit, është se ka njerëz mjaftueshëm që e mbajnë mend tmerrin dhe nuk duan që ta përjetojnë prapë. Por kjo nuk do të zgjasë ndërsa vijnë brezat e rinj. Do të vijë një kohë kur status-quo-ja e tanishme që është tentative dhe asgjë nuk është zgjidhur në Jug të lumit Ibër, do të vijë koha kur të do të ketë konflikt tjetër nëse nuk fillon të zgjerohet diskutimi, të marrë drejtim tjetër dhe nëse vendim-marrësit lokale nuk fillojnë të marrin autoritetin dhe përgjegjësinë për atë që ndodh në rajonin e tyre dhe të ndjejnë përgjegjësinë e llogaridhënies para aktorëvë të tjerë lokalë që kanë interesa, jo vetëm ndaj amerikanëve, evropianëve ose apo edhe rusëve apo të tjerëve.

Zëri i Amerikës: Por si mund të ndodhë kjo kur këto vende aspirojnë të futen në klubin ku janë këto vende të Perëndimit, të Bashkimin Evropian?

David Kanin: Mendoj se aspirata për BE-në, është pjesë e patologjisë. Ata nuk do të futen aty të paktën për të ardhmen e afërt. Data që ekziston sot është 2025 por evropianët vazhdojnë ta shtyjnë. Nuk ka shenja që evropianët janë pranë pranimit të ndonjërit prej këtyre e vendeve. Shtyrjet e vazhdueshme e mbajnë situatën siç është, e ngrijnë. Por status-quoja nuk do të vazhdojë përgjithmonë, ashtu si edhe kufizimet e tjera të sigurisë të imponuara nga perëndimi që nga Kongresi i Berlinit, kanë mundur të zgjatin për një periudhë kohe dhe pastaj kur gjendja e sigurisë ndryshon, kur kushtet e jashtme të sigurisë ndryshojnë, kur konteksti ndryshon atëherë gjërat rrëzohen në rajon. Dhe me situatën e tanishme, nëse asgjë nuk ndryshon kjo do të çojë në konflikt të mëtejshëm.

Zëri i Amerikës: Pra ju po thoni që nuk është ide e keqe por nuk është realiste?

David Kanin: Nuk është ide e keqe, është një bazë konstruktive për diskutim. Nuk ka asgjë mbi tryezë, mbi tryezën e askujt, nuk ka asgjë në Uashington, e sigurt që nuk ka gjë në Bruksel, asgjë në Moskë, që do ta zgjidhte këtë çështje, asnjë ide, asnjë propozim. Asnjë nga palët e jashtme nuk do ta zgjidhë këtë. Ajo që mund të bëjnë është që ta ngrijnë për një kohë dhe këtë kanë bërë. Problemi është se një ditë kur kjo ngrirje të thyhet, kur kjo situatë të kriset, personat që do të jenë viktima do të jenë njerëzit e rajonit sepse do ta gjejnë vetën në një situatë kur gjërat përsëri do të jenë të mundura për t’u marrë.

Zëri i Amerikës: Çfarë të ngrijnë?

David Kanin: Ata përpiqen të ngrijnë kufijtë dhe kontrollojnë diskutimin për zgjidhjet e mundshme. Asgjë nuk është e pranueshme në Bruksel nëse nuk është “prodhuar” në Bruksel. Bashkimi Evropian ka nevojë ta përdorë Ballkanin për të marrë meritën për çdo “zgjidhje” dhe e them në thonjëza, sepse nuk ka një zgjidhje, por për çdo “zgjidhje” që mund të japin ata, sepse evropianët janë të shqetësuar sepse tani janë të vegjël, nuk kanë atë ndikim që kanë pasur. Dhe këtu bëhet fjalë vetëm për përpjekjen e Evropës që t’i provojë vetvetes dhe të tjerëve, se janë ende të rëndësishëm në botë. Balkani është thjesht një instrument në këtë drejtim, asgjë më shumë.

Zëri i Amerikës: Nëse kjo ide hidhet në tryezë dhe BE-ja dhe Uashingtoni bien dakord, a e vë kjo Kosovën në një pozicion më të dobët sesa Serbinë meqenëse është ajo të cilën Serbia dhe vende të tjera nuk e kanë njohur?

David Kanin: Kosova është në një pozitë më të dobët se Serbia sepse është një vend që nuk është i njohur nga të gjithë. Kjo nuk ndryshon nëse Serbia nuk e ndryshon. Serbia ka avantazhin që është një vend universalisht i njohur që ka të drejtën të japë ose jo njohjen e Kosovës. Kosova nuk e ka atë marrëdhënie me Serbinë. Mënyra se si u bë pavarësia e Kosovës në vitin 2008, dhe ne e bëmë këtë, ne e kemi faij, e ka bllokuar sovranitetin e saj dhe e ka vendosur Kosovën në një pozitë të pafavorshme. Ky diskutim nuk e ndryshon një gjë të tillë.

Zëri i Amerikës: Si mendoni që kjo iniciativë e prek rajonin më gjerë, së pari Maqedoninë meqë referendumi po afrohet por edhe rajonin?

David Kanin: Lidhje me Maqedoninë është e qartë. Dy çështjet nuk janë identike por nuk janë as paralele. Evropianët kanë nevojë për disa lajme të mira, u duhet që diçka të shkojë mbarë në Kosovë, ose Maqedoni. Këto dy çështje nuk do të përckatojnë njëra-tjetrën por nëse gjërat nuk shkojnë mirë në Maqedoni, kjo do të ushtronte më shumë presion mbi serbët dhe kosovarët nga evropianët që të gjejnë diçka, që të mund ta quajnë normalizim, që mua më duket një term shumë i keq. Nëse çështja e Maqedonisë është e suksesshme, atëherë do të ketë një lloj tjetër trysnie ndaj Kosovës për të ruajtur vëmendjen e njerëzve. Unë jam i shqetësuar se problemi i Maqedonisë do të dështojë në Greqi. Mendoj se qeveria e Maqedonisë do të jetë në gjendje që të ketë sukses me referendumin dhe nga ana e saj ta nënshkruajë marrëveshjen, por nuk jam shumë i sigurt për Greqinë. Opozita greke mund ta hedhë poshtë. Dy proceset do të ndikojnë tek njëri tjetri për shkak të nevojës së BE-së për sukses, për shkak të paqartësisë së qëndrimit amerikan, sespe i jep mundësi Rusisë të manovrojë në dy pjesët e rajonit ka mjaft hapësirë të veprojë në dy pjesët e rajonit, si edhe në Bosnnje, por gjithçka është disi e papërcaktuar dhe përsa kohë që këto diskutime të vazhdojnë, kjo gjendje do të vazhdojë. Parashikimi im është që në fund të fundit nuk do të kemi shumë ndryshim për Kosovën, që ky diskutim do të shkojë deri në një farë pike dhe pastaj do të fillojë të zbehet. Mendoj se çështja e Maqedonisë është shumë më kritike sepse atje ose do të kemi ose nuk do të kemi ratifikim marrëveshjeje. Me Kosovën, diskutimi i ndarjes, shkëmbimit të territoreve, mund të vazhdojë deri në një farë kohe, të zbehet dhe pastaj të vazhdohet me të njëjtën situatë. Por me Maqedoninë meqë ka pasur një marrëveshje mes dy vendeve, nëse ajo dështon do të ishte shumë më serioze.

Zëri i Amerikës: Një nga temat që është hapur me diskutimin e shkëmbimit të territorit, është se disa njerëz filluan të shprehin shqetësimin se çfarë do të ndodhë në të ardhmen nëse Kosova do që të bashkohet me Shqipërinë. Nëse dy vendet bien dakord, ç’të keqe do të kishte?

David Kanin: Problemi është se jo të gjithë do të bien dakord, as në botën shqiptare nuk do të bien të gjithë dakord. Nuk është aq e thjeshtë. Le të mos flasim për anën ekonomikë, për disa çështje kulturore dhe historike. Për shqiptarët e Maqedonisë problemi bëhet i mprehtë. Ata do të pyesin veten. Çfarë do të bëjmë? A mund të bashkohemi edhe ne me ta? Dhe maqedonasit do të pyesin se ç’do të thotë kjo për vendin e tyre, a mund të mbështetemi tek shqiptarët që të jenë pjesë e këtij koalicioni që kanë pasur që më vitet 1990, me qeverinë me përfaqësues nga të dyja komunitetet? E vë në pikë pyetje Maqedoninë. Por nuk besoj se duhet të shqetësohemi për këtë, sepse kundërshtimi ndaj një Shqipërie të Madhe, brenda komunitetit shqiptar është i konsiderueshëm. Nuk është aq e thjeshtë. Dhe sigurisht ata që nuk janë shqiptarë do të kishin shumë dyshime për këtë çështje. Këto gjëra mund të ndodhin në një të ardhme të pacaktuar, por vetëm si rezultat i një konflikti të mëtejshëm. Për fat të keq – dhe ka literaturë për këtë – nëse nuk ka konflikt, është shumë vështirë të kesh zgjidhje të përhershme. Unë nuk po bëhem avokat për konflikt por historikisht negociatat nuk janë të suksesshme, përsa i takon marrëveshjeve të përhershme dhe të pranuara universalisht. Prandaj unë nuk do ta shikoja diskutimin aktual si bazë për Shqipëri të Madhe, apo ndarje të Kosovës, apo anëtarësim të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Asnjë nga këto nuk ka gjasa që të ndodhë,

Zëri i Amerikës: Domethënë, gjendja do të mbetet për të ardhmen e afërt ashtu siç është?

David Kanin: Do të mbetet për të ardhmen e afërt, e papërcaktuar. “Ashtu siç është” është e diskutueshme. Ndryshime kemi parë. Shumica e ndyshimeve që kemi parë që nga vitet 1990, kanë qenë shkëmbime territori, ose ndarje, ose lëvizje popullatash, të gjitha gjëra që qeveritë dhe intelektualët perëndimorë, thonë se nuk mund të ndodhin dhe kanë thënë që nuk mund të ndodhin që në vitet 1990. Shikoni deklaratat e qeverive perëndimore, akademikëve dhe OJQ-ve gjatë gjithë kësaj kohe, që thonë çfarëdo që të jetë status-quoja, nuk mund të ketë më ndryshim kufijsh dhe në fakt janë bërë ndryshime kufijsh dhe pastaj ajo bëhet status-quoja. Status-quotë nuk mund të zgjasin për gjithmonë. Status-quoja aktuale, sipas mendimit tim do të ndryshojë përsëri.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY