KOMENT/Korsitë e reja të biçikletave janë të paligjshme-një bashki e kundra-ligjshme,një bashki...

KOMENT/Korsitë e reja të biçikletave janë të paligjshme-një bashki e kundra-ligjshme,një bashki anti-qytetare

234
0
Shares

Nga Akil Kraja – Anëtar i Këshillit Bashkiak Tiranë

Tirana, nuk është më një demokraci por një autokraci vendore. Rasti i “zgjerimit” të korsive të reja për biçikletat është një shëmbull flagrant i derivës së qeverisjes së qytetit.

Mungesa e transparencës, mungesa e debatit publik, mungesa e alternativave, mungesa e një kostimi dhe të një analize strategjike mbi impaktin në mobilitetin e qytetit, dëshmojnë të gjitha se sa pak merret në konsideratë “qytetari” në vendimarrjet e Bashkisë Tiranë.

“Legjislativi” lokal është kthyer në një strukturë tërësisht jo-funksionale. Ekzekutivi bën çdo gjë. Propaganda mbulon gjithçka.

Nga ku dhe mëndje-lehtësia flagrante në shkeljen e ligjit.

Me vendimin nr. 49, dt. 11/11/2015, Këshilli Bashkiak miratoi hartën e re të parkingjeve me pagesë/të lirë në rrugët e qytetit. Ngritja apo heqja e tarifave, si ato të parkimit, janë një e drejtë ekskluzive e Këshillit Bashkiak. Vendimi 49/2015 parashikon për shembull se rruga Ibrahim Rugova (rruga që përshkon segmentin nga Lana, nëpër bllok e deri tek Garda e Republikës) do të ishte 80% me pagesë dhe 20% parkim i lirë & për invalidë. Ky vendim është “ligjërisht” ende në fuqi.

Por çfarë ka ndodhur në praktikë.

Në shkelje flagrante të ligjit dhe të VKB-së 49/2015, Bashkia Tiranë i ka hequr tërësisht të drejtën qytetarëve të parkojnë në këtë rrugë duke “zgjeruar” korsitë e biçikletave. A mban njeri përgjegjësi?

Ta themi qartë e një herë e mire: PO korsive të biçikletave, por JO autoritarizmit në vendimmarrje!

Ligji duhet respektuar, Këshilli Bashkiak duhet respektuar, qytetarët duhen respektuar.

Shtrenjtimi i çmimit të transportit urban ishte sinjali i parë i “modelit” të qeverisjes që do të na ofronte Bashkia Tiranë. U tha çmimi nuk do të rritet, por ai u rrit me 30%. Sërisht mungesë transparencë dhe konsultimi me qytetarët.

Këto sinjale vijuan me vendimmarrjen që shumë-fishoi parkingjet me pagesë nëpër lagjet e qytetit. Të parkosh në qytet është kthyer në një makth, jo vetëm për shtrenjtësinë por dhe për numrin e limituar të vendeve. Sot, Tirana mban një rekord kombëtar me 1 gjobë parkimi të vendosur çdo 5 minuta nga Policia Bashkiake gjatë vitit 2017.

Së fundmi, mënyra sesi u operua me ngushtimin e korsive në favor të biçikletave, konfirmoi përfundimisht se vendimmarrjet e Bashkisë Tiranë janë jo-transparente dhe aspak të konsultuara me qytetarët.

Askush nuk e njeh pronësinë reale të kompanisë “Mobike” të “reklamuar” kaq fort nga Bashkia Tiranë. Askush nuk ka dijeni për “kostot reale” të kthimit të trotuareve publike në korsi të dedikuara për biçikleta. Askush nuk ofron dot një përgjigje të qartë së çfarë po ndodh me “mobilitetin” në Tiranë sot. Askush nuk mund të kundërshtojë mbi faktin se politikat e “mobilitetit” janë kthyer në “investimeve fasadë” (shikoni sesi u ka dalur “boja” korsive jeshile të bicikletave…)

Rezultati ?

Sot Tirana është në agoni. Një qytet pa mobilitet është një qytet pa frymë-marrje, pa ekonomi, pa oportunite, pa dinamizëm.

Projekti skandaloz i sheshit Skënderbej, shumë-fishimi i lejeve të ndërtimit, braktisja e projektit të tramit, mos investimi në akse dhe teknologji të reja transporti, të gjitha marrë së bashku, e kanë kthyer Tiranën në një qytet të paralizuar.

Sot të lëvizësh në Tiranë kushton shumë: në kohë, në para & në mirëqënien personale.

Ndaj këmbëngulim tek ky shëmbull sporadik por tejet domethënës : korsitë e reja të biçikletave janë të paligjshme. Një bashki e kundra-ligjshme, është një bashki anti-qytetare.

Është kaq e thjeshtë dhe kaq problematike njëherazi.

Të rikujtojmë cështjen e ndërtimit të “inceneratorit” të plehrave të Tiranës dhe e kuptojmë se sa lehtësisht ky shëmbull dhe kjo mungesë transparence, apo autokraci vendore, vlen si për gjërat e vogla (korsitë e bicikletave) ashtu dhe për ato më të “mëdha”.

Nuk jemi më një demokraci, por në një autokraci vendore.

PS – fotoja e Rr. se Kavajes eshte marre ne vijim te shqetesimit ngritur nga Z.Bashkim Zahaj

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY